Për hir të së vërtetës, shumë pak gjëra kanë ndryshuar në fshatin e Libofshës në vitet e fundit. Fillimisht ndryshuan mbiemrat dhe 80 vjet pas ardhjes së të parëve të tyre nga Novi Pazari dhe rrethina në Sanxhak, kanë vendosur që t’i japin vetë udhë historisë së tyre të re. Dhjetë ditë më parë hapën shkollën e parë në gjuhën serbe, ndërsa me kohë do t’i kërkojnë parlamentit të shtetit të tyre ‘amë’, Serbisë që t’u akordojë pensione; t’i kurojë gratis në Serbi dhe mbi të gjitha t’i ndihmojë për bujqësinë. Nuk ka rëndësi se në Sanxhakun e tyre të origjinës, të afërmit e tyre kryesisht me origjinë boshnjake kërkojnë një lloj autonomie ndaj Serbisë, ata vetë do t’i drejtohen sërish... Serbisë.
Dhe, Serbia nuk ka hezituar. Miroljub Zariq, që prej pak muajsh është ngritur në rangun e ambasadorit të Serbisë në Tiranë, në inaugurimin e shkollës që gjendet në kuzhinën e familjes së Eqerem Duleviq në Rrethlibofshë dhe ku nuk erdhi në inaugurim asnjë nga zyrtarët vendas, shkroi germën e parë në tabelën e zezë. Germën A -ai vetë e filloi me shpjegimin: Albanija. Pyetjes së gazetarëve për shkollat shqip, ua ka pasur gati përgjigjen: “Ashtu siç edhe e ka konstatuar në vizitën e fundit kreu në Serbi zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm Ilir Meta, ne si shtet kemi lejuar dhe do të vijojmë të lejojmë shkolla për mësimin e shqipes” ...”mjafton që u hodh hapi i parë”.
Të tjera investime do të kryhen në një të ardhme të afërt”... Eqeremin, 42 vjeçar, nuk e ka lënë ende entuziazmi i asaj dite. Ai të kujton disi gjyshin tek filmi ‘Komisari i Dritës’. Nuk pengon askënd që do të vijë në kursin e gjuhës serbe, pasi tashmë janë një pjesë e madhe dhe e banorëve të zonës, jo të origjinës së tyre, që duan t’i regjistrojnë aty fëmijët. S’ka asnjë procedurë dhe për Eqeremin mund të vijë gjithkush që dëshiron. Ai është më shumë se nismëtari i kësaj pune, pasi është financuesi kryesor i saj dhe nga ana tjetër dhe njeriu që nuk përton të shpjegojë sesi lindi kjo nismë.
Një muaj më parë, në një letër dërguar qeverisë së Serbisë, në emër të fshatit, ai i ka kërkuar autoriteteve të Beogradit: hapjen e kursit të serbishtes në fshat, shkollimin falas të libofshasve në Serbi, kurimin gratis të tyre, pensionin nga 200 deri në 500 Euro dhe ndihmën me mekanikën bujqësore! Sesa do të realizohet kjolistë kërkesash, këtë Eqeremi nuk e di, por për një gjë është i qartë dhe fare pragmatist: Shqipëria në gjendjen e saj vërtetë mund të japë leje dhe gjithçka, por s’të afron mundësi.
Shkolla
Mundësia që pa Duleviq dhe bashkëfshatarët e tij ishte se vërtetë ata duhet t’i tregonin Serbisë se ekzistonin, por nga ana e tyre u duhej të tregonin se po e ruanin gjuhën që duhet thënë se po humbet tek fëmijët. Sakaq, familja Duleviq liroi kuzhinën e shtëpisë, ndërsa pas bisedës me Ambasadën e Serbisë, mori një ndihmë për librat dhe bankat. Eqeremi na e shpjegon të gjithë përpjekjen shumë thjesht, në dhomën ngjitur të shtëpisë, ku vazhdimisht vjen zëri i fëmijëve të tij dhe të vëllezërve, por edhe shumë fëmijëve të tjerë, që duan të vijnë në shkollë. Kuptohet, është e vetmja zbavitje në fshat?!
Është një iniciativë, të cilën burri që pretendon se e ka mësuar shtatë vjeç shqipen, e ka filluar prej katër vjetësh, paçka se ajo i flinte për vitesh me radhë, ndërsa një pjesë të hapësirës së një biznesi shtëpiak, ia ka blatuar kursit të serbishtes. Ndërrojmë në muhabet shumë gjëra, por burri që e ka bërë katandinë falë emigracionit, ka shqetësim vetëm politikën. “Ju lutem mos na kanalizoni në politikë. E bëra se e ndjeva dhe se gjuha jonë po humbte dhe na vjen keq që fëmijët gati po e harrojnë”, na thotë. Është shumë i hapur dhe beson se ka bërë një akt të mirë, por me letrën ka treguar se është edhe i mençur. Shqetësimi i vetëm, nëse mund të quhet, janë telefonatat e miqve që e marrin me shaka. Eqerem s’e ka fare me shaka.
Një copë tokë të vetën e ka liruar për shkollën, e cila do të ndërtohet me financimin serb, ndërsa e quan ëndrrën e tij ende të paplotësuar: “Arrita me ndihmën e shoqatës dhe ambasadës dhe me ndihmën e vëllazërisë që të bënim diçka të vogël. Është e njohur nga Ministria e Arsimit dhe më kanë thënë se është marrëveshje mes dy shteteve, pas takimit të fundit të Ilir Metës me Tadiçin. Ky është kurs pa lekë dhe Ambasada ka marrë përsipër të bëjë gjërat teknike.. Dua të bëj dy klasa. Mbarojnë këta dhe vazhdojnë të rriturit...Dua...”.
Do, por e di që s’është e lehtë. I vetmi i rritur që merret përditë me fëmijët, është një banor i fshatit nga familja Maniq (Shkreli), i cili pretendon se thjesht edhe me kënaqësi bën plotësimin e mësimeve, që lë mësuesi serb, që vjen vetëm ditën e shtunë nga Shkodra. Zoran Hajko, kështu quhet ky mësues, thjesht shpjegon dhe ai pastaj ndihmon dhe mëson nxënësit më vonë. Mësimi fillon në orën 16.00 deri më 17,00 për fëmijët dhe vazhdojnë pastaj për më të rriturit.
Duhet të jenë më shumë se tridhjetë fëmijë tani, por të themi se janë ende në nivelin fare fillestar. Maniq, një burrë i shëndetshëm, por që ka probleme me astmën pretendon që kur ikën mësuesi t’u shërbejë nxënësve dhe t’i afrojë në mësim... Pse e keni mbiemrin Shkreli? -e pyesim. “Unë nënën e kam boshnjake. Babai është rritur pranë Rugovës në Sharonjë . Ata flisnin dhe shqip dhe i kap kjo pjesë e Shkrelëve dhe kur erdhën e ndërruan”. Është rreth 60 vjeçar, por edhe ai thotë të njëjtën gjë: Do humbasim gjuhën, nëse vazhdohet kështu. Më sjell rastin e të birit, që është në Turqi për studime dhe flet katër gjuhë, por që s’mund të flasë gjuhën e tij. “E kjo është vërtetë për të ardhur keq”, shton ai.
Banorët
Maniq, është njësoj si të gjithë banorët, që pak orë më vonë mblidhemi në një kafene: trupmëdhenj, të shëndetshëm dhe të drejtë. Kanë karakteristika antropologjike, që të kujtojnë boshnjakët, ndërsa flasin me një dialekt jo të ekzagjeruar myzeqar. Kanë lindur këtu bashkë me baballarët e tyre, ndërsa gjyshërit, të ardhur nga Sanxhaku edhe pse e lusnin Allahun çdo ditë për të ikur, s’mundën kurrë të ktheheshin më pas. Me kohë, banorët autoktonë u hapën vend dhe ata shkuan mirë dhe me vllehët e shumtë në fshat. I pyes për mbijetesën këtu: Janë të gjithë në një gojë. “Është e vështirë, ndërsa duket se shteti ashtu si fshatrat e tjera pothuaj i ka harruar krejtësisht”. Një tjetër nga familja Hasanoviq më shpjegon më thjeshtë:
Sikur të gjithë ata traktorët e ndihmës japoneze tu shpërndaheshin fshatarëve, s´do mend do ta kishim shumë më lehtë. Kështu është gjithnjë e më e vështirë, ndërsa kriza po na kaplon të gjithëve. Askush nuk dëgjon. Qeveritarët, politikanët, kinse specialiste thjeshtë llomotisin. E jeta është gjithnjë e më vështirë ndërsa veshi i qeverisë i shurdhët për ta. Pak minuta më vonë, me zakonin e mirë të myslimanëve, bashkohen edhe më shumë. Janë shumë mikpritës dhe ndryshe nga fshatarët përreth dhe shumë punëtorë. Sanxhakasit u dhanë fierakëve shumë nga traditat e mira të tyre, ndërsa mbajtën prej tyre qetësinë dhe mirëkuptimin. Të ardhur aty nga viti 1924, dikush e çon më vonë dhe dikush më shpejt si kohë, ata shpejt do të gjenin gjuhën e mirëkuptimit me banorët vendas. Edhe pse para Luftës së Dytë Botërore, ky vend ishte në masë kënetor dhe malarja bënte kërdinë... kuptohet se ai asnjëherë s’arriti të bëhej me zemër vendi i tyre i vërtetë.
Eqeremi e shpjegon më thjesht të gjithën, ndryshe nga një burrë i vjetër, që më tregon gati një sagë të pafundme familjare. Shumë vite më vonë, të parët që ikën në fundin e periudhës së komunizmit do të rivendosnin lidhjet me kushurinjtë në Sanxhak, ndërsa brezi i tretë, që janë këta burra mbi 40 vjeçarë, do t’i rikthenin ato si fillim. Çuditërisht askurrë s’u përmenden nga grupet e tjera minoritare: “Po ngaqë ishim myslimanë”, më sqaron Eqeremi, që është një nga anëtarët e kryesisë së Moraça-Rozafa, shoqatës serbo-malazeze, që ende funksion e bashkuar. Megjithatë në takimin e fundit të Metës në Beograd është folur gjerësisht dhe për komunitetin sllav në Shqipëri.
Historia ndryshe
Ibrahim Bosnja, një plak shumë simpatik, e tregon historinë krejt ndryshe: Tre vëllezër që përfundojnë në Stamboll dhe pas shumë peripecish marrin vizë shqiptare për ti shpëtuar shpërnguljeve të detyruara turke. Përfundojnë në Sarandë dhe që andej në Vlorë, ndërsa mbretëria do tu japë një vend, ku edhe banorët mezi i mbijetonin malaries. “Zhivio u Skladar. Zadar... Skadar... Zadar..”, më thotë duke më shpjeguar periudhën e ushtrisë. Si të gjithë banorët nuk flet serbishte të mirë dhe kuptohet aspak me gramatikë. Më mirë është mësuesi i fshatit, dikur një punonjës i thjeshtë, që e ka mbajtur gjuhën kur i duhej të shkruante letrat e gjyshërve dhe prindërve.
Një pjesë e banorëve i shpërngulën në Fushë-mbret në Elbasan dhe një pjesë tjetër në këtë vend ku qeveria e Zogut u dha në kodra nga 25 dynym tokë. Të dhjetë kasollet e dikurshme, që tashmë kanë humbur janë shndërruar në shtëpi të mira dhe shumë të pastra, ku bëhet jeta e 432 frymëve të komunitetit nga Sanxhaku. Eqeremi është i bindur se ai do të vazhdojë rrugën e tij, si gjithmonë në mirëkuptim me shqiptarët. Dhjetë vjet më parë dhe në varfërinë e tyre u afruan strehë kosovarëve të dëbuar nga serbët, ndërsa askurrë nuk do pajtoheshin me luftën në Bosnjë, ku vëllezërit e tyre të shpirtit do të masakroheshin?! Anipse, kohët kanë kaluar. Tashti, flitet ndryshe...dhe madje korrigjojnë njëri-tjetrin, kur dikush thotë ‘gabimisht’ se është boshnjak. Këta të fundit, madje, edhe i anashkalojnë fare, sikur të mos ekzistojnë fare. Madje, edhe në familjen që kanë mbiemrin Bosna?!!
Pak histori
Sanxhaku, ashtu si njihet sot, shtrihet në kufirin e Bosnjës me Kosovën, Serbisë dhe Malit të Zi deri sipër me Shqipërinë. Ka gjashtë komuna në Serbi që përbëjnë Sanxhakun (Raška) (Novi Pazar, Sjenica, Tutin, Prijepolje, Nova Varoš, dhe Priboj) dhe pesë në Malin e Zi. Nuk u trondit nga lufta, megjithëse lufta në Bosnjë dhe në Kosovë solli shumë probleme. Thuhet se prej luftës u detyruan të ikin plot 60,000-80,000 Boshnjakë dhe madje u vranë shumë prej tyre, ku më i përmenduri është rasti i Sjeverin (afër Priboj), në Bukovica (afër Pljevlja) dhe në Štrpci (afër Prijepolje). Me ndryshimet që kanë ndodhur tani boshnjakët janë ridimensionuar dhe madje Rasim Ljajiç është ministër i tyre në qeverinë serbe.
...
Përndryshe, Banorët e Libofshës janë vërtetë pragmatistë për të ardhmen e tyre, kur shikojnë indiferencën e shqiptarëve. Duke parë zhvillimin e Serbisë kanë menduar se mbijetesa e tyre në të ardhmen, do të jetë edhe më tej e lidhur dhe me interesat e shtetit Amë. Sa do t’ia dalin? Ata e filluan rrugën e tyre, paçka se kushërinjtë në Novi Pazar se duan autoritetin e Serbisë. U mjafton këtu në Shqipëri me identitetin serb, me besimin mysliman dhe me germat cirilike ?!
Shkrimi i referuar në materialin zyrtar të Komitetit qeveritar për minoritetet, ndërsa pjesa për “Greqinë në shkrimin e Grekët përmes shkollave private mundohen të shtojnë numrin e minoriteteve në Shqipëri” të Arben Llallës