Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Sezoni i askundit

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Sezoni i askundit

“Nuk do mundni kurrë të pengoni integrimin e Shqipërisë në Europë”, ju drejtua kreu i qeverisë para tri ditësh homologut të tij të opozitës. Ndërkohë, vetëm dy fraza më lart, sapo e kishte akuzuar se opozita po bllokonte procesin e integrimit europian të vendit. Mjafton ky pasazh, njëri ndër të shumtit, ku Berisha shpalos retorikën e tij, e cila ka rregullisht kontradikta e vakume jo të vogla kohore, vendore dhe logjike, për të kuptuar se prej shtatorit ndodhemi në një stad marrëdhëniesh politike, të cilat vetëm formalisht nuk klasifikohen si “krizë”. Jemi në një sezon të askundit, nëse do të mundoheshim të gjejmë një përcaktim figurativ për rrëmujën politike, mishmashin e debateve parlamentare dhe gjuajtjen në distancë nga podiumet e partive, që po shohim thuajse përditë. Një kohë pa kohë, me lëvizje në boshllëk, me fjalë që s’thonë asgjë dhe me një taktikë foshnjore të palëve, që kërkojnë të blejnë kohë, pa e ditur përse do e përdorin më vonë. Të gjithë kërkojnë të duken estetikisht të bukur e korrektë përballë Brukselit, kur vetë Brukseli, më i pari, e di fort mirë që të gjithë janë nga pak fajtorë.

E megjithatë, jo të gjithë ndajnë përgjegjësi të njëjta për atë që Edi Rama e quajti dje “mbetja e dytë në klasë” – marrja e statusit të vendit kandidat për në BE. Përtej faktit publik, atij sulmi të përditshëm ndaj opozitës për “sabotimin e procesit të integrimit”, qeveria po arrin ta maskojë keq deri tani, pozitën e sikletshme në të cilën ndodhet. Kur Berisha dërgonte me nxitim dosjen e aplikimit të vendit tonë pranë presidencës çeke, dy vjet e gjysmë më parë, nuk e mendonte se rruga drejt statusit të vendit kandidat do të qe kaq e gjatë e me kthesa. Zgjedhjet që pasuan, kriza e tejzgjatur politike, por edhe stili i tij autoritar e larg çdo kompromisi politik me kundërshtarin, ka bërë që sot të jemi një rast i paprecedent, sa i takon ritmit dhe mënyrës sesi po integrohemi në Europë. Është kryesisht përgjegjësia e qeverisë shqiptare, që këtë periudhë të gjatë kohore pranoi ta kalojë duke u sherrosur me opozitën, pa një vizion të qartë për daljen nga konflikti meskin me socialistët, me qëllim që të kapej treni i integrimit, qoftë edhe në vagonin e fundit të tij.

Dy fenomene po zbulon gradualisht kjo kohë e mjegullt shqiptare. I pari, ai i ndërrimit të pozicioneve mes palëve politike. Dhe i dyti, ai i riciklimit gradual të imazhit publik të opozitës, përballë lodhjes e rrënimit po kaq gradual të vitrinës qeveritare. Aspekti i parë ka të bëjë me një sjellje të re të dyanshme, si nga Berisha, ashtu edhe nga Rama. Është një raport i ri, një marrëdhënie e ndryshuar në thelb mes të dyve, sa i takon iniciativës politike. Pak ditë më parë, Berisha snoboi një ftesë të Ramës për një debat publik. Në vend të përgjigjes për sfidën, penat e qeverisë rreshtuan edhe një herë në gazeta debatet e munguara të Edi Ramës në dekadën e fundit. Përpos kësaj, Berisha po mungon (me përjashtim të të parës interpelancë me Braçen, ku s’mund të mungonte) thuajse në të gjitha seancat e Kuvendit. Mjafton t’i hedhësh një sy sallës së Parlamentit kur ka seanca plenare, për të vënë re se kreu i qeverisë dhe një pjesë e mirë e ministrave nuk janë aty. Mazhoranca ka zgjedhur të tërhiqet taktikisht përballë akuzave që vijnë nga shumë anë për korrupsion e favorizime gjithfarësh. Ky mes i mandatit të dytë po rezulton i lodhshëm dhe asfiksues për shumë nga zyrtarët e lartë të ekzekutivit.

Aspekti i dytë, pjesë indirekte e të parit, ka të bëjë me imazhin dhe pozitën që po fiton Edi Rama në ambientin politik të vjeshtës. Ka qenë e pritshme që kreu i opozitës të tërhiqej në hije pas zgjedhjeve, në rast humbjeje. E ka bërë këtë edhe në 2009-n, kur u zhduk gjatë gjithë sezonit veror. Po e bën edhe tani, por në kushte dhe rrethana cilësisht të reja. Humbja e imponuar me vendim gjykate e zyrës së kryebashkiakut, ashtu siç thuhej jo rrallë në ato ditë të para, ka qenë jo vetëm një akt i vështirë personal e emotiv, por në të kundërt, e ka çliruar kryetarin e demotivuar të bashkisë nga një barrë që i merrte një pjesë të madhe të energjive ditore. Edi Rama editorialist është një risi që jo të gjithë janë të gatshëm ta pranojnë, por nga ana tjetër, është gjithashtu një politikan i çliruar nga një përgjegjësi administrative jo e lehtë, e cila e kishte rreshtuar prej dhjetë vjetësh tek pushtetarët dhe të fuqishmit e vendit. Sot, “i proletarizuar”, Edi Rama është ndoshta më i rrezikshëm për Berishën, sesa atëherë kur akuzohej se bënte pjesë në të njëjtin çanak korrupsioni. Më mirë një editorialist, se një zyrtar i lartë i korruptuar. Gjatë këtyre javëve, Rama ka hequr qafe akuzat standarde për “20 përqindëshin”, ka pritur që farsa juridike për Tiranën të krijojë kosto morale për fituesin formal, Basha dhe shefin e tij, si dhe po fillon të hyjë më në fund në formatin e liderit politik që propozon dhe që ngacmon. Kundërshtarin dhe opinionin publik njëkohësisht. Dhjetë pikat e tij janë praktikisht e vetmja lëvizje e vërtetë politike e sezonit të ri politik, duke i dhënë Ramës pozitën e drejtimit të një valleje që Berisha po mundohet të mos e ndjekë.

E kjo mund të jetë origjina e një krize të re politike. Edhe më të keqe se e para, sepse do të jetë e kamufluar me petkat e normalitetit institucional. Sezoni i ri politik po vijon të avancojë nën shenjën e bllokimit të dyanshëm. Të qeverisë, e cila s’pranon propozimet e opozitës, dhe të kësaj të fundit ndaj mazhorancës, duke mos votuar axhendën parlamentare të ligjeve. Kësisoj, po i drejtohemi fundit të vitit, mbi një anije e cila nuk ka një busull dhe ku pretendentët për kapiten grinden e kacafyten me njëri-tjetrin. Në krahasim me janarin e këtij viti, mungojnë (shyqyr Zotit) vetëm të vrarët. Gjithçka tjetër është njësoj si më parë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama