Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shkaterrimi i rradhes

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Shkaterrimi i rradhes

NAMASGJAJA

Muaj të shkuar e morëm vesh që Berisha kish në mënt t’i binte Piramidës, teksa kënduam një shkrim të Fevziut për këtë punë. Ndërsa kësaj here, shkatërrimi i radhës na erdhi fare papritur. Ndërsa ndiqnim lajmet e drekës më 7 prill, dëgjuam se ishte miratuar një vendim qeverie për ndërtimin e xhamisë së re të Tiranës te Namasgjaja. Askush nuk kish ditur asgjë, deri në minutën e fundit. As Komuniteti Mysliman që deklaroi se ishte i surprizuar nga ky vendim i Kryeministrit, as kryetari i bashkisë që nuk e kishin quajtur të nevojshme t’i thoshin se ç’kishin ndër mend të bënin në qytetin që administronte. Ca më pak dinte mileti, që në fund të fundit, është pronar i qytetit.

Me pak fjalë, VKM-ja thotë se trualli prej afër 2.600 m² hiqej nga lista e pronave që ishin propozuar për t’ju dhënë Bashkisë së Tiranës dhe i kalonte Ministrisë së Drejtësisë. Kjo pastaj, Ministria e Drejtësisë, ngarkohej të ndiqte procedurat për ndërtimin e xhamisë në këtë pronë publike.

Sa për sqarim, thelbi i reformave të Tanzimatit, të shpallura me Fermanin e Gjylhanesë, që kishin si synim modernizimin e Perandorisë Osmane, qëndronte në ndarjen e fesë nga shteti dhe të drejtësisë nga Sherihati. 170 vjet pasi Turqia i hyri udhës së ndarjes së drejtësisë nga feja, Shqipëria e shekullit XXI i rikthehet atij sistemi, se ndryshe nuk e kuptoj dot se ç’punë ka Ministria e Drejtësisë me ndërtimin e xhamisë së myslimanëve.

Ka një ligj për kthimin e pronave, i cili në mënyrë taksative ka bllokuar këtë lloj kalimi të pronave, deri në mbarimin e procesit të kthim-kompensimit. Duke pasur parasysh se sa vlejnë ligjet në Tiranë, nuk e di nëse do më merrni për naiv që e them seriozisht këtë punën e ligjit.

Juristi që më thoshte këtë, shtonte pastaj gjithë seriozitet se ky është një vendim që cenon interesat mjedisore të publikut dhe, si i tillë, duhet të respektoheshin të gjitha procedurat e parashikuara për informim dhe akses në vendimmarrje. Edhe për këtë punë ka një ligj goxha të plotë, nga ata që më kollaj i kupton anglisht sesa në versionin shqip, për shkak se janë përkthyer me këmbë. Ky ligj kërkon që projekti të bëhet publik, që të informohet komuniteti që të merret parasysh edhe mendimi i tyre.

Por kulmin e arriti, kur më tha se ky vendim shkelte Kushtetutën, në një kohë që dy gjërat që shkelen më kollaj në këtë vend, janë Kushtetuta në Parlament dhe njerëzit në rrugë.

Qyteti i Tiranës aktualisht është qyteti me sipërfaqen më të vogël të gjelbërimit për banor, në të gjithë Europën. Ky koeficient gjelbërimi ka shumë pak gjasa që të ndreqet edhe në vijim, për shkak se brenda qytetit zor se gjendet ndonjë hapësirë që mund të shpëtohet për t’u kthyer në lulishte. Nga ana tjetër, i gjithë qyteti po shtrëngohet në darën e ndërtimeve informale, të cilat nuk lejojnë më as ndërtimin e parqeve të reja masive periferike. Nisur nga këto fakte, është e domosdoshme të mbrohen me thonj ato pak sipërfaqe të gjelbra dhe lulishte që kanë mbetur brenda qytetit. Parku i Namasgjasë mund të konsiderohet në mënyrë absolute si PARKU MË i VJETËR I QYTETIT dhe do të ishte absurde që të mendohej shkatërrimi i tij me çfarëdo lloj arsyeje.
PETICIONI

Dua s’dua e herë pas here, detyrohem t’i drejtohem gjësë që kam më shumë zët: të bëj krahasime të Shqipërisë me vende të tjera. Ka kuptim ta bësh këtë punë midis Francës dhe Anglisë, apo Spanjës dhe Brazilit, por ç’kuptim ka të krahasosh llafi që bie, Shqipërinë me Holandën, apo Kosovën me Hong-Kongun! E vetmja udhë që gjëja të ketë kuptim, është ta krahasojmë veten me ndonjë vend të humbur të Afrikës a Azisë që të dalim të nderuar, ndaj edhe unë këtë udhë po ndjek.

Para një viti, në Kamboxhia qeveria dha licencë për një minierë titaniumi. Mirë deri këtu. Por u pa që rruga që do të shkonte drejt minierës, do të kalonte midis një zone ku jetonin ca elefantë dhe do të ndërpriste një të ashtuquajtur “korridor të elefantëve”, përmes të cilit ata lëviznin nga një krah në tjetrin. Është e lehtë të mendoni se sa do qeshnin me lot dhe duke mbajtur barkun me dorë këtu në Tiranë për një gjë të tillë, se sa do të talleshin për një punë kafshësh, e sesi do i thoshin njëri-tjetrit ministri me deputetin: “Si mo si, elefantë(?) ha, ha, ha, u mor çuna, ç’na bëtë për të qeshur!”.

Por atje puna nuk mbaroi këtu. Një organizatë ambientaliste e atjeshme u mobilizua në këtë çështje, botoi shkrime e lajme, e bëri publike çështjen, hapi edhe një peticion në linjë dhe… para disa ditësh u publikua lajmi se Kryeministri kamboxhian, Hun Sen, revokoi licencën e minierës. Një qeveri që bën një hap prapa për një vendim të marrë, që pranoi gabimin, që pranoi të humbasë vendet e punës që ishin premtuar atje, që ndoshta i kanë kthyer edhe ryshfetet që i ishin marrë firmës për t’i dhënë licencë. Dhe kjo ngjau në Kamboxhian e Hun Senit, vetëm tre dekada pas Kamboxhias së Pol Potit, të diktaturës më perverse që njeh njerëzimi pas Luftës II Botërore, në vendin ku u vranë brenda dy vjetësh mbi 25% e popullsisë. E theksoj këtë se, duke parë apatinë e këtij popullit tim, kisha filluar të besoja se shoqërisë i duhen breza e breza të tërë që të ndryshojë. Kamboxhia na dha shembullin e një shoqërie që ndryshuaka edhe brenda një brezi.

Një krahasim të përafërt do ta kishim me këtu, në rastin e dhënies së licencave për fabrikat e çimentos që po hanë malet e Krujës. Pra sikur atje, ende pa filluar puna, gjatë përgatitjes së raportit të ndikimit në mjedis (që as që bëhet fare), të zbulohej se ndërtimi i fabrikës së Fushë-Krujës do të ndërpriste regjimin e lëvizjes së ketrave, apo të dhive të egra, apo të shqarthave. Përmenda tre kafshë të egra që me ligj janë të mbrojtura, por që në fakt nuk ekzistojnë më fare, se janë zhdukur me kohë e vakt. E imagjinoni dot që një peticion i fshatrave të Krujës e Fushë-Krujës të bënte që qeveria të hiqte dorë nga fabrika dhe t’ua linte kodrat dhive!? Dhe që të mos spekuloni me punë dhish, po ju jap një shembull me punë njerëzish. E mendoni që Berisha mund të heqë dorë nga shkatërrimi i parkut të Namasgjasë dhe t’ua lërë atë qytetarëve, vetëm duke firmosur ne të gjithë një peticion?! Ha, ha, ha, tani po qesh edhe unë me veten, jo vetëm ministrat e deputetët. Apo ndoshta ia vlen?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama