Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Asimetri ekstremiste të përkëmbyeshme

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Hoxha
Asimetri ekstremiste të përkëmbyeshme

1. Libri “Kurban” i liderit socialist Edi Rama rezultoi një nga tre librat më të shitur në panairin e këtij viti. Emri dhe pozicioni i autorit nxiti kërshërinë. Bombardimi mediatik tërhoqi turma të tëra blerësish nga lexues të zellshëm deri tek ata që ndoshta s’kanë lexuar ndonjëherë libër në jetën e tyre. Plot libra të tjerë, autorët e të cilëve apo temat e lëvruara, s’tërheqin publikun e gjerë, mbetën, paradoksalisht, në hije, ndonëse të ekspozuar në një panair libri të vizituar më shumë se çdo herë tjetër.

2. Megjithatë, leximi i “Kurban”-it nuk është kohë e humbur: as për lexuesit me sqimë, të pakët në numër; as për lexuesit e përciptë, të shumtë në numër; as për ata që leximi është një veprim i rrallë, në mos i munguar në jetë, tip ky në numër edhe më i madh se pararendësit. Libri rrjedh lehtë mes gjuhës se zhdërvjelltë, shpesh eksperimentale. Përshkrimet e ngjarjeve, personazheve, njëherazi persona realë, mjediseve, gjendjes a zhvillimeve japin kënaqësi artistike.

3. Gjithçka do qe e përkryer, nëse autori do kish qenë jo shqiptar ose lexuesit do kishin qene jo shqiptarë. I ngritur mbi një realitet shqiptar, të cilin pak a shumë e njohim dhe e vlerësojmë përditë, libri të vë, pashmangshmërisht, në pozita të një gjykimi tej atij artistik. Edhe lexuesi më i ftohtë e më abstragues nuk do të mund të ndante anën artistike, e të shijonte veç këtë, nga përmbajtja shqiptare e librit. Tek e fundit, ky mund të ketë qenë qëllimi i autorit. Provokimi. Propaganda. Të dyja. Ndonëse thotë se e nisi jo për libër, por si një rrëfim intim e të pandërprerë përballë një dëgjuesi imagjinar.

4. Në 444 faqe të tij, libri ripërsërit ngjarje, persona, vepra të këtyre dhe vlerësimet për të gjitha këto të autorit, të cilat ai i ka thënë, rithënë e prapë thënë, edhe më parë në biseda private, debate të kahershme, intervista televizive apo në shtypin e shkruar, konferenca për shtyp e deri tek të ashtuquajturat editoriale të muajve të fundit. Gjëra të pathëna me parë mundet ndoshta të përmblidhen në veçse një duzinë faqesh të librit. Përsëritja është e mërzitshme, por jo në librin e Edi Ramës. Arti i tij i të shkruarit e bën përsëritjen të këndshme. Një tjetër arsye që leximi rrjedh. Të paktën për mua ishte kështu.

5. Libri, si thesi i gjithçkaje të thënë më parë, jep një krahasim asimetrik dhe ekstremist mes Edi Ramës si individ, politikan me vizion e vepra konkrete kundrejt të gjithë të tjerëve, përfshirë Ahmet Zogun. Si në një hapësirë karteziane me shumë dimensione X, Y, Z, …; koordinata të vlerave të cilësive të individit, politikanit, vizionit dhe veprave konkrete, Edi Rama e vendos veten në një pozicion të lartë në hapësirën pozitive. Hapësira e dritës. Të tjerët fillojnë të radhiten poshtë e më poshtë në hapësirën e dritës vetëm nëse janë pranë apo mbështetës të tij. Ca të tjerë, me ca hije të lehta a të forta aty-këtu, mbeten në hapësirën e dritës vetëm nëse mund t’i duhen në të ardhmen apo nëse i shërbejnë për vetëkritikën e domosdoshme që e rrit vetëlartësimin e autorit.

6. Gjithkush tjetër, kundërshtar, vendoset gjithnjë e më poshtë në hapësirën negative të këtyre vlerave. Hapësira e materies së zezë. Errësirë. Askush nga kundërshtarët nuk bën çap në botën e dritës, qendrën e gravitetit të së cilës e zë dhe e mbart Edi Rama. Askush nuk është më larg, tej, në botën e errët, sesa kundërshtari i tij, po aq gjigant në errësirë sa Edi Rama në dritë. Kush tjetër veç Sali Berishës apo Saliu, siç i pëlqen ta quajë autori politikan. Atje, në errësirën e thellë tashmë, dikur paksa në dritë-errësirë, qëndron Fatos Nano – “më rrugaçi i politikanëve dhe më politikani i rrugaçëve”. Ilir Meta sot, është i zhytur thellë në errësirë, por ka shpresë të dalë në dritë, pasi në bërthamën e tij ka energji të fshehur nga dikur.

7. Asimetria ekstreme në librin e Edi Ramës është po aq e fortë sa ajo mes dy botëve mitike të parajsës dhe ferrit në veprën e Dantes. Ai mund të ishte arbitrar se u mor me dy botë mitike. Edi Rama s’do duhej të ishte kaq ekstremist në këtë botën tonë reale. Na ka ftuar t’i shohim kështu siç ai i sheh personat, politikën, Shqipërinë, Tiranën, shqiptarët. Edi Rama nuk është as i pari dhe as i fundit me një ftesë të këtillë. Asimetri të ngjashme janë përdorur e do përdoren në politikë. Edhe në atë shqiptare. Kujtoni fjalimet, intervistat a shkrimet e liderëve të tjerë: Berisha, Nano, Meta. Po kështu të mjaft skifterëve të skalionit të dytë a të tretë. Propagandë. Le t’i kthehemi librit.

8. Edi Rama thotë se është i çliruar nga vesi i posedimit të parasë, pasurisë e deri tek pushteti si qëllim, ambicie e kënaqësi në vetvete pa vizion e pa vepra të dobishme. Faktet vërtetuese janë të pakta dhe lidhjet logjike të dobëta. Ai banon në një apartament 76 m2 e me qira. Ka veçse pak euro kursime. Gjithçka e vërtetuar edhe nga inspektorati shtetëror që merret me verifikimet e pasurive të politikanëve. Miqtë që e njohin prej vitesh e nga afër, e dinë se nuk ka lidhje me paranë. “Asnjë bir kurve nuk gjen paratë e veta në xhepin e Edi Ramës”. Ai kërkon pushtet. Ndonjë kompromis e ka bërë për këtë shkak. Brenda kufijve të ligjit gjithnjë. Por vetëm se ka një vizion që përputhet apo i paraprin interesit publik. Ai ka një mision. Të realizojë këtë vizion. Ndaj kërkon pushtet, pa të cilin kjo s’mund të ndodhë. Mijëra që e votojnë, e besojnë dhe anasjelltas. Le t’i pranojmë përfundimet e librit për një çast.

9. Edhe ekstremi i Edi Ramës, atje tej në errësirë, Sali Berisha, që sipas autorit është tërësisht e kundërta e tij, do të mund të provonte fare lehtë se vetë është në dritë dhe Edi Rama në errësirë. Mjafton të përdorë të njëjtat lloje e sasi faktesh e të njëjtat lidhje të dobëta logjike që përdor Edi Rama. E ka bërë plot herë. Shumëkush e di se Sali Berisha ka lidhje të dobëta me paranë dhe pasurinë. Ai ka jetuar për një kohë të gjatë në një shtëpi modeste të para ‘90-s. Tashmë jeton në një shtëpi të re, por prapë modeste, dhuratë nga e bija. Ka veçse pak euro kursime. Edhe ai mendon se ka vizion të njehsuar me interesin publik dhe vepra të kryera në shërbim të shqiptarëve, të cilat i ka kryer për shkak se ka ushtruar me devotshmëri pushtetin, të cilin është përpjekur ta marrë për hir të vizionit dhe misionit. Mijëra që e votojnë, e besojnë dhe anasjelltas.

10. “Ndryshe nga Edi Rama, Saliu ka dy fëmijë të rritur që po superpasurohen” – mund të thotë autori e çdokush që mendon si ai. Por edhe ata kanë pasuri të vetëdeklaruara vullnetarisht, pa detyrim ligjor, që në vitin 2005. Rritja e dokumentuar e pasurisë së tyre, nga i njëjti inspektorat, tregon veçse një aktivitet më se normal në këto gjashtë vite. “Gjarpri nuk i tregon këmbët, as familja-regjim pasurinë”– mund të hidhet kundërargumenti. “Me siguri i kanë fshehur përmes emrave të tjerë, besnikë të familjes ose i kanë depozituar në bankat e Qipros a gjetkë”. Hamendësim. Mundet. Prova s’ka. Pa prova mund të hamendësojmë edhe për Edi Ramen se kush e di se ku i fsheh pasuritë marramendëse që hamendësohen.

11. E njëjta metodë mund të përdoret në çdo aspekt të asimetrisë ekstreme të ofruar nga libri i Edi Ramës. Lidhur me vlerësimet për të si individ, politikan, vizion apo vepra konkrete, kemi dy vlera: E vërtetë dhe e gënjeshtërt. Po kështu edhe lidhur me Sali Berishën e vlerësimet për të si individ, politikan, vizion apo vepra. Kombinimet e mundshme mes këtyre vlerave për të dy personat janë katër gjithsej. Në kushtet e varfërisë së fakteve dhe pasurisë së hamendësimeve, siç bën Edi Rama në libër, secili nga kombinimet bëhet njësoj i mundshëm. Përfundimet dalin lehtë.

12. Saliu, i Edi Ramës, në errësirë të thellë, i zhytur në vese e faje. Edi Rama, i Edi Ramës, në dritë të plotë, i veshur me virtyte dhe vepra. Sali Berisha, i Sali Berishës, në dritë të plotë, i veshur me virtyte dhe vepra. Edvini, i Sali Berishës, në errësirë të thellë, i zhytur në vese e faje. Edhe Saliu, edhe Edvini në errësirë të thellë, të zhytur në vese e faje. Edhe Sali Berisha, edhe Edi Rama në dritë të plotë, të veshur me virtyte dhe vepra. Edhe njëri, edhe tjetri njësoj me virtyte e vese, me vepra, gabime a faje. Apo thuajse njësoj, pak a shumë. Vende-vende njëri pak më i mirë e tjetri pak më i keq dhe anasjelltas. Zgjidhni e merrni. Votoni. Secili sipas dëshirës. Ka për të tërë. Por një gjë mund të thuhet pas leximit të librit. Edi Rama është propagandisti më i talentuar mes politikanëve dhe politikani me më pak talent mes propagandistëve.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama