Parafjalë
Emrin e Uran Butkës publiku shqiptar e lidh vetvetiu me mitin e dinastisë Butka, sagës atdhetare të flijimit të kësaj familjeje për disa breza nga fundi i shekullit XIX deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, në të gjitha nyjat tragjike të historisë sonë kombëtare. Emrat e Sali dhe Safet Butkës përcjellin idealizmin e ëndrrës së rilindësve për një komb të bashkuar, duke vepruar me të dyja armët e rezistencës kombëtare – dijen dhe kulturën vizionare nga njëra anë dhe qëndresën prej luftëtari të thjeshtë në frontet e luftërave në terren, me armiq përherë të njëjtë: pushtues të huaj dhe përçarës të brendshëm, të cilët në të gjitha rastet kanë qenë dubël i njëri-tjetrit. Mandej Uran Butka është rrënjosur në kujtesën politiko-kulturore si një ndër politikanët e njohur të së djathtës shqiptare tradicionale e historike, jo vetëm si deputet i Parlamentit shqiptar, por sidomos për kërkimin dhe konsolidimin e idealeve të kësaj së djathte, duke revokuar dhe aktualizuar në një kontekst organik mitet e filozofisë dhe ideologjisë kombëtare të së djathtës shqiptare nëpërmjet librave të tij historikë e studimorë. Uran Butka, si rrallëkush pas rënies së komunizmit në Shqipëri, ka ditur që me një strategji konkrete, reale e nëpërmjet një ballafaqimi dokumentar ta shpërngulë diskursin historik në çështjet më të errëta e më enigmatike të historisë sonë, duke zbardhur shtresat e mykura, të manipuluara e të rrejshme të historiografisë komuniste. Dhe në këtë pikëpamje është një studiues që, tashmë, nuk mund të anashkalohet, sepse në një mënyrë a në një tjetër, prapaskenat kryesore të politikës shqiptare të shekullit XX ai i ka prekur me studimet e tij të shumta e voluminoze. Mjafton të përmendim disa nga titujt: “Ringjallje”, “Kthimi i Mit’hat Frashërit”, “Mukja, shansi i bashkimit, peng i tradhtisë”, “Gjeniu i kombit”, “Safet Butka”, “Lufta civile në Shqipëri”, “Bombë në Ambasadën Sovjetike” etj.
Proza e shkurtër: tregimet
Por, janë të paktë ata që njohin përmasën e artistit në personalitetin e Uran Butkës. Që prej vitit 2001, kur botoi të parin vëllim me tregime, “Vdekje e bardhë”, Uran Butka hyn në një marrëdhënie të re, intime me shkrimin, duke zgjeruar hapësirën e gjuhës për konceptimin e një ekzistence të re të vetvetes, tashmë si artist. Vëllimet me tregime “Vdekje e bardhë” (2001), “Humbja nuk është mbarimi” (2004) dhe “Në shtëpinë tonë” (2008) janë përpjekje mbresëlënëse për një bujtje të etshme e të përmallshme në ligjet e një bote tjetër të shkrimit – letërsinë artistike. Duhet thënë se me këtë botë Butka ka qenë i familjarizuar në mënyra të ndryshme me leximet e pasura, por në një masë të madhe duhen theksuar marrëdhëniet e ngushta të tij me pikturën, art në të cilin e ka ushtruar gjatë penelin, pa harruar kontributin e çmuar në realizimin e dhjetëra dokumentarëve televizivë me natyrë historiko-kulturore.
Edhe tregimet e Uran Butkës, një duzinë e spikatur dhe e realizuar artistikisht, kanë diçka nga impresionet e pikturës, e disa të tjera, nga ana kompozicionale, ruajnë strukturën lineare e retrospektive të dokumentarit për të dhënë sa më të shpejtë afreskën rrëfimore dhe përqendrimin e përjetimit.
Disa nga tregimet e Uran Butkës janë të shkruara me një mjeshtëri skrupuloze miniaturisti. Detajet, përsëritja funksionale e tyre i japin ritëm dhe poezi tregimeve. Një ekzemplar antologjik është tregimi i shkurtër “Arna”. “Arna” përfaqëson një simbol të hollë të “horizontit të pritjes” së burrit. Tregimi zë fill më një situatë ritualore të një çifti: “Kur binin në shtrat, asaj i pëlqente që ai t’ia lëmonte shpinën, shpatullat, qafën… Ai i vinte dorën mbi këmishën e mëndafshtë të natës. Dora rrëshqiste lehtazi mbi sipërfaqen e shkarëzuar dhe të shndritshme të cohës… Ajo kishte një sqimë e kënaqësi të veçantë për veshjen. Vdiste për veshje të bukura dhe elegante, madje edhe të gjitha të brendshmet i mbante të rrëshqitshme, të bardha, gati të tejdukshme”. Tregimi ka një kyç filozofik e estetik: midis ritualit të përhershëm, nëpërmjet një simbolike të arnës, në jetën e intime të çiftit ka hyrë koha, ai lum vërshues e i pandalshëm që merr me vete, rrënon, shuan e shkatërron gjithçka, që shemb perandori e i bën pluhur, ka hyrë edhe në jetën e çiftit për të shkrimbur më të brishtin komunikim.
Dora e burrit që ka rrëshqitur nëpër të linjtën e mëndafshtë, ndesh me këtë vrazhdësi të kohës dhe mbetet e ngrirë. Tash e tutje nuk do ta kemi më këtë magji të prekjes që ka riprodhuar gjithmonë kënaqësi, luks e rezonancë me andjet fine. Ja se si e përshkruan momentin “fatal” të thyerjes së kënaqësisë: “Ajo u shkryth. Dora rrëshqiti lirisht mbi këmishën e natës me një fërfëllimë epshndjellëse, por përnjëherësh u ndal e dridhur nga një pengesë e papritur. Nuk i besoi asaj prekjeje. I kaloi sërish gishtat mbi të, por i tërhoqi me vrull, sikur të kishte prekur një dregëz kanceri. Ishte një arnë e qepur mbi këmishën e saj prej bezeje. Atij iu duk sikur ajo kishte veshur një arnishtë. Ndjeu një rrënim të brendshëm. I iku pa kthim gjithë dëshira e kënaqësia, i ngriu patosi i shpirtit. Pëllëmba iu këput dhe i mbeti si një gjethe e thatë mbi trupin e saj të dridhshëm”. Baladë? Elegji? Rrëfimi apo më saktë, përshkrimi depërton në thelb të lëvizjes, e cila është lëvizje e vetme, njëkahëshe, lineare, ashtu si raporti i rëndomtë i marrëdhënieve të shtratit, me një frakturë rënieje që është “trandja”. Njeriu i ideukuar me linearitetin e telenovelave nuk është i përgatitur për ta përjetuar “ngjarjen” si kategori artistike, por vetëm si linjë aksioni e vëllim intrigash, çka sjell varësinë psikike të lexuesit/shikuesit jo me atë se si ndodh, por me sasinë e gjërave që ndodhin. Ndryshe, sensacion apo ngjarje quhet vetëm ai spektakël që gorromis njëherësh duzina njerëzish dhe kur flakët, gjaku, tymi e hataja të pushtojnë pamjen: kjo, po, kjo të ngop syrin.
Trishtimi, para se të jetë logjik, hap në këtë tregim perspektivën e një meditimit filozofik që na bën me dije se një ditë do të jemi të vetmuar, të privuar, të detyruar të heqim dorë… të pezullt e të shtrënguar të pranojmë cakun e ndarjes me disa “imtësira të mëdha”, falë të cilave ka gjetur pikëmbështetje identiteti ynë, njohja e vetvetes përmes subjektit që fal adhurimin tonë. Po më tej? Çfarë na hapet më tej? Mendimi nuk pranon të shtyhet jashtë këtyre sinorëve ku fryjnë erërat e thata të një stine të zhveshur e të braktisur. Para shtrihet dimri alegorik dhe burri me pëllëmbën e ngritur nuk do ta gjejë më pikëmbështetjen e arkitekturës së brishtë, sepse atij thjesht do t’i duhet “të heqë dorë”. Rrjedhimisht, të përballet burrërisht me reliefin e ashpër të moshës.
Proza e gjatë: romani “Miti i Haxhi Qamilit”
Si rezultat i një përvoje të gjatë në prozën e shkurtër të tre librave me tregime, por edhe të përvojës së tij si studiues e historian, Uran Butka botoi më 2010-n romanin e tij të parë “Miti i Haxhi Qamilit”. Roman historik? Edhe po, edhe jo. Pasazhet e shumta me përshkrime të peizazhit, ishujt e shumtë lirikë dhe linjat e idileve liriko-dramatike, ndonëse nga pikëpamja zhanrore dhe genotipologjike nuk janë situata të romanit historik (megjithëse jo përjashtimisht), sfondi i tyre është krejtësisht historik e konkret, përfshirë edhe disa nga personazhet që me lehtësi ia qëllojmë se kush janë. Idilet e dashurisë apo përshkrimi i animizuar letrar te “Miti i Haxhi Qamilit” nuk kanë natyrën aventureske, gotike e kalorësiake të romanit historik, ashtu siç e ndeshim në romanet e Valter Skotit apo te romanet e Ndoc Nikajt. Të duket se historia del si kornizë e jashtme, ndonëse psikologjikisht ato na sjellin një tip personazhesh në lëvizje të rritjes së tyre shpirtërore, sesa të një totaliteti të kërkuar si shumë aventurash. Kjo shkrirje e shtendosje në jetën e heronjve ua heq atyre patetizmin dhe krijon një poetikë më të natyrshme e më të besueshme.
Romani ynë historik, i dobët nga shumë parametra artistikë në autorët e para Luftës së Dytë Botërore, ndonjëherë naivë (romanet e Ndoc Nikajt, Zef Harapit, Mihal Gramenos e Haki Stërmillit), pas vitit 1945 zhvillojnë një ndër anët më të këqija, sikundërse është glorifikimi i ideologjizuar, butaforia dhe didaktika politike. Tipi i romanit historik socrealist, dihet tashmë: siparin e hapi Dhimitër Shuteriqi me “Çlirimtarët”, Fatmir Gjata me “Përmbysja” dhe me radhë do ta thellojnë shkrimin himnizues të këtij romani, gjithnjë sipas kalkut sovjet – Sterjo Spasse, Ali Abdihoxha, ndërsa Sabri Godo, Skënder Drini, Sulejman Krasniqi etj., japin një model tjetër romani midis dokumentit, kronikës dhe patosit nacional-komunist.
Romani “Miti i Haxhi Qamilit” ngulit që në fillim të njëjtat personazhe që kanë si origjinë luftërat e tyre të përhershme e të pakompromis me njësitë pushtuese të ushtrive të shteteve fqinje, greke e sllave, në përpjekje për të themeluar një kozmos të qëndrueshëm në kaosin e trupave të huaja pushtuese. Paqja asnjëherë nuk zgjat shumë, andaj çeta me luftëtarët e lirisë është gjithnjë në lëvizje, në mbrojtje të territoreve amtare. Në pjesën e parë të romanit këta luftëtarë janë ndeshur me trupat e huaja. Në pjesën e dytë dhe të tretë kundërshtar i pashmangshëm janë forcat rebele të Haxhi Qamilit, që përbën dhe modelin e sfondit tragjik të përplasjes së parë të madhe civile midis shqiptarëve.
Ndonëse historik, romani e shpërndan diskursin në shumë drejtime. Në roman ngrihen dhe shtrohen simptomatikisht të gjitha temat qendrore me rëndësi kombëtare të shqiptarëve. Pala që përfaqësohet nga Ganiu me luftëtarët kombëtarë mishëron prirjen etnocentriste në histori për një shtet dhe shoqëri humane, si e vetmja mundësi për t’u shpëtuar lakmive të shteteve fqinje, ndërsa pala rebeluese mishëron lëvizjen vetëshkatërruese e pështjelluese, të provokuar dhe të inskenuar nga koniunkturat e huaja. Anarkia histerike dhe mercenarizmi i haxhiqamilistëve është një mekanizëm, i cili zbulon ligjësinë e teknologjisë të së keqes shqiptare, që fatkeqësisht është përsëritur në mënyrë konstante në historinë tonë. Ky periodicitet që nis me Haxhi Qamilin në historinë tonë të re, do të përsëritet me puçin ushtarak të qershorit 1924 nga Noli, në vitet e luftës nga komunistët dhe pas Luftës së Dytë botërore nga pushteti vetëshkatërrues i Enver Hoxhës, për të mbërritur mandej tek viti 1997 në një trajtë të re haxhiqamiliste.
Në roman shtrohet origjina e një paradigme atdhedashëse që sakrifikon gjithçka në emër të stabilitetit të kombit, sikundërse origjina e paradigmës së çmendurisë dhe mercenarizmit të sponsorizuar, e cila s’e ka për gjë t’i verë flakën atdheut për të kënaqur deliret e një madhështie të kompleksuar e të sëmurë. Këto dy origjina që shënojnë një binaritet konfliktual, duket se përbëjnë fatalitetin tonë historik. Në faqet e romanit përmasën e vetëshkatërrimit, kaosin dhe manipulimin e turmave prej demagogëve fanatikë e aventurierë e shohim sa herë përshkruhet kampi i rebelëve të Haxhi Qamilit – një model i saktë i egoizmit të klikave ushtarake me origjina të shumëfishta mercenare, po aq sa edhe psikozës dritëshkurtër për t’u lidhur me “më të fortin për momentin”. Kreun e rebelimit, vetë Haxhi Qamilin, shkrimtari e nxjerr nga disa detaje të veprimeve të tij, përmes të cilave kapet dhe “inxhinieria” e kultit. Gjatë romanin dalin në plan të parë disa nga simptomat dhe tendencat negative që mundësojnë rritjen e një figure gjakatare të diktatorit të çmendur. Me rëndësi për shtrirjen e një peizazhi negativ janë:
- Inxhinieria e kultit dhe mitit të Haxhi Qamilit (skena kur fotoreporterin amerikan, Rolandin, e zënë rob dhe detyrojnë të prodhojë fotot e Haxhi Qamilit, për t’ua shpërndarë rebelëve ta mbanin përqafe si profet në trajtën e hajmalive).
- Forca hipnotike që kall në turma i çmenduri.
- Mercenarizmi dhe lehtësia për t’u bërë vegël e tiranëve pa arsye. Aspekti shkurajues i elitave dhe konformizmi i tyre me pushtet kalimtare.
- Rrënjët e “dinakërisë” fshatare në kontekste të vështira historike, politike e ushtarake, siç janë “idhujtarët” e Haxhi Qamilit.
Për të gjitha këto arsye, romani “Miti i Haxhi Qamilit” është një roman diskursiv. Ndonëse në këtë vepër flitet për një periudhë të vështirë e të kornizuar kohore, romani apelon për një situatë mbiletrare dhe llogaritë e këtij diskursi mbeten të hapura për haxhi qamilët e historisë së sotme bashkëkohore. Mitin e një prijësi paranojak e fanatik të turmave e kemi parë shpeshherë, duke na tërhequr kolektivisht në greminë. Këtu qëndron vlera e universalizuar e romanit, që parakupton një lexim më të gjerë, përderisa tendencat haxhiqamiliste dhe, në përgjithësi, haxhiqamilizmi rri në zgrip të një mentaliteti fatal shqiptar, njëlloj, si atëherë, ashtu edhe sot. Kjo konstante e sjelljes vetëshkatërruese qëndron në rrënjët tona dhe mezi pret rast të çelë “lulet e së keqes” shqiptare.
Kompleksi haxhiqamilist rri i tulatur, i gatshëm të nxjerrë nga gjoksi bishën e maskuar përbrenda nesh. Kujdes…!