Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të pastrojmë më parë Shqipërinë

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 14 vite më parë

Mentor Kikia
Të pastrojmë më parë Shqipërinë

Ligji për menaxhimin e mbetjeve, i emërtuar tashmë në mënyrë urbane si “Ligji i Plehrave”, pasi konsumoi edhe raundin e dytë të debatit parlamentar, pasi Presidenti i Republikës e ktheu për rishqyrtim, do të fuqizohet, duke i hapur rrugë mes të tjerave, edhe importit të disa lloje mbetjesh për të furnizuar industrinë e riciklimit, që ka nisur të marrë jetë para se të miratohej ligji. Mbetet për t’u parë se çfarë impakti do të prodhojë ky ligj në mjedisin shqiptar, por personalisht i bashkohem këmbë e duar shqetësimit të madh të shumë organizatave e qytetarëve, se ky do të jetë i dëmshëm. Mund të renditen një sërë arsyesh dhe argumentesh se përse importimi i mbeturinave do të jetë i dëmshëm, që nga kostoja direkte mjedisore e këtij procesi (të mos harrojmë, bëhet fjalë për të importuar mbeturina, plehra dhe jo lule…) e deri tek rreziku i fshehjes mes dengjeve me “plehrave të mira”, të mbetjeve të rrezikshme radioaktive.

Por unë do të doja të nxirrja në pah një tjetër rrezik dhe bashkë me të, edhe një tjetër absurd të politikëbërësve dhe ligjbërësve tanë. Gjatë debateve në Kuvend, deputetët e mazhorancës thanë se ky ligj duhet të votohet, sepse ai do të mundësojë pastrimin e vendit, pastrimin e territorit të Shqipërisë sonë nga mbeturinat që e kanë pushtuar nga maja e malit deri në breg të detit. Por si? Pikërisht këtu lind edhe pyetja: Si do të pastrohet Shqipëria?

Nëse në këtë vend do të kishte një politikë të përgjegjshme dhe njerëz të përgjegjshëm, këtu do të ishte vërtet për të vënë kujën. Jemi, pa asnjë dyshim, vendi më i qelbur (ndjesë për këtë epitet, por fjala ndotje është shumë modeste për nivelin ku jemi ne) i Europës. Kudo, anës rrugëve, nëpër lëndina, nëpër pyje, nëpër lumenj, në bregdet, në parqe qytetesh, rrugë nacionale, rurale e rrugë lagjesh ka mbeturina. Njerëz që i hedhin kudo, kurdo e ku të munden. Plazhe të mbushura me mbeturina, shishe, kanaçe, bidonë, qese, e gjithfarësoj që një popull i uritur prej racionit komunist, konsumon me nxitim nga prodhimi i ekonomisë së tregut. Një vend me popullin më të paedukuar dhe me pushtetin më të papërgjegjshëm është tashmë seriozisht i rrezikshëm për t’u banuar. Pemë të mbushura me qese, që tunden degëve si flamuj të frikshëm, janë bërë simboli i pisllëkut që na mbulon e që na prezanton në kontaktin e parë me turistët e huaj.

Prej tre vitesh jam vënë në krye të një lëvizjeje vullnetariste: “Korpusi Shqiptar i Vullnetarëve” dhe me duar kemi pastruar plazhet dhe zonat turistike për tre vjet rresht, nga Velipoja deri në Orikum. Çdo vit kemi mbledhur mijëra thasë, statistikisht afro dhjetë mijë thasë, në çdo prag sezoni turistik. E gjithë fëlliqësia e një shoqërie, politikës dhe qeverisë është brenda atyre thasëve. Në kushtet kur bërtasim për turizmin, ne tolerojmë që në mes të ditës bashki e komuna, pra njësitë e pushtetit vendor, qeverisja jonë lokale, të shkarkojë mu brenda në lumë makinën me mbeturinat e qytetit. Kërkoni ku të doni, në do të gjeni tjetërkund ndonjë popull e qeveri që të shkarkojë mbeturinat në lumë, veç në ndonjë mejhane a fshat të humbur të Afrikës, ku jetojnë fise të painventarizuara ende.

Falë kësaj injorance dhe paedukate kolektive, ne sot e kemi dëmtuar vendin tonë si asnjë pushtues e kolonizator në histori. Pikërisht ky është problemi ynë më i madh. Plehrat që na kanë mbuluar këmbë e kokë! A do të pastrohen këto, a do t’i pastrojë ky ligj këto mbeturina? Mazhoranca që miratoi ligjin, i cili parashikon edhe importin, vajtoi dhe propagandoi përparësitë e tij duke na sjellë në mendje pikërisht këtë situatë. Por industria e riciklimit që do të hapet në Shqipëri, druajmë se nuk do të ushqehet aspak nga ky moçal mbeturinash ku ne jetojmë. Ligji i importit duket të jetë një mbështetës ligjor posaçërisht për industrinë e riciklimit, e cila në vend të mbledhë pisllëqet që na mbulojnë, do të “hajë” mbeturinat që do të vijnë nga Italia.

Çështja që shtrohet sot është pikërisht kjo: Ne duhet të pastrojmë vendin tonë më parë, ne duhet të miratojmë ligje që të ndalojnë ndotjen e vendit tonë më parë. Ne duhet të miratojmë ligje që ndëshkojnë Bashkinë e Librazhdit, të Kavajës, Rrogozhinës etj., që shkarkojnë mbeturinat në lumin Shkumbin e ky i dërgon në det, e deti i rikthen në plazh. Ne duhet të miratojmë ligje për të ndëshkuar qytetarët që hapin xhamin e makinës e hedhin në rrugë e autostrada kanaçet dhe shishet e pijeve. Ne duhet të miratojmë ligje që të ndëshkojnë njerëzit, të cilët hedhin nga dritarja, varin në degë pemësh qeset e mbeturinave të shtëpisë, pasi përtojnë të shkojnë deri tek kazanët. Ne duhet të miratojmë ligje që dënojnë me gjobë çdokënd që hedh një mbeturinë në parkun e qytetit, në plazh e në çdo mjedis publik.

Nuk është vështirë ta mësojmë se si funksionon ky mekanizëm. Mjafton të udhëtojmë me makinë 3 orë larg nga Tirana, për në Maqedoni e Mal të Zi, për të parë se si rrugët e mjediset publike janë të pastra. Dhe janë të pastra jo se atje ka ligje dhe fabrika për riciklimin e mbeturinave të huaja, por se ka ligje që ndëshkojnë qelbanikët vendas. Po, pasi ta kemi arritur këtë, atëherë mund të blejmë edhe pisllëqet e italianëve, nga të cilat, falë teknologjisë, të përfitojmë energji e pse jo edhe ushqime e veshmbathje.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama