Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Made in Albania…!?

Shkruar nga: Aranita Brahaj  
Botuar më: 13 vite më parë

Aranita Brahaj
Made in Albania…!?

Ketë verë vendosa të pushoj në atdhe, të mos lakmoj brigjet e Italisë, Greqisë, Turqisë, Malit të Zi apo ndonjë vendi tjetër, por të eksploroj Shqipërinë time, brigjet e Jugut e Alpet e Veriut. Kështu mendova që në vend të komoditetit të resorteve turke apo ekzotizmit të ndonjë plazhi tjetër mesdhetar, të shijoj detin e kripur jonian e natyrën me mal rrëzë Labërisë. Kursimet e mia të një viti me vetëdije vendosa t’i shpenzoj në monedhën vendase kaq të lodhur nga fenomenet ekonomike të viteve në krizë. Të pushoj dhe konsumoj “shqip”, madje me nxitje qytetare e jo politike, i emërtova pushimet e mia me moton “unë e dua Shqipërinë”. U nisa për Jug dhe në mendje kisha bregun e kaltër, malet e egra dhe çdo produkt të zonës së pasur ku natyra ka dhuruar begati deti e mali, ku blegtoria është traditë e ku agrumet e vreshtarisë janë të bekuara nga Perëndia.

Por fjala “turizëm” në pjesën joniane të vendit tretet shumë shpejt. Infrastruktura e hoteleve të vogla pa kushte dhe komoditet, shoqëruar me shumë defekte që të kujtojnë organizimin e plazheve dhe kampeve të kohës para ‘90-s, të bën të mendosh se më shumë se pushimeve dhe turizmit po i nënshtrohesh një sfilitjeje verore. Vargu i Nolit, “pranë sofrës i pangrënë”, këtu është himn. Nëse interesohesh për një restorant peshku, megjithëse buzë detit Jon, e gjen me vështirësi. Biznesmenët vendas të rrëfejnë se peshku nuk është i detit, por i rritur me koncentrate në rezervuare. Peshku i bregut shqiptar shitet në Greqi, e bashkë me peshkun Bregut i ikin dhe ata turistët që kanë lekë për të harxhuar, e i mbeten pushuesit modestë që paguajnë më pak se dhjetë euro për shtrat dhe që konsumojnë produkte të lira importi.

Kush pret turizëm dhe mikpritje shqiptare (kundrejt pagesës) zhgënjehet pa kapërcyer Llogoranë. Teksa qëndron një natë për të shijuar tryezën e zonës dhe për fjetur në freskinë e malit, nuk ndjehesh rehat. Çdo popull ka në themel të traditës së kuzhinës të paktën një gatesë që përkon me miksimin e drithërave me bulmetin. Kështu, arabët kanë kuskus, italianët polentën, anglosaksonët kanë vaferat e skuqur në hekur e ne shqiptarët kemi në Jug arapash e në Veri çervish. Këtë pjatë tradicionale primitive, arapash Labërie, unë isha gati ta shijoja me çdo lloj çmimi. Për fat të keq, arapashi labëror ishte shndërruar në një pjatë pa aromë, e gatuar me mendjelehtësi me miell misri importi  (ndoshta omgj) e me dhallë të shtuar me ujë si produkt fabrike kundrejt asaj llallës së shijshme të dybekut të traditës së blegtorisë shqiptare. Edhe tentativa për të ngrënë një mëngjes fshati apo një mëngjes labëror dështon gjatë gjithë ditëve të pushimeve. Fshati i Jugut dikur kishte mjaltin, llallën, trahananë, rehaninë e thanës, shurupin e kumbullës, gjalpin pa kripë, pije me trëndafil e gliko të çdo frute. Këtu, pa harruar vezët, zogjtë, gjizën e kulluar, petë të thara e të tjera gatime bio. Edhe në kohët e varfra të kooperativave socialiste në Labëri çdo ditë tundej një litër kos në dybek e çdo shtëpi e kishte një kavanoz gjalpë a një zahire dimri për të shtruar një vakt të shijshëm për miqtë.

Shqipëria turistike, apo Shqipëria mikpritëse (kundrejt pagesës) sot të ofron mohito apo “sex on the beach” si pije alkoolike koktej, të tunduara në lokalet e biznesit vendas nga individë që nuk dinë as origjinën e kësaj pijeje. Me pavetëdije e pa identitet, të zotët e shtëpisë i përgatisin këto pije me kënaqësi për disa pseudoturistë që paguajnë vetëm dy apo tre euro, ndërsa shumë pushues të tjerë do të vinin apo rivinin nga gjithë bota për të provuar atë që është origjinale e zonës, e mund të paguanin po aq për një gotë llallë nga stanet e Kuçit, Ferrës apo Sopotit, e ndoshta shumëfishin për një gatim të vendit.

Po ke vendosur të gatuash vetë në Borsh, Himarë, Dhërmi apo Ksamil, do ta bësh një mëkat. Buzë detit Jon do të gatuash me kripë të detit Egje, pasi në markete vetëm kripë greke shitet. Po je patriot, merr një shishe e mbush ujë të kripur deti për të ngrënë gjellë me kripën tënde, e jo kripën e Egjeut.

Buzë detit pa ushqim deti, rrëzë Labërisë duke ofenduar traditën e staneve nëpërmjet konsumit të bulmetit që vjen nga importi apo Tirana, i kripur nga deti Jon e i ushqyer me kripë Egjeu, diçka mund ta thuash me bindje për këtë lloj turizmi. Bregu me këtë mentalitet do të mbetet një plazh pak më i mirë se ai i kabinave standarde të komunizmit. Biznesi vendas do vjelë aq pak të ardhura, sa për të shtyrë pak muaj të vitit, ndërsa turistët me më shumë lekë në xhep do të shkojnë të shijojnë ushqim bio dhe rehati e origjinalitet në Greqi apo Itali, ndoshta edhe në Mal të Zi.

E fundit, por shumë e hidhur, është edhe përgjumja e vajzave dhe grave të zonës. Në gjithë shtretërit e paguar me euro apo monedhë vendase në Jug do të gjesh çarçafë e perde me basma kineze të tregut. Çarçafi i bardhë pëlhurë, kambrik apo puplin më i ngrohtë në dimër e më i freskët në verë, me pak azhur e një gisht dantellë mbetet vetëm në kujtesën e ndonjë vizitori të hershëm të kësaj zone me traditë. Në brigjet italiane përballë apo në ato greke karshi, këto lloj traditash kulmojnë.

Madje, në qëndistaritë greke janë plot vajza shqiptare që qëndisin në Greqi e blenë basma kineze në Shqipëri. Të gjithë kërkojnë nga shteti. Normal, enti shtetëror i turizmit do të duhej të bënte shumë për të edukuar biznesin turistik apo për të stimuluar origjinalitetin e vendeve. Ministria e Bujqësisë mund të ndërmerrte me kohë një fushatë apo të hartonte një strategji për produktin “Made in Albania”. Për peshkimin dhe navigacionin si elemente të rëndësishme që lidhen me turizmin, shteti deri tani vetëm ka bllokuar me politikat e tij stil moratoriumesh. Ministria e Transportit duhet të vijojë të investojë në infrastrukturën rrugore të zonës edhe në kontekstin rural. Por ajo që duhet bërë për të shpenzuar në vend e për të shijuar natyrën dhe mikpritjen shqiptare, është pak largpamësi, një kthim koke prapa për t’u kujtuar si prisnin miq të parët tanë, çfarë është e jona dhe nuk duhet ta konkurrojmë me të huajt. Jugu shqiptar ka kaq shumë mikpritje dhe kaq shumë salltanete, sa çdo pushues shqiptar e i huaj do të ndjehej i mikluar e do të paguante po aq sa në resorte të huaja për pak fare nga ajo ëmbëlsia e mikpritjes dhe begatisë vendase.

 Duhet pak kujtesë dhe shumë vullnet i mirë. Pastërtia, infrastruktura, komoditeti, financimi dhe promocioni janë kritere të rëndësishme për zhvillim turistik. Origjinaliteti është një element i rëndësishëm i turizmit bashkëkohor. Gastronomia shqiptare duhet konsoliduar si element i rëndësishëm i turizmit fitimprurës. Shqipëria turistike duhet të fillojë tek ambienti mikpritës e jo te zyra e shtetit. Turisti shqiptar, gjerman, italian, serb apo nga e gjithë bota nuk vjen për të shpenzuar para nëse ti nuk i ofron atë që duhet. Biznesi vendas duhet të ketë pak më shumë ambicie dhe Bregu duhet të modelojë një lloj turizmi origjinal, për të mbajtur në vend atë turist që ka mundësi të shpenzojë edhe jashtë Shqipërisë kundrejt atij turizmi me pak konsum e pak para që gjendet tani.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama