Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kisha e pafe

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Kisha e pafe

Në Përmet po ngrihet një kishë brënda në Pallat të Kulturës. Jo në oborr a në kopësht të pallatit, por brenda përbrënda godinës, që tani nuk është më godinë, por i kanë mbetur vetëm katër muret pa dysheme e çati. E pamë të gjithë në televizor se si hidhnin shtat kollonat e betonta me fitila të hekurt të kishës, brënda mureve të rrënuara të pallatit të kulturës (eh, si nuk ju ndanë këtij vëndi kollonat e betonit pa leje). Ashtu siç rritet grami e i zë frymën tokës; ashtu sikundër kungulli që u rrit e mori gardhin derisa e rrëzoi. Se si mund të dalë nga një përdhosje e tillë një tempull i Zotit, vetëm njerëz të pafe e pa Zot si shqiptarët mund ta dinë. Se si mund të pajtohet Perëndia me të tilla horrllëqe, vetëm horrave që thonë se i shërbejnë mund t’u duket normale.

Si gjithmonë nuk funksionon asgjë, as polici e as bashki, as inspektoriat ndërtimi e as gjykata, ndaj nuk po merrem fare me ta. Nuk po merrem të bëj as politikë kush e la e si e la këtë punë deri këtu, pse s’foli e majta apo pse s’lëvizi e djathta. Nuk funksionoi as pushteti i katërt, media demek. Pra, si kudo në Europën e asociuar dhe integruar, ku kur tri pushtetet e tjera nuk lëvizin, fap, lëviz dhe denoncon media dhe bëhet qameti. Këtu media e bëri të vetën, e denoncoi skandalin jo vetëm me fjalë por edhe me film, por prapë askush nuk e bëri qejfin qeder. Ndaj nuk po merrem me ta, por me vetë Perëndinë.

Feja, jetë e mot ka shërbyer si ekuilibruese e luhatjeve të shoqërisë; ka shërbyer si pasqyrë e moralit, ku njerëzia janë parë dhe janë përpjekur të ndreqen; ka shërbyer edhe si përçonjëse e vlerave të zbehura. Në një shoqëri si kjo e jona, ku sistemet e vlerave janë në krizë të thellë, religjoni do të duhej të ishte bash në rolin e vet. Të ndikonte të na ndreqë. Mirëpo kusht’ i parë për këtë, është që shërbenjësit e fesë të jenë të ndryshëm, të veçantë dhe më të lartër se grigja e tyre, se vetëm kështu mund të bëhen barinj të shpirtrave. Mirëpo në këtë vënd që ka aftësinë të kthejë në karagjosllëk çdo gjë, edhe religjoni kthehet e bëhet gaz i botës.

Në librat e shenjta midis 10 porosive të Zotit, renditet edhe “Mos lakmo gjënë e tjetrit”. E pra, këtu në Përmetin tonë, është vetë Kisha që zë pronën e tjetrit, se prona ku po ndërton Kisha kishë, nuk është pronë e kishës por e tjetërkujt. Dhe pastaj çuditemi me çudi se pse as Zoti vetë nuk i bën dot fajde këtij vëndi!

Porosia e Apostujve para grigjës së besimtarëve, ishte “Shpallni besimin tuaj”. Edhe Krishti vetë, për t’i vënë vulën thosh: “Për atë që i vjen turp të shpallë besimin, edhe mua do të më vijë turp ta mbroj para Atit”. Ndërsa këtu edhe kishat ndërtohen fshehurazi natën. Le më besimtarët, por edhe vetë Kisha fsheh besimin. Dhe pastaj themi pse dreqin është i mallkuar ky vënd.

Krishti teksa i përgatiste njerëzit për botën tjetër, kujdesej që ndërkaq ata të zbatonin rregullat e kësaj bote. Për këtë i porosit besimtarët “Jepini Cezarit atë që i takon Cezarit”. Pra bindjuni ligjeve dhe paguani taksat. Eh, ç’i kanë punuar Atij, komunistët dhe marksistët për këtë sentencë, duke e akuzuar se kështu Krishti i shërbente shtypësve dhe kapitalit. Në fakt, Krishti kish kuptuar 2000 vjet më parë, një gjë shumë të thjeshtë. Dakord të merremi me fe, filozofi e politikë, por edhe shtetin duhet ta respektojmë, se pa të kthehemi e bëhemi kafshë të egra. Në Përmet po ndërtohet një kishë pa leje, pa paguar taksat që i takojnë Cezarit (shtetit). Dhe pastaj themi pse jemi bërë si njerëz të egër!

Noli, kur flet më ‘23-shin për 5 anarkitë e jetës shqiptare të kohës së tij, në krye fare vë anarkinë fetare, duke shkruar për “katër fe të ndryshme, që nuk kanë zënë rrënjë fare në zemrën e një populli pagan”. Dhe të mos harrojmë se Noli ankohet për anarki fetare, kur të paktën prifti ishte prift e hoxha ishte hoxhë. Po ç’duhet të themi tani në kohë të Demokracisë, kur shohim që prifti i sotëm ka qenë deri dje kapterr në Ushtrinë e Enver Hoxhës, apo hoxha ka qenë magazinjer në kooperativë, ndërsa imami ka qenë këpucar në komunale. Pa i neveritur aspak këto zanate, nuk mund të presim që prej tyre si me magji të na dalin shërbenjës të fesë me mënt cipë e dije. Ky stan këtë bulmet që nxjerr do nxjerrë.

Për të mbajtur udhën e drejtë edhe kur shoqëritë e humbasin atë, religjonet kujdesen t’i mbushin rradhët e tyre me njerëz të virtytshëm e të kënduar. Përgatisin shërbenjës të fesë plot besim dhe teollogë plot dije. Mirëpo, siç e thashë në krye, ky vënd ka aftësinë e çuditshme që të kthejë në karagjosllëk edhe gjërat e shenjta, ndaj edhe na ndodh që komunisti i djeshëm, i bërë prift a hoxhë jo për vokacion a shkëndijë hyjnore, por se ka lënë mjekër, të ndërtojë pa leje, të zaptojë gjënë e tjetrit, të shesë varret me gjithë kokalla brënda, apo të bëjë pazar me vakëfet.

Por edhe për të këtillët ka menduar Krishti, ndaj ndërsa e çonin në kryq, ju drejtua Atit Qiellor dhe i kërkoi: “Fali At se s’dijnë ç’bëjnë”.

Ka një parti në këtë vënd, që pretendon të mbrojë të drejtat kombëtare, por, me gjithë emrin e madh dhe pretendimin edhe më të madh, njerëzia e njohin për kollaj si Partia e Çamërve. Paçka, edhe si e tillë s’ka gjë të keqe, se edhe çamërit shqiptarë janë por, nëse kjo parti do që, nga Parti e Çamërve, të bëhet Parti e Shqiptarizmës, duhet të ndërmarrë bëma që i shërbejnë shqiptarizmës. Le t’i propozoj unë një të tillë kryetarit Idrizi. Le të bëhet Partia e tij nismëtare që çdo shqiptar i mirë që e do Shqipërinë dhe Perëndinë, të vejë atje në Përmet një ditë për të protestuar kundër sakrilegjit që i bëhet fesë dhe atdheut. Po, po, të vemë të gjithë bashkë atje në Përmetin e besimtarëve të urtë dhe atdhetarëve të mëdhenj dhe të protestojmë së bashku.

Shpëtim, unë ta thashë timen. Të paktën ata që e këndojnë gazetën do presin çdo bësh ti tani.

EKSTEMET PUQEN

Deri atëhere kishin qenë të dy bashkë në një parti, komunistë. Njëzet vjet më parë, udhët e tyre u ndanë. Hysniu u bë “shoku Hysni” ndërsa shoku Sali u bë “Sali”. Hysniu u përpoq që, duke mos lëvizur nga vija komuniste, të mbronte idealin e dalë boje, ndërsa Saliu kaloi në ekstremin tjetër, u bë antikomunist. Kaluan 20 vjet. Në ditën e zgjedhjeve më 8 maj, Hysniu, pa lëvizur nga komunizmi, për çudi u gjend në një llogore me Saliun që ishte shpallur antikomunist. Një dreq e merr vesh se si mund të ngjasë një gjë e tillë. Shpjegimet janë dy. E para, edhe Saliu nuk ishte aq antikomunist sa na shitet, edhe Hysniu nuk ishte aq komunist sa na përbetohet, kështu që të dy dolën në një qafë. E dyta, shpjegimi tjetër mund të jetë sentenca e lashtë sa vetë politika: “Ekstremet puqen”. Dhe u puqën. Atyre s’u doli keq. Ndërsa ne, ne mbetëm prapë këtu, të provojmë mbi kurriz sentencat e politikës.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama