Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ah sikur armiqte...

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Ah sikur armiqte...

Ca ditë më parë, në Murin e Ekspozitave (kështu do quajtur muri i Kuvendit ku Kryetarka hap kohë pas kohe ekspozita), u vunë ca tabela me pamje nga viset e Çamërisë. Shoqata Çamëria që e kish organizuar Ekspozitën, kish përzgjedhur pamje vërtet mbresëlënëse të viseve të përtej kufijve, pamje të fshatrave të zhytur në gjelbërim, qytete të ndriçuara nga dielli i Mesdheut apo të rrahura nga valët e buta të detit, Preveza, Parga e Gumenica, Arta e Filati. Njerëzia kalonin ngadalë krah tyre, i shihnin dhe në fund i thonin njëri-tjetrit plot duf: “shiko more, na kanë marrë qytetet më të bukura dhe vëndet më të pasura”.

Me të njëjtën llogjikë mund të shtojmë këtu edhe plot vënde të tjera që lulëzojnë jashtë kufijve tanë. Po kaq i bukur është edhe Tivari apo Ulqini. Qytete të ruajtura e të mbushura me turistë, me bregdet të pastër e me ndërtime të disiplinuara, mes pemëve dhe parqeve me lule. Edhe këto qytete na i kanë marrë hasmit malazezë. Po kështu na morën serbët Prizrenin apo Nishin. Po kështu ju mbeti qyl maqedonasve (qyl, se e trashëguan nga Jugosllavia, që e trashëgoi nga Serbia, që na i kish marrë në vakt të Luftës Ballkanike), Ohri i mrekullueshëm buzë liqenit, Manastiri plot histori e trashëgimi, apo edhe Shkupi i hijshëm e i disiplinuar buzë Vardarit. Të gjitha këto qytete, vënde e troje, nuk janë më pjesë e trungut, që për fat të mirë, mbeti brenda kufijve të shtetit shqiptar. Këto mund t’u shtoja unë atyre qytetarëve që, teksa shihnin fotot e bukura të Artës e Prevezës, e zinin inatin me grekërit që “na kanë marrë vëndet më të mira”.

Veç një gjë harrojnë shqiptarët e mirë që inatosen me grekët dhe serbët e këqinj. Edhe Ksamili apo Saranda, Gjirokastra e Libohova, Vlora e Tepelena, Pogradeci e Lezha, Shkodra apo Kukësi, do ishin po aq të bukura, sikur ... të na i kishte marrë hasmi. Pa mendoni sikur Saranda të kishte qenë në Greqi, a do ishte mbytur në beton? Po Ksamili a do ishte sot thjesht një pyll kollonash betoni? Ishujt e Ksamilit, një prej bukurive më të veçanta të Jugës, sot nuk shihen më nga toka për dy arsye. Një mur godinash të tmerrshme betoni që ua ka zënë pamjen fare, ndërsa vetë ishujt kanë filluar të gërmohen me ekskavator për të ndërtuar në to. Po sikur larg qoftë këta ishuj t’i kishin mbetur Greqisë, a do të ishin masakruar kështu?

Po vijën e bregdetit nga Orikumi në Vlorë, a do e kishin mbushur grekët me inerte dhe me pista e mole betoni? Nuk themi dot “po”, se nuk kemi parë të kenë bërë kështu me bregdetin e tyre, që zë fill nga rrëza e Kepit të Stillos ku ndahet me tonin. Po sikur Zoti na ruajt, Gjirokastra të ishte brenda kufirit grek, a do ishte ruajtur e a nuk do shkëlqente siç shkëlqen e ruhet simotra e saj Janina, që i mbeti Greqisë. Shkoni në Gjirokastër, qyteti i dikurshëm i sojllinjve shqiptarë dhe do të shihni se atje e vetmja godinë e vjetër që shkëlqen e restauruar në perfeksion, është pronë greke. Po nipërit e sojllinjve tanë, ç’bëjnë. Hiç, rrijnë dhe, për të vrarë kohën, thyejnë me qysqi mermerin e varrit të Çerçizit dhe të Koto Hoxhit.

Po sikur Shkodrën ta kishin mbajtur malazezët më 1913-n kur e pushtuan dhe donin ta bënin kryeqytet të shtetit të tyre! A nuk do e kishin sistemuar, mbrojtur nga përmbytjet, ruajtur nga shkatërrimet e trashëgimisë? A nuk do të kishin shpëtuar të gjitha kishat, xhamitë, kuvendet e bibliotekat që, përtej kufirit u ruajtën e këtej kufirit u shkatërruan me kazmë.

Po sikur, larg qoftë, Zogu të mos ia kishte shitur Shën Naumin Jugosllavisë dhe ai manastir i shenjtë të kish mbetur këtej kufirit? A ka ndonjë që dyshon në atë ç’ka do t’i kish ndodhur atij më ‘67-n, kur ne do t’ia kishim nxjerrë themelet me kazma e qysqi dhe do t’u kishim prerë mjekrat murgjve, përpara se t’i plasnim burgjeve.

Po sikur ishulli i Sazanit, që deri në vitin 1944 ishte i Italisë, t’i kishte mbetur asaj. Sot ishulli gjëmon nga dinamiti me të cilin vritet peshku pa dallim. Godinat janë rrënuar, ndërsa një pjesë e pyjeve dhe makies që e mbulonte, është djegur me napalm. Po ta kishte Italia, ishulli me siguri do ishte shndërruar në një rezervat natyror me faunë e florë të mbrojtur, ashtu siç dijnë t’i mbrojnë rezervatet e tyre italianët.

Imagjinoni sikur Vlora e Flamurit të kish mbetur në dorë të pushtonjësit, të italianëve apo të grekërve. A do ishte masakruar në atë farë feje ai bregdet, siç është masakruar sot nga ne çlironjësit? A do lejonte pushtonjësi që të mbushej bregu i detit me beton, apo edhe më keq akoma, a do e kishin lejuar që të ndërtoheshin pallate edhe në det, siç po ndodh bash këto ditë, bash nën sytë e të gjithë neve, që zdërhallemi në diell mes plehrave trimërore kombëtare?

Thonë se Vlora i ngjante dikur Selanikut. Jo më kot Evlia Çelebia gati 400 vjet më parë, e krahason Kullën e madhe të kalasë së Selanikut me Kullën e madhe të Kalasë së Vlorës. Kulla e Selanikut është akoma në Selanik, ndërsa nga Kulla e Vlorës nuk ka mbetur as edhe një gur themeli. I gjithë bregu i Selanikut përshkohet nga një shëtitore e sistemuar me të gjitha bukuritë, ndërsa bregu i Vlorës përshkohet vetëm nga kanalet e hapura me ujra të zeza arbërore.

Miq, Arta e Janina, Ulqini e Ohri, duken e janë të bukur, jo se armiqtë na morën qytetet më të bukura, por thjesht sepse ato i mori dhe i shpëtoi armiku. Sikur të kishin mbetur këtej kufirit, sot do të dergjeshin mes pisllëkut e plehrave patriotike, e do t’i ngjanin edhe ato Laçit e Bulqizës, Ksamilit apo Koplikut.

Në shumë raste, nuk është nevoja të shpërngulet krejt popullsia si në rastin e Çamërisë, jo, popullsia mund të qëndrojë aty, mjaft që ata që e qeverisin të mos jenë shqiptarë. Ulqini vazhdon të jetë i banuar nga shqiptarë dhe vazhdon të jetë i bukur. Madje shqiptarët e Malit të Zi, kanë edhe një tjetër fat të madh, janë të ndarë në nja 7 parti. Mendoni sikur ata të bëheshin bashkë e të fitonin zgjedhjet, se ç’mund t’i bënin atij vëndi!

Po qytetet e Kosovës, të disiplinuara e të lulëzuara në kohë të Titos, e pastaj të pa ngacmuara për shkak të Luftës, e pastaj të pa dëmtuara për shkak të KFOR-it! Qëkurse KFOR-i po tërhiqet, atë e ndjek pas dallga e shkatërrimit. Qytete që sapo bien në dorë të qeverisjes kombëtare vendore UÇK-ore, fillojnë të mbushen me ndërtime pa leje, pyje që priten, gurore që hapen gjthandej, plehra që mbulojnë rrugët, e karburante që mbijnë si kërpudhat.

Mund të vazhdoj të numëroj edhe plot troje të tjera patriotike kombëtare që fati, politika apo rasti, i lanë përtej kufijve të shtetit trimëror arbëror dhe kështu, duke mbetur në dorë të armiqve tanë të betuar shekullorë, po lulëzojnë e zhvillohen me rregull e dashuri njerëzore. Është shumë kollaj të ktheni fletën e gazetës, duke më damkosur për kollajllëk “antishqiptar”, pa më dhënë dot as edhe një shembull për mirë. Asnjëherë nuk patëm kurajën civile të shihemi në pasqyrën e historisë e të shohim se ç’i kemi bërë këtij vëndi të bekuar nga Krijonjësi ne paloshqiptarët, që nuk u bëmë dot asnjëherë shqiptarë të mirë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama