Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Njohja e qeverise

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 14 vite më parë

Albin Kurti
Njohja e qeverise

Nga deklaratat e Kryeministrit Thaçi është e qartë se çfarë ai beson që fiton Kosova nga bisedimet me Serbinë. Sipas tij, e fiton njohjen e Serbisë në fund të procesit negociator. Këtë gjë po ia premton Hashim Thaçi (disi në emër të Serbisë!) popullit të Kosovës. E, mandej, natyrisht, pas pranimit nga Serbia, Kosovën do ta pranonin edhe pesë shtetet e mbetura të BE-së (ndonëse Qipro pat deklaruar se edhe nëse Serbia e njeh Kosovën, ajo sdo ta bëjë këtë!). S’do mend që asisoj ulësja e Kosovës në OKB do të arrihej shumë më kollaj, për të mos thënë që do të ishte e garantuar.

Ministri i Jashtëm Hoxhaj tha që këto bisedime janë instrument për njohje nga BE-ja. Pra, edhe ky shpreson që këto pesë shtetet e mbetura do ta njohin pavarësinë e Kosovës nëpërmjet këtyre bisedimeve. Kjo do të thotë që Enver Hoxhaj beson që Serbia do të na njohë e mandej edhe pesë shtetet e mbetura të BE-së do ta bëjnë këtë. Ose, ai beson që do të ketë një marrëveshje me Serbinë kah fundi i bisedimeve, sipas së cilës Serbia nuk na njeh, por lejon që të tjerët ta bëjnë këtë (drejt bërjes së Kosovës anëtare e OKB-së). Në fakt, ai mund të besojë se që të dyja këto opsione do të jenë në tryezë.

Mirëpo, tash për tash, me këto bisedime po njihet veçse qeveria e Kosovës nga Beogradi e pastaj edhe nga BE-ja. Nuk mund ta dimë tani nëse do të njihemi dhe kur, por ajo që dimë, është ajo që tashmë ka ndodhur: Qeveria e Kosovës u njoh.

Me rastin e vjedhjeve të zgjedhjeve më 12 dhjetor 2010, dëshmitarë okularë ishin edhe ambasadorët e ShBA-ve, Francës dhe Zvicrës në Kosovë. Parregullsitë masive i pat konstatuar edhe raportuesja europiane, Ulrike Lunachek. Organizata monitoruese ENEMO pat thënë që keqpërdorimet dhe manipulimet janë në masën prej 38%! Askush nuk kishte gatishmëri që ta pranonte e njihte qeverinë “Thaçi” dhe të vendoste marrëdhënie normale me të. Vetëm pas fillimit të bisedimeve me Serbinë këtij dhe qeverisë së tij iu hap deriçka për Bruksel. U dëshmua që BE-ja nuk e pat izoluar Thaçin për ta izoluar, por për t’ia orientuar daljen nga izolimi vetëm kah Beogradi dhe bisedimet me të.

Pa dyshim që Brukseli është së tepërmi i interesuar që Boris Tadiqi ti fitojë zgjedhjet e ardhshme në Serbi. (Të gjithë e mbajmë mend se si Javier Solana qante nga gëzimi në vitin 2008, atëherë kur Tadiqi e mundi Nikoliqin). Për ta arritur këtë, Brukselit i duhet që ta pajisë Serbinë me statusin e vendit kandidat para fushatës së ardhshme zgjedhore në Serbi dhe kësisoj tia sigurojë fitoren e ardhshme Tadiqit. Kosova zyrtare nuk është e vetëdijshme se sa e rëndësishme është në këtë mes. Ajo nuk ia ka idenë se sa shumë do të mund të përfitonte nga kushtet ndaj Serbisë. Në vend se Serbia na tërheq për hunde, duke fituar koncesione joparimore nga qeveria e Kosovës, është Kosova ajo që kësaj radhe do të mund ta tërhiqte për hunde Serbinë përmes kushteve parimore ndaj saj. Pra, Kosova po e humbet shansin unik që të bëhet pengesë konstruktive për Serbinë, e cila Kosovës dhe shqiptarëve iu ka aq shumë borxh. E gjithë kjo vetëm dhe vetëm që ndaj Thaçit të zbuten akuzat dhe izolimi europian. Papunësia në Serbi aktualisht ka kapur shifrën prej 20%. Serbia kurrë s’ka qenë më e dobët, por paradoksalisht pika më e fortë e saj është bërë Kosova për shkak të dobësisë së qeverisë “Thaçi”.

Kur Thaçi thotë që në fund të bisedimeve na njeh Serbia, në të vërtetë ai është duke kërkuar durimin e qytetarëve të Kosovës dhe pajtimin e tyre për koncesionet që do të bëhen ndaj Serbisë para se ajo të na njohë, ndërkohë që vazhdon të mos na njohë. Nuk është çështja se kur do të njihemi nga Serbia, por çka do të ngjajë deri atëherë kur ajo do të na njohë (nëse do të na njohë). Thjesht, s’ka se çfarë na duhet njohja nga Serbia nëse entiteti autonom territorial serb brenda Kosovës është çmimi për njohjen e Kosovës nga Serbia, ashtu siç po kërkon tash edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizës. Çfarë entiteti do ti njihet Serbisë brenda Kosovës, para se ajo ta njohë Kosovën si një entitet jashtë Serbisë? Kjo pyetje është shumë më qenësore për shtetin e Kosovës dhe popullin e saj sesa pyetja nëse Serbia do ta njohë Kosovën dhe kur nëse po.

Për të gjithë ata që thonë se nuk është i mundur modeli i Bosnjës, pasi po bisedohet vetëm për çështje praktike, përgjigjja është e qartë: çështjet praktike janë çështje politike; dhe, kush është ai që do të mund të thoshte se çështjet politike janë çështje jopraktike?!

Ndërkaq për ata që thonë se do të bëhet fjalë vetëm për çështje teknike, përgjigjja është edhe më e qartë: eventualisht dimensionet e vulave të doganave mund të konsiderohen çështje teknike, por sigurisht jo edhe ajo që do të shkruhet në ato vula.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama