Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tirana, integrim social apo dizintegrim

Shkruar nga: Fatos Lubonja  
Botuar më: 14 vite më parë

Fatos Lubonja
Tirana, integrim social apo dizintegrim

Para disa ditësh lexova një lajm mbi studimin që kishte bërë një OJQ shqiptare rreth integrimit social – ekonomik të ardhësve në qytetin e Tiranës. Studimi ishte ndërtuar mbi një pyetësor rreth çështjesh të tilla si banimi dhe legalizimi, shërbimet, arsimi, punësimi, gjendja ekonomike, cilësia e jetës, angazhimi dhe përkatësia në komunitet, raporti me institucionet vendore.  Sipas lajmit, të dhënat e studimit kanë sjellë në përfundimin se banorët tiranas që kanë mbi 10 vjet që jetojnë në kryeqytet, kanë një këndvështrim të ngjashëm rreth çështjeve të rreshtuara më sipër me banorët që kanë jetuar në Tiranë para vitit 1990. (Nuk di pse në vend se “banorët”, në njoftim thuhej “rezidentët”.) Shkurt, pra, sipas këtij studimi, kush vjen në Tiranë, ka nevojë për dhjetë vjet që të ndjehet tiranas.

Kaq ishte lajmi që më ngacmoi jo edhe aq pse m’u duk si një nga ato punët sipërfaqësore që kryejnë rëndom OJQ-të shqiptare për të nxjerrë ndonjë lek, por sepse, përfundimi m’u duk si pa qëllim. Pra, nuk kuptova pse duhej ky studim. Ashtu siç lexohej lajmi dukej sikur bëhej fjalë se këtyre ardhacakëve, që të integrohen, d.m.th. të ngrihen në nivelin e lartë të kryeqytetasit, u duhen të paktën dhjetë vjet. Ndërsa për mua, çështja që shtrohet sot për tiranasit është krejt tjetër. Ajo ka të bëjë më së pari me pyetjen: çfarë do të thotë sot të ndjehesh “i integruar” në kryeqytetin tonë? Dhe kësaj i shtohet pyetja: a është e mundur që brenda dhjetë vjetësh, një njeri apo familje që ka ardhur në Tiranë të ndjehet njëlloj si qytetarët e vjetër të Tiranës? Ndoshta po, por në këtë rast duhet thënë: aq më keq për ardhësit.

E them këtë pasi si qytetar i vjetër i Tiranës e që jeton e ndjek me vëmendje jetën e bashkëqytetarëve të vet, mund të them se përjetimi im është se qyteti është bërë thuajse i pabanueshëm qoftë në kuptimin e atyre që do t’i quaja nevoja primare të jetës, që kanë të bëjnë me raportin tonë me ajrin, gjelbërimin, ujin, rrugët, peizazhin urban etj., qoftë përsa u përket atyre nevojave që nënkupton “integrim social”, që kanë të bëjnë me atë se sa ndjehemi pjesë e një komuniteti të caktuar, ku hyn edhe raporti ynë me institucionet vendore të qytetit. Me një fjalë të vetme, do të thosha se si qytetar i Tiranës, ndiej jo integrimin, por pikërisht dizintegrimin. Nëse studimi i OJQ-së në fjalë ka arritur në këtë konkluzion edhe për ardhësit që kanë kaluar dhjetë vjet qëndrim, atëherë mund të them se ka arritur në një konkluzion të saktë. Përndryshe, është një vër në ujë.

Në fakt, ajo çka do të kërkoja sot nuk është një studim mbi atë se sa kohë duhet që të ndjehen ardhësit të integruar, por një studim serioz mbi dizintegrimin social të tiranasve, mbi shkaqet dhe pasojat e mbi atë se çfarë duhet bërë (e sa kohë mund të na hajë kjo) për të filluar procesi i integrimit të qytetarëve të Tiranës në qytetin e tyre që në një farë mënyre, ashtu siç është bërë, kërkon t’i dizintegrojë e t’i flakë jashtë banorët e tij. Një studim që të merrej me atë se sa është rritur numri i të sëmurëve nga kanceri, i të sëmurëve nga mushkëritë, apo ai i të sëmurëve psikikë. Një studim që të merrej edhe me atë se si ndërtuesit që deri dje kanë shkatërruar kryeqytetin me betonizim, sot po na dërgojnë vazhdimisht e-mail-e ku na bëjnë publicitet në forma të ndryshme, duke na thënë: Tirana është bërë e pabanueshme, ju keni nevojë të dilni prej saj dhe të blini vilat që ne po ndërtojmë për ju në rrethinat e saj – që, tek e fundit, do të rezultojë edhe në një shkatërrim të rrethinave.

Gjithsesi, kur flas për dizintegrim social të komunitetit të tiranasve, e ndiej se më së pari më duhet të hap një parantezë që të çon në periudhën komuniste. “Pse, a kishte komunitet tiranasish atëherë?” – mund të shtrohet me të drejtë pyetja. Si qytetar i Tiranës them se shteti komunist, në një farë mënyre, duke uzurpuar të gjitha atributet e jetës publike, i shkatërroi komunitetet e vjetra e të reja të Tiranës dhe kjo që po jetojmë sot është edhe pasojë e asaj periudhe. Por jo vetëm. Përsëri si qytetar i vjetër i Tiranës, mund të them se në Tiranë mbetën, sado-kudo, ato të quajturat lagje apo mëhalla ku njerëzit kishin jetuar prej vitesh, mbeti një lloj solidariteti i lagjes/mëhallës, mbetën marrëdhëniet e njerëzve që e njihnin njëri-tjetrin prej kohësh, që i kishte lidhur një kopsht, apo një shkollë, apo një fushë sporti me të tjerët. Është e vërtetë se institucionet vendore, aq të rëndësishëm për të ngjizur komunitetet, u imponuan nga lart dhe qytetarët nuk i ndjenin si të tyret; është e vërtetë po ashtu se regjimi mbolli një mosbesim të thellë te njeriu, që nuk e ndihmon sociabilitetin, por megjithatë, mund të them se, ashtu si doli, Tirana në vitet ‘90 i kishte mundësitë urbane që të zhvillonte ato elemente komunitare që i kishte ruajtur apo zhvilluar sadopak në komunizëm.

Mirëpo në vend të kësaj filloi një shkatërrim që solli edhe një dizintegrim të paparë social. Faktorët qenë të shumtë, pa dyshim, duke filluar që nga emigracioni i një pjese të mirë të tiranasve e duke vazhduar me dyndjet e ardhësve që u shoqëruan me një urbanizim të egër, me një masakër urbane me zaptime pronash publike e me privatizime abuzive në krye të të cilave u vunë institucione shtetërore që në vend se të bëheshin demokratike, në kuptimin që tiranasit t’i ndjenin si të tyret, filluan, në bashkëpunim me gjithfarë horrash, të ardhur e tiranas, të grabisnin hapësirat publike, të shkatërronin kujtesën historike e me radhë e me radhë, çka, tek e fundit, ka rezultuar në shkatërrimin e çdo ndjenje komuniteti midis tiranasve, duke e bërë tiranasin sot të ndjehet më shumë se kurrë i vetmuar në hallin e tij, pa ndjenjë komuniteti, pa ndjenjë se ka komshinj që mund t’i gjenden në një hall, pa institucione që mund t’i shërbejnë, pa shkolla e kopshte të atilla që të ndjehet i sigurt se po edukojnë qenie njerëzore të shekullit XXI.

Nuk po zgjatem në këtë histori depresive për të cilën kam shkruar shumë. Përkundrazi, në këtë shkrim dua të sugjeroj diçka me idenë se nuk është kurrë tepër vonë, madje edhe duke pasur parasysh faktin se sot kemi një kryetar bashkie të ri dhe një grup që po punon për planin urbanistik të qytetit. Ndoshta – them akoma – mund t’i lexojnë këto rreshta edhe nën dritën e katastrofës që kemi të gjithë përpara syve e nuk do të më përqeshin – siç kam frikë – duke thënë me njëri-tjetrin me cinizëm se çka po them janë broçkulla të një jokompetenti (“urbanist popullor” më përqeshte dikur ish-kryebashkiaku), pasi çka përshkruaj janë fenomene të kapitalizmit kudo në botë.

Madje, për ta sqaruar më mirë se ç’dua të sugjeroj, po sjell shembuj pikërisht nga bota. Po e filloj me përvojën e Enrique Penalosa, kryebashkiak në fillimvitet 2000 i kryeqytetit të Kolumbisë, Bogota, i cili është bërë i famshëm sot për projektin e tij. Në një kryeqytet dhjetë milionësh të mbytur nga një trafik kaotik e nga një problematikë e krahasueshme në shumë aspekte me Tiranën, Penalosa u nis nga ky parim: “Ne kemi nevojë të ecim ashtu sikurse zogjtë kanë nevojë të fluturojnë. Ne kemi nevojë të qëndrojmë së bashku me njerëz të tjerë. Ne kemi nevojë për të bukurën; për kontakte me natyrën. Kemi nevojë, mbi të gjitha, të mos ndjehemi të përjashtuar. Kemi nevojë edhe të ndjehemi në një farë mënyre të barabartë”. Mbi këtë parim, pra, ai krijoi një projekt qyteti relacional me një impakt të jashtëzakonshëm në botë. Së pari, ai ngulmoi se ekziston një konflikt midis vënies së qytetit në funksion të makinave dhe vënies së qytetit në funksion të njerëzve (e kush më shumë se ne tiranasit e provon këtë konflikt mbi kurriz?).

Kështu, Penalosa i braktisi projektet e rrugëve të mëdha në periferi (kujtoni se ne po bëjmë një të tillë) duke i përdorur burimet financiare për të realizuar parqe të mëdha, pista biçikletash dhe “autostrada këmbësorësh”. Ndërkaq, për të përballuar nevojën e transportit, ai u mbështet mbi transportin publik, të cilin e bëri shumë të shpejtë dhe cilësor. Po ashtu, ai zgjeroi trotuaret duke krijuar në to hapësira të mëdha publike dhe pista biçikletash. Kujtoj se Bogota është një qytet të varfërish (siç jemi ne) e kjo punë e kryebashkiakut mund të duket si një luks që e kanë qytetet e pasura perëndimore, veçanërisht apo nordike.

Por, sipas Penaloses, pikërisht në një qytet të varfërish, siç është Bogota, sociabiliteti është një nevojë bazike, që madje ai mund të lehtësojë edhe probleme të varfërisë e deri të reduktojë kriminalitetin. Si pasojë e vënies në jetë të këtij projekti urban, që i nxori si të thuash njerëzit në rrugë si këmbësorë që takohen me këmbësorët, si popullsi që lëviz me biçikletë (nga vetëm 0,2%, pas gjashtë vjetësh numri i tyre arriti në 5%), në Bogota u pakësua në një të tretën numri i aksidenteve automobilistike dhe ra ndjeshëm edhe niveli i vrasjeve. Sot, disa nga arritjet e tij janë të pakthyeshme dhe shembull për gjithë botën. Të njëjtën filozofi ka aplikuar kryebashkiaku i njërit prej qyteteve europiane më të njohur, Parisit. Parisianët kishin arritur një pikë të tillë lodhjeje nga zhurmat, ndotja e ajrit, bllokimet e trafikut, saqë mbështetën planin e kryebashkiakut Bertrand Delonow për t’i rimarrë rrugët. Administrata arriti deri atje sa mbuloi me rërë rrugën “Pompidou”, arterie e rëndësishme qarkullimi makinash dhe vendosi aty çadra nëpër hapësira ku mund të pihej një birrë e të bëheshin aktivitete të ndryshme. Asfalti, pra, u kthye në rërë plazhi me sheshe të vogla, me hapësira për të kërcyer. Delanow, po ashtu, e përmbyti qytetin me qindra mijëra biçikleta që përdoren falas. Për të vazhduar me shembuj gjithmonë në frymën e filozofisë së kryebashkiakut të Bogotas, kujtoj se në Suedi, administrata publike blen terrenet rreth qytetit, që i deklaron zona ku s’mund të ndërtohet.

E di që dikush do të më thotë: çfarë po na thua, me kë po na krahason? Por nuk mund të mos mendosh se Tirana i ka pasur këto mundësi dhe i ka humbur e po i humbet me një shpejtësi dramatike. Dhe nuk mendoj se kjo ndodhi pasi ardhësit ishin katundarë e injorantë që donin të banonin ngjit e ngjit në ato kosheret gjigante të bletëve, apo se ishin të etur për makina e i urrenin biçikletat, deri edhe barin – siç thonë disa. Jo, ardhësit në Tiranë ndërtuan shtëpi me oborr ku mbollën edhe pemë në stilin si kishin banuar në fshat. I bënë të mëdha vërtet, të shëmtuara, e pa infrastrukturë, por, sipas meje, masakrën kryesore e bënë “të diturit” e qytetit.

Ishin ata që kryen betonizimin e qytetit duke përdorur, sigurisht, edhe një lavazh trush, por, mbi të gjitha, duke përdorur forcën e pushtetit, të parasë së zezë e korruptive, e pandëshkueshmërinë nga ligji. Kësisoj, Tirana u shndërrua në një qytet në funksion të makinave e të pasurimit të një pakice që sot ua ka bërë të pamundur jetën qytetarëve jo thjesht në kuptimin fizik, por, mbi të gjitha, në kuptimin e zhveshjes së qytetarëve thuajse nga çdo mundësi relacionale, sociabiliteti. Një qytet, pra, ku vetëm për atë që quhet integrim social nuk mund të bëhet fjalë.

Duke mos dashur ta mbyll këtë shkrim me pesimizëm, po e mbyll duke uruar që teknikët e Bashës që po punojnë për planin urbanistik t’i njohin e studiojnë ca më shumë përvojat që përmenda, në mënyrë që të mund të rikuperojnë ç’mund të rikuperohet në qytetin tonë të masakruar barbarisht nga njerëz shumë të këqij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama