Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Moratoriumi i Bashës dhe i Ramiz Alisë

Shkruar nga: Shpëtim Nazarko  
Botuar më: 14 vite më parë

Shpëtim Nazarko
Moratoriumi i Bashës dhe i Ramiz Alisë

Sikur Basha të ishte në politikë njëzet vjet më parë, me siguri do të isha me të. Ajo që tha për moratoriumin më bëri vërtet të kthej kokën pas e të dëgjoj nja dhjetë fjali të palëve që po sillen po aq çmendurisht si ato kohët e vjetra.

Çfarë lidhje ka midis Bashës dhe Ramiz Alisë? A ka vlerë të përngjasojnë politikanët e dy epokave e aq më tepër kur ngjarjet janë larg për krahasim?

Kam kohë që dëgjoj për heroizmat e takimit me intelektualët në gushtin e ‘90-s, për atë të Cekës në Urën e Lanës, për mbroçkulla dokumentarësh që evokojnë periudhën pa kuptuar as edhe gjënë më të vogël prej saj. Fundja po flas si dëshmitar i kohës e lexuesi le t’i bëjë vetë krahasimet.

Në janarin e ‘91-shit, ashtu si pohon edhe Fatos Nano kohë më vonë, në arkat e shtetit shqiptar kishin ngelur as më shumë e as më pak por vetëm 6 milionë dollarë. Nuk e di a e kupton njeri këtë shifër dhe se çfarë ka menduar atëherë udhëheqësi i revolucionit Berisha për të? Do të ishte interesante ta dëgjoja sot, për të folur më pak për heroizmat e tij edhe të të tjerëve, heroizma që përveç se te studentët nuk i pashë gjëkundi.

Kishte më shumë se dy vjet ku rënia e sistemit në të gjithë Lindjen i fshiu me një të rënë të lapsit tërë planet pesëvjeçare komuniste. Tanimë duhej paguar jo me klering, por me para. Shteti kishte dy vjet që po e bënte këtë dhe thonë jo me para, por me flori në dorë.

Çfarë bëri komunisti plak? Futi në skenë 80 përqindëshin pa punuar, duke shpallur kështu faktikisht moratoriumin. Ishte i detyruar, sepse, veç të tjerash, 90 për qind e fabrikave punonin me lëndë të para që kërkonin flori e jo gjë tjetër. Kaq ishte pak, por e mjaftueshme për të kuptuar takimin e gushtit ‘90. Kur zënë e tregojnë sot trimëritë e intelektualëve dhe kurthin që po u ngrinte Ramizi qesh me lot. Një muaj para takimit katër mijë shqiptarë kishin zënë ambasadat dhe asgjë nuk u ndodhi, sepse shteti kishte marrë fund.

Ramizi kishte hapur portat e Janinës si Veziri plak i dikurshëm dhe rrinte vetë mbi ca fuçi baruti që nuk ekzistonin apo ishin të gjitha bosh.

Në dhjetor Ramizi e pohoi këtë fare thjesht me studentët, duke shtuar se atë vit kishte pasur dhe thatësirë që kishte përlarë dhe 150 milionë dollarët e fundit për të blerë grurin e bukës. Praktikisht takimi i dhjetorit e veshi Shqipërinë dhe me koperturën politike të pluralizmit. Domosdoshmëri absolute, sepse nëse në njërën anë ta bënin me sy gjashtë milionë dollarët e mbetur, në anën tjetër ishte presioni i lemerishëm politik i atyre që njihnin situatën.

Gjithnjë kam mbajtur idenë se sikur amerikanët të mos ta ndihmonin Alinë të mbante stabilitetin politik me kujdes, në berihajin e madh e të zi që kishte pllakosur, fqinjët do të kishin marrë pjesë me gjithë qejfin e mundshëm....

Çfarë mund të bëhesh në një situatë të tillë e çfarë lidhje ka tregimi më sipër me atë që po ndodh sot?

I ndodhur në Tiranë pa bukë e pa punë, por më afër se kurrë Berishës, iu luta një ditë për ta bërë me qetësi atë punën e kthimit të sistemit, i cili de fakto kishte ngordhur. Nuk ishte puna të shpëtohej ai, pasi kjo edhe të donim unë, Berisha dhe Ramizi nuk bëhej. Unë ca më pak se të dy, se e kisha provuar “mrekullinë” e sistemit. Por pse duhesh menduar për uljen e butë?

Në diktaturën më të egër, më gjakatare, dhe më qesharake që kishte kaluar Shqipëria duhej së pari të kuptohej si kishte arritur të mbijetonte Hoxha për gati pesëdhjetë vjet. Ai që mendon vetëm me dru në dorë ka pjesërisht të drejtë. Cili ishte mekanizimi i mbijetesës së popullit në aspektin ekonomik?

Mund të shohim në pak rreshta Veriun nga vinte vetë Berisha. A e mbanin vetëm kooperativat këtë pjesë të vendit? Natyrisht jo. Në çdo pesë vjet afërsisht sistemi u falte borxhet atyre, ndërkohë që nuk prodhonin asgjë.

Ndërkaq regjimi preokupohesh që një anëtar i familjes të kompensohej duke punuar në miniera, pyje, bimë mjekësore, ushtri apo hidrocentrale. Një rrogë e mirë e pesëmbëdhjetëditëshit këtu mbante me bukën e gojës pjesën tjetër të familjes. Çdo të ndodhte nëse do të realizonim menjëherë teorinë e “fillimit nga zero” ashtu siç pohohej nga mendjet e revolucionit që e kishin mësuar ekonominë kapitaliste me dispensa a artikuj revistash?

Të mbetur pa pronën që ua kishte marrë Hoxha që më ‘44-n, por tanimë dhe pa rrogën e pesëmbëdhjetëditëshit, çfarë mund të bëhej?

Natyrisht mbijetesa të tregon arratisjen nga sytë këmbët. Po ku? Në Itali, Greqi, por edhe në Tiranë nëse nuk arrihej qëllimi për te dy të parat.

Me çfarë bilete e ku do flihej? Këto para duheshin gjetur. Po ku?

Duheshin prerë pyjet, duheshin vjedhur minierat e çdo gjë që binte para.

Tirana e sotme është vepër pikërisht e atyre ditëve që Basha sot burrë i pjekur, por fëmijë atëherë, duhet ta kuptojë.

Por nuk ishte vetëm kaq. Arratisur nga sytë këmbët pushteti politik, por dhe ai administrativ, kishte lënë edhe zyrat bosh. Ato mund t’i zinte kush të mundte e për këtë mjaftonin dy gishtat lart.

Tirana e viteve ‘90-2000 ishte pikërisht vepër logjike e atyre që u preokupuan për pushtetin. Jo vetëm Lana, por i gjithë qyteti dhe e gjithë fusha përreth u shpartalluan për ambicie pushteti në një proces të zhvilluar kësaj radhe pa lejen e askujt. Për pasionantët e letërsisë e gjitha të kujton pikë për pikë romanin “Fshatarët” e Balzakut gjenial, ku përzënia e gjeneralit plak përfundoi me ngritjen e një mizërie të pafundme kioskash në pronat e tij. Berisha, tifoz i Hygoit, që e përmend herë pas here është mirë ta lexojë a rilexojë francezin tjetër të madh e të kuptojë se çfarë pushteti realisht projektoi në revolucionin që shoqëroi vdekjen a përzënien e gjeneralit plak.

Tirana e sotme nuk është vepër e Ed Ramës dhe pa e kuptuar dhe pa pohuar sinqerisht këtë nga PD-ja, kësaj të fundit do t’i duhen vite të tëra për ta rimarrë. Tirana është qendra e inteligjencës së vendit dhe zor ta gënjesh me klishe torollakësh.

E kam pohuar gjithnjë shembullin pse Tirana e sotme e pjesës së saj të keqe nuk është vepër e Ed Ramës. Shkoni tek ura afër Shkollës Teknologjike, qëndroni në mes të saj dhe ktheni kokën djathtas. Do të shihni pikërisht atë që u pohua më lart. Kaloni Tiranën e në periferi do të shihni po atë model. E nëse nuk u mbushet mendja shihni tërë Shqipërinë e betonizuar në qytet e fshat, fusha e pllaja pa kriter dhe shenjë e çmendurisë kombëtare të një kohe ku pushteti politik ka pjesën e luanit.

Nëse PD-ja e Bashës do të tregonte qoftë edhe një vepër të vetme rrugë apo rrugicë, të bërë nga ajo në vitet kur e kishte pushtetin në Tiranë, do të jepja me qejf votën për të. Ajo ishte epoka thotë dikush. Do të zhvilloheshim ashtu duke bërë zallamahinë që njohim. Mund të ketë edhe arsye objektive për këtë lloj çmendurie të kohës që analizohet, por mund të shprehemi thjesht edhe me fjalët që Basha i thotë sot. PD-ja e kohës mund të mos kishte fuqi ndërtuese apo projektuese, por moratorium mund të bënte me të fituar pushtetin qendror.

A kishte mundësi të bëhej të paktën kjo? A mund të bëheshin ligje për të evituar vetëshpartallimin të paktën për territorin? Tre katër muaj pas përmbysjes së ‘92-shit shqiptarët e ikur me të gjitha mjetet e evituan urinë dhe i mbushën dyqanet. Pra kriza e bukës u shmang dhe ishte koha të mendohej. Por a ndodhi kështu? Pushteti qendror e zhvendosi luftën në kahun politik kundër rrezikut të kuq e të tjera mbroçkulla që nuk ishin veçse përsiatje të veprave të çmendura të Hoxhës që kishte gjysmë shekulli që recitonte gjëra të tilla.

Për çfarë duhet moratoriumi që thekson Basha?

Tirana e sotme, vepër e rrëmujës së djeshme dhe çmendurisë socialiste të planifikimit dhe shtetëzimit të pronës duhet ndërtuar, por kush duhet ta ndërtojë. Kam idenë se në vend të premtojë karta studenti apo histori të ngjashme Basha duhet të mendojë të ndalojë sa më shpejt këtë histori universitetesh që janë bërë fabrika diplomash. Në Tiranë ka aq shumë juristë dhe filozofë sa një avokat i shquar më tha një ditë, se pas pesë vitesh ata arrijnë numrin e atyre të Parisit.

Po a ka Tirana mekanikë, elektricistë, marangozë, karpentierë, teknikë profesionistë që aq shumë duhen për ne po dhe për Perëndimin që synojmë. Natyrisht duhet moratorium për të ndërruar universitetet e pafundme me shkolla profesionale. Gjithnjë ëndërroj se katër pesë shkolla të tilla të klasit të parë në Tiranën e periferisë, jo vetëm do të ishte ndjesë për tragjedinë që u shkaktuam banorëve të këtyre zonave, por dhe ndihma reale që i jepej Tiranës për sot dhe nesër.

Moratoriumi duhet për gjë tjetër jo për ato që Basha mendon. Nëse spitalet tona janë më të këqijat në Europë, a më tutje duhet ndërprerë me urgjencë kjo çmenduri e tenderëve që megjithëse Berisha mburret që i bën elektronike bien gjithnjë në dorën e atyre që ka qejf ministri. Për të arnuar dhe jo ndërtuar.

Moratoriumi duhet për të menduar forma të tjera sjellje me vendin dhe jo për të qëruar hesapet me Ramën. Vepra e këtij të fundit në Tiranë shihet me sy. Edhe sikur të gënjejë për sasinë e paktë të lejeve që ka dhënë do të mjaftonte një vëzhgim elementar për të kuptuar të vërtetën. Pallatet e lejuara prej tij ndryshojnë në themel nga ato që kanë lejuar paraardhësit që në formën e jashtme. Rrugët dhe rrugicat po ashtu.

Të parakalosh Ramën duhet moratorium, por jo për ato që mendon Basha.

Duhet një mënyrë e re të menduari që bazohet me një fjali të thjeshtë. Janë idetë ato që pjellin para dhe jo paratë për të realizuar idetë. E bën dot këtë Basha? Në deklarimet e tij shihen shumë para, por që nuk dihet se ku ekzistojnë.

Kur ai pohon se është kundër prishjes së Piramidës ai thotë një pjesë të asaj që duhet të thotë. Piramida, hotel “Dajti” apo lulishtja prapa Pallatit të Kulturës janë veprat e vetme ku PD-ja ka futur dorën në Tiranë.

Pas disa tenderësh që hëngrën shumë para në favor të destinacioneve të ndryshme, Piramida më në fund do hidhet në erë. Nga të paktat ndërtesa historike të klasit të Tiranës, Dajti u pa si destinacion për Ministri të Jashtme. Mbasi u shkatërrua me themel (një mik më tha se mobiliet e tij ishin të rangut botëror) hoteli klasik na hëngri dhe tridhjetë milionë euro që ia zhvatëm Bankës Qendrore në emër të nevojave të çastit për qeverinë.

Lulishtja prapa Pallatit të Kulturës me të famshmen gropë të Hadin Sejdisë, në vend të bëhej parking se ishte i gatshëm e t’u jepej pronarëve kompensim e pastaj sipër të bëhej çfarë duhej, përfundoi lulishte me tri lule.

Duhet moratorium patjetër. Po për të penguar këtë mënyrë të menduari që zor i mbush më mendjen Tiranës. Duhet bërë, sepse jam i bindur që PD-ja do ta ketë zor për nja njëzetë vjet të tjera të marrë votën për ta qeverisur atë.

Ramiz Alia shpalli “de fakto” me anë të tetëdhjetë përqindëshit moratoriumin. “De jure” nuk e bëri se kjo do të thoshte se sistemi që kishim ndërtuar kishte marrë fund. “De jure” ai u shpall vetë.

Basha duhet të shpallë moratoriumin për të ndaluar mënyrën e të menduarit të partisë së tij, që ende nuk kupton se nuk është Rama armiku kryesor i saj.

Nëse ai është vërtet aq i keq sa mendon Berisha, kjo vetëm PD-në dëmton. Sepse zbulon thjesht sa keq ka qeverisur ai që në Tiranë mbretëron Rama prej dymbëdhjetë vjetësh.

Duhet moratorium vërtet. Basha e ka të domosdoshme ta thotë që tani imtësisht idenë. Kjo të pakën i shërben që dhe pas humbjes të ketë me se t’i vërë qytetarët në mendime apo të paktën të mendojnë se ishte djalë i mirë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama