Prof. Sala, njohës i historisë së kulteve fetare, shprehet se në jug të vendit për shkak të rrethanave historike dhe vazhdimësisë së jetës urbane e shpirtërore u ndërtuan në shekuj mjaft objekte kulti, që veç kultivimit të besimit fetar nga popullsia, përfaqësojnë dhe vlera të jashtëzakonshme artistike dhe kulturore, që mund të shfrytëzohen mjaft mirë prej turistëve vendas e të huaj.
Pirro Thomo, studiues i objekteve fetare në jug të vendit, thotë se kompozimi planimetrik, zgjidhja konstruktive dhe formulimi i jashtëm arkitektonik i kishës dhe Manastirit të Shën Mërisë ndryshojnë shumë pak nga kishat e tjera në Saraqinisht. “Duke pasur parasysh kohën e njëjtë të ndërtimit, mendojmë se kisha dhe manastiri janë ndërtuar nga e njëjta dorë mjeshtri”, shpjegon Thomo. Sipas tij, kolonat e brendshme të objektit lidhen ndërmjet tyre dhe me muret perimetrale me harqe në dy drejtime, duke formuar bërthamën qendrore katrore, mbushur me kupolë mbi tambur dhe katër krahët e kryqit, të mbushura me qemerë cilindrikë. Çifti lindor i pjesëve këndore mbulohet me kësula sferike, ndërsa ai perëndimor me qemerë me prerje çerekrrethore.
“Edhe pse objekti fetar ndodhet pranë një faqe mali, mjeshtrit e projektuan në mënyrë që kisha të sigurojë ndriçim të mirë, çka realizohet nga dritaret e tamburit të hapura në muret veriore dhe jugore”, thotë Thomo. Në anën perëndimore porta (naosi) lidhet me narteksin, që mbulohet nga një qemer gjatësor në pjesën qendrore, i ngritur mbi dy qemerë tërthor në pjesët anësore. Hyrja nga jugu mbrohet nga një portik i hapur në tri anë me harkada që formojnë një bërthamë katrore të mbuluar me kupolë. Kisha është e suvatuar nga jashtë, por suvatimi nuk i ka rrafshuar relievet e krijuara në apsidë dhe në tambur. Tamburi tetëfaqësh përmban katër dritare, të alternuara me faqe të plotë e të rrafshëta. “Muratura e tamburit ka një kornizë tepër të fuqishme, të përbërë nga tri radhë në formë dhëmbësh sharre”, shpjegon studiuesi, duke nënvizuar se, apsida pesëfaqëshe përmban elemente të vogla në pjesën e sipërme, mbi të cilat kalon një kornizë tullash të vendosura në formë dhëmbësh sharre. Në qarkun e Gjirokastrës ka mbi 100 kisha, 32 prej të cilave klasifikohen si tepër të rëndësishme për vlerat tipologjike dhe arkitektonike.
Nga : Gazeta Metropol