Duke pritur drejtesine per Himaren

Duke pritur drejtesine per Himaren
Kaluan pak javë nga vrasja me makinë nga disa të rinj vlonjatë e qytetarit nga Himara, Aristidh Guma. Prokuroria po punon për zbardhjen e gjithë ngjarjes që përfundoi tragjikisht. Besohet se së shpejti dosja do të shkojë për gjykim në gjykatë. Atje do të marrë përgjigje pyetja përse u vra ky himarjot greqishtfolës. Në të njëjtën aulë të drejtësisë, të akuzuarve do t'u jepet haku sipas ligjit, pa i rënduar pa nevojë për t'i bërë qejfin një pale, por edhe pa i lehtësuar pa nevojë për t'i bërë qejfin një pale tjetër. Lehtësimi dhe pudori në rastin e dhënë u përket të afërmve të të ndjerit, ndërkohë që prokuroria dhe gjykata kanë për detyrë parësore të bëjnë drejtësi.

Përgjegjësia për zbardhjen dhe gjykimin e vrasjes që ndodhi në Himarë është e pazakontë. Ndjeshmëritë dhe pritshmëritë për dinamikën dhe motivet e kësaj vrasjeje janë të larta, të shumta. Në Shqipëri, në Greqi dhe më gjerë i kemi parë të manifestohen në ditët e para të tragjedisë, me deklarata dhe kundërdeklarata të nxehta politike, me bllokimin në shenjë proteste të rrugës kombëtare nga disa banorë të bashkisë së Himarës, me reagimin e shumë personaliteteve fetare dhe civile, brenda dhe jashtë vendit, me shprehjen e shqetësimit nga qeveria greke dhe me jehonën e këtij reagimi në Bruksel, si seli e Bashkimit Europian.

Tani, si në një marrëveshje xhentëlmenësh, të gjithë kanë heshtur, duke pritur drejtësinë. Kjo heshtje, nën të cilën lëvrijnë leximet kundërthënëse të vrasjes së Aristidh Gumës, që përkojnë me leximet kundërthënëse të historisë dhe aktualitetit të veçantë të Himarës, pra kjo heshtje me ngarkesa të tilla është si cipa mbi plagë. Duhet të jesh naiv për të mos e kuptuar këtë. Përgjigja kryesore shteruese dhe e gjithëpërfshirë, ndaj gjithë kësaj pritjeje, është drejtësia. Për momentin, prokurorët dhe gjykatësit kanë përparësi ndaj historianëve dhe studiuesve. Drejtësia do të ndikonte fuqishëm për të shndërruar renë e emocioneve krahinoriste apo nacionaliste në balsam shërues për plagën që u hap dhe, pse jo, në burimin e një ndjenje të re pozitive për miqësinë, mirëkuptimin dhe respektin mes njerëzve, pavarësisht nga origjina, feja, krahina, vendi, partia, shteti, apo gjuha e tyre.

E cekëm më lart dhe po e theksojmë më qartë: për faktin që i ndjeri i përkiste komunitetit greqishtfolës të Himarës dhe greqishtja, e përpunuar apo jo, e folur si dialekt apo si argo, ishte gjuha e tij e nënës, sepse prej saj e kishte marrë, dhe për faktin tjetër se në valën e parë të përhapjes së lajmit tragjik kjo vrasje u paraqit dhe u përcoll si shprehje e "urrejtjes etnike" të disa të rinjve shqiptarë ndaj dikujt që fliste greqisht në Himarë, pra për të dyja këto arsye vrasja e Gumës është një peng për të gjithë ne. Prandaj, ne presim shumë nga drejtësia shqiptare. Lejohem të pohoj se me përemrin "ne", pavarësisht se nuk kam lejen e askujt për ta përfaqësuar, unë nënkuptoj me bindje të gjithë pasardhësit e denjë të Naim Frashërit, Gjergj Fishtës dhe korifenjve të tjerë të shqiptarizmit, që na kanë mësuar doktrinën e atdhedashurisë dhe njeridashjes në respekt për të tjerët që nuk flasin gjuhën tonë, që nuk kanë fenë dhe zakonet tona, por që jetojnë me ne ose në fqinjësi me ne.

Përgjegjësia e prokurorisë dhe gjykatës për çështjen "Guma" e ka emrin saktësi. Pritet përgjigja pse u vra me makinë Aristidh Guma? Ishte një aksident nga pakujdesia si shumë aksidente të tjera, por që kombinimi i rrethanave dhe identiteteve i ka dhënë vetvetiu pamjen e një akti racist? Ishte një vrasje me dashje, e menduar dhe e realizuar me egërsi, si të ishin ata të rinj një celulë paramilitare e gjuhës? Ishte një vrasje me dashje, që erdhi si rezultat i evoluimit të një sherri banal për çështje sedre - kush jam unë, kush je ti - nga ato që janë bërë të modës në një fashë të brezit të ri të ditëve tona, sidomos kur dalin apo udhëtojnë në grup në formën e një minibande? Apo ata të rinj deshën ta trembnin të ndjerin, duke iu kanosur me makinë, por u doli situata nga kontrolli dhe mëtimi i tyre përfundoi më keq sa s'behët? Nuk ka mundësi që hetimi dhe gjykimi të shmangë të vërtetën.

Ka pasur shumë pjesëmarrës dhe shumë dëshmitarë në ngjarje. E vërteta, cilado qoftë, e shoqëruar me vendimin përkatës të gjykatës, do të jetë shëruese për të gjithë, duke përjashtuar ata që do të donin ta përdornin vrasjen e Gumës si një "casus belli" për ngatërresa dhe synime të mbrapshta. Ajo do të jetë qasja e ligjit shqiptar, e shtetit shqiptar dhe e shoqërisë shqiptare për çështjen "Guma". Prandaj, nuk është e tepërt, përkundrazi është e këshillueshme, që prokurorët dhe gjykatësit të inkurajohen nga krerët e shtetit dhe nga intelektualët më të shquar vendit.


Por, kjo çështje nuk mbaron në aulën e drejtësisë. Duke konsideruar me seriozitet të madh problematikën që nxori në shesh vrasja e Arsitidh Gumës, Shqipëria është thirrur në kauzë të reflektojë dhe të nxjerrë mësime të vlefshme nga kjo tragjedi njerëzore. Nuk duhet të ndodhë që autoritetet të mos u referohen raporteve zyrtare të policisë për ngjarje të tilla. Në rast se policia nuk ka një raport dhe kanë raporte gazetat, atëherë kjo polici është krejtësisht jashtë funksionit dhe për këtë duhen marrë masa urgjente deri në shkarkime në nivele të larta. Nuk duhet të ndodhë që në deklaratat apo qëndrimet e autoriteteve politike të ndjehet tundimi për të vënë në një plan një vrasje njeriu me një bllokim rruge. Ata individë që i kanë barazuar këto dy gjëra të pakrahasueshme duhet të turpërohen, por mund edhe të mos turpërohen. Liria është një mundësi, por është edhe një lloj kurthi për kufizimin dhe marrëzinë. Nacionalizmi i sëmurë, që duket akoma më anakronik në kohën e globalizmit, internetit, lëvizjes së lirë, multilinguizmit e tjerë, nganjëherë shkon deri atje sa t'u kërkojë llogari një pakice njerëzish se përse ata flasin si gjuhë të parë gjuhën që kanë mësuar në krahët e prindërve.

Në shoqërinë e lirë nuk përjashtohet të ketë pikëpamje të tilla. Por nacionalizmi i sëmurë nuk mund të vërë përpara arsyen. Intelektualët me mendje të hapur duhet të japin tonin. Nga ana e tyre qeveria dhe institucionet nuk duhet t'i lenë këto çështje thjesht si tema të debatit intelektual. Ato kanë detyrimin që, sipas rastit, të deklarohen menjëherë dhe të investohen me përkushtim të shtuar për respektimin e standardeve dhe konventave për liritë dhe të drejtat e minoriteteve, pakicave dhe enklavave gjuhësore. Në këtë fushë qeverive demokratike nuk u kërkon kush të "humbin" në labirintet e historisë, por të respektojnë realitetet konkrete që sigurisht nuk vinë nga qielli, por nga historia. I tillë është edhe komuniteti greqishtfolës në Himarë. Ai ka historinë e vet autentike, disashekullore, të krijuar kryesisht për shkak të pozicionit gjeografik.


Qeveritë shqiptare të viteve të fundit, sidomos qeveria "Berisha", duke investuar për turizmin në rivierën e Shqipërisë, kanë dhënë një përgjigje thelbësore ndaj problemeve historike dhe aktuale të Himarës dhe fshatrave të tjera të Bregut. Rruga e re ka sfiduar muret malore dhe i ka hapur ato zona, i ka bashkuar më shumë se kurrë me pjesën tjetër të vendit, apo thënë ndryshe ka bërë që pjesa tjetër e vendit të derdhet drejt Bregut si asnjëherë tjetër më parë.

Kjo është hapja e brendshme, që duhet të vazhdojë për të na lidhur me shumë me karakteristikat që ka çdo krahinë, Në të vërtetë zhvillimi është përgjigja që jehon fort në aktualitetin dhe ardhmërinë e njerëzve, rajoneve, krahinave, mbarë vendit. Por, nuk mjafton. Liritë dhe të drejtat janë akoma më të rëndësishme. Një incident, pale një vrasje me sfond politik apo etnik, mund të çojë dëm një investim të tërë në infrastrukturë. Unë nuk mund të imagjinoj përfitues të tjerë, përveç keqdashësve të Shqipërisë, nga incidentet me banorët e Himarës apo të fshatrave të tjera të Bregut për shkak të gjuhës greke që flasin një pjesë e atyre banorëve. Nuk mund të imagjinohet e ca më pak të pranohet që dikush të vritet në tokën e Republikës së Shqipërisë apo në çdo cep të planetit për faktin se flet gjuhën e tij të nënës, apo edhe të njerkës po të dojë.

Në rast se gjykata provon se vrasja e Aristidh Gumës ka pasur në fillesë faktin ae ai u ka folur greqisht të rinjve nga Vlora, autoritetet shqiptare dhe publiku shqiptar, sekush në mënyrën e tij, duhet të bëhen pjesë e një ndjese të madhe për këtë tragjedi. Unë nuk di greqisht dhe më vjen keq që nuk më është dhënë rasti të mësoj këtë gjuhë që, ndërsa rrjedh nga greqishtja e vjetër e Homerit, Eskilit, Platonit dhe Arsitotelit, ka krijuar monumente të reja të shprehjes artistike me veprat e shkrimtarëve modernë grekë, dy prej të cilëve, Seferis dhe Elytis, kanë marre çmimin Nobël.

 Por, edhe sikur të mos kishte merituar këto kurora të përbotshme e të gjithëkohshme, ajo është gjuha që flasin fqinjët tanë grekë, gjuha që flasin arvanitasit e Greqisë, gjuha që kanë nxënë gjatë viteve të emigracionit bashkatdhetarët tanë atje. Duhet ta themi se pavarësisht se marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë kanë njohur edhe momente apo periudha të errëta, fqinjësia me këtë vend ku është përkundur qytetërimi modern perëndimor na jep nder. Ç'hyn Greqia këtu mund të pyesë ndokush.

Hyn, sepse gjuha, nëse lëndohet, e jep dhimbjen tek i fundit që e flet. Ne do të ndiheshin keq si komb dhe do të indinjoheshim të gjithë nëse do mësonim fjala vjen se një serb apo një afrikan e ka pësuar, sepse ka mësuar e folur gjuhën shqipe. Prandaj, jo vetëm nuk duhet të habitemi kur fqinjët tanë grekë prononcohen e kërkojnë transparencë për vrasjen e Gumës, por qeveria duhet të nxitet dyfish për të bërë atë që duhet. Në një plan më të gjerë, duhet ndryshuar qasja kulturore për fqinjësinë. Do të ishte shumë mirë që ballkanasit të dinin gjuhët e njëri-tjetrit. Gjuha është njohje dhe nga njohja lind respekti.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama