Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një përgjigje mbi pyetjen: 'Ku ndodhet Edi Rama ?'

Shkruar nga: Preç Zogaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Preç Zogaj
Një përgjigje mbi pyetjen: 'Ku ndodhet Edi Rama ?'

Në gazeta,  në radiotelevizione, në  rrjetet sociale të internetit  janë shumë ata që po kërkojnë  këto ditë gushti shefin e opozitës,  Edi Ramën.  Ku është?  Ku ka humbur?  Ku është fshehur?  Ku ka thyer qafën? Tonet vinë duke u ngritur  sa me tepër zgjat heshtja e të  kërkuarit. Duke ndjekur këtë farë loje, ke qejf të mendosh se popullit opozitar i doli  një punë për të mbushur sadopak boshllëqet e stinës: të kërkojë shefin e opozitës. Disa e kërkojnë sepse thjesht duan ta dinë ku është.

Disa e kërkojnë sepse duan që  fjala  e  opozitës të tingëllojë  pa pauza,  ditë për ditë e flakë për flakë,  në një hap me  fjalën e qeverisë. Disa kanë mendimin se opozitarizmi ka marrë një goditje nokdauni dhe, prandaj, të shqetësuar se mos edhe kjo kala e qëndresës po bie,  e gjejnë me  vend t’i lëshojnë një “za kushtrimi” Edi Ramës. Disa e kërkojnë në formë qortimi se sipas tyre e ka braktisur fushën e betejës, duke i lenë fushë të lirë  kryeministrit.  Disa shkojnë edhe me tej:  zhvillojnë idenë sikur opozitarizmi është në pikën e vlimit, sikur forcat opozitare janë gati për të shpërthyer, ndërkohë që shefi i tyre legal i ka lenë  pa plan dhe  pa drejtim. Disa  bashkohen me këto thirrje dhe akuza, jo se e duan, por duke e kërkuar, duan të tregojnë se nuk është në krye të detyrës  “në  momentin më  kritik”. Së fundi, për të  nderuar të vërtetën, duhet të shënojmë se ka edhe opozitarë që nuk  kanë ndonjë kuriozitet për  të ditur ku është në këtë moment Edi Rama.

Le t’i lemë  të gjithë ta mendojnë si të duan “humbjen” e Edi Ramës. Unë për vete nuk e di ku është sot ekzaktësisht. Më thotë mendja se ka shkuar me pushime me familjen e tij. Mendoj se ka bërë  mirë që nuk është hequr sikur nuk e lënë punët e mëdha të  shkojë me pushime, siç bëjnë disa drejtues hipokritë. E vetmja gjë  e qortueshme  në këtë “zhdukje” është se  publiku duhet ta dijë vendin ku po pushon. Por ndoshta ky detyrim etik për Kryeministrin dhe Presidentin  nuk e përfshin ose mund të jetë dicka fakultative për shefin e opozitës.

Presupozoj ndërkaq se Edi Rama ka shkuar më shumë se me pushime  verore. Ka shkuar edhe me… mendime. Ose, parasëgjithash me mendime. Domethënë  është tërhequr diku për t’u menduar dhe për  të reflektuar, sic kanë bërë e bëjnë në momente të caktuara shumë politikanë, kryesisht sfidantë të pushtetit. Çdo krahasim çalon, por për t’u mjaftuar me një emër ekselent, le kujtojmë rastin e Zhak Zhirakut, i cili qe zhdukur  disa kohë nga skena  para se të provonte  me sukses “e treat, e vërteta” fitoren me votë popullore të postit të Presidentit të Francës. A mos është tërhequr shefi i opozitës sonë në sabatin e tij  të përshtatshëm për detyrat afatshkurtëra dhe afatmesme të opozitarizmit në  Shqipëri?   Nesë është  kështu,  dhe besoj se kështu është, përsëri them mirë ka berë  dhe do t’i uronim mendim dhe reflektim te mbarë. Si kryetar i partisë më të madhe  në vend  dhe si shef i opozitës, Edi  Rama ka nevojë të mendojë dhe të reflektojë.

Momenti është kritik për opozitën, sidomos pas manipulimit skandaloz të zgjedhjeve më bashkinë e Tiranës. Pa nënvlerësuar asgjë, por edhe  pa rënë në  disfatizëm dhe panik, unë mendoj se pushteti që  grabiti mandatin e Tiranës duke  treguar dhëmbët e duke ekspozuar para nesh dhe botës të gjitha të palarat e veta ka humbur  shumë në planin politik. Ndërkohë që në dritën e së vërtetës së manipulimeve  në dëm të saj opozita ka  hedhur një hap tjetër drejt zgjedhjeve të lira e të ndershme si zgjidhja e zgjidhjeve  për Shqipërinë. Nuk ka vend në këtë periudhë për qëndrime spontane, emocionale apo rutinore nga opozita. Vendi nuk ka humbur ndonjë gjë nga fakti që njerëzit nuk po shohin pingpongun e vjetër të deklaratave dhe kundërdeklaratave  PS-qeveri dhe anasjelltas. Berisha duket edhe më absurd, edhe më i huaj për publikun  kur flet me vete se sa kur opozitarët  detyrohen ta  shpjegojnë  duke i dhënë përgjigje për çdo gjë. Gjithsesi, le ta  mbajë gjallë opozita tribunën e deklaratave të përditshme. Ka opozitarë të zotë që dinë ta bëjnë mirë këtë punë edhe në pikun e verës. Por nga shefi i opozitës Edi Rama pritet një gjë shumë më e madhe. Pritet një reflektim  i thellë për stadin ku ndodhet lëvizja historike për zgjedhje të lira e të ndershme dhe për masat e nismat e reja të opozitës  në rrugën drejt finalizimit të kësaj lëvizjeje.

Nuk ka dyshim se falë protestave për votën e lirë  jemi më afër standartit europian se sa kemi qenë në vitin 2009. Por zgjedhjet kanë specifikën që një bedenë po të merret nga kusarët, bie gjithë kalaja. Prandaj duhet menduar ne detaje gjithçka. Paralelisht duhet t’i jepen Drejtësisë të gjitha provat e manipulimit të zgjedhjeve në Tiranë. Le t’i mbajë në sirtar drejtësia. Do të jetë turpi i saj i ri. Po më mirë atje, të regjistruara , se sa në sirtaret e partive apo në ankimin verbal  të liderëve të tyre.

Ka një bindje shumë të përhapur që vë shenjën e barazimit midis zgjedhjeve  të lira dhe fitores së opozitës. Edhe unë e kam këtë bindje. Por edhe po të mos e kisha, edhe po të mendoj për një çast se opozita nuk  do të  fitojë në zgjedhjet e ardhshme, sërish do të nënvizoja, bashkë me mijëra e mijëra të tjerë,  se opozita që diktoi me politikën e e saj vendosjen e standartit perendimor të zgjedhjeve  i ka bërë vendit një shërbim historik. Edi Rama dhe opozita e drejtuar prej tij duhet të ruajnë dimensionin e këtij misioni, duke e harmonizuar me politikën e fitores. Çdo bëj në vijim për zgjedhjet, çdo bëj për bashkimin e aktorëve dhe faktorëve opozitarë, çdo bëj për hapjen, çdo bëj për  zhvillimin, për punësimin, për integrimin – të gjitha këto janë çështje që pritet të marrin një përgjigje në reflektimet e shefit të opozitës. Ai ka barrën dhe përgjegjësinë të analizojë mjetet e luftës politike të përdorura deri me sot nga opozita dhe të përcaktojë rendin  dhe masën e përdorimit të këtyre mjeteve në vijimësi. Protestat popullore mbeten një mjet i pazëvendësueshëm, pa dyshim. Por jo i vetmi. Dhe me protestën nuk mund të luhet. Ata që janë marrë nga afër me organizimimin e protestave – Rama me bashkëpunëtorët e tij janë ndër  protagonistët e këtyre viteve – nuk mund të mos mbajnë parasysh raportin historik dhe kulturor që ka populli shqiptar me këtë mjet të veçantë të luftës politike dhe shoqërore. Në gazeta dhe internet mund të shkruajmë si të na vijë për mbarë, por grumbullimi i njëqind mijë njerëzve në shesh më duket një punë titanike, ndërsa zgjatja e protestave politike me ditë e me javë mbetet një  stad për tu arritur. Protestat e mëdha të viteve 2009-2010, sidomos katër prej tyre, janë  një shkollë dhe një investim i madh në rrugën e gjatë të familiarizimit popullor me ndjenjën e protestës qytetare  si vlerë e pashpërdorueshme.

Opozitarët dhe qytetarët shqiptarë kanë arsye të plota të mendojnë se opozita politike duhet të jetë interpretuese e saktë e  shkendijave dhe zjarrit të opozitarizmit në vend. Opozita politike do të jetë pa asnjë mëdyshje në ballë të opozitarizmit. Por çështja gjithëpërfshirëse është se çfarë beteje politike do të propozojë nga vjeshta e në vazhdim  Edi Rama? Ka dëgjuar miq, partnerë, kolegë, bashkëpunëtorë, intelektualë, militantë, të moderuar, radikalë e tjerë e tjerë. Nëqoftese nuk i ka dëgjuar mirë, duhet t’i dëgjojë prapë. Ndërkaq duhet të dëgjojë  në  heshtje zërin  e vet  të brendshëm. “Një lider është i panevojshëm kur vepron kundër  instituicioneve të ndergjegjes së vet, i rrethuar sic është nga njerëz që ushqejnë të gjitha llojet e opinioneve”, – thoshte Gandi, mjeshtri i mbajtjes së opozitarizmit në radhë të parë  si gjendje, mandej si veprim jo dhunshëm. Gandi i jepte rëndësi të jashtëzakonshme zërit të brëndshëm, meditimit,  reflektimit. Prej aty lindin përgjigjet, propozimet, programet, kauzat. Ato që opozita dhe publiku i gjerë  pret këtë vjeshtë nga Edi Rama. Kur t’i thotë, – nëse do t’i thotë, – do të kemi arsye të mendojmë se ka qenë më afër njerëzve në vetmi se sa në foltoren e kopshtit të Partisë Socialiste.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama