Ndërkohë, dje, 24 orë pasi prokuroria përgënjeshtroi pretendimet e avokatit Genc Gjokutaj, mbrojtja e Selmanllarit ka vijuar sërish të deklarojë se i është dhënë ryshfet bashkisë së kryeqytetit për të marrë një leje ndërtimi. Gjokutaj tha dje se biznesmeni Rrahman Selmanllari konfirmon se gjatë dëshmisë së tij në Prokurorinë e Tiranës u ka pohuar hetuesve se ka dhënë ryshfet aksionet e kompanisë për shtetasin Dritan Avllaj (Tan Lepri), me qëllim përfitimin e lejes së ndërtimit në Tiranë. Avokati shpërndau dje për median aktin noterial në të cilin pretendon se është përfaqësues i Selmanllarit. Në aktin noterial thuhet se Selmanllari vërteton që Dritan Avllaj ka kërkuar 20 për qind të kompanisë së ndërtimit në këmbim të studimit të zonës dhe lejes së ndërtimit, për shkak se Avllaj e ka paraqitur veten si mik të Edi Ramës. Avokati Gjokutaj ka thënë se klienti i tij do të jetë në dispozicion të prokurorisë për të dëshmuar edhe në të ardhmen. Ai pohoi se ka folur vetëm si përfaqësues i tij, ndërsa rilexoi deklaratën se “me përgjegjësi të plotë ligjore deklaroj para opinionit se dëshmia e klientit tim dhënë prokurorisë vijon si më poshtë: Zoti Dritan Avllaj ka kërkuar t’i jepet 20% e kontratës në këmbim të studimit të zonës dhe lejes së ndërtimit! Kërkesa e z. Avllaj është pranuar për shkak se ai e ka paraqitur veten si mik të z. Edi Rama, që hap çdo derë në Bashkinë e Tiranës”.
Ndërkohë, prokuroria deklaroi dje se, nëse Selmanllari ka rikonfirmuar se i ka dhënë biznesmenit Dritan Avllaj 20 për qind të firmës së ndërtimit në këmbim të nxjerrjes së lejes së ndërtimit, atëherë ai duhet të merret nën hetim për korrupsion aktiv. “Procedimi penal, pas akuzave të deputetëve Erjon Braçe dhe Albana Vokshi, është regjistruar edhe për veprën penale të korrupsionit. Dosja ende nuk ka ndonjë emër personi të hetuar. Dëshmitë e para në prokurori nuk kanë saktësuar asnjë nga akuzat midis dy krahëve të politikës, ndërsa jashtë organit të akuzës një nga biznesmenët ka pohuar se ka dhënë ryshfet”, thanë burimet nga akuza kryeqytetase, të cilët po verifikojnë dëshmitë e dhëna me dokumentet e sekuestruara në bashki. Krahas rithirrjes së Selmanllarit, akuza deklaron se po shikojnë mundësinë për të thirrur në prokurori edhe avokatin Genc Gjokutaj me cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për objektet e hetimit.
Prokuroria deklaron se Selmanllari nuk ka treguar ndonjë ryshfet të mundshëm për lejet e ndërtimit në zonën e Liqenit Artificial, pasi në të kundërt ai mund të merrej nën hetim për “korrupsion aktiv”. “Nëse do ishte ndryshe, neni 37 i Kodit të Procedurës Penale thotë se, kur para organit procedues një person që nuk është marrë si i pandehur, bën deklarime nga të cilat dalin të dhëna për inkriminimin në ngarkim të tij, autoriteti procedues ndërpret pyetjen, duke e paralajmëruar se pas këtyre deklarimeve mund të zhvillohen hetime ndaj tij dhe e fton të caktojë një mbrojtës. Deklarimet e mëparshme nuk mund të shfrytëzohen kundër personit që i ka bërë”, ka deklaruar grupi i prokurorëve.











