Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Turizmi dhe stabiliteti politik

Shkruar nga: Arjan Konomi  
Botuar më: 14 vite më parë

Arjan Konomi
Turizmi dhe stabiliteti politik

Nëse një vend duhet të ketë një turizëm të zhvilluar në radhë të parë duhet të plotësojë disa kritere të cilat mund të jenë të shumta e që kanë lidhje me kapacitetet pritëse, me infrastrukturën, shërbimin e komoditetin, rrugët dhe cilësinë e tyre. Por këto do të ishin të pavlefshme nëse nuk do të plotësoheshin dy nga kriteret e një rëndësie thelbësore për zhvillimin e këtij sektori të ekonomisë së vendit. Ato janë stabiliteti politik dhe mikrokriminaliteti.

Për sa i përket mikrokriminalitetit, Shqipëria është një nga vendet që e ka më të ulët shkallën e tij në Europë. Pavarësisht se perceptimi kolektiv, sidomos i europianëve, është se vendi ynë paraqet rrezik nëse shkon për pushime apo udhëton në të. Arsyeja është imazhi negativ i krijuar jo për atë çfarë ndodh në Shqipëri, por për shkak të kriminalitetit të lartë të bashkëkombësve tanë në vendet perëndimore. Aktualisht, nëpër rrugët që lidhin zonat turistike të Shqipërisë, si dhe në qytete kryesore apo në lokalitetet turistike shkalla e mikrokriminalitetit është pothuaj zero. Asnjë nuk rrezikon në çdo vend ku të ndodhet si dhe në çdo orë të natës. Kjo befason të tërë ata turistitë të huaj që vijnë në Shqipëri dhe që këshillohen nga miqtë e tyre mos të ndërmarrin këtë “udhëtim të rrezikshëm”.

Arsyeja e dytë që ndikon në rritjen e turizmit të huaj është stabiliteti politik i vendit, që do të thotë edhe stabilitet rendi. Në një vend që ka trazira politike, protesta apo greva, turizmi është sektori kryesor që goditet në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këtë pasojë po e vuajnë sot Egjipti, Greqia, e Tunizia, vende ku të ardhurat nga turizmi përbëjnë një shifër të konsiderueshme të prodhimit të përgjithshëm vendas.

Në fund të sezonit të kaluar guida më e madhe turistike në botë “Lonely Planet”, e cila orienton turizmin botëror duke përfshirë jo vetëm ata që udhëtojnë, por edhe agjencitë turistike e vendosi Shqipërinë në një nga vendet e para si destinacion botëror për sezonin e tanishëm. Një kontribut ky i jashtëzakonshëm që i bëhej vendit tonë. Ajo ndikon drejtpërsëdrejti jo vetëm në rritjen e fluksit të turistëve të huaj që na vizitojnë, por edhe në imazh, sepse derisa rekomandohet një vend për ta vizituar, shkalla e sigurisë personale të turistit merret e mirëqenë që është e lartë.

Por kur u botua ky klasifikim ende në Shqipëri nuk kishin nisur protestat e janarit. Ende vendi nuk do të shfaqej sërish në televizionet botërore që kishte probleme të mëdha politike e për rrjedhojë instabilitet. Çfarë e përkeqësonte më tepër situatën ishte fakti se kjo ndodhte paralelisht me përmbysjet e regjimeve në vendet arabe, duke na futur edhe në të njëjtën situatë. E dëmshme kjo për imagjinatën kolektive të atij grupi qytetarësh perëndimorë që ishin ende të pavendosur se ku duhet t’i kalonin pushimet e tyre. Televizioni i rëndësishëm italian “Canale 5”, bëri një speciale të gjerë ku krahas pamjeve të dhunës, djegieve dhe përleshjeve me policinë risillte në kujtesë të teleshikuesve imazhet e vitit ‘91, kur shqiptarët zbarkonin në Itali, si dhe ato të trazirave të vitit ’97, duke e bërë kështu Shqipërinë të dukej si Palestina.

Edhe nëse stabiliteti politik dhe ai i rendit i një vendi lëkundet edhe për fare pak kohë, dëmi që i shkakton imazhit është shumë i madh dhe duhen vite të kalojnë që të rindërtohet pozitivisht. Padyshim që nga ato ngjarje të fillimvitit do të ndiejmë një rënie të konsiderueshme të turizmit tonë. Numri i atyre që do të shkelin tokën shqiptare do të jetë me siguri shumë më i ulët se ai i një viti më parë. Po ashtu do të jetë më i ulët edhe numri i emigrantëve shqiptarë që do të kthehen për t’i kaluar pushimet në atdhe. Kjo edhe për shkak të një integrimi më të lartë të tyre në vendet ku jetojnë, gjë që u jep mundësinë të bëjnë lehtësisht pushime në vende të njohura turistike.

Natyrisht që ata të huaj të pasionuar pas turizmit aventuror nuk ndikohen shumë nga stabiliteti politik i vendit. Por nuk janë këta që bëjnë pjesën e rëndësishme të turistëve “në ardhje”. As për të pasionuarit pas kulturës dhe historisë. Është masa dërrmuese e popullatave, shtresa e mesme, që përbën turizmin e nivelit mesatar. Pikërisht atë që sjell më shumë të ardhura ekonomike.

Ndaj politikanët tanë duhet ta kuptojnë se çdo veprim i tyre që çon drejt mungesës së stabilitetit politik, ka për t’i shkaktuar një dëm të madh turizmit dhe ekonomisë sonë. Kjo nuk do të ndodhte asnjëherë nëse preokupimi për vendin do të ishte më i madh sesa dëshira për post e për një karrige.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama