Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dilemat e Identitetit.

Shkruar nga: Gjergj Xexo  
Botuar më: 18 vite më parë

Gjergj Xexo
Dilemat e Identitetit.

Ndërkohë që detyra e përshkrimit të vendit të shqiptarëve thjeshtohet për shkak të kufijve shtetërorë – dhe në mungesë të tyre nga malet ose nga lumenjtë thuajse të përjetshëm, të duash të bësh të njejtën gjë me popullin, përpjekja shëndrrohet menjëherë në diçka fort të komplikuar. Arsyeja është tepër e thjeshtë : në shpirtin lokal; fjala popull ngatërrohet kollaj me idenë e kombit.
Çfarë përfaqson Kombi shqiptar ?
 
Ja një pyetje që është ngritur fillimisht në shekullin e XIXtë dhe që vazhdon të shqetësojë shpirtrat më të ndritur të ditëve të sotme, në një shkallë të tillë sa që kthehet në temë botimesh, simpoziumesh ose deri në argument të partive politike. S’ka asnjë dyshim : që prej fillimeve të mendimit « filozofik » shqiptar, perceptimi i Kombit është ai i « Kulturnation », të këtij kombi etno-kulturor në kuptimin e gjerë të fjalës, i cili i shtrin rrënjët në elementin kryesor federues, gjuhën e përbashkët. Le të këmbëngulin historianët shqiptarë mbi « realitetin historik i cili na tregon se kombet nuk janë produkt i kulturës por e kundërta ». Sipas « shpikësve » gjermanikë të këtij koncepti, kombi paraprin Shtetin, dhe ky i fundit nuk bën gjë tjetër veçse përkryen një bashkim politik të domosdoshëm për kurorëzimin e të parit. Historia e një pjese të mirë të Evropës (Gjermani, Itali… ) na e rikujton në mënyrë të vazhdueshme.
Sidoqoftë, rasti i Shqipërisë dëshmon për një dukshmëri tjetër që çfaqet sheshit : shpallja aq e pritur e Shtetit nuk u ligjërua nga martesa e një kombi me një territor. E kuptuar si një padrejtësi, ky realitet do të përbëjë motorin e nacionalizmit shqiptar të shekullit të XXtë dhe e ndjerë si një mangësi, ai do të gëdhendë nënvetëdijen popullore me një mosbesim të vazhdueshëm për të mos thënë me një armiqësi të fshehur, ndaj bashkësisë së institucioneve. Mospërputhja mes Shtetit dhe Kombit shënon në mënyrë të qëndrueshme historinë bashkëkohore të vendit. Ajo shoqërohet, bile edhe ndihmohet, nga një element i dytë paqëndrueshmërie : pamundësia e një shoqërie të organizuar, e pajisur me një qeveri, për t’u imponuar në rolin e një personi moral mbi territorin kombëtar. Kjo dëshmi pafuqie e strukturave moderne të dala nga modeli evropian përballë traditës të frymëzuar nga modeli otoman ushqen arketipin zakonor, të rrënjosur në karakterin lokal. Ajo përbën edhe burimin kryesor të hezitimit popullor përkundrejt kateve të ndryshme të organizimit politik të mundshëm : vllazni, fis, etni, krahinë, komb, Shtet-komb, qytetërim dhe së fundi evropianizim ose mondializim. E kqyryr në këtë mënyrë, përse duhet të habitemi ndaj refuzimit të kufijve të imponuar ? Përse duhet të pranojmë këtë shprehje të absurdit që kufizon vështrimin jashtëkohor dhe të pandryshueshëm të hedhur mbi Qytetin dhe mbi universin – Urbi et orbi ? Si është e mundur që, në këtë gjendje marrëdhëniesh para-qytetare mes individit dhe Shtetit të tij kombëtar, të bëhet diferenca mes Shqipërisë së mirëfilltë - Shqipërisë së parë, Shqipërisë së përtej kufirit - Shqipërisë së dytë, dhe asaj të diasporës - Shqipërisë së tretë ?
Përfundimisht, përballë realitetit të pamëshirshëm të kufijve, mbi ç’bazë ndërtohen marrëdhëniet mes Ne dhe Të tjerëve, mes Vetvehtes dhe Tjetrit, i përjetësuar në këtë rast nga pakicat kombëtare të cilat vetënjihen si të ndryshme qoftë në rrafshin etnik, fetar ose së fundi gjuhësor, nëpërmjet kultivimit të këtyre ndryshimeve ? Si transpozohen këto marrëdhënie dhe ndjenja kur ndrrohen rolet – kur janë Të tjerët që na kqyrin dhe na vlerësojnë ?
 
 
Shteti dhe Kombi.
 
Sikundër dhe vende të tjera të përmasave të saj, Shqipëria tërheq vështrimin e jashtëm vetëm gjatë periudhave të krizës ; atëhere kur kaosi i brendshëm përbën një rrezik për mjedisin ndërkombëtar të afërt (Ballkanin) ose të largët (Evropën). Në të tjera periudha, në kohë të tjera, vendi nuk i ka interesuar pothuaj kërrkujt. Ja edhe arsyeja përse ai mbulohet nga gërmadhat e luftrave të përbotshme ; ja përse ai zhduket pas perdes së indiferencës në kohë paqeje. Përsa i përket krizave, historia bashkëkohore ka njohur dy situata të këtij lloji. E para çoi në krijimin e Shtetit të pavarur shqiptar.E dyta fillon me shëmbjen e komunizmit. Mes këtyre episodeve, ka ndodhur një proces i gjatë krijimi kombëtar ; një hallkëzim i një pushteti monarqik me një diktaturë komuniste, i ndërprerë nga një incident i përkohshëm : lufta e Dytë botërore. Pas një intervali disadhjetëvjeçar, cikli përsëritet dhe shkakton një shembje të re të përgjithshme dhe në rradhë të parë, një krizë të brendshme të thellë. Një vështrim analitik zbulon se ajo është gjeneruar, ushqyer dhe precipituar nga kriza e sistemit, pjesë e të cilit është vendi. Kështu, Shqipëria s’bën gjë tjetër veçse vuan fatin e keq të strukturave që i shërbejnë si strehë. Sa herë që shembet çatia – Perandoria otomane dhe më pas, Perandoria komuniste – ajo bën pjesë në viktimat e katastrofës. Kjo gjë e tejkalon rastësinë e thjeshtë dhe të pafajshme dhe të shtyn drejt mendimeve më të thella, veçanërisht pas kqyrjes të natyrës dhe të intensitetit të lidhjeve që ajo krijon me epiqendrën. Që mund të kërkohet ndihmë dhe mbrojtje, që mund të zgjidhet një çati për të mbuluar kokën – kjo gjë bën pjesë në praktikat e zakonshme të vendeve të vegjël. Që të zgjidhet gjithmonë streha « e keqe » dhe që të këmbëngulet për të qëndruar brenda deri sa ajo të shembet – megjithë kërcitjet që njoftojnë fillimin e katastrofës, kjo gjë s’ka të bëjë më me fatin e keq. Është konceptimi i të sotmes si edhe përfytyrimi i të ardhmes që vihen në pyetje pasi, është një rend i tërë shoqëror që vuan pasojat.
Pika e nisjes mbetet gjithmonë e njejta : një ekonomi difektoze nën pragun e mbijetesës, një mjedis rrethues armiqësor - bile agresiv. Nga momenti kur pushteti përcakton këtë diagnozë, ai zhvillon një filozofi të tërë e cila çon në një hallkëzim të etapave për të mos thënë një automatizëm : zgjedhje e aleancave, e diktuar nga konsiderata emotive – bile ideologjike ; një projekt politik rrethanor që shëndrrohet gradualisht në afatgjatë ; një proces zhdukjeje të elitave të vjetra ; krijimi i një elitë e re ad hoc që merr në duar e veta administrimin e çështjeve publike. E mbërthyer nga kjo darë, shoqëria duhet të pjesëmarrë me hir ose pahir në një proces të vrullshëm shëndrrimesh radikale, mes të cilave edhe shëndrrimi i plotë i vetvehtes. Megjithatë në mënyrë pasive, kjo shoqëri i kundërvihet një projekti të cilin instiktivisht e çmon si të rrezikshëm, kësaj rendjeje përpara drejt një të ardhme fort të pasigurt. Përballë volontarizmit të drejtuesve të vet, pushteti i saj kundërshtues përbëhet nga rrjetat e lidhjeve pesonale, familjare, fisnore, rajonale ndërkohë që vlerat tradicionale shërbejnë si mburoja e saj e vetme.
Në një moment të caktuar të historisë, të paktën një pjesë e kësaj bashkësie gjuhe dhe kulture shqiptare që është bërë zakon të quhet Komb, u gjend e bashkuar brenda një Shteti që duke patur parasysh praktikën ballkanike dhe përvojën evropiane, mund të konsiderohet si Shtet kombëtar, por që asnjëherë nuk ka mundur të shëndrrohet në Shtet-komb. Nga ana tjetër, nga gjiri i shoqërisë njerëzore veçohen individë, grupe, kasta ose klasa që nëpërmjet përfaqsuesve të tyre - qeverisë, pretendojnë realizimin e bashkimit politik, administrimin e çështjeve të përditshme dhe përpunimin e një projekti zhvillimi. Ngjarjet kanë treguar se përveç sakrificave të rënda të natyrës njerëzore dhe materiale, kësaj shoqërie i është kërkuar që të ndryshojë periodikisht identitetin kolektiv. Edhe sikur të bëhet fjalë për elementë përbërës të tij - rajonal, të pakicave, fetar ose gjuhësor, është vetë identiteti në përgjithësi që e vuan ndryshimin, shpesh në emrin e një përparimi ose modernizimi.
Në ç’mënyrë atëhere, kjo përmbajtje esenciale që quhet shoqëri përputhet me formën e saj të dukshme që përbëhet nga Shteti ? Si pasqyrohet Kombi në Shtetin e vet, marrëdhëniet mes të cilëve qëndrojnë sikundër natyra ndaj kulturës, sikundër egzistenca ndaj esencës ?
 
 
Elitat dhe Nacionalizmi.
 
Shtërzimi i vazhdueshëm i shoqërisë për t’ju përshtatur strukturës dinamike të Shtetit është refleks i kontradiktave të brendshme të thella që lindin në gjirin e saj, ndërkohë që në funksionin e saj si popull, i duhet të përshtatet me kallëpin e Kombit. Larg çdo përfytyrimi naiv, shprehja « produkt historik » që i vishet këtij të fundit përmban një të vërtetë evidente, ndërkohë që fsheh disa të tjera.
E vërteta i përgjigjet faktit që koncepti « komb » është produkt i vonët në krahasim me ato qindra shekuj që na ndajnë nga lindja e shoqërisë njerëzore. Gjatë zhvillimit të tyre, qytetërimet e njëpasnjëshme megjithëse patën nevojë për Shtetin, u mbështetën gjerësisht mbi shoqërinë tradicionale dhe strukturat e grupit – familje, gjini, fis, tribu – përderisa individi, përfaqësues i një kaste, mund të ushtronte pushtetin - qoftë edhe të pakufizuar – në përputhje pak a shumë të plotë me organizimin tradicional të prodhimit dhe të shpërndarjes. Nga momenti që shoqëria njerëzore investohet në një spirale të hapur progresi, përgjatë të cilit teknologjia i paraprin prodhimit dhe si pasojë shpërndarja tejkalon së tepërmi funksionet e vjetra të tregut, kasta drejtuese « sipas meritës trashëgimore » humbet karakterin e saj elitist dhe integron përfaqsues të shtresave shoqërore më të ulta që dalin në pah nëpërmjet akumulimit të pasurisë. Rrjedhojë e parë dhe më e rëndësishme e këtij procesi është shëndrrimi i natyrës së Shtetit, i cili pasurohet me atribute të reja, me institucione të dallueshme dhe të patjetërsueshme dhe ç’është më e rëndësishmja, detyrohet t’i bëjë vend vehtes në arenën rajonale dhe ndërkombëtare nëpërmjet konkurrencës së drejpërdrejtë me sivëllezërit e tij fqinjë për të siguruar privilegje, pasuri natyrore dhe tregje. Për të mbijetuar, një Shteti të tillë i duhet jo vetëm të zgjerojë hapësirën jetësore me anë të shtyrjes sa më tej të kufizimeve territoriale – pra me anë të luftës - por njëkohësisht, të përpunojë një rend të brendshëm shoqëror, që synon përfshirjen e ndërgjegjshme, integrimin – për të mos thënë nënështrimin - e masave të gjera popullore në projektet e tij. Mes të tjerash, këto projekte konkretizohen nga imponimi i kategorive shoqërore, që tashmë grupojnë individët pa marë parasysh përkatësinë e ngushtë tradicionale. Në këtë mënyrë, përkatësia artificiale « shtetërore » e individit është e prirur të tejkalojë dhe të maskojë përkatësinë natyrore, atë të gjakut, dhe shërben si bazë e re federimi.
Ja pra dhe një nga të vërtetat e fshehura të shprehjes së mësipërme : në qoftë se Shteti modern mbetet produkt qoftë dhe i anassjellshëm i zhvillimit teknologjik të shoqërisë njerëzore dhe shprehje adekuate e ushtrimit të pushtetit nga ana e një pakice zotëruese të mjeteve dhe të qarkut shpërndarës, është po ky Shtet që ndikon vrullshëm mbi vetë shoqërinë që ngërthen, duke i propozuar kësaj të fundit modele bashkëformuese si dhe shëndrrime strukturore të brendshme. Një nga modelet më të qëlluara të këtij lloji është ai i « kombit », i çfaqur në formë rudimentare që në shekullin e XVII dhe i përpunuar në shekullin e XIX. Në formën e tij institucionale, ai i përshtatet sipas rastit realitetit të përveçëm të Shtetit dhe paraqitet qoftë në formën e tij njëtrajtësuese dhe abstrakte franceze ose në atë komplekse dhe konkrete gjermane.
E vërteta tjetër e fshehur shprehet nga fakti se ky proces i ndërsjelltë elitë jashtëkombëtare – shoqëri shumëkombëshe ndikon në krijimin e Shteteve gjithmonë dhe më heterogjene nga pikpamja e bazës së tyre njerëzore, të ngërthyera nga kontradikta të thella mes rendeve të ndryshme ekonomike, shoqërore, kulturore dhe raporteve ndërkombëtare të forcave. Si rezultat, ato bien pre e konjukturave të brendshme dhe të jashtme dhe destinohen të zhduken. Kjo jetëgjatësi e kufizuar dhe sidomos dekompozimi i strukturave gjatë fazës terminale të tyre frymëzon dhe nxit të gjithë ato grupe dhe forca që i kundërvihen pushtetit absolutist dhe që i bëjnë thirrje elementëve përbashkues jashtështetërorë. Në këtë rast, zgjedhja e modelit racional « kombëtar » si antitezë e realitetit shtetëror shumëkombësh i përgjigjet dëshirës emancipuese së elitave periferike dhe të shtypura, të cilat në shërbim të çështjes, mobilizojnë elementët më të ndjeshëm lokalë. Synimi i kësaj elite margjinale lidhur me pushtetin qëndror është krijimi i një lëvizjeje të gjerë popullore dhe mjetet për arritjen e këtij qëllimi përzgjidhen qoftë në grumbullin e kujtimeve të të kaluarës së lavdishme, qoftë në elementët e përveçëm mbarëetnikë : gjuha e përbashkët, kultura, feja…
Modeli i ri i « kombit » të krijuar në këtë mënyrë veçohet nga ai i mëparshëm, qoftë nëpërmjet thelbit të tij njëjtësues « etnik » qoftë nëpërmjet ideologjisë përbashkuese « nacionalizmit ». Ai i përgjigjet realitetit shpërthyes të Evropës tejperandorake të fundit të shekullit të XIX dhe fillimit të shekullit të XX. Nuk është e rastit që ky model u adoptua gjerësisht nga popujt ballkanikë dhe të tjerë popuj të vegjël evropianë ose të botës post-koloniale. Në këtë rast, përparimet teknologjike në fushën e informacionit si libri, shtypi dhe gazetat përbëjnë edhe vektorin përçues të ideve dhe të prekjes së masave. Megjithë diferencat në metoda dhe në mjete, dinamika nacionaliste kombformuese e elitave përkon deri diku me strategjinë e mëkëmbjes kombëtare të shtetit pasi vetë qëllimi i identifikimit të kombit ndiqet nga krijimi i shtetit kombëtar. Veçse, shkalla e integrimit të të parave në strukturat qeverisëse dëshmon edhe për masën e arritjes së vetë procesit nacionalist ; ajo përbën njëkohësisht garancinë fillestare të suksesit të ndërmarrjes dhe premtimin e pjesëmarrjes të popullit në projektin shtetëror. Në të kundërt – dhe rasti shqiptar shërben si shembull kuptimplotë – ajo shëndrrohet në tregues të hendekut të thellë mes interesave dhe në njësi matëse të iluzionit. Shoqëria i përvidhet Shtetit, ndërkohë që populli krijon distancë nga Kombi.
Së fundi, është e vërtetë se rasti shqiptar paraqitet në mos i përveçëm, të paktën i ndërlikuar për arsye të bazës së ngushtë përbashkuese të popullit : egzistenca e dasive ndërkrahinore dhe ndërfetare, depërtimi i pakët i arsimit deri edhe mungesa e një gjuhe kombëtare të përpunuar dhe të shkruar. Sidoqoftë, ky rast nuk shkon në kundërshtim me tendencën e përgjithshme pasi jo vetëm përdor të njejtat formula si të tjerët por edhe mbrrin në përfundime të ngjashme Në themel të tij qëndron ekuilibri fort i vështirë ndërmjet njejtësimit dhe tjetërsimit, ndërmjet të përveçmes të individit që ndjek ligjin e grupit dhe të përgjithshmes të qytetarit që duhet t’i bindet ligjit të Shtetit, ndërmjet të pakryerës të ëndrrës kombëtare dhe të tejkaluarës së realitetit shtetëror, ndërmjet të sotmes së vështirë dhe të ardhmes së ndritur.
Identiteti kombëtar kaq i kërkuar dhe i përfolur ngërthen kështu një varg dilemash, çfaqjet e të cilave përkojnë me fraktalet e brendshme të hershme të popullit shqiptar : ndarjen krahinore, bashkësitë shqiptare periferike, pakicat kombëtare dhe etnike në gjirin e tij, diasporën shqipfolëse, përkatësinë fetare…
Zgjidhja e tyre dhe krijimi i një identiteti mbarëshqiptar jo vetëm ka tejkaluar mundësitë e Shtetit kombëtar por njëkohësisht dëshmon për pafuqinë e klasës politike të vendit për ta shëndrruar në pjesë të projektit të saj shtetformues dhe qeverisës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama