Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Katër kalorësit apokaliptikë të Ramës

Shkruar nga: Apollon Bace  
Botuar më: 14 vite më parë

Apollon Bace
Katër kalorësit apokaliptikë të Ramës

Kalorësi i parë i Apokalipsit-Fushatat e zgjedhjeve shqiptare janë zhvilluar me një simetri absolute. PS dhe PD, së bashku me varganët satelitorë, kanë kryer po ato veprime, kanë bërë po ato lëvizje, kanë përdorur po të njëjtin fjalor. Ndërkohë, fushata e zgjedhjeve komunale 2011, veçanërisht në Tiranë.

Nata nxin e ndjell fatkob
Korbi fat e fati korb
Ca me thonj e ca me kamë
Hapet varri
Nën krrokamë
Varr që rron kur rrojtjen bren
Ditës dritën ia rrëmben
                   Bie po gjumi s’më zë:
                   Dita gdhin, apo s’gdhin më?

Xhevahir Spahiu, “Fati Korb”

është fushata më asimetrike e mundshme: Një PD që me premtime dhe buzëqeshje para kamerave tenton modelin perëndimor. Një PS që eksperimenton modelin me daulle lufte. Ndërkohë që Bibla mëson “Rrugët e Zotit janë të pafundme”, Rama këmbëngul nëntë herë “Ne jemi e vetmja rrugë”. Duke përjashtuar çdo rrugë tjetër, përfshirë edhe rrugët e Zotit. Në ndjekje të ritualit të prapë kabalistik, ai ngulmon nëntë herë tek e keqja: “E keqja që pjell të këqijat… E keqja që ka marrë peng… E keqja që futi llumin…”. Po nëntë herë Rama i spërdridhet krrokamës “Kurrë më!”, “që të ngjeth dhe të dreth, tmerre që s’i ke ndjerë kurrë”, të korbit të Edgar Poes. Fushatë me shpendin kobndjellës të Ferrit. Ai qoftë. Dhe tërë këto imazhe më kujtojnë përkufizimin e Apokalipsit nga profeti Zacharias, si “fund i botës ku shembet çdo gjë dhe njerëzit vrasin njëri-tjetrin”. Ku “vizioni i të dërguarit të Zotit nis e sqaron kuptimin e gjërave të fshehta”. “Ne kemi vizione”, thotë Rama

dhe lëviz gishtin në formë spirale rreth tëmthit. Lëvizje kuptimplote kjo. Këto imazhe më sjellin në kujtesë atë gravurën “Katër kalorësit e Apokalipsit” të Albrecht Dürer-it, kuajt e të cilëve shkelin mbi burrat, gratë, të moshuarit dhe foshnjat e vdekura. “Secili të marrë hakun që i takon,… të  marrë hak për plumbat e 21 janarit,… të marrë hak për ata që vriten rrugëve përditë nga mungesa e shtetit”, fshikullon Rama ndjenjën e egër të hakmarrjes, duke fituar pa mëdyshje nderin dhe postin e kryekalorësit, Kalorësit të Parë të Apokalipsit.

Tre kalorësit e tjerë, të cilëve ai u prin në betejën elektorale, janë: “E keqja e të këqijave… e keqja që i pjell të këqijat zinxhir,… e keqja që ka hyrë në palcën e demokracisë dhe të drejtësisë”, Vjedhja e Votave. Më tej, biri i parë i Vjedhjes së Votave, Korrupsioni, i cili “pas vjedhjes së votave e rrokullisi Shqipërinë në rrugën e kusarisë pa dorashka”. Dhe, si më i ri, 21 janari, “e keqja që më 21 janar vrau për të vazhduar të vjedhë e të sundojë Shqipërinë me vota e para të vjedhura”. Sa të drejtë ka Edi Rama që t’i grahë këta kalorës dhe kuajt e tyre para dhe pas betejës elektorale?

KALORËSI I DYTË I APOKALIPSIT

“Një qeveri që ta merr votën kur s’ia jep, të merr pastaj lekët, shpirtin, jetën… Nëpërmjet votave të vjedhura pushteti ka miratuar akte barbarie e kusarie të pashoqe”, thotë Edi Rama. Por sa është Edi Rama viktimë e amoralitetit zgjedhor të PD-së? Fajin Edi Ramës për humbjen e zgjedhjeve ia ka PD-ja, apo fajin Edi Ramës për humbjen e zgjedhjeve ia ka Edi Rama? Pyetja e fundit është thjesht retorike. Skenarist, regjisor dhe aktor i zgjedhjeve 2009, Rama i rezervoi vetes rolin më grotesk dhe tragjikomik të skenarit të tij. Aktroi si diletant përballë rivalit profesionist dhe humbi.

Ishte Rama ai që nëpërmjet kërcënimit të bojkotit ndryshoi Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. Ishte Rama ai që ngulmoi në skemën spanjolle, vrastare, për partitë e vogla. Ishte Rama ai që i ulëriti ambasadorit Bosch të OSBE-së kur ky i kërkoi që komisionet të mos kontrolloheshin vetëm nga dy parti. Ishte Rama ai që ngulmoi në polarizimin  e debatit mediatik në PS-PD. Shkurt, ishte

Rama ai që përcaktoi rregullat dhe fushën e lojës, me rezultat final masakrimin e partive të vogla, përfshirë ato satelitore të PS-së. Ishte po Rama ai që i rinovoi në 70% organet drejtuese të partisë. Duke ruajtur nga bërthama e parë kryesisht “liberalët”, si shefi komunist i Sigurimit të Shtetit, Gramoz Ruçi. Duke flakur nga drejtimi dhe Parlamenti inteligjencën si Maqo Lakrori dhe elementin e ekuilibruar si Musa Ulqini; për t’i zëvendësuar ata me bashkiakë si Eduard Shalsi, kukulla mekanike të markës “no name” si Saimir Tahiri dhe “të fortë” si Tom Doshi.

Duke zëvendësuar personat me integritet individual, si Kastriot Islami, me “yesman”-ë si Taulant Balla dhe penat e mençura si Servet Pëllumbi, me buzëkuq, si ai i Shegë a Shegushes. Shkurt, ishte Rama ai që për të krijuar formacionin me ushtarë të bindur, flaku oficerët e partisë. Duke shkatërruar  pariparueshëm përvojën dhe forcën intelektuale të partisë. “Dirigjent shumë të suksesshëm të shkatërrimit të Partisë Socialiste” e quan Ramën miku i tij ri, Dritan Prifti. Ishte Rama ai që kur rivali mblidhte magjeve me lugë kafeje miellin, deri partitë 353-votëshe, i lejoi vetes luksin të flakë pakon e miellit, 90 mijë votat reale të LSI-së, duke e kthyer LSI-në nga aleat potencial në kundërshtar real.

Ishte Rama ai që pasi i krijoi vetes komoditetin e daljes në beleg vetëm për vetëm me kundërshtarin, u step dhe u frigua. Nuk pranoi debatin publik me rivalin dhe nuk u tërhoq nga posti i kryebashkiakut. Dhe këtë publiku e deshifroi me “Rama e di se nuk fiton, prandaj nuk do që të rrezikojë”. Foli pa brumë dhe pa sharmë, pa vizion dhe program, me slogane të pakuptimta priftërinjsh brahmanë “Përtej së Majtës”. Dhe pa dyshim që buldozeri Berisha do ta bënte petë, siç dhe e bëri. Nëse do përgatitej ndonjë film me kronikën e zgjedhjeve, titulli më i përshtatur do të ishte: “Kronikë e një humbjeje të kërkuar me ngulm”. Shkurt, përgjigjja e pyetjes se cilin duhet të akuzojë Rama për humbjen e zgjedhjeve, është: “Për humbjen e zgjedhjeve

Edi Rama ka të drejtë të akuzojë vetëm Edi Ramën”. Si e tillë, alibia e vjedhjes së votave, me një PS engjëllore nga njëra anë dhe një PD diabolike nga ana tjetër, i përket fantashkencës. Zgjedhjet 2005 dhe 2009 nuk i njoh nga shkallët e stadiumit, por nga fusha dhe e njoh shumë mirë engjëllorinë e “çunave të Bales” të Ermelinda Meksit në Tiranë dhe plotoneve të Gazmend Bizhgës në Durrës. Rama e mësoi shumë shpejt se asnjëri nga 20 000 komisionerët e tij nuk pati shënuar në procesverbalet asnjë kundërshti dhe po aq shpejt se anëtarët e tij të KQZ-së e kishin miratuar pa hezitim humbjen. Po shpejt Rama mësoi se për hapjen e kutive të votimit mund t’i drejtohej Prokurorisë, siç dhe bëri PDK e Nard Ndokës, ose Komisionit të Venecias. Por pikërisht kjo hapje nuk i duhej Ramës.

Ramës i duhej vetëm zhurma për hapjen e kutive, dhe jo hapja e kutive. Hapja e kutive do të dëshmonte se ai i kishte humbur zgjedhjet absolutisht për fajin e tij, për çka do të përballej me kërkesën e statutit për dorëheqje të parevokueshme, siç dhe e pati bërë me fisnikëri paraardhësi Fatos Nano. Pikërisht në këtë çast doli në skenë alibia e votave të vjedhura. Por si veproi Rama me votat e partisë së tij? “Shpresova se Rama do të mbante përgjegjësinë e humbjes dhe nuk do të rikandidonte”, thotë socialisti Arben Malaj, duke u tërhequr nga kandidimi, pasi e dinte mirë se çfarë do të ndodhte realisht. “Në fshat jemi vetëm dy anëtarë partie.

Të tjerët kanë ikur”, tregon anëtari i PS-së nga një fshat i Gramshit. “Rezultati që nisa ishte ai që më kërkuan: 22 vota për Edin, një për Maqon”. Kaq dhe dolën zgjedhjet: 93% për Edi Ramën, 6% për Maqo  Lakrorin. “Nuk ka pikë rëndësie kush dhe si voton në parti. Rëndësi të jashtëzakonshme ka kush dhe si do t’i numërojë votat”, thoshte Stalini në 1929-n. Dhe kjo çon në pyetjen: ku e gjen Rama të drejtën morale për të shqiptuar “kurrë më një pushteti që vjedh votat”? Ndërkohë që vetë ka  vjedhur votat e partisë së tij. Të shtyn të pyesësh nëse Edi Rama manipulon kaq frikshëm me votat e partisë së tij, ç’do të bënte ai po të vinte në pushtet me votat e qytetarëve? PP-ja dhe Enveri nuk erdhën në pushtet me 93% të votave, por kur erdhën, 93% nuk iu nda më Shqipërisë. Dhe kjo të sjell ankthin e viteve të frikshme të komunizmit. Të viteve kur gjaku në deje merrte peshën e plumbit. Ky është dhe Kalorësi i dytë apokaliptik i Ramës: Uria për pushtet.

KALORËSI I TRETË I APOKALIPSIT

Kalorësi i tretë apokaliptik i Ramës është korrupsioni. Por fjalën perëndimore “korrupsion” Rama e ruan vetëm për të huajt, të cilëve u pikturon tablo tejet mikluese për Shqipërinë. Për partitë socialiste europiane, që u thotë “korrupsioni galopant i zbeh tërë mundësitë e Shqipërisë për të qenë shtet”. Për zv.sekretarin e Shtetit, Steinberg, të cilit i kumton “kriza shqiptare i ka rrënjët te korrupsioni”. Me një fjalë, për ta mbajtur Shqipërinë larg BE-së, për ta luftuar Shqipërinë.

Me vendasit ai përdor fjalën kusari: “Kusaria e kanaleve të zeza të kusarëve…”, “kusaria e rrokullimës pa dorashka kusarie…”, “të bashkohemi për t’iu kundërvënë frontalisht diktaturës së kusarisë”. Slogan ky që kumbon si slogan i një tribuni të popullit të varfër, të dalë nga populli i varfër, që lufton kundër varfërisë së popullit. A është vërtet tribuni Rama aq i varfër saqë fqinjët mund ta gjejnë ndonjë mëngjes me konop në grykë pasi nuk kishte ku të flinte dhe nuk gjente dot para borxh për të larë borxhet e shtetit? Miku i ri i Ramës, Dritan Prifti, i cili, sipas Ramës, “u mësoi shqiptarëve të vërtetën dhe u rreshtua me kampin opozitar”, mendon ndryshe.

Pas një penelate të shpejtë të PS-së si “qendër e ndyrë biznesi me drejtues të zhytur në korrupsion, të lidhur me grupe të errëta kriminale që financojnë dhe drejtojnë politiken e saj”, Prifti portretizon ngeshëm Ramën: “Monstër që për interesat e tija shkatërron çdo gjë,… aktor dhe intrigant, … as burrë dhe as grua që i pret deputetët veshur me tanga dhe merr pluhur të bardhë”. Portret ky që të neverit me batakun imoral dhe amoral të gjallesave që pështyhen, gërricen, rrihen dhe pastaj flenë bashkë. Pak i hyn kujt në punë nëse Rama merr apo s’merr kokainë, si edhe shumë politikanë perëndimorë. Pak i hyn kujt në punë nëse Rama rri në shtëpi me tanga a pizhame. Pak i hyn kujt në punë orientimi seksual i Ramës: Westerwelle, që e pranon publikisht se është gay, e drejton më së miri politikën e jashtme gjermane. Por pyetjet e Priftit: “A ka shqiptar që beson se Edi Rama nuk ka shtëpi dhe jeton me nënën?”; “A ka shqiptar që beson se Edi Rama ka vetëm tre mijë euro në bankë kur kostumi i tij bën më shumë se tre mijë euro?” i hyjnë në punë kujtdo. I tregojnë kujtdo që Edi Ramës nuk mund t’i besosh për asgjë. “Kur flasin gënjeshtarët, edhe e vërteta është e pabesueshme”, thotë Aristoteli.

I tregojnë kujtdo se Rama nuk ka as  respektin më minimal për aftësitë mendore të secilit prej nesh. “Tirana… qendra e pastërtisë dhe rregullsisë, mirëmbahet çdo ditë falë punës së vazhdueshme të Bashkisë”, reciton me rimë Rama. “Tiranës i janë hapur të gjitha arteriet  e frymëmarrjes dhe qarkullimit, trotuaret e Tiranës po kthehen në standardet më të larta të BE-së, me rampa për karrocat e fëmijëve, invalidët, biçikletat e deri te pllakat speciale për të verbrit”, vijon ai. Pa u ndalur në realitetin e arterieve  frymëmarrëse dhe pllakave speciale për të verbrit, me të cilin përplasemi çdo ditë, do të ndalem në refrenin e përsëritur dhe të ripërsëritur me këmbënguljen e tregtarit ambulant që kërkon me çdo kusht të të shesë mallin: “Vetëm 5500 lekë për familje për gjelbërimin…, 5500 lekë…”.

Pavarësisht se “vetëm 5500-lekshi” i solli Bashkisë 5,3 milionë dollarë në 2009-n dhe 6,5 milionë dollarë në 2010-n, në tabulatet financiare të Bashkisë nuk ekziston zëri “shpenzime për gjelbërimin”. Vetëm tek- tuk ndonjë pishë 15 000-dollarëshe, sa një “Citroen” me kilometrazh zero. Por, nëse një pemë kushton 60-200 dollarë dhe numri i pemëve të mbjella nuk e kalon 800-n në vit, shuma e avulluar rezulton 4-5 milionë dollarë. Ky dhe është njëri nga truket e  kryetarit të Bashkisë Edi Rama për prodhimin e parave të partisë të kryetarit të PS-së, Edi Rama. Ndërkohë, lista e trukeve është mjaft më e gjerë: Nga ai database-i enigmatik i gjobave të  parkimeve, i cili, pas pagimit të gjobës, i fshin automatikisht të dhënat, deri tek blackout-i i plotë i fondit bashkiak “Art, kulturë, rini dhe sporte”.

Por nuk ia vlen të merresh me analizën e këtyre “qindarkave”, të cilat herë pas here shihen sfondeve të mitingjeve, në zarfet e mitingashëve  mercenarë.Ky nuk është korrupsioni real. Ky është korrupsioni i butë për “Kauzën e Partisë dhe të Popullit”, korrupsioni real, korrupsioni i egër, është korrupsioni individual. Ai me mafien e  ndërtimit. Këtë thotë edhe miku i ri Dritan Prifti: “Edi Rama, pjesë integrale e mafies së ndërtimit, e ka shndërruar këtë sektor në pronë private. Kush nuk e di se cilat studio urbanistike janë përcaktuar që të fitojnë lejet e ndërtimit në Tiranë? Kush nuk e di cilat firma ndërtimi duhet të fitojnë që të ndërtojnë në Tiranë?

Kush nuk i di përqindjet që zotëria merr për lejet e ndërtimit? Kush nuk e di se gjysma e anëtarëve të Komitetit drejtues të PS-së e kanë bashkëshortin a bashkëshorten në firma të fuqishme ndërtimi? Kush nuk e di si luhet kjo lojë?”. Por, për të luajtur një lojë, së pari duhet sheshi. Me gjithë 1,5 milionë dollarët në dispozicion, me gjithë  këmbënguljen e Parlamentit Shqiptar dhe atij Europian, Rama arriti që edhe pas tri mandateve të mos e përfundojë Planin Rregullues të Tiranës. Duke hedhur vetëm pak kohë më parë në tryezën e KKRRTsë një plan si xhaketë e veshur mbrapsht, që kërkon së paku një vit për t’u normalizuar.

Përse kjo? Nga paaftësia? Neglizhenca? Avashllëku ballkanik? Absolutisht jo. Nga domosdoshmëria e makinerisë korruptive për të lëvizur lirshëm në çdo drejtim: lartposhtë, para-pas, majtas-djathtas. Me pasojë betonimin e shëmtuar sa më s’ka, blloqet e banimit jo më face to face, ballë për ballë, por cheek to cheek, faqe më faqe, ndërtimet inhumane 200 metra të gjata dhe 40 metra të larta, atë gjembin e stërmadh dhe lubi të shëmtuar mbi tyrben e Kapllan Pashës. Me shndërrimin e Tiranës falë kësaj lëvizjeje të pakontrolluar, më saktë mafiozisht të kontrolluar, në një qytet thuajse të humbur nga pikëpamja urbanistike. Për të luajtur lojën, pas gjetjes së sheshit, duhej krijuar skuadra.

Një formacioni i mirë i tipit “mafiusu”, me në krye “Capu dei tutti Capi”, me “Consiglieri”, “Capitani” dhe “soldati”. Me një kryetar Bashkie në krye dhe dy firma seksero-projektuese të miqve të ngushtë (njëra e bashkëshortit të deputetes Shamku të PS-së), të cilat marrin 60% të projekteve dhe sekserojnë zbatimin. Me tetë firma kliente, pesë të deputetëve të PS-së (Leskaj, Abazi, Doshi, Ylli, Peza), dy të medias besnike (Dulaku, Kokdhima) dhe njëra, pa dyshim, e kryemikut Delijorgji të Gërdecit, të cilave u jepet për dy vjet rreth 1/40 e sipërfaqes së Tiranës. Sa trefishi i tërë firmave të tjera bashkë. Dhe këtu, për sa u përket vlerave, makina llogaritëse çmendet, braktis hesapin milionësh dhe kalon në hesapin miliardësh. Një miliard dollarë janë shumë e konsiderueshme edhe për NASA-n amerikane. Ndërkohë, thënia e mikut të ri Prifti se “Rama u merr ndërtuesve 30 euro/m2 dhe ka mbi 200 apartamente të  fshehta”, diçka rreth 300 milionë euro, është vjetruar. Steka është ngjitur shumë më lart.

Si në rastin e mikut Avllai, të cilit “Vizion Construction”- i duhet t’i jepte 20% të aksioneve, 100 milionë euro me një dorë. Pa dyshim që me një strukturë të tillë dhe bëma të tilla, “Doing Business-i” i Bankës Botërore e palëtoi Shqipërinë për lejet e ndërtimit në fund të thesit. Me 176 shtete mbi vete dhe vetëm 7 nën vete. Struktura kristaline e Ramës nis e bëhet edhe më e sofistikuar në marrëdhëniet me të huajt: Juria e konkursit për qendrën e Tiranës, që u fitua nga belgia “51N4E”, përbëhej nga holandezët e firmës “MRDV”. Juria e konkursit të holandezes “MRDV” për gradaçelat e Parkut të Liqenit Artificial përbëhej nga belgët e firmës “51N4E”.

Ndërkohë, si rele sigurie për të kontrolluar këtë lidhje kryqe shërbenin arkitektët e klientelizuar të Ramës, kombëtarë dhe  ndërkombëtarë. Si e tillë, teknologjia i përmbahet skemës: dora e majtë lan të djathtën, dora e djathta lan të majtën, të dyja lajnë fytyrën. D.m.th., 51N4E-ja lau MRDV-në, MRDV-ja lau 51N4E-në dhe të dyja lanë fytyrën e kryetarit të Bashkisë. Të tëra këto të lindin imazhin e një rrjeti të çeliktë merimange, ku grerëzat biznesmene janë kapur nga Spiderman-i dhe Spiderman- i është kapur nga grerëzat biznesmene. Në një simbiozë merimangë – grerëz, ku palët nuk munden dhe nuk duan të shkëputen nga njëra-tjetra. Nisur nga këto bëma, ajo dëshmia e mjerë e Inspektoratit të Kontrollit të Pasurive se Rama ka 12 000 dollarë borxh dhe fle në shtëpinë e së ëmës, të kujton dialogun e Tartufit të Molierit mes Orgoni-t dhe Flipotes: “Po Tartufi? Buçkan e kokoroç, faqet plloçë.

I shkreti”. Nisur nga këto bëma, kushtrimi prej tribuni “të bashkohemi për t’iu kundërvënë frontalisht diktaturës së kusarisë”, të kujton predikimet e padrones së shtëpisë publike për  moralin. Më saktë, me ngucakeqen e kësaj padroneje që në emër të pastërtisë së saj morale, paguan dhe ngre peshë halabakërinë për të djegur qytetin. Kaq sa për Kalorësin e tretë apokaliptik të Ramës, Murtajën e Kusarisë.

KALORËSI I KATËRT I APOKALIPSIT

“Dita e djeshme ishte një ditë e tmerrshme për popullin shqiptar”, tha ambasadori i SHBA,  Aleksandër Arvizu, për 21 janarin, duke theksuar me dhimbje tragjizmin e kësaj dite për Shqipërinë. “Shqipëria, në prag të luftës civile”, ngutej të shkruante makaronibusja “Coriere della Sera”. Por, për të kuptuar si dhe pse agoi 21 janari, duhet të kthehemi pas në kohë. Në çastet kur Edi Rama, i mbërthyer keq nga mafia që kërkonte rimbursimin e shpenzimeve dhe perspektiva të reja, i shqetësuar nga socialistët për shkak të kalvarit të bojkoteve dhe  demonstratave të  pafundme, me një arsenal të ezauruar mitingjesh, demonstratash dhe grevash spektakolare urie, pa se e vetmja rrugë për të marrë pushtetin ishte rruga e forcës, rruga “pushteti buron nga gryka e pushkës”. Dhe kështu, në Tiranën intelektuale, Tiranën e akademikëve, profesorëve, gazetarëve dhe artistëve ai nuk gjeti kënd tjetër për të caktuar kryetar partie përveç policit Pjerin Ndreu. Dhe kështu ai nisi që shoqërinë ta kufizonte kryesisht me “të fortët” e partisë: Ndreun, Sterkajn, Doshin. Pas kësaj problemi u thjeshtua. Era u mboll dhe pritej të korrej shtrëngata. “Ik! Berisha, ik!” klithi nga podiumi i Parlamentit ish-shefi i Sigurimit komunist, Ruçi (iku, iku, ulërinte mob-i më 21 janar). “Se kjo është si të ecësh mbi të vrarët në bulevard”, tha me vegim fallxhoreje Rama.

“Shqipëria duhet të ndjekë të paktën shembullin e Tunizisë për të larguar këtë qeveri të  korruptuar”, deklaroi tri ditë para 21 janarit ish-ministri komunist i Edukimit, Gjinushi. Dhe, si i tillë, skenari tunizian i policisë të provokuar gjatë nga turma, i nervozizmit të pritshëm të policisë, i masës  manifestuese që i reagon me dhunë nervozizmit të policisë dhe kështu me radhë, deri në revolucion, ishte mëse real. Thënia e Ramës, fill pas ngjarjes se “do ta vazhdojmë betejën pa  dhunë, pa armë dhe pa skenar si ky i sotmi”, tregon fare qartë se 21 janari pati një skenar dhe se ky skenar ishte skenari i dhunshëm tunizian. “Jemi në një diktaturë të vërtetë. Dukemi tamam si Tunizia e Ballkanit”, riprodhon fjalët e Ramës magnetofoni Tahiri i Ramës. Dhe përgjigjja e  europarlamentarëve ishte: “Shqipëria është në pjesën veriore dhe jo jugore të Mesdheut. Nëse dikush mendon se në Shqipëri do të luhet skenari tunizian, i themi se Tunizia nuk ka aplikuar për anëtare të BE-së dhe nuk është anëtare e NATO-s”.

Dhe faktin që Shqipëria është pjesëtare e  NATO–s dhe aplikante e BE-së, dhe se shtetet e NATO-s dhe të BE-së nuk do ta rilejonin katrahurën shqiptare, Rama nuk e kish kuptuar. Ai nuk i kish studiuar sa duhet as fjalët e mësuesit Lenin, se “situatë revolucionare është kur ata lart nuk munden më (të drejtojnë) dhe ata poshtë nuk munden më (të durojnë)”. Nuk kish kuptuar se raportin detonator – lëndë eksplozive të një bombe, kur mungon eksplozivi, pakënaqësia e thellë e masave, detonatori plas me forcë fishekzjarri. Duke shkatërruar vetëm vetveten. “A u gëzove për ata të katër që u vranë?” ishte pyetja që më flaku në UTV magnetofoni Tahiri. Iu përgjigja “jo”, ndërkohë që duhet ta kisha pyetur:

“Po ti, a u gëzove kur u vranë ata që i dërguat për t’u vrarë?”. Kur dikush  shkrumbohet në shtyllën e tensionit të lartë, përgjegjësinë e ka ai që e çoi në shtyllën e tensionit të lartë. Jo tensioni i lartë. “Në politikë nuk ka moral, por vetëm dobishmëri. Një halabak mund të jetë i dobishëm për ne pikërisht ngaqë është halabak”, thotë Lenini. Dhe Rama sprovoi ta shtynte edhe më tej këtë thënie, duke shitur për popull 300 halabakët e paguar: “Demonstruesit paqësorë u provokuan në mënyrë të pashembullt nga policia… Shqipëria mbarë po e sheh sjelljen barbare të forcave policore që pas përpjekjeve tona intensive për të qetësuar këdo u lëshuan mbi qytetarët e pafajshëm”. Brenda tri orëve Rama gënjeu tri herë.

Gënjeu për atë që i tërë populli, madje globi, e kishte ndjekur nëpërmjet ekranit, qoftë edhe të studiove të veta. “Nuk kam parë asnjëherë militantë socialistë të sillen në mënyrë të tillë”, tha socialisti Islami. “Nuk kam asnjë marrëdhënie me banditët e 21 janarit”, e thelloi më tepër distancimin Fatos Nano. “Mbështesim çdo lloj formë proteste të popullit, përderisa ajo nuk është e dhunshme dhe respekton institucionet”, deklaroi ambasada e SHBA-ve, ajo e BE-së dhe OSBE-ja. Duke formuluar precedentin unik kur në një demonstratë me të vrarë, Diplomacia  perëndimore i jep të drejtë pozitës dhe jo opozitës. Sidoqoftë, Rama ia doli që për tri orë ta  rishkatërronte imazhin pozitiv që Shqipëria mezi e kish rifituar. Dhe kjo ishte një arritje e vlefshme për të.

EPILOG

Duke iu risjellë fillimit po rikap citatin e Ramës: “Nëse na preket vota… Jo më një lëvizje qytetare për hapjen e kutive, po një lëvizje të re që do ta udhëheqim pa asnjë ngurrim. Duke i bërë thirrje
popullit hapur, qartë, troç, që të dëbojë qeverinë”. Duke e bashkërenduar atë me dialogun në Vizion Plus: “Po nëse nuk cenohet vota dhe fitoni zgjedhjet, nuk do të ketë zgjedhje të   parakohshme?” e pyet Ramën Vizion Plus dhe përgjigjja është: “Zgjedhjet e parakohshme i kemi kërkuar dhe do t’i kërkojmë çdo ditë. Kjo nuk diskutohet”. “Po nëse zgjedhjet janë me standarde?” ngulmon sërishmi Vizion Plus dhe sërishmi Vizion Plus merr përgjigjen: “Zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri për të larguar një orë e më parë regjimin e kusarisë. Nuk ka lidhje kjo me  preket apo s’preket vota”. Si e tillë, logjika është mëse lineare, krejt e dystë. Si logjika e Sfinksit, që  çfarëdo t’i përgjigjet kalimtari, e gllabëronte kalimtarin. Duke e thjeshtëzuar, kuptimi i saj është: Nëse më zgjidhni kryetar Bashkie, me taksat që do më paguani, do paguaj mob-in për të përmbysur qeverinë dhe nëse nuk më zgjidhni kryetar Bashkie, me taksat që keni paguar do paguaj mob-in për të përmbysur qeverinë.

Fare shkurt, edhe po fitova, edhe po nuk fitova, mitingjet, demonstratat, pa dhunë dhe me dhunë, vitin e prapë ’97 e keni të garantuar. Pavarësisht se Shqipëria e vuajtur nuk ka nevojë për djegie, të lënduar dhe të varë, por për qetësi. Ka nevojë për të ecur para, qoftë dhe me zigzage aspak rozë. Ka nevojë për punësim dhe për t’u integruar në BE, për shkolla, rrugë, gjelbërim. Ka nevojë për qeshjen e fëmijëve dhe jo klithmat e fëmijëve të  lebetitur nga krismat. Dhe këtu, duke e mbyllur shkrimin e lodhshëm, do të huazoja një frazë nga “Reportazh me litar në grykë” i gazetarit Julius Fuèík, pak para se të varej në burgun e Gestapo- s në Pragë. “NJERËZ, JINI VIGJILENTË”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama