Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ç'ka qyteti im?

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Ç'ka qyteti im?

E hodhën bretkocën në ujë të valuar dhe ajo kërceu përpjetë me sa fuqi pati dhe shpëtoi. E futën pastaj në ujë të ftohtë dhe ia nxehën ujin pak e nga pak. Bretkosa u zje dhe ngordhi, por nuk e kuptoi nga i vinte e keqja. Po të na thosh njeri në vitin ‘90 a ‘92, se në vitin 2010 Tirana do të arrinte vetëm me 1/10 e sipërfaqeve të gjelbra dhe me gati asnjë institucion kulturor a publik, le që nuk do ta besonim, por edhe do bënim namin. Në fakt, në këto 20 vjet i humbëm gati të gjitha, njërën pas tjetrës, javash-javash e copa-copa, dhe ndaj nuk ngritëm krye.

Humbëm Pallatin e Kulturës, humbëm Muzeun e Natyrës, humbëm shumicën e lulishteve të dikurshme të qytetit, humbëm të gjitha kinematë, humbëm shumicën e Bibliotekave, kemi humbur gjysmën e sipërfaqes së Parkut të Liqenit, humbëm gati të gjitha fushat dhe ambjentet sportive, është firmosur vdekja edhe për kompleksin e Dinamos, po vdes Kopshti Zoologjik e kështu me rradhë.

Teatri i Estradës, një nga më të famshmit në vend, u shua pa shumë zhurmë e bujë. Shteroi pak e nga pak derisa pronarët e truallit i dhanë dërmën e fundit. Askush nuk hapi gojë as për t’i thënë lamtumirë. As ne Qytetarët e as Bashkia. Së fundmi po i vjen rradha edhe Cirkut të Tiranës. Nëse ka mbijetuar duke marrë frymë me grahma, kjo ka qenë veç për meritë të dashurisë marrëzore të atyre njerëzve që kanë dhënë shfaqje edhe nën tendën e grisur copë. Por tani, grushti vdekjeprurës po u vjen andej nga se pandehën, nga pronari i tokës. Bashkia sërisht nuk bëri ndonjë përpjekje kushedi çfarë dhe, e vetmja dritëz shprese cirkut i erdhi nga qeveria, që për show të momentit, premtoi ta kthente cirkun në Institucion kombëtar. Eh, Artan. Ka qenë një kohë kur institucionet e kishin ëndërr të kalonin në vartësi të Bashkisë së Tiranës, që shihej si shpresë ringjalljeje. Ka qenë një kohë kur Bashkia e Tiranës merrte përsipër e bënte edhe punë që nuk qenë të sajat, aq energji rrezatonte. Tashmë këto kohë janë aq larg, sa duken të kenë ndodhur në kohë të Ali Pashës.

Shkroi një artikull denoncues shumë të fortë Maks Velo për punë të një ndërtimi të turpshëm që po bëhet m’u midis qytetit. Hëngri Maksi edhe ca grushta për këtë kurajo. Nga Bashkia asnjë reagim. Pas Maksit u ula e shkruajta gjerë e gjatë me dokumenta në dorë, edhe unë vetë. Pas meje shkroi e kërkoi shpjegime edhe Muç Nano. Pas Nanos shkroi Ylli Manjani. Pas Manjanit shkroi Anila Basha, gjithaq për të njëjtin ndërtim. Këta fiksova unë, se bën vaki të kenë shkrojtur edhe të tjera pena për të njëjtën çështje dhe të gjithë me një kërkesë: “E dashur Bashki e qytetit tonë, të lutemi na jep shpjegim për një gjë që po ndodh në qytetin tonë”. Dhe këtë po ta kërkojnë disa qytetarë që t’a them me siguri që kanë votuar për këtë kryetar që është. E pra, shkuan muajt dhe asnjë përgjigje, as edhe një gjysmë fjale nuk doli nga kalaja e Bashkisë.

Kam shkrojtur për qytetin kur mbushi 85-vjetorin e kryeqytetllëkut, kam shkrojtur sërisht kur mbushi 90-vjetorin, për të kujtuar gjërat që i mungojnë qytetit. Kam bërë edhe një vandak shkrime të tjera, sa herë që kam parë gjëra që s’venë a që mund të bëhen ndryshe, se sa kam shkrojtur unë për këto gjëra, zor të ketë shkrojtur ndokush tjetër. Shkrojta dhe prita që ndokush të më merrte (se më të shumtit i kam patur edhe kolegë) e të më thosh ”O Tan, eja të flasim se ç’mund të bëhet prej atyre që duhen bërë”. Askush, as u kujtua, e as e vuri ujët në zjarr. Dhe kur nuk u bëhet vonë për llafin tim, që e kam një zë publik, mere me mënt se sa mund të merakosen për mijërat e bashkëqytetarëve pa zë.

Të shkuara të harruara. Para ca kohe, një prej televizioneve kryesore organizoi një debat për situatën urbane të qytetit ku banojmë të gjithë ne që morëm pjesë në atë debat, përfshirë edhe drejtuesin e emisionit vetë. Me ç’pashë e me ç’më tha ai, u deshën tri ditë negociata për të sjellë në debat një përfaqësues nga Bashkia. Me thënë të drejtën, unë kisha vënë këmbën, që nuk ka kuptim të bëjmë debat për hallet e qytetit ku jetojmë, pa patur asnjë përfaqësues të Bashkisë. Më në fund debati u bë, por nga Bashkia erdhi një vetëm një “ish”, Ed Shalësi, dikur nënkryetar e sot deputet.

Më pas, i njëjti problem, për punë të sheshit “Skënderbej”. Ktheva pas katër ftesa për të marrë pjesë në debate për këtë punë, duke u thënë se s’ka kuptim të dal e të mbroj unë sheshin “Skënderbej”, kur duhet të dalin të zotët e punës. Përgjigja e gazetarëve ishte e njëjta: “Nga Bashkia s’del njeri”. Dhe më kujtohet Bashkia e dikurshme, e cila zhytej gjithë pasion në çdo debat që kishte të bënte me qytetin, që mbronte me njerëz e figura ballëhapur çdo nismë të vetën. Që edhe kur s’kishte debat, e shpikte, për të mbajtur skenën të ndezur, se në fund të fundit kjo i bënte mirë një publiku të fjetur e shpresë vrarë. Eh sa ujë ka rrjedhur ndën Lanë që atëhere, aq sa më duket të kenë ndodhur në kohë të Skënderbeut.

Kanë qenë muajt e parë që kishim marrë detyrat në Bashki kur me Dashin (Pezën), me Danielin (Gjonin) e me nja dy miq të tjerë, bridhnim natën vonë, shumë vonë, bulevardit të shkatërruar të Tiranës, e flisnim se si do t’i ndryshonim faqen. Mbaj mënt Dashin tek thosh se sa e thjeshtë e sa pak vullnet duhej që, brenda 100 ditëve, të zhdukej pluhuri jo vetëm nga Bulevardi, jo vetëm nga Qendra, por nga e gjithë Tirana. Kaluan jo 100 ditë, por 11 vjet që atëhere, Dashi u bë deputet, por pluhuri jo vetëm që nuk u zhduk nga bulevardi, por po e shtojmë edhe vetë. Çdo natë fshehuriçkazi, makinat e bashkisë hedhin rërë në bulevard nga Universiteti e deri tek Treni, se shtrimi i pllakave është bërë keq dhe po s’u hodh rërë, dalin nga vëndi.

Por ka ëndrra edhe më të vjetra se kjo. Nuk kishim vajtur ende në Bashki, ishin kohët e fushatës elektorale në gusht të vitit 2000 kur, duke përgatitur premtime për programin takuam një ambjentalist të thekur, Lek Gjiknurin. Na foli Leka me sytë që i shndrisnin nga pasioni, për tezën e zgjerimit të kufijve të Parkut të Liqenit, për zonat sportive, për pastrimin e ujit të Liqenit e për plot ëndrra të tijat. Kanë kaluar shumë vjet që atëhere, njeriu i mirë Lek ndërroi jetë, i biri u bë deputet, por asnjë nga ëndrrat nuk mori dot jetë. Parku s’u zgjerua por vazhdoi të kafshohej në të katër anët, zonat sportive nuk egzistojnë më, ndërsa Liqenit gati të tharë i kanë mbetur vetëm ujrat e zeza të zonës përreth dhe kundërmimi i peshqve të ngordhur. Eh sa larg më duken ato kohëra, sa më ngjet sikur bëhet fjalë për ëndrrën e Naimit për t’a parë Shqipërinë zonjë.

Ore po ta lemë mënjanë Naim benë, po as nga qentë e rrugëve nuk shpëtuam dot në këta 10 vjet. Gjysmën e këtyre vjetëve, e kam kaluar duke folur mes të tjerash me Saimirin për punë të ndërtimit të kaniles bashkiake, ku të sistemohen qentë e rrugëve. Ka shpirt të ndjeshëm Saimiri, i do kafshët dhe e kam parë të revoltohet tek i sheh të vuajnë rrugëve. Vitet kaluan, edhe Saimiri u bë deputet, por as ne shpëtuam nga qentë e as ata nuk shpëtuan nga ne.

Lezha prej gati një viti ka implementuar një projekt për grumbullimin e diferencuar të mbeturinave dhe thonë se ja ka dalë ta bëjë. Në fund, e them me keqardhje, por ndoshta projekti edhe mund të dështojë, se nuk mjafton të ketë vullnet Bashkia e qytetit apo vetë komuniteti, por duhet edhe mbështetja e qeverisë së madhe, se ja, po i mbledh Lezha plehrat veç, shishet veç, veç letrat e veç kanoçet, po pastaj ku do t’i çojë, kur nuk është ndërtuar impianti i trajtimit të mbeturinave. Nejse, nuk e kisha këtu hallin, por diku tjetër. Një qytet jo i rëndësishëm ndërmerr një nismë kaq të avancuar, nga ato nisma për të cilat dikur flamurtare ishte Tirana ime dhe të gjithë të tjerët mundoheshin ta imitonin me zili. Tani na i merr në kthesë edhe Lezha, Lezha ore ju them, që bravo i qoftë. Edhe Fieri po ecën në këtë nismë dhe, edhe këtij bravo i qoftë, ndërsa Tirana i hyri dhe i doli kësaj dekade me plehrat që digjen kapicë.

Mund të vazhdoj të jap shembuj plot të tjerë, të qyteteve që dikur imitonin nismat e Tiranës, ndërsa tani ia kanë marrë në kthesë Tiranës që nuk i ndjek dot më. Megjithatë jo, më lini t’u sjell edhe një shembull të fundit, që realisht më ka dhembur në shpirt. Ka kala Elbasani, po ka edhe Tirana, madje kjo e Tiranës është edhe më e rëndësishme, se helbete, kala kryeqyteti. Gati në të njëjtën kohë filluan të dy qytetet t’i restaurojnë ato, tri vjet të shkuar. Elbasani pa shumë zhurmë e bujë, çëk-çëk, me paratë e kursyera të qytetit, ndërsa Tirana me paratë e Komunitetit Europian. Bëri zhurmë e bujë Bashkia jonë për kalanë e vet, postera gjigandë, ceremoni për fillimin e punimeve, prezantime me slajtera e ngjyra para mediave, intervista, pankarta dhe... Përfundimi: sot Elbasani e ka të restauruar ballin e kalasë sa ke qejf ta shohësh, ndërsa Tirana kalanë e vet ka tre vjet që e ka zhytur në baltë dhe tani po e varros ndën beton.

Në Tiranën e vitit 2011 nuk mburremi dot më se janë asfaltuar rrugët, se rrugët tani mësoi t’i asfaltojë edhe Kalaja e Dodës apo Konispoli që, kur lindi ime bijë as që e dinin se ç’ishte asfalti, ndërsa tani ime bijë bëri 8 vjeç dhe mezi çpret të shohë asfalt nëpër lagje. Kështu që më mirë ta lemë këtë punën e rrugëve.

Fundi i historisë. Sot, në prag të fushatës së rradhës, qyteti im i ngjet një makine të madhe me motor të shuar, që i ka dalë nga qejfi makinistit, sepse e ka mendjen tek një makinë edhe më e madhe, që ndoshta do të dijë ta bëjë të punojë mirë, por qysh do t’i bëhet për të ndezur sërish edhe motorrin e fikur të qytetit.

Është shumë e thjeshtë të ankohesh, mund të më thoni dhe kështu është vërtet, ndaj më lini edhe ca ditë kohë që t’i mbledh e t’i hedh në letër se ç’mendoj unë se çfarë pres të bëjë kryetari i qytetit tim për qytetin tim. Dhe natyrisht që kryetarit dhe të mijve do t’ua them, se vemi nga vemi, s’kemi ku të vemi, se përballë pret Berisha dhe prej tij s’kam si e pres të bëhet qyteti im.

P.S. U kërkoj ndjesë dhe pres të mos ma marrin për ters miqtë e mij që u zura emrat në këto radhë. Të paktën me ta kam debatuar e ëndërruar, ndërsa ka plot të tjerë që hynë dhe dolën nga kjo punë, pa lënë asnjë shenjë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama