Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Mospërgjigjja për idenë e ndarjes së Kosovës

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Nazarko
Mospërgjigjja për idenë e ndarjes së Kosovës

Në tregun politik rajonal të Ballkanit, Serbia vazhdon të mbetet një aktor aktiv. Megjithatë, vetëvlerësimin e lartë të këtij shteti, që sipas raportimeve të “WikiLeaks”-it, e konsideronte veten si një shtet i rëndësishëm në marrëdhëniet Lindje-Perëndim, për shumë arsye, në shkallë rajonale, Serbia mbetet një aktor që duhet konsideruar, veçanërisht nga ne shqiptarët kudo që jemi. Me këtë qasje, Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të rrinë indiferentë, si po bëjnë sot, përpara “një oferte” provokative që vjen nga Serbia, idesë së ndarjes së Kosovës. Kjo ide, jo vetëm që është provokative, por ngjan dhe e qepur trashë. E artikuluar më së pari (vitin e fundit) nga ministri i Brendshëm Daçiç, kjo ide u rimor në nivelin më të lartë prej presidentit serb, Tadiç. Ky politikan serb e paraqet trashë, gati-gati si nevojë për t’iu përgjigjur projektit politik të Shqipërisë së Madhe që ekziston, thotë Tadiç.

Pra, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të drejtë për çështjen e Kosovës, sepse deri më tash vetëm një palë ka fituar, shqiptarët, Tadiç propozon idenë e ndarjes së Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë. Serbët nuk duan të jenë në një shtet me shqiptarët dhe shqiptarët nuk duan të jenë në një shtet me serbët, ndaj rruga më e drejtë, thotë Tadiç, është ndarja e Kosovës midis Serbisë dhe Shqipërisë. Tadiçi, në një provokacion që deri më tash ngjan pa përgjigje adekuate shqiptare, i referohet idesë së Shqipërisë së Madhe, realisht krijim historik i kuzhinës serbe, ndërsa e lëshon idenë e ndarjes së Kosovës. Duke rishpallur këtë ide, Tadiçi ngjan sikur është koherent me idetë dhe qëndrimet e shtetit të tij, të cilat e mohojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe nuk pranojnë të flitet për kosovarë, por për shqiptarë të Kosovës.

Kjo tezë e Tadiçit, pa hyrë thellë në histori, ngjan me një provokim, pasi, së pari, ajo nuk pranohet nga faktorët më të rëndësishëm vendimmarrës në rajon dhe në shkallë globale. Vendosja e saj në diskutim do të thoshte hapjen e kutisë së Pandorës në Ballkan, pra reagime zinxhirore në një rajon, copëtimin e tij sipas hartave të shekullit të 19-të. E gjitha kjo, kur për paqësimin e Ballkanit, Perëndimi ka harxhuar shumë dhe është lodhur së harxhuari. Pra, nuk ka fare ndërmend të hapë një diskutim si ky i Presidentit serb. Është kjo arsyeja kryesore pse një ide e tillë ngjan provokative, testuese dhe me siguri Tadiçi e njeh reagimin perëndimor. Kjo tezë, megjithatë, hidhet qoftë për konsum të brendshëm, ndërsa Serbia po bën disa lëshime të vogla me bisedimet serbo-kosovare, por dhe për të nxitur debate në hapësirën shqiptare.

 Këto debate mund ta vendosnin faktorin shqiptar në përgjithësi në një dritë negative para Perëndimit. Në ç’kuptim? Duke lëshuar për diskutim një tezë të tillë në tregun politik rajonal, zoti Tadiç kërkon të krijojë përplasje brenda aktorëve politikë shqiptarë maksimalistë dhe minimalistë në lidhje me këtë tezë. Nga kjo përplasje me efekte jo vetëm brendashqiptare, shqiptarët do të humbin shumë para Perëndimit, i cili vërtet e mbështeti luftën për shkëputje nga Serbia të popullit të Kosovës, por kjo nuk do të thotë se do të mbështesë symbyllur çdo lloj projekti shqiptar të së ardhmes për bashkim kombëtar. Në një farë mënyre, qëndrimet e Perëndimit, të paktën për të ardhmen e afërt, janë qartësuar me “jo”-të e planit “Ahtisari”, jo ndarje, jo bashkim me një shtet tjetër.

Pse duhet reagim shqiptar?

Por, megjithëse “oferta serbe” e ndarjes së Kosovës, e bërë në nivel kaq të lartë, është provokative, kjo nuk do të thotë se ajo nuk duhet të marrë një reagim institucional të përshtatshëm prej Shqipërisë politike. Kur kjo ide u lëshua në vitin 1999 prej ndonjë shteti të NATO-s si Italia, e cila rrezikonte stabilitetin qeveritar nëse vazhdoheshin bombardimet, Shqipëria reagoi me vendosmëri. Qoftë presidenti Meidani, qoftë kryeministri Majko, i kanë thënë kryeministrit italian D’Alema, se Shqipëria do të hynte në luftë për ta ndalur një projekt të tillë. Kanë rrjedhur shumë ujë prej asaj kohe, Kosova është pavarësuar dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar, e kanë njohur 76 shtete. Domethënë, integriteti i saj territorial është njohur prej 76 shtetesh. Në këtë kuptim, Shqipëria s’mund të reagojë si në 1999-n. Por kjo s’do të thotë se Shqipëria, në nivelin më të lartë, President apo Kryeministër, nuk duhet të reagojë me qetësi ndaj këtij propozimi provokativ. Shqipëria duhet të thotë me forcë se Kosova është shtet sovran, se ajo vendos vetë për fatin e saj dhe se bashkëbiseduesja e Serbisë për Kosovën është vetëm Kosova. Shqipëria duhet të heqë dorë nga qëndrimet paternaliste të Kryeministrit, i cili në një takim rajonal vjet ka thënë se “është Kryeministri i 6 milionë shqiptarëve”, por duhet t’i përgjigjet në mënyrë korrekte Serbisë. Vetëm reagimi i ministrit të Jashtëm, Haxhinasto, në të gjitha kuptimet, është pak përpara provokimit serb.

Pse nuk reagon Shqipëria? Për t’u dukur shtet paqësor në planin rajonal? Për të mos ftohur marrëdhëniet me Serbinë, e cila po shndërrohet në faktor kyç në ekonominë tonë kombëtare, dhe jo vetëm në energjetikë? Për të mos krijuar situatë agresive në kuadër të ndonjë vizite të mundshme të presidentit Tadiç në Tiranë, e cila u paralajmërua, por ende nuk po realizohet? Arsye të mira, por jo të mjaftueshme, për të justifikuar heshtjen e Shqipërisë.

Dhe, më në fund, ndaj një propozimi të tillë nuk duhet të reagojë vetëm Shqipëria politike, por i gjithë faktori shqiptar. Kjo koniunkturë aktuale në rajon, kur faktori shqiptar është në përforcim e sipër, vihet në diskutim nëse ne nuk kundërvihemi sot me vendosmëri ndaj një provokimi të tillë.  Shqiptarët, sot dhe nesër, do të kenë dy shtete në rajon, të cilat do të forcohen edhe më shumë. Populli shqiptar në Maqedoni është duke e forcuar pozitën e vet dhe s’ka asnjë arsye pse ne të hapim si temë pikërisht sot ndarjen e Ballkanit midis shqiptarëve dhe serbëve. Ne duhet të ndjekim trendin europianizues, integrues në Bashkimin Europian, prej të cilit shqiptarët, si komb, veçse përfitojnë. Kështu, sot dhe gjithnjë, ia rihedhim pataten e nxehtë atij që do të na e lëshojë në dorë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama