Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ballkani drejt BE-së. Të gjithë po ecin, po shqiptarët?!

Shkruar nga: Arben Malaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Arben Malaj
Ballkani drejt BE-së. Të gjithë po ecin, po shqiptarët?!

Edhe pse sot projekti i Europës së Bashkuar ndodhet përballë sfidave të vështira, opinioni publik i vendeve tona vazhdon të ketë një shpresë dhe inspirim të madh për të ardhmen tonë europiane. Zgjerimi i Europës duke zvogëluar pjesën e paintegruar imponon eliminimin e vonesave historike. Integrimi i vendeve të Ballkanit aktualisht ballafaqohet me disa vonesa, të cilat janë si për vështirësitë në rritje që ka pasur zgjerimi i mëtejshëm i BE-së (jo vetëm për shkak të krizës globale), ashtu dhe për shkak të mosbërjes mirë, apo bërjes keq të detyrave të shtëpisë nga vendet tona.

Dështimi i Bullgarisë dhe Rumanisë edhe pas anëtarësimit në BE, në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e shtetit ligjor, ka rritur dhe justifikuar hezitimin e lidershipit të vendeve të BE-së për të aplikuar të njëjtën tolerancë për ne.

Procesi i integrimit të vendeve tona, cilësia dhe shpejtësia, janë përcaktuar kryesisht nga vullneti i lidershipit tonë lidhur me domosdoshmërinë e kryerjes së reformave, sidomos në luftën kundër korrupsionit dhe keqqeverisjes. Vende të ndryshme në rajonin tonë përballen me sfida të ndryshme.

Kroacia ishte përballë detyrimit të bashkëpunimit me Gjykatën e Krimeve të Luftës dhe luftën kundër korrupsionit. Pas disa arritjeve konkrete në dorëzimin e kriminelëve të luftës dhe luftën kundër korrupsionit (deri në arrestimin e ish-kryeministrit), është rritur optimizmi që pritja e saj e gjatë për t’u bërë vend anëtar i BE-së të jetë në hapat e fundit. Shpejt Kroacia mund të jetë vendi i 28-të i BE-së, duke merituar vlerësimin për reformat dhe duke vërtetuar se dera e BE-së do të jetë e hapur për cilindo vend të Ballkanit.

Mali i Zi ndërmori disa reforma politike deri në ristrukturimin e qeverisjes së tij. Ish-kryeministri i tij, për të mos penguar të ardhmen europiane të vendit të tij, pranoi të tërhiqej si kryeministër. Mali i Zi është sot vend kandidat i BE-së dhe ecën më shpejt se Shqipëria drejt anëtarësimit në BE.

Serbia, vetëm pak ditë më parë tregoi një provë të re për vendosmërinë e saj drejt së ardhmes europiane. U arrestua një nga kriminelët më të kërkuar për krime lufte në Bosnjë. Presidenti i vendit me krenari deklaronte se “pastruam çdo serb nga akuzat e së shkuarës”. Lidershipi politik i vendeve dhe institucioneve të BE-së i ka dhënë vlerësim maksimal angazhimit të presidentit Tadiç. Në raportin e vlerësimit të këtij viti, Serbia është optimiste të marrë statusin e vendit kandidat. Serbia mund të ecë më shpejt, deri në prag të anëtarësimit në BE, por ajo mund ta rihumbasë gjithë këtë avantazh për aq kohë sa do të hezitojë ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Në këtë kontekst, arritjet e ndërmjetme drejt BE-së mund të jenë një mbështetje e mirë për forcat demokratike, por Serbia, si vend, nuk mund të përfitojë dot një anëtarësim të plotë pa zgjidhur plotësisht dhe përfundimisht raportin me Kosovën si dy shtete të pavarura.

Maqedonia ka vite që ka ngecur në procesin e integrimit në BE. Një prej arsyeve është kriza e emrit me Greqinë, por edhe problemet e korrupsionit dhe keqqeverisjes. Maqedonia sapo organizoi zgjedhjet e parakohshme, për standardet e të cilave mori vlerësime pozitive.

Zgjedhjet e reja mund të krijojnë ekuilibra të rinj politikë, të cilat mund ta ndihmojnë Maqedoninë të dalë nga kriza e ngecjes në vend në procesin integrues. Për herë të parë partitë politike shqiptare eliminuan agresivitetin midis tyre.

Bosnjë-Hercegovina ka sfida jo të lehta përpara, vendi që ka nevojë për më shumë asistencë dhe ndihmë për të mos rënë në një krizë të re. Fokusimi real i Serbisë dhe Kroacisë në integrimin europian të vendeve të tyre redukton riskun për nxitje nacionaliste që rrezikojnë të ardhmen e Bosnjë-Hercegovinës.
Po shqiptarët? Kur shikon se çdo vend tjetër po bën përpjekje jo të lehta për të ardhmen e vet europiane, nga ana tjetër, kur shikon realitetet politike në Kosovë e Shqipëri, vështirë të mos ndiesh zhgënjimin për zhvillimet jopozitive në këto dy vende.

Kosova kaloi një krizë jo të lehtë kushtetuese. Ekonomia e saj është shumë e brishtë. Mosbashkëpunimi me FMN-në i rrit vështirësitë, jo ato vetëm ekonomike. Me një papunësi rreth 40%, populizmi dhe agresiviteti politik nuk kanë nevojë për aleat tjetër.

Në Maqedoni, ku shqiptarët që kërkojnë një respektim me të mirë të lirive të tyre politike dhe ekonomike, ulin pjesëmarrjen në votime. Kjo solli jo vetëm humbjen e katër mandateve të deputetëve në Parlament, por nuk u përdor në maksimum mundësia më e mirë demokratike, vota, për të rritur prezencën dhe influencën pozitive në funksionimin e institucioneve të Maqedonisë.

Shqipëria ka rreth dy vjet nën një krizë politike; zgjedhjet vendore, që akoma nuk kanë përfunduar, nuk ndihmuan në daljen nga kjo krizë. Zhgënjimi bëhet akoma më i madh po të mbajmë parasysh se vendi ynë, Shqipëria, ka qenë faktori më promovues dhe mbështetës për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
Të gjitha sondazhet ndërkombëtare i evidentojnë shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Malin e Zi si mbështetësit më të fortë të anëtarësimit të vendeve tona në NATO dhe BE. Sfidat e Shqipërisë, krahasuar me vendet e tjera, ndoshta ishin më të lehta. Të papërfshirë në konfliktet dhe luftërat e Ballkanit të viteve 2000, pa konflikte etnike dhe fetare në historinë tonë, ne duhet të kishim ecur më mirë dhe më shpejtë drejt integrimit.

Kriza e viteve të fundit po na dëmton gjithnjë e më rëndë. Jo thjesht po mbetemi në vend në proceset integruese drejt Bashkimit Europian, por në disa media ndërkombëtare po identifikohemi si një vend me probleme/risqe në rritje.

Deklaratat e fundit të liderëve të BE-së, analizat në shtypin e huaj, shembujt pozitivë të vendeve të tjera të Ballkanit, ku liderë të caktuar kanë vënë të ardhmen europiane të vendeve të tyre mbi të ardhmen politike personale, janë të mjaftueshme për të kuptuar se sa shumë rrezikojmë të mbetemi sërish, historikisht të fundit.

Integrimi nuk është një garë datash apo një garë emrash, integrimi ynë real është një sfidë që ne duhet ta fitojmë, si obligim për të fituar kohën e humbur gjatë shekujve të shkuar dhe për të ndryshuar pozitivisht të ardhmen e kombit tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama