Në një intervistë dhënë Anila Bashës, kryetari i Gjykatës së Vlorës, Artur Malaj, bëhet gjyqtari i parë që ngre zërin kundër një situate të rëndë. Të kuptohemi, nuk është se ka thënë ndonjë gjë kushedi se çfarë. Thjesht ka ngritur zërin pak më shumë se të tjerët. Dhe pikërisht kjo nuk është pak në këtë klimë omertá-je, solidariteti e gati mirëkuptimi me krimin, në të cilën po jetojmë prej shumë kohësh. Me sa duket, ngjarja tronditëse e Vlorës, ku gjeti vdekjen kolegu i tij Skerdilajd Konomi, ia ka trazuar mendjen e shpirtin në atë masë, sa nuk mund t’ia falte vetes nëse do të rrinte pa folur. Kolegët e tij nëpër Shqipëri janë tronditur njësoj me të, kanë folur e diskutuar me shoshoqin, janë revoltuar me gjithçka, por nuk janë organizuar për të bërë një protestë së bashku. As që e kanë menduar këtë gjë, ndoshta. Ashtu si shumica e shqiptarëve (apo si të gjithë?), nuk janë mësuar të demonstrojnë solidaritet. Udhëhiqen nga kredoja: “Është larg bythës sime? Epo jam ok, atëherë”.
Pse i fus dhe shqiptarët në valle? Sepse apatia dhe tërheqja e vlonjatëve drejt halleve të tyre në këtë situatë ishte një gjë që u ka rënë në sy të gjithëve. “Kanë qenë të frikësuar”, thotë Malaj në një moment të parë; por për t’i justifikuar e jo për t’i fajësuar. Pak më pas, edhe ai del aty ku duhet: “Kjo tregon se shoqëria shqiptare ka nevojë të rigjallërohet; në Vlorë nuk ka jetë sociale, nuk ka shoqata e organizata të ndryshme, nuk ka bashkime qytetarësh që të ushtrojnë presion edhe për një qeverisje më të mirë, edhe për zbardhjen e një krimi të tillë”, thotë ai në thelb. Duket që është qejfmbetur me bashkëqytetarët e tij, por duhet ta ketë dhe me kolegët, dhe me Artur Malajn deri përpara se të ndodhte kjo që ndodhi, e ai të gjente rast ta thoshte të vetën.
“Për cilin shtet po flitet? Për shtetin që zjarrfikësja nuk ishte më shumë 30 metra larg ngjarjes dhe nuk kishte ujë për të fikur jo makinën, por as zjarrin që kishte marrë i ndjeri? Për shtetin që nuk kishte karburant për të furnizuar ambulancën për të marrë trupin e të ndjerit? Apo për policët që shkuan në vendngjarje dhe nuk afroheshin për t’i dhënë ndihmën e parë, derisa dolën vetë qytetarët që e dhanë këtë ndihmë?”, bëhet i gjallë Artur Malaj, duke huazuar këto pyetje nga një gazetar, që ai e ka parë të shfryhet me nervozizëm në televizor. “Jam tërësisht i indinjuar”, thotë ai pas gjithë kësaj një frazë të vetën. Dhe ka të drejtë. Askush nuk u ndal aq sa duhet te këto fakte. Do duhej të diskutonim pa fund mbi policët që bëjnë sehir një njeri që jep shpirt pas një atentati “hollywood”-ian mbi ambulancën që nuk arrin në vendngjarje, ngaqë s’ka karburant, mbi zjarrfikëset që, edhe pse kanë qenë 30 metra larg, kanë mbërritur me vonesë, e për më tepër, nuk kanë pasur as ujë.
Ka pasur të drejtë ai gazetari ‘pa emër’ pra; ka të drejtë dhe kryegjyqtari i Vlorës, që e risjell në mënyrën e vet atë revoltë. Këto “detaje” tregojnë më mirë se çdo gjë, madje edhe më mirë (ky po që është paradoks) se sa atentati kundër një njeriu të drejtësisë, mungesën totale të shtetit shqiptar. Ne do të duhet të diskutojmë çdo ditë e gjithë ditën për “detaje të tilla”, por edhe për politikanët e shtetarët tanë, që pikërisht në këtë situatë gjejnë kohë të hahen me njëri-tjetrin, të fokusohen te çikërrima që s’i lipsen askujt, e tek idiotësira, që s’i mban kandari. Atë ditë, Kryeministri shkoi të marrë pjesë në një veprimtari sportive, ku pranoi edhe një medalje si qejfli i sportit. Nuk e mori mundimin të shkonte në Vlorë. As Presidenti nuk e lodhi veten të shkonte deri atje, jo thjesht për të ngushëlluar familjarët, por për të demonstruar praninë e forcën e institucioneve përballë akteve të tilla kriminale. “Nuk dua të bëj asnjë koment për këtë, secili zgjedh mënyrat e veta për të shprehur dhembshurinë apo homazhet”, thotë gjyqtari Malaj në përgjigje të pyetjes së gazetares Basha. Mirëpo, s’do ish-keq të bënte një koment; pa e tradhtuar apo lënduar postin dhe statusin institucional, sigurisht. S’do ish keq të thosh se “Presidenti e Kryeministri do të duhej të ishin aty, ne i prisnim të ishin, mungesa e tyre ra në sy, pasi krimi ishte shumë i rëndë etj.”.
“Ka elementë të tipit mafioz në këtë ngjarje... Krimi mund të kryhej në një ambient më pak publik, pasi nga shtëpia e Skerdilajdit deri te vendi ku është kryer krimi janë disa kilometra. Është zgjedhur pikërisht rruga Vlorë-Skelë, rruga e populluar, publike, për të dhënë një mesazh të qartë, mesazh frike dhe terrori për të gjithë të tjerët, dhe mesazhe te tilla nuk mund t’i japë veçse një organizatë kriminale dhe e tipit mafioz”, i kthehet Artur Malaj ngjarjes. Malaj nuk bën spekulime. Është shumë korrekt gjatë gjithë intervistës (“kam besim tek organet e hetimit, të policisë, të drejtësisë; i ftoj që të gjithë të kenë besim”, thotë), por në këtë klimë duhet thënë diçka më tepër. Duhet bërë, gjithashtu. Mbi të gjitha, duhet bërë. Ajo që Malaj pret nga të tjerët (aktivizmi e solidariteti), na takon të gjithëve, gjyqtarëve, gazetarëve, qytetarëve. Aktivizmi e solidariteti nuk mbillen e krijohen me thirrje, por me shembuj.
Ne u kemi lëshuar terren banditëve e mafiozëve. Mund ta rikuperojmë këtë terren çikë e nga një çikë, por nëse secili prej nesh nuk lëviz (në pritje të secilit), do të humbim dhe atë terren që na ka mbetur, dhe do të vijmë në situatën kur nuk do të mund të rikuperojmë më asgjë.