Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse jam pro regjistrimit

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 14 vite më parë

Fatos Lubonja
Pse jam pro regjistrimit

Çështja, nëse duhet apo jo dhe se si duhet të jetë e rregulluar me ligj e me gjykata njohja e etnisë dhe e fesë së qytetarëve të një vendi, më duket e diskutueshme, por ama është e padiskutueshme se një shoqëri që pretendon të bëhet demokratike, me liri shprehjeje dhe me multikulturalizëm – si shumica e shteteve europiane ku aspirojmë  të bëjmë pjesë – duhet të ketë dijeni dhe transparencë mbi atë se cili është numri i individëve me përkatësi të ndryshme etnike apo me përkatësi të ndryshme fetare në të.

Jo vetëm kaq, por, në një shoqëri demokratike apo që pretendon të bëhet e tillë, është normale, madje e domosdoshme, të dihet shumë më tepër se sa etnia dhe feja e pjesëtarëve të saj. Ajo duhet të dijë edhe se sa emigrantë ka, se sa prej tyre kanë ndërruar shtetësinë, se sa analfabetë e të arsimuar ka, madje sipas shkallës së arsimimit, se sa të sëmurë kronikë ka, madje sipas sëmundjeve, se sa homoseksualë ka, se sa të burgosur ka, e me radhë.

Do të thosha gjithashtu, se ajo ka nevojë të dijë edhe se sa janë pjesëtarët e saj që kërkojnë të ndërrojnë përkatësinë etnike. Vetëm një njohje e tillë do t’i lejonte asaj të njihte vetveten dhe në bazë të kësaj njohjeje të organizonte sa më mirë tërë ato shërbime e struktura që, varësisht nga diferencat, rregullojnë dhe harmonizojnë jetën e saj. Nëse ka grupime shoqërore që nuk guxojnë ta shpallin përkatësinë e tyre, apo që nuk lejohen ta shpallin atë, që mbahen të fshehura, atëherë ky është problem i kësaj shoqërie, ashtu sikurse është problem i saj edhe mbajtja në kaos dhe terr i këtij informacioni që kryesisht nënkupton mungesë demokracie dhe rreziqe abuzimesh të maxhorancave ndaj minorancave, të çfarëdo lloji qofshin këto.

Është e çuditshme se si po i nëpërkëmbin këto principe bazë të demokracisë sot në Shqipëri, njëzet vjet pas rënies së regjimit totalitar, histeria kolektive e ngritur kundër regjistrimit etnik e fetar. Një histeri e cila po aq sa nuk i shkon kohës kur jetojmë, aq edhe flet, sipas meje, për krizën e demokracisë së kësaj shoqërie.
Është e qartë se shqetësimi kryesor vjen nga një frikë e vjetër nacionaliste e shqiptarëve: i ashtuquajturi pretendim grek për Vorio Epirin. Me fjalë të tjera, ata që argumentojnë kundër regjistrimit të përkatësisë etnike e fetare, edhe pse nuk e thonë krejt hapur, kanë frikë se mos dalin më shumë minoritarë grekë se ç’janë, apo se ç’dëshirojnë ata të jenë duke u nisur edhe nga fakti se shumë shqiptarë, për nevojë, kanë ndërruar përkatësinë e tyre etnike.

Pra, skenari që ata përfytyrojnë është një rritje e numrit të minoritetit grek, aq sa ky të arrijë një “masë kritike” që t’i lejojë minoritarët të kërkojnë një lloj autonomie të një pjese të Jugut dhe pastaj nga kjo autonomi, të kalohet në kërkesë pavarësie dhe bashkimi me Greqinë (pak a shumë një skenar si ai i Kosovës). Po ashtu, kjo frikë për regjistrim më në përgjithësi artikulohet edhe si frikë e humbjes së kohezionit, si shpërbërje apo disintegrim i shoqërisë. E, në emër të këtyre frikërave, propozohet që të mos dimë se çfarë jemi dhe se sa jemi, çka do të nënkuptonte se kështu siç jemi, kemi perceptimin se jemi të gjithë shqiptarë të pastër, me pak minoritarë në disa fshatra të Jugut dhe le të presim sa të forcohemi ca më shumë si trup që një ditë ndoshta të fillojmë të numërohemi.

Çështja nëse frika nga Greqia është frikë e bazuar apo një frikë irracionale apo e stimuluar nga pseudopatriotë për të mbuluar dështimet e tyre në punët e shtetit shqiptar që kanë mbuluar apo mbulojnë, apo për të mos u marrë me problemet e vërteta që po e shkatërrojnë vendin, mund të hajë diskutim. Për mua, ndërrimi i etnisë, edhe tani pas 20 vjetësh rënie të komunizmit, për të marrë, siç thonë disa, 300 euro në muaj apo vazhdimi i emigrimit dhe i ndërrimit të kombësisë së shqiptarëve, duhen parë kryesisht me shqetësimin e paaftësisë për të ndërtuar një shtet. Një lexues, pas shkrimit; “Gërdeci, kombësia dhe Kreshnik Spahiu”, më shkruante: “Kujt i duhet ky shtet që e ka detyruar 1/3 të ikë dhe të mos ketë plan të kthehet aty ku po kthehet?” Një tjetër nga Kanadaja më shkruante se numri i shqiptarëve që kanë marrë shtetësi kanadeze para katër vjetësh, ishte 22957. Pra, gati 20 herë më shumë sesa ata (1500) që sipas Spahiut paskan ndërruar përkatësinë etnike në Shqipëri.

Dhe kujtoj se kanadezët kanë zgjedhur pjesën më të shkolluar. Si në shkrimin e sipërpërmendur, ringulmoj se kjo rrjedhje e trurit, kjo dobësi e jashtëzakonshme e shtetit, duhet të jetë preokupimi dhe alarmi ynë, e jo mbulimi i tij me tamtame pseudopatriotike dhe me flamuj kuq e zi. Për mua, skenari grek që përmenda është fantaplitikë, por gjithsesi, përtej këtij skenari, refuzimi i regjistrimit më duket politikë struci e mbarsur me shumë rreziqe dhe, ndryshe nga ç’mendohet, nuk i shërben as kohezionit dhe harmonisë shoqërore në vend, por përkundrazi e minon atë.

Nëse do ta ekstrapolonim idenë e rrezikimit të kohezionit që kanë promovuar me këtë rast një numër jo i vogël shqiptarësh – me në krye nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiun, i cili ka filluar të japë edhe intervista, ku thotë se këta që duan regjistrimin e etnisë kërkojnë të na e kthejnë Shqipërinë në një shtet multietnik, çka, sipas tij, do të ishte shpërbërje e shteti shqiptar,  – atëherë do të duhej që në emër të kohezionit, të mos i lejonim minoritarët të mësonin edhe në gjuhën që ata kanë si gjuhë të mëmës, por as të kishin partinë apo organizatat e tyre e më tej akoma edhe ne të gjithë të mos kishim shumë parti, por një të vetme, të mos kishim as organizata të ndryshme, por vetëm leva të kësaj partie, të mos kishim as komunitete të ndryshme fetare, as dialekte të ndryshme: me fjalë të tjera të ktheheshim tek uniteti i popullit rreth partisë së vetme.

Kjo ide, të çon bash tek një reminishencë e kohëve nacionaliste e nacional – komuniste të aplikuara jo vetëm në Shqipëri, që nacionalizmin e shndërruan në fe mbizotëruese dhe që e aplikoi Enver Hoxha në mënyrën më radikale, duke i eliminuar në emër, gjoja, të unitetit të popullit, krejtësisht fetë dhe duke asimiluar thuajse krejtësisht grupet e ndryshme etnike në vend. Një “kanibalizëm kulturor” ky për pasojat negative të të cilit duket se shoqëria nuk është ende e vetëdijshme.  Kam frikë se kjo histeria e sotme po të vazhdojë kështu, nën mbështetjen edhe të atyre tifozëve kuq e zinj që shoqërojnë Spahiun, mund të krijojë një klimë ku të mos guxojë më kush të deklarojë etninë e ndryshme nga ajo shqiptare e pastaj edhe fenë që nuk i përshtatet shqiptarisë së promovuar nga këta patriotë e që pastaj mund t’i bënte homoseksualët, romët apo “të përzierët” të kishin frikë se mos shpalleshin shqiptarë të dorës së dytë apo të padenjë për emrin shqiptar.

Problemi është se demokracia është pikërisht e kundërta e këtij lloj kohezioni që kërkojnë patriotët tanë. Menaxhimi i saj është më i vështirë sesa menaxhimi i një garnizoni ushtarësh të veshur të gjithë njëlloj, nën një komandë të vetme dhe nën një flamur të vetëm. E kjo që po ndodh reflekton një krizë jo të vogël të ndërtimit të shtetit demokratik shqiptar njëzet vjet pas rënies së shtetit totalitar. Për mua, kjo histori është bash tregues i krizës sonë të shkaktuar nga paaftësia për të menaxhuar demokracinë dhe lirinë.

Dikush argumenton se mosnjohja e grupeve të ndryshme etnike i shërben ndërtimit të qytetarisë. Pra, se ne duhet të ndërtojmë një shtet shqiptar, ku të ketë shumë më tepër rëndësi qytetaria shqiptare se sa etnia të cilës i përkasim. Mbi këtë ide, Halil Matoshi e përshëndeste iniciativën e një pjesë të elitës shqiptare që e kundërshton regjistrimin, duke sjellë shembullin e Kosovës, ku njohja e grupimeve të ndryshme etnike nuk do të lejojë, sipas tij, ndërtimin e një ndjenje qytetarie kosovare për të gjithë banorët e atij shteti, qofshin të etnisë shqiptare, serbe apo të etnive të tjera të përfaqësuar me gjashtë yjet e flamurit të Kosovës. Pa dyshim, ndërtimi i një qytetarie sipas shtetit-komb në të cilin jeton e punon, ku të gjithë banorët ndjehen mirë dhe të plotë, më së pari si shtetas të atij vendi, është gjë tejet e rëndësishme.

Por, çfarë duhet bërë që të ndryshojë ai realitet që ekziston në shtetet tona, ku etnia (që sipas meje, jo rastësisht ne e quajmë kombësi) është më e rëndësishme se shtetësia apo qytetaria, që personalisht preferoj ta quaj kombësi: si tregues i përkatësisë në një shtet-komb? A mund të arrihet kjo epërsi e përkatësisë qytetare mbi përkatësinë etnike, duke reduktuar multiidentitetin dhe multikulturalizmin e individëve të një shoqërie, apo nëpërmjet të kundërtës: duke krijuar në shtetin tonë mundësitë për shprehjen e identiteteve të ndryshme të individëve.

Historia tregon   se nëse rruga e parë është tipar i shteteve diktatoriale, të centralizuara e nacionaliste, e dyta është tipar i shteteve demokratike dhe të decentralizuara e multikulturalistë. Dhe sfida e botës ku jetojmë, veçanërisht e Evropës ku aspirojmë të hyjmë, qëndron pikërisht në refuzimin e kthimit në kohën e shteteve që ruajnë me fanatizëm e dhunë kufijtë dhe identitetet e ashtuquajtur kombëtarë (që imponojnë identitetin dhe kulturën e maxhorancës etnike të këtij shteti) dhe në promovimin e një shteti e të një shoqërie, ku diversiteti jo vetëm lejohet, por edhe shihet si pasurim për të gjithë, dhe jo si kërcënim.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama