Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Rrofshim 'ne' shqiptaret, poshte nderkombetaret!

Shkruar nga: Andi Bushati  
Botuar më: 14 vite më parë

Andi Bushati
Rrofshim 'ne' shqiptaret, poshte nderkombetaret!

Poshtë ndërkombëtarët! Kjo thirrje po dëgjohet përditë e më shumë në faqet e të përditshmeve shqiptare. Kryesisht analistë e gazetarë pranë opozitës, po vënë në fokus qëndrimet e diskutueshme të diplomatëve të huaj në Tiranë dhe të emisarëve që vijnë nga Brukseli apo Uashingtoni. Një ditë shigjetohet kryediplomati amerikan Arvizu, sepse shprehu hapur mbështetjen e tij për policinë shqiptare pas 21 Janarit. Një ditë tjetër, ai i prezencës së OSBE-së, se pranon publikisht zëvendësimin e opozitarëve nga komisionet zgjedhore. Më pas fshikullohen eprorët e tyre, që bëjnë një ta në Tiranë, për të zgjidhur krizën, dhe largohen prej saj duke i rënë në qafë palës që duket më e dobët.

Deri këtu duket se nuk ka ndonjë gjë të keqe. Edhe këta diplomatë të huaj janë njerëz prej mishi e gjaku, me një fjalë qenie të gabueshme. Ata shpesh, në këtë vend, ku u duhet një herë të inaugurojnë një ekspozitë pikture, një herë të flasin për të drejtat e homoseksualëve, një herë të pozojnë për një revistë mode, e një herë të inkurajojnë gratë të merren me politikë, nuk e kanë të lehtë të orientohen. Herë pas here, të vendosur në qendër të vëmendjes, të ndjekur hap pas hapi nga TV-të tona servile e plot komplekse, ata preken nga e njohura sindromë e Lorencit të Arabisë, që i bën të vetëkonsiderohen si shpëtimtarë. Papritmas i kap deliri se mund të zgjidhin gjithçka e mund të rregullojnë me një shkop magjik të gjitha problemet.

Të tjerë, që nuk infektohen nga ky virus, zgjedhin një rrugë më të thjeshtë. Kërkojnë një karrierë të rehatshme. Mëtojnë t’i zgjidhin me sa më pak kokëçarje problemet që u parashtrohen e për rrjedhojë, kur u duhet të negociojnë, nuk e bëjnë këtë në emër të vlerave e parimeve të vendeve prej nga vijnë, por në emër të zgjidhjes së problemit sa më shpejt dhe në favor të më të fortit.

Të gjitha këto  janë të vërteta. Në një rast apo në një tjetër, ne i kemi parë në trajta të ndryshme gjatë 20 viteve. Por problemi nuk qëndron këtu. Nuk qëndron te veset e “të huajve”, por te tonat. Sepse vërtet sot ka nisur një fushatë me inspirim të majtë ndaj diplomatëve të huaj, por pyetja që shtrohet është: sa e besueshme dhe reale është ajo.

Sepse ata që mbajnë sot këto qëndrime, dje janë shprehur, pothuajse en bloc, ndryshe. Të gjithë ata që sot kritikojnë ambasadorin Arvizu p.sh., nuk e bëjnë këtë nga i njëjti këndvështrim dhe me të njëjtat parime që gjykonin paraardhësin e tij. Ata që thonë sot: t’i zgjidhim punët tona në vendin tonë, pikërisht sepse nuk u pëlqen ambasadori i ri amerikan, në të shkuarën nuk linin dalje në publik, deklaratë e qëndrim të Xhon Uidhersit pa propaganduar e ngritur në qiell.

Ata që talleshin e shigjetonin këtë të fundit, sot nxitojnë të pozojnë publikisht me pasardhësin. Ata që argumentonin se Uidhersi nuk shprehte qëndrimin e Departamentit të Shtetit, sot përbetohen se asnjë ambasador nuk mund të bëjë politika personale, në një vend si SHBA.

Pra, ky debat i hershëm për ambasadorët, që nis me mërinë ndaj arrogancës së Rajersonit, me ironinë ndaj kënaqësive të vogla të Elio Germanos, me thikat pas shpine të Kris Hillit, me uniformën ushtarake të Mariza Linos, me dredhitë e ulëta të Paolo Forestit, me partizanllëkun e Dan Evertsit, dhe me pushtetin e forcës dhe harbimit, që rrezatonte i ndjeri Limpreht, ky debat plot ngjyra, pra, shpesh është bërë i padrejtë dhe jo parimor. Jemi ne vetë që i kemi ngritur në qiell, kur na janë dashur; dhe jemi po ne që i kemi anatemuar, kur kanë dalë kundër vullnetit tonë. Rrallë herë i kemi parë ashtu si do të donim t’i shihnim, e si ata në fakt shpesh nuk janë sjellë, si mbartës të parimeve të vendeve prej nga vinin. Sepse me bizantizmin ballkanik që i vogli sheh të madhin e të fuqishmin, shpesh jemi munduar t’i përdorim për interesat tona meskine. Në shumë raste duke i shqiptarizuar edhe ata. Duke ulur kështu herë pas here pastërtinë prej arbitri që duhet të mbartnin.

Ndaj dhe fushata kundër tyre, sot, është një fushatë e relativizuar. Jo sepse ata janë të pa kritikueshëm, por sepse në lojë është besueshmëria e kritikuesve të tyre, së cilës i besojnë vetëm ata shqiptarë që kanë nevojë dhe duan t’i besojnë. Sepse të gjithë e dinë tashmë, se shumë kolegë të mi do t’i harrojnë qëndrimet e sotme, kur t’u duket se era e diplomatëve të huaj do të fryjë pro qëndrimeve të tyre. Atëherë do të jenë të tjerë ata që do të thërrasin: “Rrofshim ne shqiptarët, poshtë ndërkombëtarët!”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama