Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Të mbash gojën

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Të mbash gojën

Pak ditë më parë Ben Blushi shprehej në një intervistë për Alfred Pezën, se Kryeministri Berisha është një njeri banal. Si gazetar dhe politikan, ai, bashkë me shumë të tjerë, e kanë ndjekur kurbën politike të kreut të qeverisë në dy dekada. Nga dekada e parë, në vitet ’90, kur Berisha-President ishte një figurë intransigjente dhe e ashpër, por përgjithësisht më fjalëpak dhe sidomos më i kursyer në sharje, fyerje e ironi për kundërshtarët. Për të kaluar më pas në dekadën e dytë, atë të ringjitjes në vitin 2005, kur shqiptarët panë gradualisht një Kryeministër që iu dha me shumë dëshirë gjuhës lakonike, batutave të humorit denigrues, mesazheve të kriptuara dhe gossip-it politik. I fyer me të drejtë për fabulën aspak elegante që Berisha përdor për librat e tij, deputeti i opozitës ka formuluar atë që me shumë gjasë është sot një fenomen i shtrirë gjerë e gjatë në jetën tonë politike: fjalorin banal dhe gjuhën e urrejtjes!

Banaliteti verbal në politikën shqiptare, ka qenë dhe është një bashkudhëtar i pandashëm i elitave drejtuese. Që nga KPD-ja e famshme socialiste e një dekade më parë, deri te fjalimi i Sali Berishës kundër Edi Ramës në Parlament më 26 nëntor 2009, ky fenomen ka ecur i mbështetur fort mbi këto piketa e të tjera si këto, ku shfrimi publik dhe fyerjet personale, kanë arritur maja të frikshme.

Në një vështrim larg emocioneve që krijon në momentin kur kumtohen, ky stil kumtimi politik, është i gjithi i ngritur mbi efektin dhe sugjestionin, duke shpërfillur pasojat që lë pas dhe mbi të gjitha i ndërtuar me qëllimin për të evituar vëmendjen nga diçka konkrete. Ja për shembull, u quajtën krerët institucionalë “horra” e “lavire” në momentin kur ishin vrarë katër demonstrues të pafajshëm në shesh. Edhe teorema groteske e puçit, e shoqëruar me butaforinë qesharake të krerëve të shtetit që dëshmonin para një komisioni hetimor për lloj-lloj aktesh subversive të paimagjinueshme, u krijua pikërisht në këtë moment të rëndë, me të vrarë e të plagosur në mes të Tiranës. Duhej devijuar vëmendja e opinionit publik, e për këtë arsye u zgjodh një gjuhë e fortë akuzash, fyerjesh e denigrimi ekstrem. “Ushqimi” më i preferuar i faqeve të para të shtypit dhe i ekraneve televizive. Një rrethanë e ngjashme ishte edhe vjeshta e vitit 2009, kur opozita kreu të parën protestë masive në bulevard, e cila e acaroi kaq shumë Kryeministrin, sa s’mundi t’i rezistojë tundimit që të dilte në Kuvendin e Shqipërisë me një fjalim, i cili rrëmonte në të gjitha skutat e jetës së kundërshtarit të tij politik.

Në një kontekst më të gjerë, kjo taktikë është përdorur e përdoret gjerësisht, kur palët politike, më së pari qeveria, kërkojnë t’i largohen me çdo kusht debatit për tema konkrete. Godit njeriun, jo idenë e tij – kjo është aksioma hileqare që përdoret sot nga podiumi i lartë i Kuvendit, e deri te studiot më të humbura televizive. Goditja me efekt, mesazhi i koduar, batuta banale apo edhe vulgare, prekja e familjarëve apo e jetës private, janë shumë shpesh varka e shpëtimit në momentin kur argumentet shterojnë dhe kur situata është e vështirë.

Për t’iu adresuar momentit aktual, rëndom ka ndodhur këto ditë, pas hedhjes së idesë për taksën progresive nga ana e opozitës, që në debatet parlamentare apo televizive, është debatuar shumë shkurt për vetë propozimin, për të kaluar më pas në një retorikë të shëmtuar politike, e cila rregullisht ka përfunduar me fyerje personale. Rezultati: askush s’ka marrë vesh nëse taksa e sheshtë është më e mirë se ajo progresive dhe anasjelltas. Edhe një temë tjetër shumë delikate për fatin e vendit, si ajo e mbetjeve, ka degjeneruar në togfjalëshat folklorikë “aleanca e plehut”, ose “gjeli majë plehut”, duke bërë që arsyeja dhe logjika t’u lëshojë vendin sharjeve.

Raste si këto janë norma e përditshme e debatit politik në Shqipëri, ku kultura e poshtërimit të kundërshtarit është kthyer në të vetmen armë suksesi që njohin politikanët tanë.

Sot po flitet shumë për kompromisin që dy palët arritën. Ose më mirë thonë se kanë arritur, pasi ende ujërat s’janë qartësuar. Do të kishte shumë pak shanse që një marrëveshje, ose më mirë një erë e re paqeje politike, të niste mes Berishës e Ramës, për t’u shtrirë më pas në katet e poshtme të politikës shqiptare, nëse vullnetit politik, presionit ndërkombëtar e nevojës urgjente për reforma, nuk do t’i bashkohej një kod i ri, totalisht i ndryshëm komunikimi publik. Nëse kundërshtari nuk do të shihet realisht si një palë legjitime, por si një armik për t’u nxjerrë jashtë “për zhelesh”, nëse nuk do të marrë fund masakrimi i përsëritur publik që shefat e politikës i bëjnë njëri-tjetrit, e më pas, në fund të ditës, lëshojnë nga një mesazh hipokrit shtensionues. Tamam si në një skeç të “Portokallisë”, ku aktorët e veshur si politikanë, i drejtoheshin njëri-tjetrit me humor: “Eja të bashkëpunojmë për të mirën e këtij vendi, o i nderuar kriminel”!

Kriza politike njëzetvjeçare, është veç të tjerash, edhe produkt i gjuhës së urrejtjes, e cila ka dëmtuar rregullisht marrëdhëniet mes protagonistëve kryesorë. Larg çdo retorike idealiste, është anakronike të vijojmë të pretendojmë Europën, nëse nuk jemi në gjendje të ndërtojmë një debat politik serioz, në vend një shfarosjeje kolektive shpesh banale dhe vulgare. Sepse është fare e thjeshtë: nëse mendon se përballë ke puçistë, horra, plehra apo bastardë Blloku, s’ia vlen fare të ulesh e të bisedosh me ta. Duhet të kesh kë të ftosh në tryezë, për të bërë një kompromis. E për ta bërë këtë, ka vetëm një zgjidhje: të mbash gojën!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama