Mendohet se ora paksa e vonë e asaj dite të Vjeshtës së Tretë të 1912-s, që mbyllte punimet e ditës së parë të Kuvendit Kombëtar, nuk dha mundësi të bëhej një foto nga ceremonia e ngritjes së flamurit, në momentin e shpalljes së Pavarësisë, çka do shërbente më pas për marrjen rrugë të një varg gojëthëniesh, mbi të cilat do ngrihej pyetja që ende s’ka marrë përgjigje: cili ka qenë Flamuri Kombëtar i ngritur në Vlorë, në mbrëmjen e 28 Nëntorit?
Mungesa e dritës së nevojshme, për t’i dhënë udhë procesit të një fotografie, ka prurë në mjegullën e pas 100 vjetësh, jo pak legjenda, njëra më interesante se tjetra. Në periudhën e sundimit komunist, për shkak se historiografia shqiptare përdori si objekt ilustrues të Shpalljes së Pavarësisë një foto, prej ku, nga ballkoni i një banese, duket flamuri i shpalosur dhe Ismail Qemali me një grup elitar atdhetarësh, flamuri i ngritur atë ditë nuk u bë ndonjëherë objekt kërkimi. Mbi atë flamur që valëvitej në ballkon, janë ndërtuar fillimisht historitë e krijimit të tij, pa debate. Kohë më vonë, u bë e qartë se ajo nuk i përkiste 1912-s, por 28 Nëntorit të 1913-s. Pas filmit “Nëntori i dytë”, shqiptarëve iu mbërriti në vitin 1983, si e vërtetë përfundimtare, ndonëse art, por e mbështetur mbi legjendën historike, qëndistarja e flamurit, atdhetarja Marigo Pozio. Gjatë këtyre viteve kishin qarkulluar në formën e bisedave versione të legjendave të flamurit të Spiro Ilos, Thanas Floqit, Petro Dhimitrit, i njohur ndryshe si Petro “Fotografi”. Zëri i rrëfimtarëve, kohë më pas, mori formën e kujtimeve të shkruara.
Kur në vitin 2003 erdhën në shqip të plota kujtimet e Eqerem bej Vlorës, këndpamja mori hapësira e ngjyra të reja dhe debati i harruar fitoi përmasa të tjera. Beu feudal, ndonëse i mirarsimuar dhe me një përgatitje intelektuale, që duket shkoqur në formën dhe mënyrën e rrëfimit, nuk ka mundur dot të zhvishet nga paragjykimet e klasës së rrënuar. Nuk duhet të mundohesh aspak për të kuptuar mes rreshtave pezmin që ruante për emra veprimtarësh të ngjarjes, e mbi të gjithë ata, për Ismail bej Vlorën, për të cilin nuk rresht së ironizuari. “…Askush në Vlorë nuk kish flamur në shtëpi …”, thotë në kujtimet e tij Eqerem bej Vlora. Në këto rrethana, hiqet nga një kornizë në shtëpisë ku banonte, Flamuri Kombëtar, një relike historike, dhuratë në vitin 1907 në Paris, nga një prej mëtuesve të fronit mbretëror të tokave shqiptare, Don Alandro Kastrioti. Ky flamur u përdor, sipas tij, ditën e shpalljes së pavarësisë. Flamurin, po sipas beut, e mbajtën deri sa zonja Marigo Pozio, duke e përdorur si model, qëndisi një të ri. Nuk ishin të pakët ata që e morën si të mirëqenë këtë version, ndonëse pretendimi i tij njihej që në vitet ‘30.
Përmbajtja e legjendës në të gjitha versionet, është një: kush e solli Flamurin Kombëtar që u ngrit në Vlorë në mbrëmjen e datës 28 Nëntor 1912? Asnjëherë nuk ka pasur hapësira të zbrazëta në tërë historitë e flamurit që u përdor atë ditë. Aq më pak mangësi. Përkundrazi, ka pasur tepri historish. Pra, në rast se mëtojmë të prekim të vërtetën, duhet të kemi parasysh shtjellën e gjithë versioneve në qarkullim.
Në hapësirën shekullore dallojmë, së pari, versionin pothuajse zyrtar, më të mbështetur e për më tepër, të ilustruar me një film, ku shfaqet duke qëndisur flamurin një shqiptarkë e bukur, Marigoja; kemi versionin e Thanas Floqit, ku ai, Marigo Pozio dhe Petro Dhimitri, së bashku prodhojnë bocën, me të cilën stampojnë shumë flamuj që zbukuruan Vlorën atë ditë, kemi Spiro Ilon, me flamurin që e mbart në gji prej Bukureshtit; kemi dhe Eqerem bej Vlorën që me flamurin e tij, “nuk la të turpëroheshin” amatorët e papërgatitur e të papërvojë për këtë ditë të shënuar. Nuk po vëmë në radhë flamurin e dorëzuar nga Et’hem bej Vlora, biri i I. Qemalit, i cili pas rivarrimit të eshtrave të të atit më 1931, dorëzoi flamurin që mbulonte arkivolin, me shpjegimin se ai ishte flamuri i ngritur më 28 Nëntor 1912, deklarim të cilin, kohë më pas, shtrëngohet ta tërheqë. Po kështu dhe tregimin e “Hyllit të Dritës”, me Lec Shkjezin dhe kujtimet e Thoma Ifticës.
Sado të mbërritura me gjymtime, historia e Flamurit është histori e fateve njerëzore, të bashkuara në atdhedashurinë, në vendosmërinë e njëjtë drejt synimit, me apo pa shumë prova historike.
Nuk bëhet fjalë për t’u hedhur poshtë apriori një dëshmi e bashkëkohësit të ngjarjes e njëherësh protagonist, por për t’u ballafaquar me të vërtetën.
Së pari, a mund të jetë e vërtetë se i vetmi Flamur Kombëtar që ndodhej në Vlorë më 28 Nëntor ishte flamuri relike i Eqerem beut? Kjo duhet parë me dyshim. Pa u shtrirë thellë në kohë, mjafton të pohosh se flamuj kombëtarë në trojet shqiptare, përfshi dhe Vlorën, kishin prurë e shpërndarë në fillimet e 1900-s, dy nga pretendentët e fronit e të kurorës, spanjolli Aladro Kastrioti dhe një mëtues tjetër i fronit, rumuni me origjinë shqiptare, Albert Gjika. Vetë Konica, më 1899-n, kish stampuar Flamuj Kombëtarë dhe i kish shpërndarë, krahas kolonive shqiptare dhe në tokat shqiptare. Të tjerë atdhetarë, si Dervish Hima, Visarion Dodani, Pashko Shkjezi, Bernadin Shllaku, Ded Gjo Luli, Kin Mati, Torenc Toçi, etj., kohë pas kohe, kishin sjellë, ose kishin demonstruar në Shqipëri Flamuj Kombëtarë. Në monografinë e Jaho Brahaj, “Flamuri i Kombit Shqiptar”, sillet nga shtypi i kohës momenti i festimeve të shpalljes së kushtetutës së Xhon Turqve, në vitin 1908, “…Konstitucioni u kremtua këtu në Vlorë shumë bukur… Ardhja e Ismail Qemalit u prit me të shtëna topash… pasandej Ismail Qemali u fut në karrocë. Shumë djem shqiptarë, hoqnë nga karroca kuajt dhe e tërhoqën vetë, duke patur mbi krye flamurin e Shqipërisë”.
Është edhe një foto, diçiturën e së cilës e shoh me dyshim. Ka zënë vend në faqen 27 të katalogut të përgatitur e botuar në vitin 2006 nga Arkivi Qendror i Shqipërisë dhe Zyra Rajonale për Bashkëpunim Ndërkombëtar (TIKA) pranë Kryeministrisë së Turqisë, “Foto dhe harta të periudhës osmane në arkivat e Shqipërisë” (Botim Tiranë: Dajti 2006). Fotografia paraqet një rrugë me njerëz në festë e të tejmbushur me flamuj kombëtarë pothuaj në çdo ballkon e dritare të banesave në të dyja anët e rrugës. Foto mban diçiturën në gjuhën shqipe e turke, “Shpallja e pavarsisë, pamje nga rrugica e kafeneve në Vlorë (1912)”. Besoj se kemi të bëjmë me një gabim të papërgjegjshëm, por shpresoj shumë që të jem unë ai që gabon, duke thënë se foto i përket përvjetorit të parë (1913). Më mirë se kushdo, përgatitësit e katalogut, Shaban Sinani, Nevila Nika, H.Erkan Firath dhe Tayfun Atanaca, mbase edhe një herë, do t’u ishte e nevojshme një shpjegim publik, nëse i qëndrojnë tekstit të diçiturës, apo kemi të bëjmë me një gabim, por që i qorrolleps më keq gjërat?
Së dyti, mungesën e flamurit, Eqerem bej Vlora në kujtimet e tij e përshkruan kështu: “…në 28 Nëntor krye objekti i ditës, Flamuri si simbol i Pavarësisë, me atë pakujdesinë Shqiptaro-Lindore ishte harruar. Për më tepër shumica nuk e dinte se si ishte ai, kurkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njeri-tjetrin të hutuar. Atëherë ngrihet miku im, Hydai Efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqrem Beut varet në mur një flamur shqiptar i futur në një kornizë të bukur…”. Ajo që bie në sy në përshkrimin e rrethanave, sikur të kish qenë i pranishëm, është se në këtë ditë, më 28 Nëntor, tregimtari Eqerem ndodhej në Himarë, i ngarkuar me misionin e delegatit për ngritjen e flamurit, gjë që provohet nga raporti i konsullit austriak në Vlorë, Lejhanec. Kjo rrethanë ngjall, sadopak, dyshime mbi vërtetësinë e kujtimeve të shkruara prej tij, për këtë moment të historisë.
Së treti, ka të ngjarë që flamuri i Eqerem bej Vlorës, duke qenë i vërtetë, të jetë përdorur atë ditë në të tjera ambiente. Dy vendet e shpalosjes hamendësojmë të kenë qenë salla e mbledhjes dhe ballkoni i ndërtesës ku zhvillohej Kuvendi. Në vitin 1930, me vendim të Qeverisë Shqiptare, prefektit të Vlorës iu kërkua ta gjente flamurin, e cila, nga ana e saj, njofton se flamurin e kish Eqerem bej Vlora. Në letrën e përgjigjes, kushëriri i Ismail Qemalit shpjegon rrethanat e djegies së flamurit në Delvinë, ku së bashku me objekte të tjera shtëpiake, u bënë pre e zjarrvënësve grekë.
Mbi sa argumente endet versioni i Marigosë?
Është një ngjizje e bukur, mes së vërtetës, legjendës e mitit. Korçarja Marigo Poçi, e arsimuar në Shkollën e Vashave, u bë pas martesës në fillimet e ‘900-s, qytetare e Vlorës, por historitë e Flamurit Kombëtar nisin më herët. Një version shpjegon se flamurin e kish qëndisur që vajzë dhe e kish pjesë të pajës së saj, sipas modelit të dhënë nga kleriku katolik, Dom Mark Vasa; një tjetër version që vjen nga gazeta “Dielli”, na thotë se flamuri ishte përgatitur nga kolonia shqiptare e Bostonit në vitin 1911 dhe patrioti Nuçi Naçi e shpuri deri në Korfuz, ku ilegalisht e mori Marigoja, të fshehur në veshjen e saj; po ky version, pëson një ndryshim në vitin 1939, nga ku del se ishte Kol Rodhe, kryetar i shoqatës “Besa-Besë”, ai që flamurin e kolonisë shqiptare të Bostonit ia kish dhënë Marigosë, madje bën një përshkrim të tipareve të flamurit, “…i qëndisur me thekë ari, me një shqiponjë filldishi në majë të shtizës”.
Në versionin e lënë nga Eqerem bej Vlora, del që sipas modelit të dhënë prej tij, një Flamur Kombëtar të jetë qëndisur prej saj ditë më vonë nga shpallja e Pavarësisë. Më se e sigurt është prania historike e Marigosë në Flamurin Kombëtar të ditës së Shpalljes së Pavarësisë, për të cilin ka më shumë se sa duhet dëshmitarë historikë, në përgatitjen me shpezat e saj, në bashkëpunim me Thanas Floqin e Petro Dhimitrin, të flamujve me përmasa 70×70 (thuhet rreth 500 copë) e me mbishkrimin e stampuar “Rroftë Shqipëria”.
Përtej këtij vështrimi, historiani Kristo Frashëri, në një artikull të tij, na ka lënë dëshminë se, “…me sa dimë, modelin e shqiponjës…e dha Luigj Gurakuqi, në vigjilje të festës dhe gjatë natës e qëndisi Marigoja”. Kjo dijeni, përpos se nuk e ndeshim tek asnjë historian apo studiues tjetër, i botuar në shtypin shqiptar, bën që vëmendja të shpërhapet edhe më tej, duke i ngatërruar më shumë rrugët për tek e vërteta.
Së fundmi, një tjetër version më i përfolur shpjegon vendosjen prej Marigosë të thekave në flamurin e sjellë nga djali i tezes, Spiro Ilo, në natën, duke u gdhirë 28 Nëntori.
Pse versioni i Spiro Ilos ka besueshmëri?
Kur cilësoj “besueshmëri”, para së gjithash kam parasysh grupin elitar që përfaqëson koleksionistët e Shqipërisë, të cilët, në momente të veprimtarisë së tyre, e kanë sjellë historinë e flamurit në vëmendje të opinionit nëpërmjet shkrimeve, si Robert Ballauri, Kiço Jorgji, Jaho Brahaj, Artan Lame, Vangjo Ilo dhe Niko Kotherja. Besimi i tyre nuk mbështetet në simpatira personale, por në analizën e rrjedhave të ngjarjes.
Nuk ka shumë kohë që u nda prej nesh djali i Spiro Ilos, i ndjeri Vangjo. Inxhinier Vangjo, ish-anëtar i Shoqatës sonë, ruante në banesën e tij tri relike me vlera koleksionimi: ekzemplarë të ngjashëm me Flamurin Kombëtar që u ngrit në Vlorë; karta postare me siluetën e flamurit origjinal të prodhuara nga i ati dhe stampat e riprodhimit të flamujve kombëtarë. Se kush ka qenë Spiro Ilo, shumica e dinë. Ngelet më se e mjaftueshme që për atë të thuhet se është një nga firmëtarët e dokumentit të pavarësisë.
Është tashmë e njohur, në rrethanat politike të atyre ditëve të Vjeshtës së Tretë, se ideja e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë mori formë përfundimtare në Bukuresht. Rumania mbartte në atë kohë një koloni të madhe shqiptare, ku dallohej Bukureshti, me mbi 6 mijë shqiptarë, tërësisht të integruar në jetën e qytetit. Ishin tipografë, fabrikantë pëlhurash e lëkurësh, bankierë, një shtresë tregtare e pranishme në rrugët kryesore që ushtronin kafe, furra, etj. Bukureshti kish krijuar një elitë financiare dhe liberale shqiptare, të cilat konturuan gradualisht një komunitet me ide në lidhje me kombin shqiptar dhe Shqipërinë moderne të vetëqeverisur. Kish pasur në gjirin e saj Elena Gjikën, botonte gazetë shqip, prodhonte e shpërndante abetare shqip, stamponte flamuj kombëtarë, kish krijuar Himnin e Flamurit. Rimëkëmbja e kombit, ashtu siç do provohej më vonë, varej nga kolonia shqiptare e Bukureshtit dhe ajo e shqiptarëve të Amerikës. Kjo e dyta, ishte aq larg, sa nuk mund të bëhej vepruese ndaj kërcënimeve që i vinin Shqipërisë në fundin e 1912-s.
Ismail Qemali, me këtë bindje, mbërrin në Bukuresht, ku më 5 Nëntor në hotelin “Kontinental” të hijeshuar me flamurin kombëtarë, zhvillon mbledhjen historike disaditore, të cilën na e ka lënë të përshkruar Asdreni. Mes 20 vetave pjesëmarrës të zgjedhur në mbledhje, ndodhej Spiro Ilo. Ndërsa I. Qemali u nis për Budapest e Vjenë, 9 shqiptarë të kolonisë së Bukureshtit, u nisën pas tij dhe u bashkuan në Trieste, me qëllim që të ngrinin Flamurin Kombëtar. Spiro Ilo kish futur në gji Flamurin Kombëtar, të cilin, si grafist, e kish stampuar vetë. Një arsyetim, qoftë dhe i përciptë, të çon në përfundimin se një grup atdhetarësh që nisen për të ngritur flamurin, nuk mund të niseshin pa pasur flamur me vete? Dëshmia e lënë nga Spiro Ilo është, “…Flamurin që përgatitëm në Bukuresht, unë e kam mbajtur në gji që nga Bukureshti deri në Vlorë dhe pastaj, pasi e valaviti Ismail Qemali, unë e mbërtheva me sqepar në parmak”. Nuk ka, në këto pak rreshta, as edhe një germë së cilës të mos i zësh besë.
A ka qenë e mundur të kishte më shumë se një Flamur Kombëtar?
Atëbotë, fjalia kumbuese ishte, “Ngritja e Flamurit Kombëtar”, që mbizotëronte mes saj dhe shprehjes “Shpallja e Pavarësisë”. Këta atdhetarë, nisur me këtë qëllim, ngritjen e flamurit, ku do shkonin pa flamur? Vetëm Eqerem bej Vlorës i vjen për shtat kjo logjikë. Ndërsa mbërrijnë në Durrës, më 21 Nëntor, me synimin që bash në këtë qytet të Shqipërisë të ngrenë flamurin e të shpallin mëvetësinë, atdhetarët ende nuk e dinë se nuk do munden ta bëjnë këtë. “Ish zgjedhur Durrësi – tregon I. Qemali – se ky qytet ishte në qendër të vendit dhe mbledhja e Kuvendit Kombëtar mund të bëhej më lehtë, serbët do ta kishin më vështirë të hynin në këtë qytet”. Ndodhi krejt ndryshe. Në Durrës gjeti një mjedis jo të ngrohtë e për më tepër, armiqësor. Më 22 Nëntor, I. Qemali njoftonte me telegram nevojën e mbledhjes së delegatëve në Vlorë. Kjo rrethanë ishte rrjedhojë e zhvillimeve, ndaj dhe flamujt e Marigosë dhe Eqeremit në Vlorë, që do shoqëronin aktin e pavarësisë, janë rastësi.
T’ia kenë lënë, këta emra të shquar të kombit, rastësisë gjetjen e ngritjen e flamurit? Ndërsa flamuri i Spiro Ilos, udhëtuar nga Bukureshti, nuk ishte rastësi. Ai ishte i mirëmenduar dhe domosdoshmëri e planifikuar. Për ilustrim të argumentit, se burrat që do ngrinin Flamurin Kombëtar në Shqipëri, jo vetëm flamurin, por dhe elementë të tjerë të funksionimit të shtetit të pavarur, mund t’i kishin paramenduar dhe t’i kishin organizuar, sjell në vëmendje faktin që, në pritje për t’u nisur për Durrës, nga Trieste mendohet se ata porositën dhe pulla të postës, me simbolet e shtetit shqiptar. Gjithashtu, I. Qemali, duke udhëtuar për në Vlorë, kërkon me telegram nga besnikët e tij atdhetarë në qytetet e tjera të Shqipërisë, në rrethanat e përparimit të ushtrive serbe dhe greke, që të ngrenë flamurin, gjë që e bëri më 25 Nëntor Elbasani, më 26 Nëntor Tirana, më 27 Nëntor Lushnja, etj.
“Ja pra, ky është flamuri ynë i kuq e me shqiponjë dykrenare të zezë në mes”, foli në fund të Kuvendit I. Qemali. Dhe e mbylli fjalimin, “…siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valavitet i lirë flamuri i ynë, n’atdhenë t’onë të lirë. Rroftë Flamuri! Rroftë Shqipëria!”. Nga fjalimi brenda në sallën e mbledhjes, kuptohet se ka pasur flamur të vendosur, që hijeshonte sallën. Po në ballkon, të ketë pasur vallë flamur tjetër, apo është marrë po ky i sallës?
Nga 40 firmëtarë të dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë, në foton e njëvjetorit të pavarësisë, bashkë me flamurin, në grupin e atyre pak burrave të shquar që mund të mbajë ballkoni, zë vend dhe Spiro Ilo, pa asnjë post e për shumëkënd një anonim. Pse? Kësaj pyetje, vështirë se ka gjasa që t’i kthejë përgjigje kush, qoftë edhe nëse subjektivisht mendon se është vlerësuar jo si firmëtar, se të tillë ishin shumë, por si protagonist i sjelljes së flamurit. Koha i është dorëzuar harresës, siç u harrua edhe Spiridoni pasi iku në mërgim.
Format e shqiponjës të flamurit të Eqerem bej Vlorës, dhuratë e Aladro Kastriotit dhe asaj të Spiro Ilos, vlen të përmendet se kanë disa ndryshime, ku spikasim, më së shumti, format e hapjes së flatrave e të kthetrave. Ndryshimin gjithashtu e bën dhe shtrirja horizontale më e madhe e siluetës së shqiponjës të versionit të Bukureshtit. Është pikërisht ajo shqiponja, forma grafike e së cilës jepet nga studiuesi Jaho Brahaj si “Flamuri që u lartësua në Vlorë”.
Ajo çka u përshkrua këtu, në rrugëtimin e mësipërm, nuk është tjetër gjë, përpos se vijim i lëvrimeve të këtij motivi, nga Ferit Vokopola, Eqerem bej Vlora, Kristo Frashëri, Bashkim Jahollari, Nedai Thëllimi, Bardhosh Gaçe, etj. Është vërtet për t’u habitur, kur vëren se deri në ç’shkallë grishet opinioni ndaj këtyre legjendave, njëra më mitike se tjetra, sa të brishta, aq dhe të fuqishme. Në përgjithësi, ligjësia që zotëron është kjo: gjithë sa është e re, rrallëherë është e besueshme, ndaj, s’ngelet pos se ta mbyllësh këtë rrugëtim me thënien e historianit Edwin Jacques, “Nuk mund ta dimë kurrë se kush e qëndisi atë flamur historik që u ngrit në Vlorë”.
*Kryetar i Shoqatës të Koleksionistëve të Shqipërisë