Alarm i Rreme: paniku i shtimit te universiteteve private
Botuar tek revista Klan
Adri Nurellari (www.adrinurellari.com)
Pak muaj më parë nëpër mediat shqiptare gëlonin reklamat e universiteteve të ndryshme private që janë hapur viteve të fundit në Shqipëri dhe kjo prani e theksuar e tyre në sferen publike ka bërë që shumë ithtarë të sektorit publik të irritohen dhe të ndërmarrin një kryqëzatë të zellshme kundër sektorit privat të arsimit të lartë. Tanimë që viti shkollor ka nisur dhe pasioni e agresiviteti kundër shkollave të larta private janë zbehur, për momentin, mbase është mirë që ky sektor në Shqipëri të analizohet shtruar duke e krahasuar edhe me përvojat e tjera evropiane. Në fakt intensiteti dhe përqëndrimi ndaj kësaj teme është disi qesharake po të kihen parasysh përmasat e arsimit të lartë privat tek ne, fakti që problemi kryesor tek ne qendron tek arsimi parauniversitar, niveli i braktisjes dhe rënies së cilësisë së arsimit dhe kushteve materiale në shkollat fillore si dhe po nxirret në pah që arsimi i lartë është krejt fakultativ përgjegjësia e shtetit për arsimimin e lartë të individëve është minimale përkundrejt arsimit parauniversitar dhe studentët janë mbi 18 vjeç, që do të thotë njerëz të pjekur e të lirë të cilët vendosin vetë se çdo bëjnë me arsimin e tyre të lartë dhe kanë më pak nevojë për përkujdesje nga shteti e analistët.
Një ndër tiparet kryesore të këtij debati ishte përqasja me të cilën është trajtuar çështja, një përqasje dikotomike, me një gjuhë përgjithësuese, përjashtuese dhe determinuese. O publiku o privati, o këtej o andej, o bardhë o zi. Përqasje kjo që qëndronte vite dritë larg subjektit të diskutimit, universitetit, pasi një përqasje e tillë sipërfaqësore dhe e painformuar me dështime dhe spekullime logjike kurrësesi nuk do pranoheshin në një ambjent rigoroz universitar. Kjo gjë tregonte jo thjesht që njerëzit që sulmuan sektorin privat ishin të painformuar dhe tendencioz por edhe që paragjykimet marksiste ndaj sektorit privat, i cili ende vazhdon të konsiderohet si “matrapaz e shfrytëzues’, vazhdon të ngelen gjallë paçka se po futemi në dekadën e dytë të shkëputjes prej regjimit komunist. Fatkeqësisht në të njëjtin kurth debatimi ranë edhe shumë mbrojtës të sektorit privat të cilët në mënyrë nihiliste u angazhuan në një kundërmësymje që përpiqej të diskreditonte gjithçka që kishte të bënte me sektorin publik, duke humbur legjitimitetin dhe besueshmërinë në syrin e publikut. Ç’është më e keqja, përdorimi i të njëjtës përqasje nga shumë prej atyre që u përpoqën të mbronin sektorin privat bëri që universiteteve private që nuk merritojnë të linçohen nga paragjykimet apo disa praktika sporadike të pandershme brenda sektorit privat t’iu ofrohej një mbrojtje shumë të dobët.
Prandaj, pikësëpari duhet thënë që jo gjithçka brenda sektorit privat është e mirë dhe jo gjithçka që është brenda sektorit publik është e keqe. Në parim jo vetëm për arsimin e lartë, por edhe për sektorë të tjerë të shërbimeve publike si shëndetësia apo transportin universitetet private kanë një supremaci në efikasitet dhe cilësi por kostoja e lartë e këtyre shërbimeve të ofruara nga aktorë privat bën që shumë njerëz të kenë një preferencë për aktorët shtetërorë që mbase nuk kanë të njëjtën cilësi dhe efikasitet por të paktën kanë kosto më të ulët. Gjithashtu edhe ky parim brenda sektorit privat kur bëhet fjalë për cilësi nuk është gjithmonë i vlefshëm pasi gjithmonë ka aktorë privat, të quajtur në ekonomi free-riders, përfitues pa detyrime dhe të pamerituar, të cilët janë oportunistë dhe shfrytëzojnë boshllëqet ligjore apo korrupsionin e organeve përgjegjëse për monitorimin e veprimtarisë së tyre, për të bërë shkelje dhe nxjerrë përfitime në dëm të cilësisë së produktit që ofrojnë. Prandaj duke njohur nivelin e ulët të zbatueshmërisë së ligjit mund të thuhet se ato fjalë për diploma të shitura me para apo regjistrime të bëra drejtpërdrejtë në vitin e dytë a të tretë të universitetit pa dhënë ndonjë provim, ka shumë gjasa të jenë të vërteta. Por kjo nuk do të thotë që janë të vërteta për çdo universitet privat ashtu sikurse nuk mund të thuhet që në të gjitha fakultetet publike të universiteteve të Tiranës lulëzon i njëjti korrupsion që lulëzon në universitetet publike periferike të Shqipërisë.
Dhe pikërisht kur jepet një gjykim krahasues për universitetet private duhen patur parasysh si pikë reference jo vetëm fakultetet dhe departamentet më dinjitoze të Universitetit të Tiranës, sikurse është parë që shpesh del shëmbulli i fakultetit ekonomik të Universitetit të Tiranës, por edhe këto universitete publike të qyteteve periferike të Shqipërisë. Pra duhet të përdoren të njëjtat standarde kur bëhet krahasimi. Nëse analiza bëhet me këmbë në tokë duke u nisur nga oferta publike ekzistuese në Shqipëri, pra duke patur parasysh sot universitete publike si ato të Gjirokastrës, Korçës apo Vlorës ku ka një nivel të lartë të korrupsionit dhe të ulët të burimeve njerëzore e materiale, mund të thuhet që sado i keq të jetë universiteti më i keq privat, ai kurrësesi nuk është më i keq se universiteti më i keq publik.
Në kushtet kur menaxhimi publik në gjithë Shqipërinë, është i infektuar nga inefikasiteti, politizimi, joprofesionalizmi dhe korrupsioni, kuptohet që sektori privat ka shumë avantazhe të krahasuara. Dhe kjo është shumë e vërtetë edhe për universitetet private shqiptare që kanë vendosur të mos funksionojnë si grabitqarë ndaj mundësive të momentit por si sipërmarrje largpamëse.
Po të shikohet e gjithë ekonomia, duket qartë që sektori privat është i pranishëm në mënyrë dominuese dhe se sektori publik e ka të vështirë që të garantojë shërbime cilësore dhe efikase. Atje ku i gjithë shërbimi është i dominuar nga kompanitë shtetëore, sikurse është energjia elektrike apo ujësjellësi, ne shohim dështim të hapur. Kjo vjen jo vetëm sepse në përgjithësi sektori privat ka maksimumin e efikasitetit duke siguruar shfrytëzimin më optimal të burimeve por edhe sepse ne kemi një shtet të varfër që nuk mund t’i lejojë vetes investime masive në arsimin e lartë. Prandaj në kushtet kur rritet kërkesa për arsim të lartë sektori publik nuk ka mundësi që të ofrojë mjaftueshëm apo kënaqshëm mundësi për t’u arsimuar në universitete.
Avantazhet e universiteteve private duken në të gjitha aspektet që përbëjnë shkollën e lartë. Së pari universitetet private bëjnë të mundur rekrutimin e individëve të arsimuar në universitete cilësore perëndimore apo profesionistë të shquar që pëndryshe nuk do të josheshin dot për të dhënë mësim me rrogat modeste të universiteteve publike. Sot për një orë mësimi një pedagog i jashtëm paguhet diku tek 3600 lekë të vjetra në universitetin publik dhe pothuaj dhjetëfish më shumë në një universitet privat. Por nuk është vetëm çështje rroge por edhe fleksibiliteti në menaxhimin e burimeve njerëzore. Rekrutimi i pedagogëve të rinj në universitete publike bëhet me një pedantizëm të tepruar dhe një koklavitje procedurash dhe përjashto rastet e rralla kur stafi i departamentit është i prirur për reforma, ndryshime dhe për të mirëpritur prurje të reja, në shumicën e rasteve funksionon nepotizmi dhe jo meritokracia. Përpos kësaj edhe kur rekrutohen të rinj, ata kanë shumë pak mundësi që të zgjedhin lëndë ku do japin mësim dhe shpesh katandisen duke dhënë lëndë për të cilat nuk kanë ekspertizë por për të cilat janë emëruar pa vullnetin e tyre.
Së dyti bëhet fjalë për bazën materiale, buxheti i mekur i shtetit shqiptar e ka shumë të vështirë për të garantuar klasa të mëdha, mjete mësimore, ndriçim të përshtatshëm, ngrohje e laboratorë ndërkohë që në universitetet private shqiptare investimi i bollshëm i kapitalit privat ka bërë që klasat me pak nxënës të pajisura me kondicionerë dhe me rrymë elektrike të vazhdueshme të garantuar nga gjeneratorët, të jenë një conditio sine qua non. Së treti ka të bëj me programet dhe përmbajtjen e mësimdhënies që shpesh lidhet ngushtë edhe me faktorin e dytë. Këtu duhet përmendur që bollëku i financimeve i lejon që të pajtojnë ekspertizën më të lartë në hartimin e programeve dhe po kështu klasat e vogla, motivimi i lartë i pedagogëve të paguar mirë, dhe baza materiale e pasur lejon aplikimin e metodave më moderne interaktive dhe mjete të teknologjisë së përparuar gjatë mësimdhënies. Përmasat e vogla të këtyre shkollave bën që këto shkolla të jenë shumë fleksibël me programin që ta kenë shumë të lehtë përqafimin e metodave apo lëndëeve dhe njohurive më bashkëkohore gjatë procesit mësimor. Po kështu varësia e drejtpërdrejtë nga numri i studentëve, bën që këto shkolla private të jenë gjithnjë në një frekuencë me tregun e punës duke iu përshtatur menjeherë nevojave dhe prirjeve.
Fatkeqësisht për momentin kjo gjë është e vështirë të ndodh në universitetet publike jo vetëm sepse kapacitetet ekzistuese dhe mundësite e buxhetit të shtetit për t’i shtuar ato janë të kufizuara por edhe sepse sistemi i organizimit dhe menaxhimit të tyre është i vjetëruar, stafet e kanë të vështirë t’ju përshtaten nevojave të kohës. Mjafton të shihet vonesa në reformimin e akademisë së shkencave si dhe pengesat e mëdha që po hasen në këtë proces për të kuptuar që reformimi i botës akademike shqiptare është shumë i ngadalshëm dhe aspak në hap me kohën. Por edhe kur nuk bëhet fjalë për këto pengesa, universitetet shtetërore kanë shumë pak hapësira për të manovruar pasi për shembull rrogat janë të renditura sipas një sistemi referencial të ngurtë të përcaktuar nga lartë dhe një fakultet publik ta zëmë në Korçë e ka të vështirë që të joshë, motivojë apo shpërblejë një profesionist të shquar apo profesor të suksesshëm. Por kjo nuk do të thotë që në Universitetin e Tiranës nuk ka shumë pedagog të apasionuar dhe shumë cilësor të cilët vazhdojnë të japin mësim pavarsisht nga rroga modeste. Madje mund të thuhet që mundësia për të patur dy apo tre punësime ua lejon këtyre individëve që të vazhdojnë të japin mësim disi për vokacion e disi për status social në universitet publik ndërkohë që kanë të garantuara standardet e jetesës nga punësimi i njëhershëm në universitete private.
Tipari i dytë karakteristik i këtij debati ka qenë argumenti i analogjisë me Evropën Perëndimore. përdorur për të sulmuar universitet private apo për të hedhur hije dyshimi për zgjerimin e sektorin privat të arsimit të lartë në Shqipëri. Por edhe kjo përqasje është e bazuar në injorancë dhe në disa perceptime siperfaqesore të pabazuara. Pak a shume argumenti i hedhur nga disa analistë është që Evropa Perëndimore ku ne po aspirojmë të shkojmë, ka pak për mos të thënë aspak universitete private dhe ato pak që janë, janë universitete jofitimprurëse.
Këtu duhet të bëhet një ndalesë dhe të vihet në dukje që analogjia nuk është e përshtatshme pasi shtetet e Evropës Perëndimore janë shtete të pasura, me një sektor publik shumë më të gjerë dhe të zhvilluar se yni. Analogji më të përshtatshme do të ishin vende ku raporti sektor publik- sektor privat të ishte i ngjashëm me tonin por edhe kur bëhet fjalë për Evropën Perëndimore faktet tregojnë që një sektor privat i arsimit të lartë në zgjerim është një realitet mbare evropian.
Vendi kryesor i referencës për shqiptarët është padyshim Italia, kjo për shumë arsye, afërsia gjeografike, italianofonia, italianofilia si dhe bursat bujare të ofruara nga shteti italian. Mirëpo edhe kur bëhet fjalë për Italinë njerëzit nuk janë mjaftueshëm të informuar pasi aty sektori privat universitar është në zgjerim e sipër dhe është goxha domethënës. Një burim i përkryer për të dhëna lidhur me evoluimin e arsimit të lartë në Evropë është Qëndra Evropiane për Arsimin e Lartë që është pjesë e UNESCO-s. Sipas botimeve të kësaj qendre del se në vitin akademik 2002-2003 Italia kishte 77 shkolla të larta private ku studionte diku tek 8% e studentëve me kohë të plotë ndërkohë që në Shqipëri përqindja varion tek 5-6% e studentëve. Në Spanjë në vitin 2003-2004 ka pasur 50 shkolla të larta publike dhe 22 shkolla të larta private dhe në këto të fundit studionin diku tek 9% e totalit të studentëve. Në Portugali sektori privat është akoma më i gjerë pasi në vitin 2003-2004 aty kishte 162 universitete dhe shkolla të larta (përfshi këtu institucione që japin diploma që konsiderohen diploma të shkollës së lartë), 101 ishin institucione private të arsimit të lartë dhe 24% e totalit të studentëve portugez studionin në një shkollë të lartë private. Po të shikohen pastaj vendet ish komuniste që janë në Evropë, të cilat mund të konsiderohen më të përshtatshëm për t’u krahasuar me ne, kuptohet që dobësia e sektorit publik është përkthyer në këto vende në një sektor privat akoma më të fuqishëm. Në Bullgari ka 46 universitete në të cilat 23 janë publike dhe 23 janë private dhe në këto të fundit studion diku tek 20% e studentëve. Ndërkohë në Poloni në vitin 2005 ka pasur 427 institucione që konsiderohen shkolla të larta e që japin diploma të shkollës së lartë dhe prej tyre 301 kanë qenë shkolla private ku kanë studiuar mbi 30% e totalit të studentëve. Pra siç shihet përqindja e studentëve shqiptar që studiojnë në shkolla private është modeste krahasuar me vende të tjera evropiane. Në vende si SHBA raporti i studentëve në shkolla private dhe në shkolla publike është afërsisht 50% me 50%.
Nevojat për të shtuar financimin, rritur konkurrencën e liberalizuar sektorin e arsimit të lartë nuk është vetëm shqiptare por e gjithë Evropës. Prandaj duhet shtuar gjithashtu që procesi i reformimit të arsimit të lartë dhe lënies së më shumë hapësire ndaj sektorit privat është një tendencë tipike mbarë evropiane. Kështu për shembull Austria lejoi hapjen e shkollave të larta private në vitin 2000 dhe në vitin 2004 ato u bënë 9. Prej vitit akademik 1983-1984 deri në vitin akademik 2004-2005 numri i studentëve në universitetet publike spanjolle është rritur 85% kurse numri i studentëve në universitetet private është rritur 450%.
Ndërkohë kur flitet për universitete private aty bashkëjetojnë suksesshëm të dy realitetet si shkollat e larta me qëllim fitimprurës ashtu edhe ato me qëllim jofitimprurës (sikurse Marubi dhe Universiteti Katolik Këshilli i Zojës së Mirë). Kështu në Gjermani dy vite me parë ka pasur 384 shkolla të larta në të cilat 98 ishin private dhe këto private ndaheshin në 54 fitimprurës dhe 44 të regjistruar si jofitimprurës dhe të zotëruara nga kishat. Në mes shkollave private të Italisë jofitimprurës dallon vetëm universiteti katolik i Milanoës dhe po kështu në Portugali kisha katolike ka vetëm një universitet. I pavërtetë është gjithashtu paragjykimi që hamendëson se në universitetet private evropiane shkojnë detyrimisht studentët më të dobët dhe më të pasur. Një studim i arsimit të lartë privat italian i qëndrës së sipërpërmendur nxjerr se gjatë vitit akademik 2003-2004 ndër maturantët që kishin mesataren >9-10 me notën më të lartë 10, 30.2% kishin shkuar në universitete private italiane dhe 27.5% e tyre në universitetet publike italiane. Pjesa tjetër ose nuk ka vazhduar arsimin e lartë ose kanë shkuar për studime jashtë vendit. Për cilësinë e lartë të shkollave private në Evropë dëshmon fakti që në renditjet ndërkombëtare të shkollave të larta, ndër të paktat shkolla të larta evropiane që ia dalin të konkurrojnë në cilësi me shkollat amerikane janë shkolla private si LBS në Angli, Boçoni e LUISS Itali, INSEAD Francë, IMD Zvicër, ESADE, Instituto de Impresa Spanje, Reutlingen Gjermani e kështu me radhë.
Për rrjedhojë, një analizë logjike dhe konkrete e situatës në Shqipëri dhe një interpretim i të dhënave që vijnë nga Evropa Perëndimore dhe Lindore lë të kuptosh se paniku i përhapur për rritjen e sektorit privat të arsimit të lartë në Shqipëri është i pajustifikuar dhe se diskutimet e ardhshme për këtë temë duhet të bëhen me më shumë kthjelltësi dhe baza.