Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hetimi i munguar i krimit elektoral

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Aranita Brahaj
Hetimi i munguar i krimit elektoral

Kodi Penal aktual përmban tetë nene, ku parashikohen vepra apo kundërvajtje penale që cenojnë proceset zgjedhore. Ndërsa Kodi Zgjedhor, në dy nene të tij, përkufizon si veprime të dënueshme akte si votimi më shumë se një herë, apo braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve. Baza ligjore për rregullim të zgjeruar të veprimeve që cenojnë të drejtën e votimi   dhe rregullsinë e një procesi elektoral qëndron te neni 45 i Kushtetutës. Ky nen sanksionon të drejtën e shtetasve për të zgjedhur ose për t’u zgjedhur, në bazë të një sistemi demokratik. Në total, në gjashtë vitet e fundit janë zhvilluar tri procese zgjedhore të përgjithshme, apo administrative. Sipas statistikës zyrtare të Gjyqësorit, gjatë këtyre tri proceseve, të shoqëruara edhe me raste të zgjedhjeve të pjesshme, janë proceduar në total për krime dhe kundërvajtje penale, në procese elektorale, shtatëdhjetë e pesë raste me nëntëdhjetë e gjashtë autorë të shpallur fajtorë me vendim të formës së prerë.

Dënimet janë dhënë kryesisht me gjoba, të cilat në të shumtën e rasteve shlyhen nga partitë politike në emër të komisionerëve të emëruar po prej tyre. Open Data Albania hulumton se proceset për zgjedhje administrative shënojnë më shumë kriminalitet elektoral se proceset për zgjedhje të përgjithshme. Kështu, në vitin 2007, procesi zgjedhor për pushtet lokal u shoqërua me pesëdhjetë e pesë procedime penale, sipas Kodit Zgjedhor, kundrejt vetëm pesë procedimeve të këtij lloji të realizuara pas procesit zgjedhor të 2005-s.

Duke qenë një proces zgjedhor për pushtet vendor, zgjedhjet e tetë majit kanë dhënë që në ditët e para të fushatës shenjat e inicimit të procedimeve penale. Ndërkohë, atmosfera e punës pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është tensionuar së tepërmi, pas sinjaleve të përfaqësuesve politikë të majtë për tërheqje të komisionerëve, në rast mosrespektimi të kërkesave për proces të garantuar nga institucioni përgjegjës për zgjedhjet, apo forca politike që është në pushtet. Në hulumtimet statistikore del qartë se procedime penale janë iniciuar edhe për shkeljen e të drejtës së votimit, duke pretenduar parregullsi të qëllimshme në disa lista zgjedhore të njësive të pushtetit lokal.

Çfarë përbën krim elektoral? Vëllimi dhe dinamika e procedimeve penale për veprime që lidhen me procesin elektoral janë një indikator që tregon mbi cilësinë dhe garancitë e parimeve të lirisë politike në një shtet. Nga ana tjetër, statistikat mbi çështje penale të iniciuara për veprime që lidhen me abuzime në detyra të administrimit zgjedhor tregojnë se sa i rregullt dhe i besueshëm është një proces elektoral. Vepra penale dhe kundërvajtje penale përbëjnë veprimet e parashikuara në nenet si vijon të ligjit penal: Neni 325: Pengimi i subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese; Neni 326: Falsifikimi i dokumenteve dhe i rezultateve të zgjedhjeve; Neni 327: Shkelja e fshehtësisë së votimit; Neni 328: Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve; Neni 329: Kanosja e zgjedhësit; Neni 330: Kanosja e kandidatëve; Neni 331: Shkelja e së drejtës së zgjedhjes; Neni 332: Shpërdorimi i autoritetit ushtarak. Procedimet penale iniciohen edhe me bazë Kodin Zgjedhor, për veprime si votimi më shumë se një herë apo braktisja e detyrës nga anëtarët e komisioneve të zgjedhjeve.

Ky veprim përbën edhe rastin më të shpeshtë të procedimeve dhe një veprim të pritshëm e të paralajmëruar për datën 8 maj.

Hetimi elektoral është një proces i rëndësishëm për të garantuar të drejtat politike dhe demokracinë e një vendi. Pas denoncimeve dhe kallëzimeve penale të bëra në Prokurori nga deputetë, kryesisht të majtë, mbi falsifikime të listave zgjedhore, totalisht arbitrar paraqitet pozicionimi i organit procedues. Deri tani opinioni i gjerë nuk ka marrë ende një informacion nga zyra e marrëdhënieve me publikun për t’u njoftuar nëse ka një proces të filluar në bazë të këtyre denoncimeve. Prokuroria do të duhej të verifikonte për të dalë në konkluzione mbi fajësi apo mungesë të elementeve penale në veprimet e denoncuara zyrtarisht nga secila palë.

Kodi i Procedurës Penale i jep Prokurorit të Shtetit të drejtën të zhvillojë hetime dhe të shprehet me konkluzione në një hark kohor me shtrirje disamujore. Por, procedimi duhet të përkojë me veprime të menjëhershme nëse jemi në kushte të një veprimi në vijimësi dhe që prodhon pasoja edhe gjatë kohës së hetimit. I tillë do të ishte një veprim në cenim të procesit zgjedhor të pritshëm. Në rastin e kallëzimeve, që përkojnë me veprimtari të një fushate elektorale, mosveprimi me eficiencë në kohë shkel parime të drejtësisë penale dhe bën të cenueshme parime të shtetit ku garantohen procese të rregullta zgjedhore. Për të hetuar një falsifikim elektoral nuk ka kërkesë të bazuar për volum hetimesh në kohëzgjatje. Këto hetime nuk përkojnë me kërkesa për eksperiment, ekspertizë apo analiza voluminoze të provës. Dinamika e këtij hetimi nuk justifikon vonesa të veprimeve të Prokurorisë. Madje, verifikimi për falsifikim të një liste zgjedhore i përngjan së tepërmi një hetimi administrativ me pak element të hetimit penal.

 Nga ana tjetër, duke mos u shprehur mbi këtë lloj kallëzimi penal, Prokuroria cenon parimin bazë të drejtësisë parandaluese. Nëse jemi përpara faktit të një liste zgjedhore të falsifikuar, jemi përpara konstatimit për një veprim të procedueshëm penal vijues. Këtu Prokuroria do të duhej të kishte dhënë konkluzione dhe të kërkonte rregullim ligjor e administrativ përpara gjykatës, pa qenë nevoja të konsumojë të plota kufijtë maksimalë të një hetimi. Të ndëshkosh fajtorin apo të deklarosh që nuk ka element fajësie, nuk vlen nëse nuk e vendos këtë veprim në funksion të parandalimit të veprimit që përbën krim apo kundërvajtje, duke pasur vijueshmëri në kohën kur kallëzohet dhe hetohet. Misioni i hetimit dhe sistemit të drejtësisë në shtete demokratike është të ndëshkosh duke parandaluar dhe rehabilituar një zhvillim shoqëror që cenon një të drejtë të garantuar me ligj. Rasti i krimit elektoral është tipik rasti i një hetimi që duhet të shfaqë eficiencë dhe paanshmëri profesionale pa u zvarritur.

Sa vlerë do të kishte një konkluzion hetimor i Prokurorisë, i paraqitur në gjykatë disa muaj pas procesit zgjedhor? Ky lloj hetimi është ironik dhe kjo lloj paaftësie për ta hetuar në kohë ka kosto të madhe politike dhe morale për institucionalizimin shqiptar. Nëse do të duhej një tjetër vizitë ambasadori në zyrën e kryeprokurorit për të iniciuar një deklarim dhe impenjim zyrtar të Prokurorisë mbi hetimin për vepra penale me karakter elektoral, është rasti për të thënë se trupa e prokurorëve që drejtojnë hierarkinë e akuzës ka humbur integritetin profesional. Me këtë mungesë impenjimi të prezantuar deri tani, nuk është çudi që për të shmangur detyrën e hetimit, organi procedues të kërkojë sërish ekspertizë të huaj për hetimin elektoral. Ekspertiza e huaj është një element përgjithësisht cilësor për paanshmërinë e hetimit.

Por, nëse ekspertiza e huaj përdoret rast pas rasti si alibi për të shmangur përgjegjësitë dhe kurajën profesionale si kriter ligjor për të ushtruar një detyrë të rëndësishme, atëherë jemi në kushte të mosfunksionimit të një organi shtetëror. Krimi elektoral është një situatë që nuk duhet neglizhuar. Rregullimi i veprimit që cenon procesin zgjedhor nuk duhet kërkuar vetëm te vullneti i palëve apo te administrimi i KQZ-së. Kolegji Zgjedhor për ecurinë administrative dhe Prokuroria mbi veprimin kriminal që lidhet me zgjedhjet, duhet të jenë pjesë dhe mekanizma që garantojnë të drejtat ligjore të procesit të rregullt elektoral.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama