Zbulimi i rastësishëm i dy gurëve në Mirditë ka rikthyer edhe njëherë vëmendjen nga historia. Hamendësime dhe fakte të gjetura në kohë e kanë lidhur Ndërfanën e Mirditës, si vendi i mundshëm ku ka qenë shteti i parë i Arbrit. Gjetja e dy gurëve vezakë të pazakontë është lidhur pikërisht me këtë tezë. Disa mjete të firmës së ndërtimit të rrugës “Bechtel-Enka”, gjatë gërmimeve të ditës së djeshme, rreth 500 metra nga Kisha e Gëziqit kanë hasur në dy gurë vezakë jo të zakontë, të përmasave gjigande. Sapo kanë parë këta gurë të rrallë, drejtuesit e mjeteve kanë ndaluar punimet e tyre.
Në momentin e zbulimit i pranishëm ka qenë edhe një banor i këtij fshati, i cili, duke ditur se fshati i tij lidhej me principatën e parë të Arbrit, ka këmbëngulur që të bëhej sa më shumë kujdes që gurët të mos dëmtoheshin. Pas këtij zbulimi është lajmëruar menjëherë bashkia e Rrëshenit. Kryetari Gjon Dedaj i shoqëruar nga disa specialistë të kulturës dhe historianë është gjendur në Kodrat e Gëziqit për të parë nga afër gjetjet. Pasi kanë shqyrtuar dy gurët e çuditshëm, përfundimi ka qenë i vështirë për t’u arritur. Hamendësimet kanë çuar në dy versione. Këta gurë mund të jenë pjesë e një formacioni gjeologjik ose një gjetje arkeologjike e hershme.
Për të sqaruar këtë çështje janë thirrur në ndihmë gjeologë të njohur dhe zbulimi do t’u bëhet e njohur edhe instituteve përkatëse në Tiranë. Drejtues të sektorit të kompanisë “Joint Venture Bechtel-Enka” nuk kanë lejuar gazetarët të filmojnë apo fotografojnë, pasi sipas tyre “ne respektojmë kontratën vetëm me Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për çdo lloj gjetje, qoftë dhe arkeologjike”. Do të jenë specialistët ata që do të përcaktojnë në ditët në vijim se çfarë janë këta dy gurë. Ndoshta ata do të jenë një fakt më tepër për të ndriçuar historinë e këtij vendi. Edhe më herët, në rrënojat e kishës së vjetër të Ndërfanës janë është zbuluar Stema e Arbrit. Bashkë me të është gjetur dhe mbishkrimi epigrafik i arkitraut të Bazilikës së Shënpremtes së Ndërfanës, që lidhet sërish me principatën e Arbrit.
Gurët
Ndonëse nuk është arritur ende në përfundime të sakta për gurët e zbuluar në afërsi të kishës së Gëziqit, specialistët kanë dhënë së pari disa detaje të tyre. Të dy gurët kanë përmasa të ndryshme nga njëri-tjetri. Guri i vogël i gjetur në formë vezake kishte përmasat 76 x 84 dhe 66x 84. Guri i madh i gjetur, po në formë vezake ka perimetër 380 cm dhe lartësi 110 cm. Me ngjyrë gri, i limuar dhe jo i daltuar, me përbërje homogjene, strukturë konforme, me peshë të madhe specifike. Guacka në të cilën u gjet, i ngjasonte një vazoje të stërmadhe.
U gjet në thellësi 4 metra, në dy pika. Versioni i një gjetje arkeologjike qëndron në faktin se këta lloj gurësh mund të kenë qenë objekte zbukuruese të një qendre të njohur qytetare të lashtë, një objekt mbrojtjeje, stolisje, pse jo dhe objekt sulmi në të rrotulluar. Por do të jenë studimet e mëvonshme që do t’i japin përgjigje gjithë hipotezave të hedhura. Ndërkohë nga autoritete e autostradës, është lënë porosi të punohet me shumë kujdes në këtë zonë.
Andri Duro - Gazeta Shqiptare