Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një mandat i kripur

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Një mandat i kripur

Telenovela elektorale e Tiranës mbaroi dje ashtu siç shumëkush e priste: me fitoren në tavolinë të Lulzim Bashës. Përpjekjet disajavore të opozitës për ta bërë korpusin vendimmarrës të zgjedhjeve që të reflektojë mbi aspektet joligjore të procedurës së numërimit të votave në kryeqytet, dështuan pas leximit të një ekstrakti të thatë nga Kolegji Zgjedhor. Ky organ e mbylli dje me pretekste kohore, atë që në fakt ishte një garë e dëmtuar rëndë gjatë rrugës së saj, nga dyshime të rënda manipulimi dhe fakte konkrete të zbuluara nga opozita dhe mediat, për anshmërinë e institucioneve që menaxhuan votën e Tiranës.

Se çfarë ishte triumfi i djeshëm i kandidatit Basha në Kolegj, e tregoi një fakt i thjeshtë: Komisioni Europian u rezervua të thotë qoftë edhe një fjalë të vetme për vendimin e djeshëm, në pritje të arsyetimit të vendimit nga ana e Kolegjit Zgjedhor. Për të dytën herë në karrierën e tij, Lulzim Basha shpëton me anë të procedurës. Ashtu si në momentin kur u akuzua nga prokuroria për abuzime të rënda në rrugën Durrës-Kukës, ish-ministri i Punëve Publike, i Jashtëm dhe i Brendshëm, nuk doli i pafajshëm apo fitues, sepse ishte formalisht i tillë: ai fitoi sepse afatet për ta gjykuar ose për ta privuar nga fitorja, thjesht kishin skaduar.

Kryetari i ri Tiranës mund t’i gëzohet tani (nëse vërtet arrin ta bëjë) një fitoreje që nuk e arriti në garë, por që e mori me trukimin e numrave që bëri KQZ-ja, e që e ligjëroi Kolegji Zgjedhor. Ose më saktë, siç ka deklaruar Tomas Kantrimen, “duke ndryshuar rregullat e lojës, pasi ka mbaruar loja”. Teksa i premtonte qytetarëve të Tiranës, nëpër spotet e tij të shumta, se “Unë jam ndryshe”, ai ka pasur rastin, pas 8 Majit, që t’i japë një tjetër provë dëshpëruese skeptikëve të tij, se nuk është aspak më ndryshe se gjenerata politike e vjetruar, ku hyri të bënte pjesë më 2005, me qëllimin zyrtar për të sjellë një frymë të re në politikën shqiptare.

Nëse është dashur edhe një provë për të kuptuar sesa i pavërtetë po rezulton sot në shumicën dërrmuese të rasteve, majtas dhe djathtas, procesi i rinovimit të brezit të konsumuar të politikanëve të viteve ’90, mjafton t’i hidhet një sy karrierave të reja politike, ku ajo e zotit Basha spikat si më e bujshmja. Sa më shumë ndryshon, aq më shumë është e njëjta gjë, thotë proverbi.

Gjysma e qytetarëve të këtij qyteti mendojnë sot se mandati i Tiranës është i vjedhur në tryezë, jo i fituar në garë. Kjo është një kosto e rëndë dhe e shëmtuar mbi qeverisjen e re të zyrës më të lartë të Tiranës, që kreu i i ri i bashkisë s’duhet ta harrojë për asnjë çast. Ky është një mandat me një çmim shumë të kripur politik. Jo vetëm për humbësin, por edhe për përfituesin. Nëse demokracia e mat veten me nivelin e garancive që i ofron minorancës, ky parim i madh i saj sot është hedhur në koshin e plehrave.

Drejtësia shqiptare del edhe një herë nga saga e lodhshme e zgjedhjeve, ashtu siç të gjithë e dimë se është: një gjiriz institucional i kapur nga shteti, ku drejtësia është përherë në anën e më të fortit dhe ku zullumi është totalisht i pamundur të dënohet. Me qindra vota të parakorduara, me një proces administrimi qesharak nga KQZ-ja, me situata të ngjashme të çuara për rivotim pa asnjë hezitim, Kolegji Zgjedhor vendosi të bëjë “prapakthehu” dhe të shkelë mbi të gjitha provat që kishte para vetes dhe mbi perceptimin e gjerë të shqiptarëve, se në kushtet konkrete gara e Tiranës nuk kishte një fitues. Dhjetëra raporte, sondazhe e materiale studimore të prodhuara nga organizmat ndërkombëtarë më prestigjiozë, të cilët e nxjerrin drejtësinë tonë si një segment të korruptuar, klientelist e servil të pushtetit politik, morën dje edhe një konfirmim tjetër të fortë për vërtetësinë e tyre.

Opozita e ka përtypur keq, prej javësh, betejën ligjore të Tiranës. Duket qartë se shpejtoi të bjerë në hipnozën e humbjes së bashkisë së kryeqytetit, çka diti ta bëjë “mjaft mirë”, si edhe në raste të tjera të ngjashme. Ashtu siç ka ndodhur edhe më parë, kjo opozitë duket pak e motivuar që të reagojë, megjithëse është ende herët për të dalluar diçka të qartë në sjelljen e saj politike. E sigurt është se tashmë na pret një sezon po aq problematik, sa ai i pas 28 qershorit. Madje me një konflikt që ushqehet nga sherr dukshëm më i madh e i rrezikshëm sesa kutitë e Beratit në vitin 2009. Konflikti i Bashkisë së Tiranës e importoi sherrin politik nga periferia në qendër të sistemit, duke hedhur premisat e një tensioni të lartë politik edhe për javët e muajt e ardhshëm. Çka bie ndesh me pamjen e qetë dhe frymën e vdekur që shoqëron këtë verë të nxehtë, ku shumëkush thotë se e ka mendjen te plazhi më shumë sesa te Kolegji dhe te zgjedhjet.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama