Aleksander Xhuvani (1880-1961)

Aleksandër Xhuvani (1880-1961)
Pati një veprimtari të gjerë në fushën e pastërtisë së gjuhës shqipe e të pasurimit të saj dhe botoi veprën “Për pastërtinë e gjuhës shqipe” (1956). Bashkëpunoi me profesorin Eqerem Çabej, për hartimin e veprave “Parashtesat” (1956) dhe “Prapashtesat e gjuhës shqipe” (1962), trajtesa themelore në fushën e fjalformimit të gjuhës shqipe. Botoi dhe një varg punimesh monografike për pjesoren, paskajoren dhe parafjalët e gjuhës shqipe. Ai ishte njohës i mirë dhe mbledhës i pasionuar i visarit leksikor të gjuhës së popullit. Fjalët dhe shprehjet e mbledhura , u botuan pjesërisht pas vdekjes, në formën e një fjalori. Përgatiti një botim të dytë të “Fjalorit të gjuhës shqipe” të Kristoforidhit (1961). Vepra e plotë e tij, e projektuar në disa vëllime, ende nuk është botuar.

Në vitin 1980 është botuar vëllimi i parë.Një zhvillim më të madh njohu gjuhësia shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit XX, kur u krijuan edhe institucione shkencore të specializuara, si Universiteti i Tiranës, Universiteti i Prishtinës dhe Akademia e Shkencave, Universiteti i Shkodrës, më vonë, Universiteti i Elbasanit, Universiteti i Gjirokastrës, Universiteti i Vlorës, Universiteti i Tetovës, etj. Gjatë kësaj periudhe, u hartuan një varg veprash përgjithësuese nga fusha të ndryshme të gjuhësisë. Në fushën e leksikologjisë dhe të leksikografisë, përveç studime leksikologjike, u hartuan edhe një varg fjalorësh të gjuhës shqipe dhe fjalori dygjuhësh, nga të cilët, më kryesorët janë: “Fjalori i gjuhës shqipe” (1954), “Fjalori i gjuhës së sotme shqipe” (1980), “Fjalori i shqipes së sotme” (1984), “Fjalori drejtshkrimor i gjuhës shqipe” (1976), “Drejtshkrimi i gjuhës shqipe” (1973), etj. Kohët e fundit kanë dalë edhe “Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe” (2000) dhe “Fjalor frazeologjik ballkanik” (1999).

Në fushën e dialektologjisë është bërë përshkrimi e studimi i të gjithë të folurave të shqipes dhe është hartuar “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”, një vepër madhore që pritet të dalë së shpejti nga shtypi.
Eshtë bërë gjithashtu, studimi i fonetikës dhe i strukturave gramatikore të gjuhës shqipe përmes studimeve të veçanta dhe përmes gramatikave të ndryshme, niveleve të ndryshme, nga të cilat, më e plota është “Gramatika e gjuhës shqipe” I Morfologjia (1995), II Sintaksa (1997), hartuar nga Akademia e Shkencave, në bashkëpunim me Universitetin e Tiranës, me kryeredaktor Mahir Domin.
Një vend të gjerë në studimet gjuhësore të këtij gjysëmshekulli, kanë zënë problemet e historisë së gjuhës shqipe, problemet e etnogjenezës së popullit shqiptar e të gjuhës shqipe, të etimologjisë, të fonetikës dhe të gramatikës historike, etj. Disa nga veprat themelore në këto fusha janë: "Studime etimologjike në fushë të shqipes” në 7 vëllime, nga E.Çabej; “Meshari” i Gjon Buzukut (E.Çabej); “Gramatika historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Fonologjia historike e gjuhës shqipe” (Sh.Demiraj); “Gjuhësia ballkanike” (Sh.Demiraj), etj.
Eqerem Cabej (1908-1980). Studjuesi më i shquar i historisë së gjuhës shqipe dhe një nga personalitetet më në zë të kulturës shqiptare. Pasi bëri studimet e para në vendlindje (Gjirokastër), studimet e larta i kreu në Austri, në fushën e gjuhësisë së krahasuar indoevropiane. Pas mbarimit të studimeve, kthehet në atdhe dhe fillon veprimtarinë shkencore e arsimore në vitet ’30 të këtij shekulli dhe punoi në këto fusha për një gjysëm shekulli, duke lënë një trashëgimni të pasur shkencore.
Eqerem Çabej solli dhe zbatoi në gjuhësinë shqiptare metodat dhe arritjet shkencore të gjuhësisë evropiane, duke kontribuar shumë në ngritjen e nivelit shkencor të studimeve gjuhësore shqiptare. Eqerem Cabej punoi shumë në disa fusha të dijes, por u shqua sidomos në fushën e historisë së gjuhës, në trajtimin e problemeve të origjinës së gjuhës shqipe, të autoktonisë së shqiptarëve e të etimologjisë dhe të filologjisë së teksteve të vjetra.
Veprat themelore të tij janë: “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, në shtatë vëllime, I “Hyrje në historinë e gjuhës shqipe”, II “Fonetikë historike” (1958), “Meshari i Gjon Buzukut” (1968), “Shqiptarët midis perëndimit dhe lindjes” (1944).
Ai është bashkëautor edhe në një varg veprash në fushën e gjuhës së sotme, siç janë: “Fjalor i gjuhës shqipe” (1954), “Rregullat e drejtshkrimit të gjuhës shqipe” (1972), “Fjalori drejtshkrimor”.
Përveç veprave, ai ka botuar një varg studimesh në revista shkencore brenda e jashtë vendit dhe ka mbajtur dhjetra referate e kumtesa në kongrese e konferenca kombëtare e ndërkombëtare, të cilat kanë bërë të njohura arritjet e gjuhësisë shqiptare në botë, duke rritur kështu prestigjin e saj.
Veprat e prof. Eqerem Cabej janë botuar në tetë vëllime, në Prishtinë, me titullin “Studime gjuhësore”.
Me veprimtarinë e shumanëshme shkencore e me nivel të lartë, Eqerem Cabej ndriçoi shumë probleme të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare, duke argumentuar lashtësinë dhe origjinën ilire të saj, vitalitetin e saj ndër shekuj dhe marrëdhëniet me gjuhët dhe kulturat e popujve të tjerë.
Gjatë kësaj periudhe, gjuhësia shqiptare zgjidhi edhe problemin e gjuhës shqipe letrare kombëtare, të njësuar me çështjet teorike të së cilës është marrë veçanërisht prof.Androkli Kostallari.
Në kuadrin e punës që është bërë në fushën e gjuhësisë normative dhe të kulturës së gjuhës, janë hartuar dhe një numër i madh fjalorësh terminologjikë për degë të ndryshme të shkencës e të teknikës.
Përveç veprave të shumta që janë botuar në fushën e gjuhësisë, veprimtaria e gjuhësisë studimore e studjuesve shqiptarë pasqyrohet në botimin e disa revistave shkencore, nga të cilat më kryesoret sot, janë: “Studime filologjike” (Tiranë); “Gjuha shqipe” (Prishtinë); “Studia albanica” (Tiranë); “Jehona” (Shkup); etj.
Studime te rëndësishme mbi gjuhën shqipe janë bërë nga gjuhëtarë në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, ku janë botuar një numër i konsidrueshëm veprash mbi historinë e gjuhës shqipe, fonetikën, gramatikën, leksikun etj. Prof. Idriz Ajeti shquhet për kontributin e veçantë që ka dhënë në këtë fushë
Kontribut të veçantë për gjuhen shqipe kanë dhenë edhe shqiptaret e vendosur në Itali, të njohur si “Arbëresh”
Disa nga figurat më të shquara të gjuhësisë shqiptare të këtyre dy shekujve të fundit, janë: Dhimitër Kamarda (arbëresh i Italisë), Kostandin Kristoforidhi, Sami Frashëri, Aleksandër Xhuvani, Eqerem Çabej, Selman Riza, Kostaq Cipo, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Androkli Kostallari, Idriz Ajeti, etj.           

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama