I kërkoj ndjesë lexuesit të vëmendshëm e të paanshëm të kësaj rubrike, por jam i detyruar ta filloj këtë shkrim me një hollësi intime tepër të rëndomtë, gati banale: dje pasdite, bash para se të ulesha për të shkruar këto radhë, vajta në nevojtore (apo “tualet”, siç thonë masivisht snobët e sotëm), por, ende pa u zbërthyer, më ra në majë të kokës një pikë uji: pikonte tavani! Këtu e pati pikënisjen, pra, pikërisht frymëzimi im thuajse skatologjik…
Në fjalorin e gjuhës shqipe, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Tiranë, 2006), fjala “pikë” zë goxha vend: dy kolona, me dymbëdhjetë kuptime e një mori shprehjesh frazeologjike. Sigurisht që shembujt janë të depolitizuar, ashtu siç i ka hije një fjalori mirëfilli bashkëkohor të një shteti europian, tashmë demokratik, që i ka flakur tej njëherë e përgjithmonë prangat ideologjike të kohës së totalitarizmit komunist. Jo aq për të kultivuar paradoksin duke shkuar “kundër rrymës”, por thjesht për t’i aktualizuar disi politikisht kuptimet e ndryshme të fjalës “pikë” dhe shprehjet që lidhen me to, unë po i propozoj lexuesit dashamirës përsiatjen e mëposhtme:
Për sa u përket shprehjeve “pikë loti” dhe “pikë djerse”, do të doja që në atdheun tim kapitalist njerëzit të derdhnin më pak pika loti dhe më shumë pika djerse, por për këtë qeverisë do t’i duhet, pa pikë dyshimi, të punojë më tepër dhe më mirë, ndryshe opozita, pa pikë droje, mund dhe duhet t’i shkulë veshët asaj; rrjedhimisht, qeveria duhet të nxitojë të zërë pikat e çatisë, sepse të gjithë shqiptarët e mençur, në çdo pikë të Shqipërisë, e kanë tashmë të qartë ku i pikon çatia asaj. Në këtë situatë krize botërore, qeveria duhet të përcaktojë mirë si pikën e ngrirjes, ashtu edhe pikën e shkrirjes së gjendjes ekonomike në mënyrë që pika e vlimit të mos sjellë pasoja të pakëndshme dhe gjërat të mos venë deri në atë pikë sa shumëkush të pikëllohet.
Po t’i arrijë objektivat e përcaktuara për këtë qëllim, qeveria do të fitojë shumë pikë, pikësëpari, në sytë e shqiptarëve dhe, pikësëdyti, faqe faktorit ndërkombëtar; ndryshe, gjithë ata të cilët kanë votuar për këtë qeveri, do të zhgënjehen e do t’u bjerë pika! Nga ana tjetër, kam përshtypjen që, nëse qeveria dështon në përpjekjet e saj për ta kapërcyer ngërçin politik në vend, njerëzit nuk do të thoshin më që ajo po heq “pikën e zezë” në këtë drejtim, por që po heq pikën blu.
Sidoqoftë, edhe për opozitën ata mund të thonë se po heq “pikën rozë” dhe se, me gjasë, ajo duket e vendosur ta mbajë gjallë ngërçin e sotëm politik deri në pikën e fundit të gjakut. Në këtë kuadër, ka njerëz që mendojnë se Shqipëria rrezikon të jetë në pikë të hallit nëse opozita vazhdon ta mbajë atë peng të ngërçit politik në fjalë. Më pesimistët shprehen se, deri diku, situata ka shkuar në pikë të fundit, kurse optimistët, tashmë më të përmbajtur në entuziazmin e tyre të para disa kohëve, e kanë pikë në zemër që kërkesa e Shqipërisë për vend kandidat në BE, ende nuk po merret në konsideratë, por shtojnë se qeveria nuk duhet të mbytet në një pikë ujë. Gjithsesi, opozita orvatet t’i gjejë qeverisë ndonjë pikë tjetër të dobët për ta sulmuar pikërisht atje, por qeveria, deri tani të paktën, po tregon se, në shumicën e rasteve, di t’i vërë pikat mbi i, por jo gjithmonë i bie pikës.
Sigurisht, i nderuar lexues i vëmendshëm dhe i paanshëm i kësaj rubrike, unë mund ta shtjelloj e ta tjerr edhe më gjatë këtë përsiatje nga pikëpamja apo pikëvrojtimi gjuhësor duke e kombinuar me aluzione politike sa majtas edhe djathtas, por po e ndërpres këtu, sepse më duhet të ngjitem një kat më sipër në mënyrë që vejusha, e cila banon tamam sipër meje, të marrë urgjentisht masat e nevojshme në mënyrë që tavani i nevojtores sime (apo i “tualetit”, siç thonë masivisht snobët e sotëm) të mos më pikojë më në majë të kokës, megjithëse pika që më ra dje prej andej ma freskoi shogën duke më frymëzuar pikë për pikë këtë shkrim që përfundon pikërisht këtu.