Në vendin tonë është rihapur debati për reformimin e sistemit elektoral duke vënë në pikëpyetje atë ekzistuesin. Mirëpo fatkeqësisht përqasja e këtij debati është tejet subjektiv dhe lë mënjanë një ndër faktorët kryesorë të analizës, zbatueshmërinë e ligjit.
Në rastin e parë secili nga aktorët që propozon një sistem zgjedhor të ndryshëm nga aktuali, as nuk merr mundimin që të shpjegojë se përse alternativa e parashtruar do të ishte e dobishme për Shqipërinë, por thjesht propozojnë një sistem elektoral që t’i shkoj për shtat interesave më të ngushtë të organizatës së tyre politike. Kështu për shembull LSI po propozon një sistem elektoral të pastër me prag të lartë e social demokratët një proporcional me prag të ulët, me bindjen se këto propozim iu japin përkatësisht një përparësi të krahasuar partive të tyre.
Por edhe këtu analiza jo vetëm që nuk është e sinqertë, por nuk është as tërësisht e peshuar mirë sepse dikush mund të kundërargumentojë se vetë këtyre partive nuk iu leverdis që ta eleminojnë sistemin përkatës (përjashto elementin e dushkut) pasi në rastin e LSI-së, kjo parti , avantazh kryesor të krahasuar ka faktin që mund të marrë jo vetëm vota me propocional por edhe me maxhoritar duke u pozicionuar si e vetmja parti politike, përveç dy partive kryesore, që ia del të marrë një distrikt zgjedhor vetë. Kjo rrethanë i jep një pozicion të rehatshëm të të tretit që mund të shërbejë si interlokutor ose që mund të vendosë se në cilën anë do të rëndojë peshorja. Në një proporcional të pastër kjo parti do të shndërrohej në një prej partive të tjera që do të merrte vota nga proporcionali ndërkohë që proporcionali padyshim që mund të shkaktojë fragmentarizimi të skenës politike. Dy partitë kryesore në mungesë të ideologjisë të qartë politike fare lehtë mund të copëtohen duke qenë se arsyea kryesore që i mban të bashkuar figurat e dy partive kryesore është është fakti që në një sistem me tipar thelbësor maxhoritarin sikurse është tani, sigurimi i pushtetit jashtë këtyre dy partive do të ishte i pamundur. Me proporcionalin numri dy i një prej dy partive kryesore fare lehtë mund të bëjë skizmë, të bëj një parti ku është vetë zot pa pritur dekada që t’i zërë vendin liderit të partisë së madhe, një parti që merr diku tek 7-8%, të faktorizohet e të mund të përfshihet në kombinimet e koalicioneve qeverisëse.
Ndërkohë që partitë e vogla janë çuditërisht shumë të sigurta që do të mbijetojnë vetë në një sistem proporcional të pastër duke mbivlerësuar aftësitë e tyre për të ndjellur mbështetjen e publikut shqiptar dhe duke nënvlerësuar rolin që sistemi aktual ka në mbijetesën e tyre politike. Në një sistem proporcional të pastër këto parti dytësore nuk do t’iu hyjnë më në punë partive të mëdha për të çuar tek këto parti votat e proporcionalit që përndryshe do të shkonin dëm. Por jo vetëm që në proporcional nuk mund të bëhet votimi strategjik, pra dushku, por në proporcional partive të vogla iu humbet mundësia për të shantazhuar e bërë pazar duke kapitalizuar ato pak vota të tyre për të siguruar një marrëveshje paraelektorale. Në maxhoritar pak vota të një partie të vogël mund të bëjnë gjëmën brenda një zone elektorale të lëkundur duke i detyruar partitë e mëdha të hyjnë në kompromis me partitë e vogla.
Çështja e pragut pastaj është një debat pa lidhje për të cilin është e kotë të diskutohet më tej pasi nëse ka një grup apo segment minoritar të shoqërisë shqiptare për të cilin justifikohet plotësisht sistemi proporcional është minoriteti grek i cili gëzon mbështetjen e pakursyër të shtetit grek. Ky i fundit na shantazhon kur të dojë në procesin e integrimit Euro-Atlantik. Një prag i lartë do ta lërë këtë minoritet jashtë përfaqësimit politik në parlament, gjë që jo vetëm që nuk është e drejtë, por as e mundur për t’u realizuar. Ne nuk kemi pasur takat për të hequr çisternat greke nga porti e thyer duopolin e telefonise mobile e jo më t’i mbajmë grekët jashtë parlamentit ku është legjitime që të jenë. Për mos të folur pastaj që në të ardhmen mund të dalë ndonjë organizatë politike e Romëve ose Egjitptianëve nëse këtë ta fundit konsolidojnë një ndjenjë solidariteti dhe një vetëdije politike siç ka ndodhur në vende të tjera të Lindjes.
Së dyti analiza e sistemit aktual vuan nga një përqëndrim tek elementet e gabuara dhe duke mos përfillur instrumentat e zbatimit të sistemit. Motivi kryesor me të cilin justifikohet ndryshimi i sistemit elektoral është votimi taktik sipas të cilit mund të minimizohet çuarja dëm i votave duke i kaluar ato tek një preferencë dytësore. Mirëpo ky votim nuk është detyrimisht i keq madje ka vende si për shembull Irlanda dhe Malta qe kanë sistemin elektoral të një vote të transferueshme (Single Transferable Vote) transferimi i votës është pjesa thelbësore e sistemit. Gjthësesi sistemi i votimit strategjik, alias dushku, mund të ndryshohet meqënëse është stigmatizuar kaq shumë. Ky ndryshim, nëse e lyp nevoja, mund të bëhet fare lehtë pa patur nevojë që të përmbyset sistemi. Sistemi mund të evoloje pa u revolucionarizuar. Mjafton që të bihet dakord për një element të veçantë, që votuesi të votojë vetëm në një fletë votimi dhe vota që ky individ jep për kandidatin e zonës së vetë të merret automatikisht në konsideratë për proporcionalin.
Megjithatë zbatimi i drejtë i procesit elektoral është problemi që më së paku është duke u trajtuar dhe kjo pasi në një farë mënyre të gjithë palët e kanë ngjyer të paktën njëherë gishtin në mëkatin e manipulimit të zgjedhjeve. Qoftë e majta dhe qoftë e djathta ka qenë edhe xhelat edhe viktimë e masakrimit të demokracisë shqiptare duke nëpërkëmbur vullnetin politik të votuesve. Ndërkohë që kjo duhet të jetë edhe epiqendra e debatit sepse pa një mekanizëm funksional dhe të ndershëm të zbatimit të procesit zgjedhor konform ligjit, ndryshimi i sistemit elektoral nuk zgjidh punë sidoqoftë ndryshimi apo alternativa e përzgjedhur. Pikësëpari duhet që përderisa jemi në zemër të Evropës dhe në shekullin e 21-të, të kemi lista të sakta të votuesve, regjistër civil të rregullt dhe dokumenta identifikimi rigoroz. Çdo përpjekje për ta justifikuar vonesën me argumenta teknik është qesharake pasi kjo është thjeshtë çështje vullneti sepse fundja ne jemi sa një lagje e Shangait në numër dhe sa një provincë e Argjentinës në sipërfaqje. Madje me këto çështje është marrë në mënyrë të posaçme BE dhe NATO duke i paraqitur si parakushte specifike e të pashmangshme për të ecur përpara në procesin e integrimit. Së dyti proceset e hartimit të listave të votuesve në terren, përgatitjes dhe funksionimit të komisioneve elektorale, zhvillimit të votimit dhe numërimi i votave janë të rregulluara në mënyrë të qartë nga ligji dhe çdo shkelje e kodit elektoral nevojit ndëshkim ligjor. Për sa kohë nuk ka qoftë edhe një komisioner hajdut të ndëshkuar, as nga ndonjë qendër votimi e as nga komisioni qendror i zgjedhjeve, nuk mund të bëjmë veçse të presim vjedhje të mëtejshme të votave. Të ndryshosh kodin elektoral apo sistemin elektoral duke u ankuar për impaktin e tij ndërkohë që ai nuk është zbatuar siç duhet është njësoj sikur të thuhej se kemi një rritje të numrit të vrasjeve dhe se dispozitat ligjore të kodit penal kundër vrasjeve janë joefikase e duhen ndryshuar paçka se vetë policia nuk ka guxuar të arrestojë qoftë edhe një vrasës të vetëm. Çdo përpjekje për tia mveshur problemin ndonjë faktori tjetër është një përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë dhe për të maskuar dëshirën e papërmbajtur për shmangur ballafaqimin me vullnetin e popullit.
Reforma elektorale është një nevojë emergjente pa të cilën ngelemi në vend numëro në procesin e integrimit Euro-Atlantik dhe në procesin e zhvillimit të vendit. Mirëpo kjo situatë alarmante kurrësesi nuk duhet të çojë në gjetjen dhe përdorimin e ndryshimeve të pamatura e radikale. Tundimi për të përdorur një përmbysje të sistemit elektoral si të ishte një shkop magjik për të zgjidhur problemin është i madh. Madje një ndryshim total i sistemit elektoral mund të dukej shumë mirë edhe për marrëdhëniet e publikut duke lënë përshtypjen se diçka konkrete është duke u bërë. Porse mungesa e një analize profesionale e të hollësishme si dhe zelli i madh për të bërë shfaqje politike nëpërmjet ndryshimeve radikale bëjnë që të mos kuptohet se problemet e mëdha shpesh gjejnë zgjidhje tek ndryshimet e vogla.