Ku është këtu? E ku tjetër? Në bashki.
Gazeta londineze Financial Times thosh dje, se Edi Rama do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës. Ku e dinë ata? Po nuk është se e dinë vetëm ata; e dimë edhe ne; madje, e dimë përpara atyre. U vonua pak si për të na dhënë mesazhin se ishte duke e menduar këtë punë gjerë e gjatë (në fakt, mendja ma thotë se nuk është menduar hiç; po hiç fare, amá), dhe në fund nuk mundi të mos ledhatonte dhe njëherë tjetër idenë fikse, që i rri në kokë prej kohësh: të mos heqë dorë nga ai post deri sa shqiptarët ta zgjedhin në postin tjetër, pak më të rëndësishëm, atë të kryeministrit.
Mos po ngutem unë? Mos vallë ai ka gjetur një person tjetër për ta futur në ndeshjen më të bukur e më spektakolare të garës së zgjedhjeve lokale? Jo, nuk ka gjasa të jetë kështu. Kush njeh mirë makinën e tij të PR-it e kush ka ndjekur me vëmendje të gjitha lëvizjet konvulsive të asaj makine e kupton se në një nga këto ditë, ndoshta nesër, mass-media do ta ketë një kryelajm: Edi Rama kandidon për herë të katërt për kreun e bashkisë së metropolit. Të katërt? Nuk është e pesta apo e gjashta? Mua më duket se ka një jetë të tërë aty, por kronika politike thotë se e ka për herë të katërt.
Qyshkur ka filluar gurguleja e zgjedhjeve lokale, Rama nuk ka thënë asnjëherë se do të kandidojë. Ka vënë të tjerët të hedhin si pa dashje idenë e kandidimit të tij, ndërsa vetë ka bërë sehir e ka testuar opinionet e reagimet ndaj këtyre zërave të porositur. Nëse reagimet do të ishin të forta, mund ta mendonte dhe tërheqjen, por ai e ka ditur se nuk do të kish reagime sopra le righe.
S’e kam fjalën për reagimet e kampit tjetër; ato dihen. E kam fjalën për reagime të kampit të Ramës. S’ka pasur pra të tilla. S’ka patur njerëz që të artikulojnë ambicjen e tyre për atë post. S’ka patur as njerëz që ta shihnin me sy kritik kandidimin e Ramës. Tani, të merremi vesh, njerëz të tillë ka, por puna është se s’janë bërë të gjallë. Të gjithë, miq e armiq, kanë pritur vendimin e Ramës, që dihej si do ishte (nëse s’do ndodhte ndonjë hatá në jetën politike).
Për t’i lënë pa argument kundërshtarët e kandidimit të tij, ai hidhte për konsum korridoresh e sallonesh ku mbllaçitet e përtypet politikë sendërgjinë e sondazheve të bëra nga brenda. Këto sondazhe nuk është se thoshin që “Edi Rama fiton”, pasi kjo gjë dihet dhe nga Lul Basha. Jo, sondazhet shkonin më tej; ato thoshin, se “Edi Rama është i vetmi që e garanton fitoren”. Janë bërë vërtet këto sondazhe? S’kam ide. Edhe mund të jenë bërë. Por do ish mirë të na thoshin se ç’emra të tjerë janë hedhur, dhe ç’alternativa u janë ofruar respondentëve përveç Ramës. Ky i fundit i hodhi vetë dy javë më parë nja tri-katër alternativa, që mund t’i zinin vendin; nuk i hodhi zyrtarisht; i hodhi në një formë bizarre; bëri gati emrat e Blendi Klosit, Pandeli Majkos, Eduard Shalësit, Saimir Tahirit e të ndonjë tjetri, i paketoi, ua dha paketën emisarëve të vet, të cilët u shpërndanë nëpër Tiranë me synimin për të vjelë opinionin e ca njerëzve të kualifikuar që i duan të mirën opozitës.
Mund të kem qënë planifikuar dhe unë tek njerëzit, të cilëve u duhej marrë një opinion; dhe në më shumë se një rast më është marrë opinioni. Cili ka qënë ky opinion që kam dhënë? Që ka emra më të mirë se këta, por duhet “trimëri’ për t’i gjetur. Ndërsa shumë të tjerë mund të kenë thënë: “Çfarë? Jo, jo, nuk është nevoja të eksperimentojmë e të rrezikojmë; nëse s’ka emra medemek më të mëdhenj, thuajini Ramës të vërë kandidaturën!” Dhe me këtë mënyrë mundi kundërshtarët që thoshin se ai as e çon në mendje të sugjerojë emra të tjerë. Ja, i sugjeroi, por janë emra që s’japin garanci. Kjo ishte loja.
Po pse Rama po i jep dum kështu kësaj pune? E vërteta është, se ka diçka tjetër përpos idesë fikse për këtë post e përpos tahmasë së tij për pushtet ‘material’. Së pari, ka presion nga nomenklatura brenda partisë për t’mos ia lënë askujt tagrin e kompetencat për të qeverisur bashkinë e Tiranës, e cila është një llokmë e madhe pushteti në terma politikë, ekonomikë, financiarë e në terma të PR-it. Së dyti, bashkia e Tiranës, me të gjitha mjetet e resurset që bart, është e vetmja mbështetje logjistike për opozitën, me fjalë të tjera e vetmia karrotë për të ndjellë e bërë për vete njerëz, institucione e entitete të tjera me pushtet e me ndikim, dhe i vetmi shkop për t’i ndëshkuar aq sa mundet ca e ca që “hanë bukën e turkut e bëjnë duvanë e kaurit”; shërben si e tillë në mënyrë jo fort legale, por përballë përdorimit abuziv të pushtetit egzekutiv nga ana e Berishës, askush nuk e çan kokën për këtë sjellje jo korrekte; kur bjenë daullet, nuk dëgjohen pizgat.
Së treti, Tirana është bastioni i fundit i rëndësishëm i papushtuar nga (Genghis) Berisha; nëse bie dhe Tirana, pastaj s’ka më rëndësi asgjë. Atëherë? Atëherë duhen përdorur të gjitha mjetet për ta mbrojtur këtë bastion. Së katërti, këto zgjedhje janë të rëndësishme, shumë të rëndësishme; rrjedhimisht gjëja më e parë që ka rëndësi është që ato të mos humben. Së pesti, duke u vënë në lojë vetë aspiranti për kryeministër mund të provokohet një mobilizim më i madh qytetarësh të Tiranës, e për një efekt a magji metropolitane, edhe ata të gjithë Shqipërisë. Së gjashti, përballë nuk ka një rival të zakonshëm (s’e kam fjalën për Lul Bashën); përballë ka një njeri që arrin deri dhe të vrasë me një qetësi e shkujdesje qaddafi-ane, e merret me mend që një kundërshtar i tillë të kondicionon pa masë e nuk të lë të jesh normal në ligjërimin politik, në zgjedhjet që bën e në strategjitë që adopton.
Mund të bihet dakord, besoj, se në të pesë pikat e mësipërme ka diçka racionale. Mirëpo edhe në këto rrethana, edhe sikur t’i pranonim këto pika, pra, edhe sikur të binim dakord se Rama është i vetmi socialist që e ka të sigurtë fitoren, edhe sikur të binim dakord se aty rrotull tij s’ka njeri tjetër, të cilit mund t’i besohet qeverisja e Tiranës, prapëseprapë ai ka përgjegjësi për këtë situatë. Nuk i falet që ndër të gjithë ata që ka rekrutuar gjatë viteve të fundit të mos gjejë qoftë dhe një, që të jetë në gjendje ta hedhë në tapet Lul Bashën, i cili nuk ka dëshmuar se ka armë tjetër, veç faktit që është beniamin i Berishës e veç faktit tjetër që është djalë kokoroç e gojëbrisk (kulturalisht është një hiç; politikisht është tërësisht i skualifikueshëm si njeri pa asnjë ide, në pikëpamje humane është haptazi një sycophant, në pikëpamje legale është krejt i zbuluar).
Prandaj, kur Rama thotë se “nuk kam njeri tjetër që t’më japë garanci në këtë konkurim”, në vend t’i japim të drejtë, duhet ta denoncojmë për shkretimin që ka mbjellë rreth vetes; në mos, ta denoncojmë për faktin që nuk ka promovuar askënd në mënyrë të veçantë për ta patur si krahun e tij të djathtë. Fraza që dëgjohet nga të gjithë socialistët “Rama është i vetmi që kemi”, në vend të të ngushëllojë, të kall datën. Si i vetmi? Ç’do me thënë i vetmi? Pse i vetmi? Ku janë të tjerët? Nuk ka brenda partisë socialiste? Pse s’merret ndonjë nga jashtë partisë? Nuk ka asnjë as jashtë partisë? Ou? Po të ishte kështu, ky vend do ishte për t’i bërë një mut mbi krye. Por s’është fare kështu. Nuk është se s’ka; nuk ka pikën e kuptimit të thuash, që s’ka; është thjesht që s’duan të shohin. Dhe është për të ardhur keq që ai që s’do të shohë është Edi Rama, të cilin dikush e pikasi dhe e zgjodhi nja dhjetë e kusur vite më parë. Kush ishte ai? E paskeni harruar? Fatos Nano. Palo burrë ka qënë e mbetet, por kish një virtut të jashtëzakonshëm, që gjendet më rrallë se çdo gjë tjetër këtyre anëve: delegonte pushtet e kompetenca.
Unë e di që shumë njerëz do ta lexojnë këtë shkrim e do të thonë: dëgjo, mund të kesh të drejtë, por tani kemi një hall më të madh mbi krye; duhet t’i tregojmë Qaddafi-t tonë, se shumicën e shqiptarëve i ka kundër. E dini? Personalisht këtë do bëj prapë, do mbështes më fort se kurrë opozitën, por është për të ardhur keq që Edi Rama bën hesape personale mbi këtë padurim kolektiv të shqiptarëve për t’ia treguar vendin (me votë) njërit prej qelbësirave më të mëdha që ka prodhuar ky vend. Shqiptarët do të votojnë për opozitën. Duhet të votojnë. Si kurrë ndonjëherë. Dhe në këtë mes Rama, me siguri, do të kontribuojë; por më shumë do të përfitojë. Por më pas, kur Qaddafi ynë të mos jetë, ne do të jemi më të qetë, ndërsa ai vetë do të jetë pa alibi.
Marre nga ResPublica