Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kolegji dhe kyçi i zgjedhjeve

Shkruar nga: Mentor Nazarko  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Nazarko
Kolegji dhe kyçi i zgjedhjeve

Vendimi i djeshëm i KQZ-së nuk ishte surprizë, madje as për ankuesin. Ky vendim i arritur me shumicën e anëtarëve që vjen prej Partisë Demokratike nuk u mor fare me thelbin e problemit, që në dukje mund të quhet si mospërputhja e numrave, d.m.th. numrit të votuesve me numrin e fletëve të votimit. Ai thjesht u mor me elemente të procedurës së ankimit, si p.sh.: ankohuni në Kolegj për pavlefshmërinë e tabelës së shpallur prej nesh; jeni vonë në ankesën për mospërputhjen e numrit të votuesve me numrin e fletëve.

Nga ky vendim mund të nxirren disa përfundime. Me vlerë të atypëratyshme, domethënë për këto zgjedhje dhe disa të tjera me vlerë më të përgjithshme, që kapërcejnë këto zgjedhje duke u ndërlidhur me institucionet e administrimit zgjedhor, sot dhe në të ardhmen.

Si përfundime me vlerë aktuale, do të mund të themi më së pari se ky emërues i përbashkët i qëndrimeve të Partisë Demokratike, të shprehura prej zotit Kosovrasti, zotit Ristani, zëdhënëseve të mesazheve të qeta që ankohen vetëm për përbaltjen e zgjedhjeve, praktikisht do të thotë se problemi ekziston. Askush prej përfaqësuesve qeveritarë nuk ka mundur dot të mohojë problemin që siç do të argumentojmë më poshtë, është treguesi më i qartë i manipulimit të të gjitha zgjedhjeve në historinë e pluralizmit shqiptar. Nëse në momentin e parë, kur PD-ja nxori kartën rezervë të votave të gabuara, u tha se numrat do të përputheshin nëse do të bëheshin spostimet e fletëve në kutitë përkatëse, kjo gjë nuk u tha më kurrë pas atij momenti. Në një farë mënyre ky përfundim duhej pritur.

 Pasi u mbyll rinumërimi i 1700 kutive të tjera, gjoja përpjekja e KQZ-së për t’i dhënë njëfarë zgjidhjeje të pranueshme problemit të madh, votave tepër, zgjati vetëm një ditë. Minarja nuk mund të futej në thes, ndaj të vetmet argumente që mund të përdoreshin do të ishin ato të lidhura me afatet: kur u ankove, pse nuk u ankove më parë? Që përkthehen: ankohu ku të duash, ne nuk ndryshojmë asgjë.

Së dyti, realisht ky argument (nëse nuk do të arsyetojmë në pikëpamje afatesh, për të cilat po hahen dy palët sot), megjithatë, ka vlerë logjike. Argumenti i mospërputhjes së numrit të votuesve me numrin e fletëve do të duhej të ngrihej që në fillim. Partia Socialiste, me besimin naiv se do të arrinte të gjente të drejtën e vet në këto institucione që vetë i ka konceptuar kështu, nuk e bëri këtë lloj ankimimi me frikën se ngritja e tij do të çonte në pavlefshmëri të zgjedhjeve. Edhe naiviteti, i cili qëndron në themel të besimit të tepruar, ka kosto. Dhe kjo kosto rrezikon të paguhet rëndë nëse Kolegji do t’i përmbahej argumentit të afateve, llogaritur njëlloj si i llogarit Ristani, dhe jo kërkesës së PS-së.

Së treti, duhet të themi si pasojë e përfundimeve të mësipërme se, nëse Kolegji do të pranojë ankimimin e PS-së për këtë çështje, atëherë, Kolegji nuk mund të bëjë hetim të situatës, por automatikisht do të duhet të shpallë pavlefshmërinë e zgjedhjeve dhe përsëritjen e tyre në Tiranë.

Disa përfundime të tjera me vlerë më të përgjithshme

Së katërti, PS-ja është duke provuar shumë shtrenjtë në këto zgjedhje se çfarëdo sistemi administrimi zgjedhor që të konceptosh me mirëkuptimin e palës tjetër, mundësitë që të dështosh do të ishin shumë të mëdha. Këto sisteme, të mbështetura në bipartitizëm, ku hajduti duhet të ruajë hajdutin, i zvogëlojnë mundësitë e zgjidhjeve të konflikteve zgjedhore. Një skenë politike e mbushur me më shumë se dy aktorë krijon më shumë kombinime dhe nuk e lë fatin e rezultatit në mëshirën e armikut tënd më të madh, ashtu siç ndodhi dje në KQZ. Për më shumë institucione të tilla si Kolegji, mund të funksionojnë në mënyrë të pavarur në rrethana të tjera historike dhe jo në këto që po jetojmë. Kur shteti brenda një viti do të bjerë në mënyrë progresive në dorën e Kryeministrit të vendit, pas plotësimit të vendeve vakante në gjykatat më të epërme të vendit, apo me zgjidhjen e Presidentit dhe kryeprokurores, nuk mund të presësh vepra të mëdha pavarësie prej Kolegjit.

Kolegji, në fund të fundit, është i përbërë prej gjyqtarësh apeli, paaftësia apo shkalla e korruptimit politik të të cilëve është shumë më e lartë se për shembull e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Anëtarët e kësaj gjykate në Kosovë, që merren dhe me zgjedhjet, kanë dhënë shumë vendime rivotimi duke treguar shkallë të lartë profesionalizmi dhe pavarësie politike. E vetmja zgjidhje do të ishte rishikimi tërësor i sistemit politik, për pasojë dhe e sistemit aktual të administrimit zgjedhor, mbështetur tek dy partitë. Ky proces do të duhej të niste pikërisht me kthimin në gjendjen fillestare të asaj Kushtetute që dy palët e miratuan së bashku, duke e shkëmbyer banalisht me Kodin që sot po krijon kaq shumë probleme.

Së pesti, çështja e mospërputhjes së votave duket se realisht është thembra e Akilit e manipulimit të zgjedhjeve në vend. Argumenti i votave tepër që fusin në lojë komisionerët e njërës palë kur pala tjetër fle gjumë, është argumenti më i prekshëm për të gjithë, për opinionin publik vendor, ndërkombëtar, për shkallën e manipulimeve. Dhe ky nuk është një problem i ri. Kjo bëhet më e qartë dhe nga argumentimet jozyrtare të njerëzve të PD-së, të cilët thonë se kjo mospërputhje ka ekzistuar dhe në zgjedhjet e tjera, por askush nuk e ka ngritur. Kjo s’do të thotë se nuk duhet të ngrihet sot.

Mund të pranojmë se realisht Rama ka arritur një rezultat të dobët në këto zgjedhje dhe se Basha është njëlloj fituesi i këtyre zgjedhjeve, nëse mbyllim sytë para problemeve të tjera që janë verifikuar para se vota të hidhet në kuti. Por, që sot, Kolegji duhet t’i thotë stop kësaj dukurie nëse do të funksionojë në mënyrë të pavarur: kjo është nevojë urgjente për të ardhmen e demokracisë në vend. Kolegji ka në dorë kyçin e manipulimit të zgjedhjeve në Shqipëri, kryer nga partitë në pushtet, qoftë PS-ja, qoftë PD-ja. Kolegji ka në dorë fatin e demokracisë në vend, i cili lidhet pikërisht me manipulimin e zgjedhjeve.

Dhe, më në fund, është pikërisht kjo që PS-ja duhet t’ua bëjë të qartë sot dhe gjithë kohën opinionit publik dhe aktorëve ndërkombëtarë, të cilët realisht janë pjesë e sistemit tonë politik derisa Kolegji të vendosë. Nëse PS-ja do ta kishte bërë këtë dhe për zgjedhjet e 2009-s, atëherë beteja donkishoteske e hapjes së kutive mund të kishte marrë përfundim tjetër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama