Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sa shumë gjëra ka lënë pa thënë Ramiz Alia!

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 14 vite më parë

Mustafa Nano
Sa shumë gjëra ka lënë pa thënë Ramiz Alia!

Me Ramiz Alinë kam folur në telefon nja tri a katër herë. Kam dashur ta ftoj në programin “Déjà vu”. Dukej sikur edhe donte, edhe s’donte të vinte. “Se si është ajo studioja e ‘Déjà vu’-së”, - më tha në një rast. “Mund ta spërdredhësh gjuhën në studio të tjera, por aty jo dhe aq, pasi je përballë një fotoje, e jo përballë një pyetjeje”. I kërkova të shpjegohej ca më shumë, pasi nuk po e kapja atë që donte t’më thosh. “Po ja, ti do më nxjerrësh foton e Enver Hoxhës, apo jo?” “Besoj se po; do ishte interesante; e nuk do kish kuptim të vinit në ‘Déjà vu’ e të mos flisnim për Enver Hoxhën”, - i thashë. “Jo, jo, nuk bëhet; ta lëmë për më vonë”, - ia bëri aty për aty. Dhe kjo bisedë u përsërit disa herë. E kuptova që ia kish qejfi të vinte, por me kushtin që të fliste për gjëra “jo të forta”. Kuptova gjithashtu që kish fiksimin se pyetjeve mund t’u bëje bisht më shumë e më lehtë se sa fotove. Dhe ai nuk donte që ndokush t’ia hiqte mundësinë për t’i bërë bisht argumenteve, temave, diskutimeve, e pyetjeve që atij s’i pëlqenin. Kam përshtypjen se gjithë jetën këtë ka bërë: u ka bërë bisht gjërave, u ka ikur, u është përvjedhur, u ka kaluar tinëz. Të paktën, faqe botës. Në biseda private duhet të ketë qenë ndryshe. Ka qenë ndryshe. Të paktën, kjo është ajo që unë di.

E kam takuar vetëm njëherë në jetën time. Duhet të ketë qenë viti 1999. Kam qenë me Fred Pezën në zyrën e kryeredaktorit të “Shekullit”, kur ra telefoni. Ishte Ramiz Alia. Foli me Pezën lidhur me diçka që e interesonte, dhe në fund e pyet: More, kush është ky Mustafa Nano, që shkruan aty tek ju? Peza i tha që “po ta kaloj menjëherë, pasi është këtu me mua”. Folëm dhe e lamë të takoheshim. Në shtëpinë e tij, pranë stadiumit “Dinamo”. Në katin e dytë a të tretë. Trokita dhe derën ma hapi një grua, që shërbente aty. Por pa vënë këmbë mirë në apartamentin e tij të ngushtë, ai u dha tek një nga dyert e brendshme, që ishte dera e një dhome, ku ai lexonte, shkruante, priste e përcillte. Më ftoi të shkonim atje, tek “studioja” e tij e dominuar nga raftet e një biblioteke. “Mund t’u hedh një sy librave?” - i thashë pa u ulur. Kish libra në gjuhën italiane e shqipe; në mos gaboj, dhe në gjuhën ruse. Tek librat shqip pashë ndonjë titull të Kadaresë e të Agollit, ndërsa librat në gjuhët e tjera ishin një çik Marks, një çik Engels, një çik Lenin. Nuk mbaj mend të kem parë Stalin. Në mënyrë instiktive po kërkoja ngjyrën e kuqe të kopertinës së librave të Enver Hoxhës, por për befasinë time nuk pashë asgjë të tillë. “Nuk po shoh libra të Enver Hoxhës”, - i thashë. “Ka bërë libra ai?” - m’u përgjigj me një pyetje, dhe unë gati u gjenda i trysur prej atij mirëbesimi që më dhuroi, e që unë nuk e dija pse e meritoja. “Nuk ka bërë?” - vijova me pyetje. “Ka bërë gjëra më të mira se sa librat”, - korrektoi ai opinionin e vet, dhe me këtë i bëri bisht argumentit (dolëm sërish tek tabiati për t’u bërë bisht gjërave).

U ula në një divan pranë ndenjëses së tij, që më shumë i ngjante diçkaje midis karriges e kolltukut. Ai rrinte në shtëpi ashtu si e mbaja mend në takimet zyrtare e publike, me këmbët të ngjitura e të disiplinuara, që mua më sillnin në mendje mënyrën se si rrinin të ulura përpara eprorëve ato gratë SS me funde të gjelbër, që u shkonin deri tek gjunjët.

Ishte i veshur me kostum, jelek, kravatë. Këpucët i mbante të mbathura edhe aty. Mund të mendohej që rrinte i veshur ngaqë i vinin njerëz për vizitë, por pak më pas më tha se, “nuk ishin të shumtë vizitorët”. Ishte i vetmuar, dhe nuk kish turp ta tregonte këtë gjë. Madje, mendova se kish qejf ta tregonte këtë gjë; donte që të tjerët ta merrnin vesh se ai ishte i braktisur nga të gjithë. Përpara meje kish qenë dikush, emrin e të cilit nuk është e hijshme ta bëj publik pa lejen e tij (ndoshta s’do t’i pëlqente po të merrej vesh takimi me Alinë, por ndoshta dhe mund t’mos e kish për gjë, kush e di?).

“E di, - më tha Alia, - që ke qenë në Çorovodë dhe që ke themeluar Partinë Demokratike atje”. “E dini? Si? Kur?” - u bëra kureshtar unë, dhe mendja më vajti se mund ta kish marrë këtë informacion qysh nga koha kur ish sekretar i parë i PPSH-së. “E keni ditur qysh atëherë?” - e pyeta. “Jo, jo, e kam marrë vesh tani, që ke filluar të shkruash te ‘Shekulli’”, - më tha, dhe unë nuk pata as ngasjen më të vogël ta vija në dyshim atë që më tha. “Kam marrë vesh dhe që prindërit e tu kanë qenë anëtarë të Partisë së Punës”, - shtoi, dhe mua m’u duk sikur më tha: “Po ti ç’pate? Ti ke qenë i yni?” Dhe, zumë të flisnim mbi komunizmin. Nuk ramë dakord për asgjë, dhe m’u duk se ai ish nga ata që mund të fliste me njerëz, që i shihnin krejt ndryshe punët e kësaj bote. Ishte dogmatik deri në ekstrem, por dinte të dëgjonte mendime, që atij mund t’i ngjanin dokrra.

Biseda ish e gjatë, rreth tri orë, dhe unë ndoshta do të gjej një rast tjetër për ta hedhur në letër në detaje, por dy argumente përbënë thelbin e asaj bisede. Argumenti i parë ish klasa politike, për të cilën ishim njësoj kritikë. “Unë kam një rol në promovimin e udhëheqësve të Partisë Socialiste”, - tha ai në përgjigje të një aluzionit tim, që ngrihet mbi besimin e shumë të tjerëve se Ramiz Alia ishte shpikësi i të gjithëve. “Ndërsa me Saliun s’kam pasur lidhje. Unë e çova sipër, në Qytetin Studenti, por kryetar të PD-së nuk e zgjodha unë”, - dhe këtu rrëfeu atë që duhet ta ketë thënë dhe publikisht: “Më thotë Xhelil Gjoni, që në krye të studentëve janë vënë disa djem tropojanë, dhe mes tyre shquhet një Azem, Azem. ‘Cilin kemi nga Tropoja që mund ta dërgojmë sipër?’, - e pyeta Xhelilin. ‘Kemi Sali Berishën’, - më tha. ‘Ma thirr këtu’, - i thashë. Pas një gjysmë ore ma sollën Saliun në zyrë. ‘Dëgjo Sali, - i thashë, - atje sipër janë ca tropojanë, të cilët duhen qetësuar. Do shkosh atje menjëherë’. ‘Si urdhëron’, - më tha, dhe iku. S’e pashë më. Veç kur mora vesh se po merrte komandën e gjërave në Partinë Demokratike. Kjo ka qenë historia’”, - përfundoi ai sqarimin e vet.

Argumenti tjetër ish Enver Hoxha, për të cilin folëm gjatë. “Ç’do të ndodhte në dhjetor të vitit 1990 sikur të ish gjallë Enver Hoxha?” - i bëra unë pyetjen që do donte t’ia bënte çdokush. “S’do ndodhte asgjë”, - ishte përgjigjja e parë e atypëratyshme. Më pas bëri një arsyetim më të thelluar, e tha: “Tri do ishin mundësitë. E para ish ajo që sapo thashë, d.m.th, që s’do ndodhte asgjë. Nuk do çoheshin studentët. E dyta, mund të duket e pabesueshme për ju që Enverin e shihnit si të çmendur, por ai nuk ish i çmendur. Ai ish gjëja më racionale që unë kam njohur. U rëndua pak vitin e fundit, por kjo ishte periudha që s’ish as aktiv”. “Cila është mundësia e dytë”, - kërkova unë ta rikthej tek ajo pjesë e arsyetimit që po më interesonte veçanrëisht. “E dyta është që Enveri mund t’u paraprinte ndryshimeve. Ai mund ta ndjente erën e ndryshimeve që po frynte në Europë, e mund të fillonte të ndryshonte përpara se të binte Muri i Berlinit e përpara se ta bënin të tjerët. Ai kish, në ndryshim nga unë, dhe autoritetin ta bënte këtë gjë. Dhe së treti, sikur të mos ndodhte as e para e as e dyta, d.m.th, sikur Enverit t’mos i kish vajtur mendja të bënte ndryshime e sikur studentët të ngriheshin, atëherë do të shkonte gjaku deri në gju”. Ai i shihte të tria këto mundësi, por më shumë besonte të parën. Unë besoja më shumë të tretën.

Më ka mbetur në mendje që nuk fliste keq për askënd. Kur binte fjala për politikanët shqiptarë, thosh thjesht “Saliu”, Fatosi”, Rexhepi” etj., por nuk shtyhej në konsiderata personale, e aq më pak në etiketime. Më ka mbetur në mendje, gjithashtu, që kur i ngjante se po zbrazej ca si shumë përballë një gazetari, s’harronte të kërkonte që biseda të mbetej konfidenciale. Kushedi sa gjëra ka pasur për të thënë e nuk ka mundur t’i thotë. Për mua ka qenë për të qarë hallin. Nuk ka më keq se sa një njeri që është i dënuar ta mbajë gojën kyçur. Megjithëse, të them të drejtën, nuk arrija ta kuptoja deri në fund pse ish i dënuar të mos fliste. Ndoshta ngaqë i bëhej se të vërtetat që donte t’i bërtiste ishin në kontrast të fortë me mënyrën se si e kish harxhuar jetën, e në rrethana të tilla, njeriu bën vaki që ka prirjen natyrale të vihet në mbrojtje të jetës së vet e jo në mbrojtje të së vërtetës? Ndoshta.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama