Një njeri që ulet përpara televizionit për të parë lajmet e shumta dhe shpesh tejet të bezdisshme politike; një shqiptar që navigon në internet në kërkim të një lajmi nga vendi i tij; një lexues gazete që u hedh një sy titujve të ditës për të marrë vesh diçka më shumë se ç’ndodh, nuk ka se si të mos jetë konfuz me atë që po ndodh ende në Tiranë. Të dyja forcat shpallin…fitoren dhe të dyja forcat falënderojnë votuesit për besimin që u dhanë në këtë sfidë. Natyrisht, rezultati i ngushtë të jep mundësi që ta quash veten fitues edhe kur ke humbur, ai mund të jetë ngushëllues në një farë mënyre edhe kur e di që administrimi i kryeqytetit do t’i takojë konkurrentit tënd; ai mund të lexohet edhe politikisht si një lloj barazie në qytetin më të rëndësishëm të vendit, por ai nuk mund të jetë në asnjë rast një rezultat ambig.
Në Tiranë, dy konkurrentë e kanë humbur garën dhe një i tretë e ka fituar atë. Pa asnjë dyshim, së paku pas përmbylljes së procedurave të tejzgjatura dhe shpesh bezdisëse, Lulzim Basha është fitues i Tiranës, ndërsa Edi Rama dhe Hysni Milloshi e kanë humbur atë. Por, ndërsa përfaqësuesi i komunistëve të rrallë dhe besnikë të një kohe të harruar nuk ka pasur ndonjë pretendim, Edi Rama ende nuk duket se e pranon rezultatin në fjalë. Në disa raste rresht vetë ose përmes zëdhënësve të partisë, ai ka shënuar se fitorja e opozitës ka qenë mbresëlënëse dhe i është referuar momentit të mbylljes së numërimit, kur ende kryesonte me 10 vota ndaj Bashës.
Nuk dua të hyj në analizën e procedurës së numërimit të votës, në atë nëse Rama duhej shpallur fillimisht dhe nëse votat e kontestuara duheshin numëruar para apo mbrapa; nuk dua të gjykoj vendimet e KQZ apo të Kolegjit Zgjedhor. Shumë vetë e kanë bërë këtë me apo pa të drejtë. Çdo proces zgjedhor ka anët e tij të diskutuara dhe të komentuara. Dua të merrem me diçka tjetër. Përse unë besoj se Rama e ka humbur Tiranën dhe cilat qenë sipas meje shkaqet kryesore për këtë.
Rama ka humbur në Tiranë me afro 90 vota dhe këtë e kemi parë të gjithë. Pak rëndësi ka nëse votat e kontestuara numëroheshin para apo mbrapa, pavarësisht se opozita ka këmbëngulur që të quhen të pavlefshme. Ato vota janë shprehje e një vullneti të qartë dhe pas leximit të këtij vullneti në afro 250 mijë votues të Tiranës, Edi Rama është humbës i katërfishtë. I katërfishtë sepse:
Edi Rama ka humbur votën për Kryetar Bashkie i Kryeqytetit
Edi Rama ka humbur Këshillin Bashkiak të Tiranës, duke ia lënë këtë për herë të parë direkt nga zgjedhjet të djathtës që prej vitit 1996.
Edi Rama ka humbur 7 nga 11 minibashki në kryeqytet, gjë që s’kish ndodhur kurrë që nga viti 2000 kur ato u kompozuan.
Edi Rama ka humbur këshillat e Minibashkive, gjë që po ashtu s’kishte ndodhur për thuajse një dekadë.
Dhe e pesta, pa dyshim shumë e rëndësishme, i ka humbur këto duke mos qenë një kandidat i thjeshtë, por lideri i opozitës dhe kandidat për Kryeministër i Shqipërisë.
Nuk ka asnjë dyshim se një njeri që ka humbur në katër plane njëherazi, më shumë sesa të flasë për fitore, duhet të analizojë shkakun se përse e ka humbur këtë betejë. Përse ka hyrë në një betejë me një politikan që e ka quajtur sozi të Berishës dhe befas e ka parë veten të mundur nga sozia. Pyetja është ç‘do t’i kishte ndodhur shefit të opozitës sikur në vend të sozisë (siç pretendon ai), të ishte Berisha vetë?!
Arsyet e humbjes janë shumë komplekse dhe gjithkush mund të rendisë argumentet e tij. Po nuk ka asnjë dyshim se arroganca, mungesa e një programi, mungesa e sinqeritetit dhe besueshmërisë dhe mbi të gjitha teoria e përjashtimit kanë qenë faktorët kryesorë të humbjes së tij.
Arroganca është elementi kryesor që ka ndëshkuar politikanët më të rëndësishëm të këtij vendi në këto 20 vite të pluralizmit politik. Berisha në zgjedhjet lokale të 1992 dhe në referendumin e 1994; Meta në ngjarjet e 2002; Nano në zgjedhjet e vitit 2005 më shumë se sa nga gabimet e tyre janë ndëshkuar nga arroganca që kanë dëshmuar në pushtet. Ky element i patolerueshëm për shoqërinë shqiptare, çuditërisht është shpërfillur këtë herë nga Rama pa asnjë kuptim. Lideri i opozitës i dha vetes të drejtën të fyente kundërshtarin. Ta quante sozi, njeri që s’ekziston, një person që thjesht ha përshesh dhe merr urdhra nga shefi i tij. Rama e bëri këtë kudo, në kontrast me konkurrentin e tij që nisi një fushatë me disavantazh në pikë, por që e ngriti ndjeshëm nga dita në ditë falë thjeshtësisë, komunikimit normal e qytetar dhe një plani konkret. Shpërfillja e profesionistëve të fushave të ndryshme, tallja me televizionet, mungesa e një programi, fyerja ndaj kundërshtarëve erdhën e u bënë problematike duke i humbur çdo ditë liderit të PS mbështetjen në qytet. Në fund, edhe Rama vetë do ta ketë kuptuar që strategjia e një fushate civile dhe pa tension figuron më efikase sesa ajo e përbaltjes. Tirana dhe Durrësi janë shembujt më të mirë për këtë.
Mungesa e besueshmërisë dhe sinqeritetit qenë problemi i dytë i madh i tij. Rama nuk u tha qytetarëve se ai e donte Bashkinë thjesht për qeverinë, që nuk kishte më as kohë dhe as nerva për t’u marrë me Tiranën. Ai premtoi një fushatë mirëfilli politike, por në këtë fushatë nuk dha asnjë argument. Përkundrazi. U kompleksua në maksimum nga Basha dhe filloi ta imitonte atë si një diletant. Arriti deri aty sa veshi xhup të zi si Basha apo tentoi të imitojë të qeshurën simbolike të Bashës në postera me një ngërdheshje të sforcuar. Si çdo kopje e bërë me nxitim, edhe fushata e kopjuar e Ramës prodhoi premtime të pakuptueshme dhe asnjëherë të zbatueshme. Foli për qindra-mijëra vende pune, për qindra-mijëra metra katrorë gjelbërim, foli për tram e për tren, por e bëri këtë në mënyrën më të pabesueshme të mundshme. Kjo hallakatje e tij, por dukshëm e pasigurt, i bëri qytetarët të jenë dyshues dhe, nga ana tjetër, Bashën të duket një politikan i pjekur dhe shumë i qartë. Më shumë sesa fitore e Bashës, kjo ishte një humbje e Ramës.
Besueshmëria ishte po ashtu një dimension tjetër i munguar. Rama nuk e vendosi dot marrëdhënien e tij me qytetarët. Ai nuk u bë njeri i së nesërmes dhe besimit. Në vitin 2000 kam qëlluar ta ndjek nga afër fushatën e Ramës dhe kam qenë një mbështetës pa rezerva i tij. Ai u dha besim qytetarëve, ai i bëri ata të besojnë në një Tiranë më të mirë, të jenë entuziastë për Kryetarin e tyre të ardhshëm. I sinqertë apo fals, ai e arriti këtë. Ai ishte stari i ekraneve, ai ishte njeriu i planeve të detajuara, i frymës së re që sillte nga Perëndimi. 11 vjet më pas, ai shfaqej me një fytyrë të ngrysur, refuzonte të përballej në panele të pakontrolluara dhe donte t’i bindte qytetarët se jetojnë në Libi apo Tunizi, se e ardhmja do të ishte ndryshe, por fjala e tij nuk kishte inspirim. Ai e humbi këtë betejë dhe kjo betejë do ketë pasoja afatgjata për të.
Së fundmi dhe më e rëndësishmja është teoria e tij e përjashtimit. Një teori në kundërshtim me frymën dhe filozofinë që e solli atë në krye të PS. Në tetor 2005, kur Rama zuri vendin që Nano i kishte lënë vakant në krye të opozitës, ai pati vetëm një teori. Atë të bashkimit të së majtës. Rama e dinte që Nano doli në opozitë falë Metës dhe premtoi ta ndreqte këtë gabim. Ai e bëri këtë më 2007-n, por refuzoi ta bënte në 2009-n, kur çelësin e zgjedhjeve e kishte ai në dorë. Një koalicion me LSI do ta nxirrte atë fitues. Rama vendosi të luajë të gjitha për gjithçka. Në vend të përfshirjes, ai zgjodhi përjashtimin. Largoi Metën, flaku Nanon, nuk u dha asnjë rol aleatëve dhe përfundimi qe ai.
Në 2011-n, ai hyri në një betejë edhe më radikale. Kundër Berishës, Metës, Nanos, Idrizit, Bashës, Blushit, Malajt, Islamit, Harasanit e, madje edhe kundër Hysni Milloshit, që ia ktheu duke e nxjerrë nga zyra në Bashki.
Rama zgjodhi të përjashtonte dhe të ndante. Të ndante politikanë, parti, media, duke besuar tek një fitore deux ex machina, që natyrisht deri më sot, s’ka ndodhur në Shqipëri. E derisa s’ka ndodhur deri më sot, s’kishte pse të ndodhte këtë herë. Midis të mundurës dhe të pamundurës, Rama zgjodhi këtë të dytën dhe fitoi atë që desh, një humbje të shumëfishtë. Rama nuk duhet të përkëdhelet nga filozofia që i ofrohet nga disa, se një humbje kundër të gjithëve bashkë është më dinjitoze sesa një fitore me të gjithë bashkë. Natyrisht, as ai s’duhet ta ketë harruar që fitorja e Berishës në 2005-n erdhi pas 4 vitesh modelimi, në një kohë kur lideri i atëhershëm i PD thirri në ndihmë gjithë ata individë e parti që i kish përjashtuar dhe luftuar për 14 vjet me radhë.
Së fundi, Rama duhet ta kuptojë se rezultati i këtyre zgjedhjeve është kambana më e keqe për partinë e tij. Rezultati tregoi që votat nuk transferohen thjesht; se ato nuk merren pa një program dhe pa sinqeritet, por mbi të gjitha pa një koalicion të besueshëm dhe pa ndarë pushtet. Ndaj, më shumë sesa të merret me bindjen e të vetëve që i ka fituar zgjedhjet, Rama duhet të bindë partinë e tij se si do ta shmangë një humbje të re, se ç’do t’u ofrojë shqiptarëve për të ngjallur besim në zgjedhjet e vitit 2013 dhe si do ta justifikojë bilancin e tij. Një bilanc që s’po e bëj në këtë shkrim, por që pas 6 vitesh në krye të PS është katastrofë. Ndaj, kam bindjen se Rama duhet të shohë se si të ndryshojë filozofinë e tij politike, që të mos mundet për të katërtën herë.