Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Ftesa e Ramës!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 14 vite më parë

Blendi Fevziu
Ftesa e Ramës!

Po, dua! Kjo është përgjigjja që Edi Rama, kreu i PS, i ka dhënë në fundjavë një kërkese të përsëritur që ua kish refuzuar në tetë vjet katër personave. Një refuzim,  në të gjitha rastet i bërë nga Rama, që fillon me debatin e munguar Rama – Ngjela, në zgjedhjet lokale të vitit 2003, vijon me Rama – Olldashi, në zgjedhjet e 2007-s, me debatin e pritshëm Berisha – Rama, në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009 dhe mbyllet me debatin që vetë ai e konsideroi të pavlerë, Rama – Basha, në vitin 2011. Në të gjitha rastet përgjigjja e tij ka qenë e thjeshtë: Nuk dua!

Në fakt, kjo “nuk dua” s’ka qenë thjesht një vendim personal, por rrënim i një standardi të vendosur që në zgjedhjet lokale të vitit 2000, kur ai vetë u përball me kandidatin e atëhershëm të PD, Besnik Mustafaj. Rrënim i një standardi demokratik, i pranishëm kudo në botë. Një standardi që jo vetëm s’do ta dëmtonte, por do ta shëndoshte dhe do ta bënte më transparente demokracinë e brishtë shqiptare. Rama ka pasur arsyet e tij për këtë refuzim të katërfishtë, por fakti që ai u kthye mbrapsht, në një praktikë që ka qenë prezente në nisjen e karrierës, të bën të besosh se udhëheqësi i opozitës e ka kuptuar gabimin. Por jo vetëm të tijin. Ai po priret drejt një standardi që s’duhet ta refuzojë askush dhe që duhet të jetë i vendosur, po ashtu si data e zgjedhjeve dhe procedurat e fushatës elektorale. Në këtë kontekst, nisma e tij duhet përgëzuar. Ajo është nisma e një të penduari që e ka kuptuar se refuzimi i vazhdueshëm nuk ka prodhuar asgjë pozitive për politikën shqiptare dhe për atë vetë.
Por, nëse nisma për një debat me Berishën duhet përgëzuar – nëse kjo duhet institucionalizuar për çdo herë që ka zgjedhje në Shqipëri, pavarësisht se kush e drejton PD dhe PS – ka edhe një problem që duhet analizuar. Si lider i opozitës, Rama ka bllokuar në dy vitet e fundit gjithë debatet e mëdha opozitë – maxhorancë. Të dyja institucionet ku zhvillohet beteja publike, Parlamenti dhe studiot televizive, kanë qenë krejtësisht jashtë loje.

Opozita kishte vendosur të mos shkonte në Parlament, dhe kjo ishte një zgjedhje politike e saj. Në këtë kontekst, në shumicën e kohës ajo ka qenë jashtë debatit politik me maxhorancën, sidomos për çështje madhore. Beteja politike nuk mund të zhvillohet me konferenca shtypi në distancë, dhe kjo ishte praktika e falimentuar e opozitës shqiptare.

Por, në vend që mungesën në Parlament, ta mbushte me prani në media, opozita zgjodhi t’i shmangë debatet e drejtpërdrejta televizive me maxhorancën që në vjeshtën e vitit 2009. Kjo teori arriti kulmin në mungesën e plotë të përballjeve midis kandidatëve konkurrente në zgjedhjet lokale të 2011-s. Një histori që s’kish ndodhur kurrë që prej vitit 2000, kur u instalua ky standard. Në dy vite, ballafaqimi opozitë – maxhorancë numërohet me gishtat e dorës, ndërkohë që betejën politike të opozitës e kanë bërë aleatët e saj. Studiot televizive kanë qenë të dominuara nga Preç Zogaj, Skënder Gjinushi, Paskal Milo, Spartak Ngjela, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Petro Koçi. Qenë këta që u përballën me përfaqësuesit e maxhorancës, duke mbushur njëfarësoj boshllëkun e madh mediatik që vendosi standardi i Edi Ramës. Si pasojë e kësaj, në dy vite, shumë deputetë të rinj të PS janë ende “të panjohur”. Shumë prej tyre s’kanë shkelur akoma në një studio televizive dhe fare pak janë përballur me deputetët e maxhorancës. Në më shumë se gjysmën e mandatit të tyre ata kanë mbetur thuajse anonimë. Edhe pse shumë janë personalitete në fushat prej nga vijnë. Kjo ka sjellë një tablo të deformuar politike, ku maxhoranca nuk është përballur me ekspertizën e opozitës, siç ka ndodhur në 10 vite, por me deklarimet e saj nga larg. Në kontrast me opozitën e dikurshme të Berishës, që ishte e gatshme dhe gjendej në çdo studio televizive për të akuzuar qeverisjen socialiste të Fatos Nanos dhe për t’u përballur me të.

Vetë Rama i është shmangur çdo debati prej vitesh. Njeriu që hyri në politikë si një polemist fshikullues, protagonisti që i trembte politikanët tradicionalë me stilin e tij tallës dhe ironik, nuk është përballur më me askënd që nga prilli i vitit 2003. Që prej 5 vjetësh ai s’guxon të futet në asnjë studio televizive ku “nuk është i sigurt” dhe gjithë gazetarët e dinë që ky njeri interesohet për pyetjet më shumë se sa për përgjigjet. Ai i ka reduktuar të gjitha format e komunikimit, përfshi konferencat e hapura të shtypit, ku u shmanget përgjigjeve me batuta, gjë që s’ka ndodhur dhe s’ndodh me asnjë politikan tjetër në Shqipëri.

Ndaj, ftesa e Ramës e kësaj fundjave është, pa dyshim, një gjë pozitive. Edhe pse unë besoj se ajo do të kishte më shumë vlerë nëse shihej si standard dhe jo si ftesë konkrete. D.m.th., që PD dhe PS të binin dakord dhe të sanksiononin faktin që në fushatë dy liderët e tyre, kushdo qofshin ata, të zhvillojnë dy apo tri debate televizive; që përfaqësuesit e tyre të mos u shmangen temave të mëdha, por të ballafaqohen me to; që debatet të kenë një standard dhe të mos kthehen në sherrnaja ku askush s’kupton asgjë. Ky do të ishte një zhvillim me vlerë. Një zhvillim që do të linte gjurmë për të ardhmen e vendit. Duke dëshmuar se Shqipëria po ecën në një rrugë të pakthyeshme. Dhe jo si deri dje, kur standardet e vendosura 10 vjet më parë rrëzohen më pas dhe kur opozitën e bëjnë gazetarët, ndërsa vetë opozita bën gazetarin!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama