Ky informacion vjen nga një raport zyrtar i drejtuesve të lartë të FBI-së.
Sipas raportit mafia shqiptare, e cila është e përbërë nga elementë kriminalë të larguar nga fiset shqiptare të Ballkanit, vitet e fundit është kthyer në një problem shqetësues, në njërën pjesë të qytetit New York-ut, në të cilën jetojnë rreth 150 mijë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi. Organizata që vepron në verilindje të New York-ut, por edhe në qytete të tjera bregdetare, megjithëse është goditur në disa pjesë të strukturës së saj, vazhdon të përbëjë një sfidë të rëndësishme për agjentët e FBI-së.
Gjithashtu sipas raportit, shqiptarët cilësohen nga FBI-ja si më pak të sofistikuar, por nga ana tjetër këta të fundit janë shumë më tepër të dhunshëm, se pjesëtaret e mafies ruse apo italiane.
Hetimi
Byroja e Hetimit Federal nisi hetimin intensiv për shkatërrimin e mafies shqiptare në vitin 2003. Mirëpo koha kur kanë filluar procedurat hetimore, fliste për një organizatë tepër të fuqishme shqiptare, e cila operonte në mënyra krejt të ndryshme nga grupet e tjera mafioze.
Veç të tjerash mësohet se në këtë periudhë grupet kriminale shqiptare, kishin ngritur krye ndaj mafies italiane dhe greke, pasi këto të fundit gjatë një kohe të gjatë ishin në survejim të përhershëm.
Gjatë hetimeve të kryera nga ekspertët e FBI-së në zonën verilindore të New York-ut kundër mafies shqiptare, u arrit të zbulohej një numër i lartë familjesh mafioze, për të cilat iu kërkua edhe informacion të mëtejshëm drejtësisë shqiptare. Mirëpo megjithëse janë kryer një sërë operacionesh nga FBI-ja, për të shfarosur krimin e organizuar, mafia shqiptare vazhdon të jetë e përhapur në qytetin e New-York-ut në një numër relativisht të lartë.
Organizimi
Organizimi i mafies shqiptare në SHBA ndryshon dukshëm nga të gjitha mafiet tjera në botë, sepse sipas raportit thelbin e një celule kriminale e përbëjnë anëtarët e ngushtë të një familjeje, fisi apo shoqërie mes kriminelëve. Individë shqiptarë që janë të inkriminuar në botën e krimit, kryejnë vrasjen e kundërshtarit, në bazën e një parimi të vetëm të gjakmarrjes.
Gjithashtu, grupet mafioze shqiptare kryejnë një sërë veprash penale si vjedhje, mashtrime, prostitucion, trafikim të lëndës narkotike, rrëmbime, të cilat i shfrytëzojnë për kërcënim ose për vënie gjobash ndaj familjarëve.
Sipas raportit, të gjitha këto veprimtari kriminale që zhvillon mafia shqiptare, kryhen në lokalet e natës, vende këto që janë marrë me qira nga kokat e grupeve.
Gjithashtu një problem që ndikon negativisht për procesin e hetimit të ngjarjeve kriminale, është edhe mungesa e një individi shqiptar në zyrat e FBI-së, pasi për vendet e tjera ky institucion e ka një të tillë.
Organizata mafioze “Korporata”
Vitin e shkuar, gjykata amerikane
dha 102 vjet burg për katër anëtarë
Në datën 4 janar të vitit të kaluar gjykata amerikane e Nju-York-ut, ka dhënë një dënim ndaj organizatës mafioze "Korporata", e cila drejtohej nga shqiptari Aleks Rudaj.
Sipas informacioneve, agjentët e FBI-së mundën të godasin këtë grup kriminal, me ndihmën e grupeve rivale italiane dhe greke, pasi shqiptarët ishin të pandashëm. Gjithashtu në këtë proces u shpallën fajtorë katër prej drejtuesve të organizatës famëkeqe, të cilët u dënuan me më shumë se 25 vjet burg secili. Kështu Aleks Rudaj dhe Nardino Kaloti, u dënuan me 27 vjet burg secili, ndërsa Nikola Dedaj 26 vjet e 7 muaj burg dhe Prenka Ivezaj u dënua me 22 vjet burg.
Në konkluzionet përfundimtare të hetimeve të zhvilluara edhe nga FBI, prokurorët deklaruan para gjykatës, se shqiptari Aleks Rudaj në bashkëpunim me një anëtar të familjes italiane "Gambino” kishte formuar organizatën kriminale të njohur në Nju Jork me emrin "Korporata". Katër drejtuesit që u dënuan në Nju Jork janë akuzuar nga autoritetet amerikane për trafik armësh, përfshirje në sulme të armatosura, mbledhje borxhesh, pjesëmarrje në biznese ilegale të bixhozit dhe basteve të paligjshme.
Gjithashtu para se të jepej vendimi përfundimtar, prokurorët e zyrës federale kishin kërkuar burgim të përjetshëm ndaj të akuzuarve, duke pohuar se veç ndëshkimit kapital, të dyshuarit duhej t’i paguanin Qeverisë amerikane edhe një gjobë në shumën 5.75 milionë dollarë. Gjykimi për katër anëtarët e mafies shqiptare ka zgjatur më shumë se tre muaj.
Gjatë kësaj kohe prokurorët amerikanë kanë këmbëngulur në akuzat e tyre, duke e cilësuar "Korporatën" si një sindikatë kriminale ku bënin pjesë dhjetëra anëtarë, të cilët kishin arritur të drejtonin rrjetin e basteve të paligjshme dhe lojërave ilegale që zhvilloheshin në lagjet e Bronksit, Kuinsit dhe Westcester Kauntit.
Marre nga : Gazeta Metropol