Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Keqkuptimi i një lordi

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 14 vite më parë

Fatos Lubonja
Keqkuptimi i një lordi

Besoj se shumë nga të shqetësuarit për krizën politike që po përjetojmë, kur kanë lexuar lajmin, kanë thënë: “Kësaj here paskan gjetur njeriun!” – me mendimin se ndoshta më shumë se kushdo do të ndikonte te Berisha dhe Rama një lord, një lord i  vërtetë anglez. Sepse shqiptarët kanë shumë dobësi për familjet e mëdha. A i keni parë tërë ato shtëpi e lokale në formë kështjellash që kanë ngritur anës rrugëve, por edhe majë kodrave që të bien sa më shumë në sy?

 Jam i bindur se një nga arsyet e kësaj arkitekture, që i bën për të qeshur perëndimorët që vizitojnë Shqipërinë, besoj se edhe lordët, është sepse duan të imitojnë familjet e mëdha. Dhe një lord, më tepër se kushdo, të kujton një familje të madhe, me emër e me histori. Pastaj, kjo e të dërguarit të njerëzve me gjak aristokratik, madje mbretëror, në vende si këto tonët, është një traditë në këtë zonën tonë ballkanike. Thuajse tërë shtetet e Ballkanit e kanë filluar historinë e tyre moderne me gjak mbretëror të eksportuar nga mbretëritë perëndimore. A nuk e patëm edhe ne Princ Vidin? Janë të shumtë ata që shprehin edhe sot pikëllimin që ai nuk mundi të qeverisë më shumë se disa muaj. Historia jonë do të kishte qenë krejt tjetër. Edhe unë kështu mendoj: më mirë Princ Vidi, sesa mbreti Zog: më mirë mendja e paqtuar nga përvoja e gjatë britanike e një lordi anglez, sesa mendjet e çartallosura nga etja për pushtet dhe protagonizëm të Sali Berishës apo Edi Ramës.

Për ata që do t’u duket si përçartje kjo që po shkruaj, nxitoj të them se këta rreshta i referohen lajmit të përhapur para disa ditësh në disa të përditshme shqiptare, sipas të cilit, lordi anglez, Michael Bates, anëtar i Dhomës së Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar, pritej të bënte një përpjekje pajtimi të krerëve politikë në Tiranë. Sipas lajmit, lordi është nisur nga Olimpi i lashtë i Greqisë, nga ku kanë filluar lojërat e para olimpike, dhe do të përshkojë më këmbë të gjithë rrugën deri në Londër, në emër të një iniciative për paqen. Gjithë sipas lajmit, ai kishte mbërritur tashmë në Fier, pasi kishte ecur mbi 60 ditë dhe pritej të mbërrinte në Tiranë ditën e diel, ku do të bënte takime me krerët politikë të Tiranës.

Dhe, vini re, në zbatim të iniciativës së tij të pajtimit dhe të paqes, do të kërkonte prej tyre një ecje simbolike në rrugët e Tiranës në shenjë mirëkuptimi dhe pajtimi. Madje, stafi i lordit Bates ua kishte bërë të njohur krerëve politikë këtë iniciativë të tij dhe disa syresh, duket nga ata të maxhorancës, e kanë përkrahur idenë e lordit. Sipas lajmit, pritej vetëm konfirmimi i kreut opozitar, Edi Rama.

Të them të drejtën, unë prita të dielën në mbrëmje të shihja ecjen e paqes në Tiranë, por nuk pashë asgjë. Asnjë gazetë të hënën, asnjë gazetë të martën nuk fliste për ndonjë lord që të kishte kaluar nëpër kryeqytet. Nuk ma ha mendja të bëhej fjalë për të dielën e ardhshme, pasi rruga Fier – Tiranë nuk më duket se bëhet për dhjetë ditë më këmbë. Më shumë gjasa ka që të ketë dështuar ecja e paqes në bulevard me Berishën dhe Ramën krahas lordit. Megjithatë, edhe në qofsha i gabuar në informacionin mbi shpejtësinë e ecjes së lordit, ajo që dua të them në thelb nuk ndryshon.

 Mendimi që më lindi që ditën kur lexova lajmin, dhe që nuk do të ndryshonte sikur të kisha parë shëtitjen e paqes në bulevard apo sikur kjo të ndodhë vërtet të dielën e ardhshme, është se këto format që ndjekin shpesh ndërkombëtarët që synojnë të bindin dy liderët tanë karizmatikë, Berisha dhe Rama, të ulen në tryezë e të merren vesh, të pajtohen, të ulen për dialog – kujtoni po të doni edhe atë darkën te “Krokodili” në Bruksel – prodhojnë pikërisht të kundërtën e asaj që këta synojnë.

 Kjo, sepse këto forma, në thelb, e forcojnë autoritarizmin e tyre duke lënë mesazhin se gjithçka varet nga vullneti i këtyre njëshave të gjithëpushtetshëm  për t’u pajtuar apo për të bërë luftë. Sigurisht, në këtë mënyrë mund të arrihet herë-herë ndonjë kompromis dhe ndonjë zgjidhje pragmatike, që do të qetësonte simptomat e çastit, por në terma afatgjata kjo do ta thellojë sëmundjen, pasi bacili që e shkakton atë është bash autoritarizmi i njëshave. Dhe besoj se koha e ka provuar se ky bacil me këto forma fuqizohet, nuk dobësohet.

Lordi do të bënte shumë më mirë sikur të vinte t’u jepte mbështetje dhe kurajë institucioneve që duhet t’i kontrollojnë këta bajlozë të pushtetit, ai do të duhej të vinte t’u jepte kurajë njerëzve të thjeshtë që vuajnë nga kjo politikë autoritare dhe e korruptuar. Me fjalë të tjera, mund të ishte pak më krijues dhe pak më demokrat në zgjedhjen e tij, e jo të vinte e të përplasej te Berisha dhe Rama, që veç të tjerash, kam përshtypjen se kanë harruar edhe se ç’do të thotë të ecësh më këmbë. Mirëpo kam frikë se edhe lordi vuan nga disa sëmundje të vjetra. Shikoni se ç’po ndodh në botën arabe.

 Perëndimi, për interesat e tij të stabilitetit, por edhe ekonomike, ka mbështetur gjatë liderë autoritarë, ndoshta edhe duke menduar se kaq u mjafton këtyre të pagdhendurve. Mirëpo sot nuk po di ç’të bëjë me këta diktatorë kur më në fund njerëzit janë zgjuar dhe janë ngritur kundër tyre dhe kastave të tyre. Dikush do të thotë se po shkoj shumë larg duke krahasuar Berishën dhe Ramën me diktatorë si Mubaraku, Gedafi apo Al Hasadi, pasi boll ekzistenca e tyre si dy liderë, njëri i maxhorancës dhe tjetri i opozitës, tregon se në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me një regjim policor.

 Pajtohem vetëm deri diku me këtë ide, por duke vënë në dukje se, megjithatë, ka edhe shumë të përbashkëta midis tyre: kasta rreth tyre që kanë ngritur, pandëshkushmëria që gëzojnë, arbitrariteti, kontrolli i institucioneve, mendësia se janë të përjetshëm në karriget e pushtetit, e, mbi të gjitha, fakti se që të dy e konsiderojnë ekzistencën e tjetrit si një pengesë të përkohshme në rrugën e vendosjes së autoritetit të tyre absolut. E këtu mund të them se nëse vendimi përfundimtar i Kolegjit Zgjedhor do të vendoste se kryetar i Bashkisë është kandidati i Berishës, Lulzim Basha, ne ndoshta do të reshtim së foluri për dyshen Berisha – Rama dhe do të fillojmë të mësohemi të flasim vetëm për liderin tonë karizmatik Berisha. Pra edhe ky i yni ka shumë potencialitete të bëhet gjithnjë e më i ngjashëm me regjimet që po tronditen sot në vendet arabe.

Gjithsesi, nëse ajo që quhet “demokraci” është, siç thuhet rëndom, një proces që s’mbaron kurrë dhe se ky proces është një largim nga autoritarizmi, nga oligarkia, nga aristokracia e nga shumë “kraci” të tjera dhe një afrim drejt pushtetit të sa më shumë njerëzve të popullit, mund të thuhet se në stadin aktual ne jemi në një pikë ku ecja përpara e këtij procesi kërkon zëvendësimin e liderëve të tillë si Berisha dhe Rama me liderë të aftë për të lëshuar më shumë pushtet nga duart e tyre dhe, po ashtu, më të hapur ndaj kritikës dhe ndaj nevojës që kanë pushtetet e tyre të kontrollohen nga institucione të tjera dhe jo rritjen e mëtejshme të autoritarizmit të tyre. Ja pse duke lexuar lajmin për lordin që do të shëtiste me dy udhëheqësit tanë në bulevard me mesazhin e paqtimit m’u duk sikur dëgjova një këngë nga ato që atyre si unë që kërkojnë më shumë demokraci, liri, paqe dhe dinjitet të njeriut në këtë vend, të mbrojtura këto nëpërmjet institucioneve, u tingëllojnë si një avaz i vjetër shumë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama