Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Cenet e një censusi

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 14 vite më parë

Edmond Tupja
Cenet e një censusi

Këto kohët e fundit, shpesh po përdoret fjala e huaj “census”, sidomos në mediat e shkruara dhe në ato elektronike. Por, me të drejtë, ndokush mund të pyesë se nga na erdhi kjo fjalë e huaj në gjuhën shqipe. Sigurisht, ajo na erdhi nga goja e një politikani me pozitë në qeveri, i cili e zgjodhi këtë term të huaj për motivet e veta, por pa qenë nevoja ta zgjidhte pikërisht atë, dhe kjo për arsyen e thjeshtë se gjuha shqipe nuk është aq e varfër sa e pandeh ai (të varfër janë, sipas meje, gjithsesi, respekti dhe dashuria i tij për gjuhën shqipe, a thua se nuk e ka gjuhën e nënës). Ndonëse të shumtë janë ose duhet të jenë ata që e kanë kuptuar se çfarë do të thotë në shqipe fjala “census”, unë, tani për tani, po mjaftohem me një shpjegim të prejardhjes së saj:

Në latinishte, “census” ka kuptimin “regjistrim”. Bëhej fjalë për numërimin e qytetarëve romakë dhe për vlerësimin e pasurisë së tyre, veprimtari që kryhej çdo pesë vjet. Më vonë, në mesjetë, quhej “census” një lloj detyrimi në natyrë ose në të holla që pronari i një toke duhej t’i derdhte feudalit vendës. Më vonë akoma, në Francë, termi në fjalë shenjonte tatimin që duhej paguar për të qenë zgjedhës ose i zgjedhshëm (si deputet, për shembull), tatim ky që u hoq përfundimisht në vitin 1848.

Sot, në shqipen e zotërisë që na e bëri dhuratë “censusin”, kjo fjalë na paska zëvendësuar fjalën “regjistrim”, por pa sjellë asgjë më shumë se kjo e fundit në rrafshin kuptimor. Pra, çdo gjuhëtar ose  shkrimtar, ose thjesht shqiptar me njëfarë niveli arsimor e njëfarë ndërgjegjeje gjuhësore apo edhe kombëtare, me shumë të drejtë mund ta quajë termin “census” barbarizëm, ndërsa futësin e tij në gjuhën shqipe po me aq të drejtë mund ta quajë barbar, sigurisht jo në kuptimin “i huaj” që, si grekët e romakët e lashtë, ashtu edhe të krishterët e hershëm i jepnin kësaj fjale, por në kuptimin e sotëm “i trashë, i pagdhendur” ose “mizor, i pashpirt, çnjerëzor”.

Siç e dimë tashmë, bëhet fjalë për regjistrimin e popullsisë dhe të banesave në Shqipëri, regjistrim i cili ka filluar në datën 1 të këtij muaji. Por, siç e paralajmëroj lexuesin tim të vëmendshëm e syçelët qysh në krye të këtij shkrimi, ky “census”, pra, ky regjistrim më duket se ka katër cene thelbësore:
Së pari, sipas rregullave të vendosura, “të gjithë shtetasit, shqiptarë dhe të huaj, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në çastin e censusit ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të japin saktësisht të dhënat e kërkuara për veten dhe për të afërmit e tyre, përjashto pyetjet mbi etninë dhe fenë”. Më tej saktësohet se “informacioni që do të mblidhet do të përdoret vetëm për qëllime statistikore”. Dhe së fundi, përcaktohet se “të dhënat që merren nga censusi do të publikohen të agreguara [ja edhe një barbarizëm tjetër] dhe jo individuale”. Lind pyetja: Po sikur, meqë përgjigjja e pyetjeve mbi etninë dhe fenë nuk është e detyruar, askush të mos u përgjigjet këtyre pyetjeve, pra, sikur në këtë pikë informacioni të jetë zero, si dreqin do të përpunohet ai kur nuk ekziston? Si dreqin do të përdoret ai për qëllime statistikore?

Së dyti, pse duhet deklaruar përkatësia etnike, kur kjo ekziston tashmë në regjistrat e Gjendjes Civile të paktën qysh prej vendosjes së komunizmit në Shqipëri, në veçanti lidhur me pakicat kombëtare? Hallkat e ngarkuara me regjistrimin e popullsisë (më falni se duhej të kisha shkruar “me CENSUSIN e popullsisë”!), fare mirë mund t’u ishin drejtuar pikërisht zyrave të Gjendjes Civile, të cilat, me sa di, edhe pse janë informatizuar, i kanë ende regjistrat themeltarë (me përjashtim, ndoshta, të rastit të etnive rome apo egjiptiane, ndonëse nocioni “etni” presupozon, sipas fjalorit, një gjuhë e një kulturë të njëjtë të një bashkësie të qëndrueshme njerëzish të formuar historikisht në një truall të caktuar). Nga ana tjetër, lind pyetja: pas vetëdeklarimit të përkatësisë etnike, ku do ta verifikojnë hallkat kompetente të regjistrimit të popullsisë (më falni se duhej të kisha shkruar “të CENSUSIT të popullsisë”!) se i vetëdeklaruari nuk ka fantazuar, gënjyer, mashtruar etj., etj.?

Së treti, ndryshe nga përkatësia etnike që, si e pandryshueshme që është, duhet të mbetet edhe e pandryshuar, përkatësia fetare është një dukuri e ndryshueshme: në sistemet demokratike, njeriu gëzon, ndër të tjera, të drejta e liri, edhe atë të ndërrimit të fesë. Në këtë pikëpamje, shqiptarët ndër shekuj kanë qenë në pararojë, ata e kanë ndërruar fenë sa herë u është dashur për motive e interesa nga më të ndryshmet, por, sidoqoftë, shumë më tepër pragmatiste sesa idealiste. Kështu që, sikur unë si shqiptar, bir, nip e stërnip shqiptari, të vetëdeklarohem, ta zëmë katolik, dhe të regjistrohem si i tillë (më falni se duhej të kisha shkruar “të CENSUSohem si i tillë”!), kush më siguron që, për të njëjtat motive e interesa si të parët e mi, unë nuk e ndërroj përsëri fenë duke u kthyer, pas përfundimit të regjistrimit (më falni se duhej të kisha shkruar “pas përfundimit të CENSUSIT”!), ta zëmë në mysliman apo budist ose, edhe “më keq”, vetëdeklarohem agnostik, “më keq akoma”, vetëshpallem ateist siç jam sot! Po sikur shembullin tim ta ndjekin shumë e shumë të tjerë shqiptarë, edhe ata pasardhës të denjë të të parëve të tyre?

Po të ndodhë kjo, statistikat lidhur me fenë, që do të nxirren, përpunohen e publikohen të agreguara pas këtij regjistrimi (më falni se duhej të kisha shkruar “pas këtij CENSUSI”!) nuk do të jenë të sakta!

Së katërti e së fundi, na thuhet se gjithë ky informacion “do të përdoret vetëm për qëllime statistikore”. Por nuk ka dhe nuk mund të ketë në botë statistika për statistika, çdo statistikë kërkon të dalë diku, në interpretime, në klasifikime e ku ta di unë çfarë për qëllime jo vetëm informimi objektiv, por edhe këndvështrimi subjektiv, i cili mund të kurorëzohet tinëzisht me manipulime të paraqitura si përfundime shkencore.

Për ta mbyllur, uroj që censusi në fjalë të mos ketë më cene të tjera, por për këtë ndoshta duhet pyetur Ceni, personazh i njohur si njëfarë filozofi pa shkollë, por vëzhgues i pamëshirshëm dhe analist shpotitës, të cilin e ka bërë të njohur, me penën e tij të veçantë, shkrimtari, publicisti dhe miku im Fatos Baxhaku. Unë nuk e di se ku ndodhet ky filozof, por jam i bindur se po ta takoj dhe ta pyes për ndonjë cen tjetër të censusit, ka rrezik që ai të kruajë kokën, të ndukë lehtas mustaqet dhe të më përgjigjet me qesëndi se fjala “census” rimon, ndër të tjera, edhe me fjalën a…us. Prandaj më mirë të mos e takoj që ta lë të qetë atë dhe veten time.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama