Humbja e degjimit shkaqet dhe mjekimi

Humbja e degjimit, shkaqet dhe mjekimi
Otoskleroza është një sëmundje që karakterizohet me pakësimin e dëgjimit dhe zhurmë në vesh. Pakësimi i dëgjimit shtohet gjithnjë e më shumë dhe në këtë mënyrë, me kalimin e kohës mund të theksohet deri në atë shkallë sa të pengojë të sëmurin të aktivizohet në jetën shoqërore. Sëmundja në raste të veçanta të saj bëhet shkak i shfaqjes së ndryshimeve të karakterit dhe i shqetësimeve psikike. Është e përcaktuar qartë se otoskleroza paraqet një patologji që zakonisht prek të gjitha moshat, por kryesisht moshat e reja, pas pubertetit dhe rrallohet tek të rriturit mbi moshën 50-vjeçare.

Po ashtu, është e vërtetuar që kjo patologji prek më së shumti seksin femër. Një karakteristikë e kësaj sëmundjeje është se ajo ka koincidenca të lidhjes familjare mes pacientëve. Kjo sëmundje, zakonisht prek të dy veshët. Në fillim, si rregull nis nga njëri vesh dhe pas disa muajsh apo disa viteve, të njëjtat shenja shfaqen edhe në veshin tjetër.

Prandaj, në përcaktimin e kësaj sëmundjeje duhet vlerësuar mjaft edhe vjetërsia e shfaqjes së shenjave fillestare të saj. Një karakteristikë dalluese e otosklerozës është zhvillimi i saj i ngadalshëm. Nga simptomat, më e rëndësishmja që vlen të përmendet është triada, e cila përbëhet nga zhurma në vesh, ulja e dëgjimit dhe parakuiza e Villisit.

Zhurmat

Zhurmat, si rregull, janë ankesat e para te të sëmurit, për të cilat ai duhet të paraqitet menjëherë tek mjeku. Me kalimin e kohës këto zhurma shoqërohen edhe me pakësimin e dëgjimit. Gjithashtu, në periudha të caktuara vihet re një shtim më i madh i tyre, sidomos në seksin femër në kohën e shtatzënisë dhe pikërisht në këtë periudhë të prekurat nga kjo sëmundje duhet të jenë vazhdimisht në kontrollin e mjekut. Zhurmat kanë karakter dhe intensitet të ndryshëm dhe nganjëherë bëhen shkak i fillimit të një psikoze të vërtetë. Sipas studiuesve, këto zhurma mendohet të shkaktohen nga pengesa e transmetimit të vibracioneve të tingullit, për arsye të ngurtësimit të yzengjisë ose të mbylljes së dritares së rrumbullakët që ka si pasojë shtimin e presionit endolabirintik.

Dëgjimi

Ulja e dëgjimit është simptoma karakteristike e kësaj sëmundjeje dhe është problemi më shqetësues për këta të sëmurë. Ajo është e tipit transmetues, ashtu sikurse edhe simptoma e zhurmave dhe në përqindjen më të madhe të rasteve bëhet më e theksuar me kalimin e kohës, pra rritet në mënyrë progresive. Shkaku i pakësimit të dëgjimit lind nga pengesa e transmetimit mekanik të vibracioneve të tingullit nga membrana timpanike dhe zinxhiri i kockave të dëgjimit në lëngjet labirintike.

Megjithëse shumica e këtyre pacientëve kanë ulje të dëgjimit në të dy veshët, ata zakonisht ankohen për theksim dhe rëndim më të madh në njërën anë. Pacientët e prekur nga otoskleroza vuajnë edhe nga marrje mendsh, e cila në disa raste i shqetëson mjaft ata. Zhvillimi i vatrës otospongioze, që ndikon në rritjen e fragjilitetit vestibular, mund të bëhet shkak i shfaqjes së një sëmundjeje të vërtetë të Menierit.

Në disa raste humbja e dëgjimit humbet karakterin e tipit transmetues klasik të pastër dhe shoqërohet me një prekje pak a shumë të konsiderueshme të transmetimit kockor. Nganjëherë ky aspekt labirintik ndodh në mënyrë sekondare, por përshkruhen edhe forma që e paraqesin këtë aspekt labirintik që në fillimin e sëmundjes.

Simptoma e Parakuzisë së Villisit

Një tjetër simptomë e kësaj sëmundje është Parakuzia e Villit, që ndryshe njihet me emrin hiperakuzi paradoksale. Kjo simptomë është disi e çuditshme, ka të bëjë me zhurmat që ndjehen, dhe pikërisht këto janë të tipit zhurmë makinerie, tronditje autobusi apo ndjenjën sikur i sëmuri është në kinema. Këtë fenomen shpesh herë ia paraqesin mjekut vetë të sëmurët.

Megjithatë, nëse kjo nuk ndodh, është mirë që mjeku ta kërkojë me këmbëngulje këtë fenomen tek pacientët, pasi mund të zbulohet në një shumicë të madhe të rasteve. Shkaku i kësaj hiperkuzie paradoksale shpjegohet me faktin se në një ambient me zhurmë bashkëbiseduesi i të sëmurit është i detyruar të flasë me zë të fortë, duke përdorur tone të larta, të cilat në një shurdhësi të thjeshtë transmetuese mund të perceptohen më mirë.

Kjo simptomë takohet tek të sëmurët me otosklerozë thjesht stapediale dhe vazhdon për aq kohë sa aparati receptues mbetet i padëmtuar. Tek të sëmurët që paraqesin në mënyrë të qartë simptomat e mësipërme karakteristike në ekzaminimin otoskopik nuk vihen re shenja e ndonjë patologjie oto-tubare, që të mund të shpjegojnë ankime subjektive.

Në otosklerozë zakonisht ruhet mirë lëvizshmëria e membranës timpanike, e cila provohet me anën e otoskopit pneumatik të Sieglës. Po ashtu, karakteristikë për këta të sëmurë mbetet kalueshmëria e mirë e tubave të Eustakit.

Sëmundjet e veshit ndahen në :

1. Sëmundje të veshit të jashtëm ose të kanalit të dëgjimit (infeksione, tumore) ;
2. Sëmundje të veshit të mesëm (infeksione, kolesteatome, tumore, otoskleroze) ;
3. Sëmundje të veshit të brendshëm (Meniere, presbioacusi, tumore hemorragji, etj).

Dëmtimi i sistemit të dëgjimit

Sëmundje të ndryshme dëmtojnë pjese të ndryshme të sistemit të dëgjimit. Sëmundjet e kanalit të jashtëm të veshit mund të japin ulje dëgjimi të shkalleve të ndryshme që kalon bashkë me sëmundjen baze. Ulje dëgjimi mund të japin gjithashtu edhe otitet akute dhe kronike, patologjitë e tubit T Eustakut, traumat, otoskleroza, deformimet e lindura të veshit të mesëm, etj.

Këto ulje dëgjimi, që lidhen me veshin e mesëm, mund të rikuperohen ose të reduktohen duke mjekuar sëmundjen qofte me rrugë medikamentoze, ashtu edhe kirurgjikale. Uljet e dëgjimit vijnë shpesh dhe nga dëmtimi i koklëse dhe nervit të dëgjimit.

Sem Meniere, mikrotrombozat, traumat sonore dhe barotraumat, tumoret e nervit akustik, përdorimet me doza të larta të preparateve të demshem për koklene, etj., hasen shpesh në historinë e sëmundjes të pacienteve që ankojnë ulje dëgjimi. Me kalimin e moshës fillon të bjere mprehtësia e dëgjimit ; kjo quhet presbiakuzia. Në uljen dhe humbjen dëgjimi mund të çojnë edhe patologji që prekin rrugët centrale të dëgjimit, nga trungu i trurit deri në korteksin cerebral. Ky grup është më i rrallë.

Mjekimi kirurgjikal për sëmundjen e otosklerozës

Sukseset e arritura në fushën e kirurgjisë si një metodë e mjekimit të sëmundjes së otosklerozës dhe rezultatet pozitive që ka dhënë kjo metodë, ka bërë që ndërhyrje të tilla të jenë të rekomandueshme pothuajse për të gjitha gradat e otosklerozës, qoftë me humbje të lehtë, të mesme apo të lartë të dëgjimit.

Për të sëmurët që kanë një otosklerozë me ulje dëgjimi nga e cila nuk është prekur kokleja, ndërhyrja kirurgjikale këshillohet si rruga e vetme që do të zgjidhë me sukses kthimin e dëgjimit ashtu sikurse ka qenë para se të shfaqej kjo sëmundje. Në këto raste, rezerva kokleare duhet të matet mirë, sepse ajo do të jetë baza për qëllimin e operacionit. Nga kjo rezervë përllogaritet edhe përfitimi i mundshëm i dëgjimit pas ndërhyrjes kirurgjikale.

Operacioni zhvillohet si në të sëmurët me otosklerozë në fazat e para të zhvillimit, ashtu edhe tek ata në fazat e rënduara të kësaj sëmundjeje. Por, tek këta të fundit ndërhyrja duhet të kryhet në veshin me dëgjim më të keq. Gjithashtu, nuk këshillohet ndërhyrje kirurgjikale njëkohësisht në të dy veshët, por me një interval të paktën 6 deri në 12 muaj.

Ky interval është i domosdoshëm lidhur me kontrollin e qëndrueshmërisë së rezultateve të operacionit të parë, të cilat nganjëherë mund të kompromentohen deri në shurdhësi të plotë për arsye të ndërlikime të mëvonshme që mund të ndodhin.

Para operacionit është e domosdoshme të merren masa për stabilizimin e tensionit arterial në të sëmurët që njëkohësisht vuajnë edhe nga hipertensioni, në mënyrë që të mënjanohen ndërlikimet e hemorragjisë gjatë operacionit, të cilat kanë pasoja të rënda për funksionin e dëgjimit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama