Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dhunimi i paskrupullt i të dhënave personale

Shkruar nga: Arben Rrozhani  
Botuar më: 14 vite më parë

Arben Rrozhani
Dhunimi i paskrupullt i të dhënave personale

Pa asnjë mundim kam në desktopin e kompjuterit një material: 278 megabajt të një folderi të quajtur “regjistri”. Në fakt është regjistër, sepse përmbledh të dhënat e regjistrit të gjendjes civile. E cilësojnë të vjetër, sepse ka të dhënat e vitit 2008, pra të tre viteve më parë dhe thuhet se është në proces regjistri i vitit 2011, i përmirësuar.

Në atë pak material, që mund të merret dhe shpërndahet ngado vetëm me anë të një USB-je, kam në dorë të dhënat personale të të gjithë shqiptarëve. Mjafton të fus emër dhe mbiemër dhe del trungu familjar i gjithsecilit, mosha, vendlindja dhe datëlindja, lidhjet dhe gjendja familjare, adresa ku banon etj. Për ta bërë sa më konkret, po jap rezultatet e kërkimit të disa prej emrave që janë njerëzit më të rëndësishëm të vendit: Presidenti i vendit, Bamir Topi. Atësia Myrteza, amësia Haxhire, datëlindja 24.04.1957, adresa Tiranë, rruga “Zenel Baboçi”. Martuar me Teuta Topi, atësia Sadik, amësia Myzejen, datëlindja 13.6.1961. Fëmijët Nada Topi, datëlindja 20.12.1986 dhe Etida, datëlindja 10.9.1990, beqare.

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli. Atësia Filip, amësia Rregjinë, datëlindja 26.11.1963, vendlindja Shkodër, adresa “Ndoc Mazi”, Shkodër. Martuar me Ndoc Topalli, atësia Genar, amësia Margerita, datëlindja 13.2.1958. Vajza e tyre Margerita Topalli, datëlindja 11.5.1989 dhe djali Genar, datëlindja 2.5.1995, statusi beqarë.

Kryeministri i vendit Sali Berisha. Atësia Ramë, amësia Shiqere, datëlindja 1.7.1944, vendlindja Tropojë, adresa Tiranë, rruga “Mustafa Matohiti”, ndërtesa 36, hyrja 1. Martuar me Liri Berisha, atësia Rexhep, amësia Milika, datëlindja 5.7.1948. E bija e tyre Argita Malltezi, datëlindja 29.3.1972, adresa Tiranë “M. Brocaj”, e martuar me Jamarbër Malltezi, atësia Luan, amësia Merxhane, datëlindja 9.11.1972, bijat e tyre Dasara Malltezi datëlindja 12.12. 1996 dhe Dalila datëlindja 27.12.2000. I biri i kryeministrit, Shkëlzen Berisha, datëlindja 27.2.1979, që deri në hartimin e regjistrit të gjendjes civile figuron i pamartuar dhe pa fëmijë.

I mora këta shembuj me familjet e tre pushtetarëve më të lartë të vendit, sepse nën firmat e tyre kaloi gati tre vite më parë ligji “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili do të na siguronte se askush nuk mund të nxirrte në pazar të dhënat personale. Ligji që ka hartuar qeveria “Berisha”, votuar parlamenti me kryetare Jozefina Topallin dhe dekretuar nga presidenti Bamir Topi ishte bërë sipas përvojës më të mirë shteteve anëtare të BE-së, që kanë nivel të mjaftueshëm të mbrojtjes së të dhënave personale, shtete që kanë ratifikuar konventën e vitit 1981, “Për mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale”, si dhe protokollin shtesë të saj, që garantojnë mbrojtjen e mjaftueshme të të dhënave personale, në përputhje me të gjitha kërkesat e direktivës 95/46/EC, të Parlamentit dhe Këshillit të Europës, datë 24 tetor 1995, “Për mbrojtjen e individëve në lidhje me përpunimin e të dhënave personale dhe qarkullimin e lirë të të dhënave”.

Pak vite më parë, kur ky regjistër nuk ishte hartuar ende dhe kur në Shqipëri përflitej se ishte vendosur që koncesionin për kartat dhe pasaportat e reja të shqiptarëve do ta fitonte ajo firmë që në të vërtetë e fitoi, dikush që shoqëronte zëvendësministrin e brendshëm Ferdinand Pone gjatë një udhëtimi në Vjenë tregonte jo pa humor se si kishin dashur të futeshin në serverin e të dhënave për të gjetur, për gallatë, se ku rrinte në Baden, në periferi të kryeqytetit austriak, ish-kryeministri shqiptar, Fatos Nano. Sigurisht që nuk hynë në server, por shoqëruesi i Ferdinand Pones, shprehte shqetësimin se çfarë do të ndodhte në Tiranë, nëse dikush do të donte të futej në regjistrin e të dhënave personale të shtetasve. A do të ishte database e të dhënave personale një armë më shumë në duart e pushtetit kundër individëve, që i lanë të dhënat personale, bashkë me shenjat e gishtërinjve, në emër të shtetbërjes dhe një vendi më të sigurt brenda dhe më të respektuar jashtë.

Por fakti që ky regjistër është shpërndarë ndoshta ndër qindra destinacione, është shumë shqetësues. Jo pse është në duart e mia, por në ato të atyre që i shpërdorojnë dhe abuzojnë me këto të dhëna. Mund t’i ketë ndodhur shumëkujt, përpara votimeve të 8 majit 2011, që në celular t’i vinte urimi për ditëlindje nga kandidati i PD-së, Lulëzim Basha. Kur kjo u bë baltë, PS-ja akuzoi kandidatin Basha, që sapo kishte dhënë dorëheqjen nga posti i Ministrit të Brendshëm që kishte nën varësi edhe drejtorinë Gjendjes Civile, se kishte shkelur hapur ligjin për mbrojtjen e te dhënave personale dhe të privatësisë, sepse kur opozita kishte kërkuar emrat e personave që kishin ndërruar gjendjen civile, drejtori Armand Teliti deklaroi se të dhënat personale nuk mund t’i jepen personave të tjerë.

Në vende të tjera ku është në fuqi ligji për përdorimin e të dhënave personale, marrja dhe nxjerrja në opazar e të dhënave të tilla konsiderohet krim dhe ndëshkohet sipas ligjeve në fuqi. Ashtu si edhe në Shqipëri, siç e parasheh ligji nr. 9887, datë 10.3.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, neni 2 i të cilit ka parimin e përgjithshëm që “Përpunimi i ligjshëm i të dhënave personale bëhet duke respektuar dhe garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe, në veçanti, të drejtën e ruajtjes së jetës private”.

Por këto të dhëna personale janë maja e ajsbergut. Me qindra ankesa i janë drejtuar Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, kundër publikimit të të dhënave personale të individëve të ndryshëm, pa dijeninë dhe dëshirën e tyre. Sepse, ndërsa gjatë fushatës elektorale qeveria kishte në dorë “datëlindjen” e shtetasve, agjencitë e lidhura me qeverinë dhe në shërbim të saj, kanë të dhënat e shtetasve për bankat, sigurimet, telekomunikacionin apo shëndetësinë. Duke i përdorur ato atje ku ka interes për të intimiduar, kërcënuar apo mbajtur nën tutelë personat e vënë nën shënjestër, ata që duhen blerë apo ata që kanë vendosur që të mos shiten. Dhe këtë mund ta bëjnë pa pasur pengesë është pse me ligj, si në rastin e të dhënave personale, ekziston edhe një zyrë për mbrojtjen e shtetasve, duke i garantuar me siguri dhe duke penalizuar individë apo institucione, që të dhënat e shtetasve i publikojnë në kundërshtim me ligjin e dhunuar.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama