Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Teatralitet. Fatalitet. Prakticitet.

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Hoxha
Teatralitet. Fatalitet. Prakticitet.

1. Më 12 tetor, siç pritej, Komisioni Europian nxori raportin e “Strategjisë së Zgjerimit dhe Sfidat kryesore 2011-2012”.  Raporti jep konkluzione mbi performancën integruese të vendeve në shqyrtim: Islanda e ftohtë, Ballkani i nxehtë; Turqia e vakët. Raporti jep edhe orientimin strategjik të Komisionit Europian mbi zgjerimin, si dhe opinionin e tij drejtuar Parlamentit dhe Këshillit Europian mbi fazat e mëtejshme të hapave integrues për vendet në fjalë. Dokumenti, në vlerësimet e performancës, është edhe një sintezë e raporteve të zgjeruara të progresit 2011 për secilin vend.

2. Vlerësimet për Shqipërinë ishin të pritshme. Asnjë surprizë. As për shkakun dhe as për pasojën. Në dokumentin strategjik, faqe 15, thuhet: “….Skena politike shqiptare u dominua gjerësisht nga vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillime të mëtejshme konfrontuese……. Është tashmë urgjente që forcat politike në Shqipëri të rivendosin e të mbajnë një nivel dialogu politik që do të lejonte funksionimin e duhur të institucioneve demokratike, veçanërisht të Kuvendit, si dhe të progresit në rrugën drejt BE-së. …Në tërësi, Shqipëria ka bërë progres të kufizuar në përmbushjen e kritereve politike të anëtarësimit dhe të 12 kritereve për hapjen e negociatave për anëtarësim….”. Në sytë e Brukselit, shkaku thelbësor i ngecjes është i qartë: ngërçi dhe konfrontimet politike. Pasoja: ngecje e integrimit.

3. Në faqet 52-58, ku jepet një analizë më e thelluar, dokumenti përforcon këtë konkluzion lidhur me kriterin politik e, për më tepër, e shtrin atë edhe në kriterin ekonomik. Ndërsa në faqen 52, ku flitet për kriterin politik, thuhet: “Reformat e rëndësishme të lidhura me BE-në janë penguar nga ngërçi politik…” në faqen 55, ku trajtohet kriteri ekonomik, thuhet: “…Ekonomia e Shqipërisë ruajti stabilitetin makroekonomik dhe ritme pozitive të rritjes gjatë dhe pas krizës botërore. Megjithatë, ngërçi politik e pengoi qeverinë të zbatonte reformat e nevojshme strukturore… Shqipëria do të jetë e aftë të përballet me presionet konkurruese dhe forcat e tregut të Bashkimit Europian në periudhë afatmesme, vetëm nëse ajo vazhdon reformat strukturore…”.

4. Sipas Brukselit, gjithçka fillon e mbaron tek ngërçi e konfrontimi politik që nis me zgjedhjet 2009 e vazhdon deri sot. Këtë thanë edhe një vit më parë. Panë shkakun. Parashikuan pasojën. Gjykuan se në kushtet e një ngërçi konfrontues s’ka dialog. Pa dialog e mirëkuptim s’ka se si të kryhen reforma komplekse e të vështira integruese. Ndaj s’na dhanë statusin, por 12 rekomandime. Jo se prisnin që ato të kryheshin plotësisht në një vit. Kushdo e di mirë që duan kohë. Në fakt, statusi do merrej edhe para një viti, pa hapje negociatash, me të njëjtat probleme e rekomandime, mjafton që të mos e kishim atë ngërç konfrontues. Rasti i Malit të Zi flet qartë. Klasa politike kompakte në çështjet integruese ajo malazeze! Korren frytet e mirëkuptimit edhe vjet, edhe sivjet. Jona e përçarë. Pa fryte as vjet, as sot, as mot.

5. Publiku shqiptar duket se percepton në unison tri konkluzione: i) kemi humbur dy vite në rrugën e integrimit e zhvillimit kryesisht demokratik, por edhe ekonomik; ii) nuk dihet se kur mund të rikthehemi në gjendjen normale për të rikapur ritmin e reformave; iii) shkaku kryesor i dy problemeve të para është ngërçi konfrontues politik. Shqiptarët ndahen kur vjen puna tek caktimi i fajtorit. Një pjesë e madhe me siguri drejtojnë gishtin nga opozita, një pjesë tjetër, thuajse po aq e madhe, nga maxhoranca dhe një pjesë më e vogël në mes e ndajnë fajin përgjysmë.

6. Në dy vite rresht, sporti kryesor i shqiptareve u bë loja “e ka kush s’e ka” fajin. Në konferenca shtypi, mitingje dhe antimitingje, debate parlamentare e televizive, shkrime në gazeta dhe komente mbi to në hapësirën e pakufizuar të internetit. Në fund të dy viteve jemi po aty ku e nisëm. Po ajo shpërndarje statistikore e opinionit mbi fajtorin. Sondazhet tregojnë qëndrueshmëri. Rezultatet zgjedhore po ashtu. Shihni me kujdes ato të vitit 2009 dhe 2011 për votat e partive dhe koalicioneve. Numër i përafërt i votuesve si në Tiranë, edhe në të gjithë Shqipërinë. Të njëjtat rezultate për koalicionet si në Tiranë, edhe në të gjithë Shqipërinë. Ngrirje.

7. Loja “e ka kush s’e ka” fajin, i parapriu edhe datës 12 tetor. Po vazhdon edhe pas saj. E pritshme. Reagim instiktiv në afatshkurtër. Vetëm mendje të kthjella, vullnete të hekurta dhe përgjegjshmëri të plota publike mund ta kapërcenin instinktin. Por, nëse do të ishin të këtilla, s’do e kishim pasë pasur fare këtë ngërç. Ndaj, s’ka mundësi daljeje të shpejtë nga kjo lojë e kësaj politike. Çështja është nëse do vazhdojë edhe dy vite të tjera. Deri në zgjedhjet e radhës në vitin 2013. Me shumë gjasa që do vazhdojë, edhe pse kjo lojë, në rrethana të tjera të pandryshuara, të shpie në pikënisje, tek po ai opinion i publikut dhe tek i njëjti rezultat zgjedhor. Se ç’mund të bëhet për të shmangur një kurs të këtillë destruktiv, një dreq e di.

8. Çështja mund të shtrohet në planin patriotik dhe/ose moral. Këto janë koncepte të rëndësishme, por s’na shpien ndokund. Cilido shqiptar që merr përsipër të bëjë gjykim nga patriotizmi, nënkupton se vetë është më patriot se të tjerët. Kush ia jep këtë të drejtë?! Po kështu me moralin. Së pari, kush më shumë e kush më pak jemi të gjithë mëkatarë! E dyta, ç’na garanton se moralizuesi në fjalë nuk do të vepronte, në pozicione e rrethana të njëjta, njësoj si politikanët e sotëm?! Së treti, historia njerëzore ka treguar se patriotizmi dhe morali së shumti janë shndërruar në instrumente diabolikë me pasoja të dëmshme.

9. Çështja mund të shtrohet edhe në planin praktik, simetrikisht për të dyja palët politike. Në fakt, të dyja janë praktike, ndonëse hiqen si parimore. “Ka shumë teatralitet”, tha para ca kohësh ambasadori amerikan, Arvizu. Teatraliteti shfaqet si fatalitet. Pas tyre ka plot prakticitet. Taktika të ndryshueshme për të njëjtin qëllim: pushteti. Palët kanë zgjedhur taktikat e konfliktit dhe mobilizimin emocional, me trumbetat e luftës, të (para)strukturave, anëtarësisë, simpatizantëve dhe elektoratit. E dinë se, në rrethana të njëjta, përfundojnë në të njëjtën pikë. Kontradiksion?! Aspak.

10. Maxhoranca duket se nuk e sheh vazhdimin e konfliktualitetit si ndonjë qeder për zgjedhjet e ardhshme. Ndoshta beson më shumë tek determinizmi historik i rezultateve zgjedhore. Gjithsesi, nuk harron as edhe që rastësitë mund të ndryshojnë rrethanat dhe këto të rrëzojnë determinizmin. Ndonjë rrezik aty-këtu, në zona të caktuara të vendit apo segmente të caktuara të elektoratit i sheh dhe beson se do t’i adresojë me kujdes e në kohë. Tensionet e brendshme në PS favorizojnë maxhorancën. Ajo ka filluar me kohë përgatitjet për 2013-n.

11. Opozita, ndonëse nuk e neglizhon determinizmin historik të rezultateve zgjedhore, duket se beson më shumë tek seria e rastësive në dy vitet e ardhshme, të cilat mund të ndryshojnë rrethanat dhe këto determinizmin. Pak krizë ekonomike, pak lodhje qeveritare, ca edhe përçarja e pritshme mes PD-së dhe partisë së ngjizur, por të palindur të Presidentit, pak gërryerje e ndonjë bastioni të djathtë me individë me influencë lokale të huazuar djathtas, siç edhe ndodhi me zgjedhjet në mjaft komuna e bashki më 8 maj 2011, mund të jenë faktorët që së bashku mund të shkaktojnë animin e votave në favor të opozitës. Nuk duhen shumë vota për përmbysje rezultati. Përgatitjet për 2013-n kanë filluar edhe në të majtë.

12. Prakticitet dhe realizëm. Asnjëra nga palët nuk është se ka të drejtë absolute në vlerësimet e veta dhe tjetra gabim absolut. Porse, i njëjti prakticitet mund të vihet në jetë edhe pa ngërçin konfliktual pengues për integrimin. Gara për pushtet mund të zhvillohet njësoj si me ecje në integrim, ashtu edhe me ngecje. Sa për ilustrim: as opozita nuk humbi vota nga liberalizimi i vizave, as maxhoranca nuk fitoi prej kësaj. Po kështu do jetë edhe lidhur me statusin apo negociatat për anëtarësim me BE-në. Pse të mos e marrim?! Ndaj bën kuptim kalimi nga prakticiteti destruktiv në atë konstruktiv. Lojë për pushtet në një stad më të lartë zhvillimi. Për të gjithë më mirë. Pse patjetër këtu poshtë ku kemi ngecur?! Për të gjithë më keq. Le të marrim shembull nga malazezët. I mbajmë për të trashë, por qenkan fort të zgjuar e praktikë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama