Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një lamtumirë shqiptare për Danielle Mitterrand

Shkruar nga: Besnik Mustafaj  
Botuar më: 14 vite më parë

Besnik Mustafaj
Një lamtumirë shqiptare për Danielle Mitterrand

Ndërroi jetë me 22 nëntor 2011 dhe u largua nga kjo botë Danielle Mitterrand, ajo grua për të cilën bashkëshorti i saj, ish-Presidenti i Francës, François Mitterrand, pati thënë se ishte ndërgjegjja e tij e majtë. Ishte tetëdhjetë e shtatë vjeç. Kam pasur rastin të njihem me të në pranverën e vitit 1994, gjatë një mbrëmjeje te disa miq të përbashkët. Asokohe punoja në Ambasadën Shqiptare në Paris. Ajo e kishte ndërtuar me kohë profilin e saj publik shumë përtej hijes së rëndë dhe aureolës së ndritshme që do të duhej të kishte natyrshëm si Zonja e Parë e Francës. Në Paris e më gjerë dihej, madje, se ajo nuk e jetonte këtë status të rehatshëm në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale.

Një nga gjërat që u kujtua edhe këto ditë të përcjelljes së saj të fundit nëpër kronikat televizive anembanë botës, ishte dhe fakti se ajo nuk e ndërroi kurrë banesën e vet familjare për t’u vendosur në rezidencën llamburitëse presidenciale, ku i shoqi “mbretëroi” jo pak, por plot katërmbëdhjetë vjet. Gjë unike kjo me sa thuhet në historinë e zonjave të para jo vetëm në Francë, por edhe në Europë e në botë. Ky fakt ka rëndësi posaçërisht për të kuptuar se ajo kishte kauzën e vet në shërbim të njerëzimit dhe i shërbente kësaj kauze me një zell dhe përkushtim, para të cilit e humbitnin vlerën detyrimet dhe mondanitetet protokollare që gëzon zakonisht kudo, e sidomos në Francë, bashkëshortja e kryetarit të shtetit. Afro tetëmbëdhjetë vjet më parë unë do të shkoja në atë mbrëmje me një prapamendim, të cilin nuk e përfytyroja dot si do të më dilte: do të flisja me këtë Zonjë atipike në skenën e pushtetit për një hall që nuk lidhej fare as tërthorazi me marrëdhëniet franko-shqiptare.

Miqtë e përbashkët, që organizonin mbrëmjen, më kishin porositur veçanërisht të mos i kërkoja ndonjë ndërhyrje pranë të shoqit. Nuk i pëlqenin asaj njerëzit që përfitonin nga takime të tilla informale, siç do të ishte ajo mbrëmje miqësore, për t’i kërkuar favore që preknin veprimtarinë apo vendimet e Presidentit Mitterrand. Ky ishte një paralajmërim i dobishëm për mua si diplomat i ri, që kisha aq shumë nevojë të bëja miq me besimin se miqtë e mi do të ishin doemos edhe miq të vendit tim. Kjo mbrëmje përkonte me një periudhë kur qeveria greke, e inatosur për arsyet e saj, kishte vënë përsëri në veprim operacionin me emrin e koduar poshtërsisht “Fshesa”. Përditë në kufirin tonë silleshin me qindra emigrantë shqiptarë, hyrë sigurisht në mënyrë të paligjshme në tokën helene, për të punuar në të zezë për aq kohë sa nuk do të kapeshin nga policia, me qëllim të sillnin një dorë lekë në shtëpi kur t’i përzinin. Siç e përshkruante shtypi këtë fushatë, më të shumtët e këtyre hallexhinjve, të zënë në befasi nga policia në vendet ku punonin, e gjenin veten në kufi me duar në xhepa, pa arritur të merrnin as teshat e trupit e jo më hakun për punën e kryer.

Madje flitej edhe për pronarë të pandershëm, të cilët përfitonin nga rasti dhe i denonconin vetë argatët e tyre “të paligjshëm” në fund të muajit, kur afronte afati për t’i paguar. Ky ishte hall mbi hallin. Pas javësh e muajsh pune rraskapitëse e pa asnjë të drejtë, siç është gjithmonë puna në të zezë, ata ktheheshin te fëmijët e tyre me duart thatë. Në bisedën me zonjën Mitterrand unë e shtrova problemin vetëm nga ky kënd: si mund të ndihmoheshin këta njerëz që të merrnin të paktën hakën e djersës së tyre? Ajo më dëgjoi me vëmendje dhe në një çast, ku unë po i kërkoja ndjesë nëse po e ngarkoja me një bisedë të tillë, ma ktheu: “I përfytyroj ata burra si ndjehen, veç të tjerash, edhe të turpëruar kur paraqiten para grave të veta pa një centim në xhep”. E miratova me sy më shumë se me fjalë, plot mirënjohje për mirëkuptimin.

Sikur më nxori nga një siklet. Më premtoi vetëm se do të shihte ç’mund të bënte me fondacionin e saj “France-Libertés”. Pastaj ndërroi bisedë dhe unë e kuptova se nuk duhej të ngulja këmbë më tej. U largova nga ajo mbrëmje pa ndonjë shpresë se kisha arritur diçka, sado që të zotët e shtëpisë, tek më përcillnin, më siguruan se Danielle Mitterrand nuk do ta harronte atë që kishte dëgjuar. Siç më thanë ata, ky lloj shqetësimi përputhej plotësisht me filozofinë e veprimit të saj në shërbim të vuajtjes njerëzore, kundër padrejtësisë. Unë i mora fjalët e miqve të mi si një ngushëllim për dështimin e përpjekjes time dhe i falënderova, gjithsesi, për rastin që më kishin dhënë, një rast që, sigurisht, do ta kisha krijuar me vështirësi të madhe duke ndjekur rrugën zyrtare, ose edhe nuk do ta kisha krijuar dot fare. Isha po ashtu i vetëdijshëm se ndërhyrja ime ishte krejt larg fokusit të punës së zakonshme të një diplomati të përqendruar në ndërtimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Në këtë kuptim, nuk mund të quhej dështim, u përpoqa unë ta qetësoja sedrën time. Isha gabuar. Pa kaluar dy javë, një mëngjes më mori në telefon në zyrë vetë zonja Mitterrand. Pa e stërholluar bisedën, ajo më vuri shkurtimisht në dijeni se, nëpërmjet rrjetit të bashkëpunëtorëve të Fondacionit të saj në Greqi, kishte identifikuar një fermer grek, i cili jo vetëm nuk ishte pajtuar me sjelljen çnjerëzore të autoriteteve të vendit të vet kundrejt emigrantëve shqiptarë, por kishte bërë edhe një gjest të mrekullueshëm. Ai kishte marrë rrugën të gjente punëtorin e tij në Shqipëri për t’i dorëzuar pagesën e humbur. Megjithëse me një adresë krejt të përafërt, fermeri i njerëzishëm kishte arritur më në fund në shtëpinë e shpresëhumburit, diku në një fshat të Fierit. “A ka një rreth me emrin Fier?” – e ndërpreu ajo tregimin e vet si për t’u siguruar se unë po e ndiqja në anën tjetër të linjës. Në vazhdim, fondacioni “France-Libertés” kishte vendosur t’i akordonte këtij fermeri fisnik një çmim mirënjohjeje dhe do të shkonte ajo vetë t’ia dorëzonte atje ku ai jetonte. Dhe ashtu ndodhi. Zonja Mitterrand e dinte mirë se prania e saj do t’ia jepte gjithë peshën veprimit të saj. Më së pari, në qeverinë greke do ta mbanin parasysh që ajo ishte jo thjesht Zonja e Parë e Francës.

Ajo ishte bashkëshortja e Presidentit Mitterrand. Siç kam shënuar në një fletore asokohe, u ndërpre aty për aty operacioni “Fshesa”. Mediat greke i bënë jehonë të madhe arsyes së vizitës së presidentes së fondacionit “France-Libertés” në vendin e tyre, me ç’rast tërhoqën edhe vëmendjen mbi dramën e emigrantëve shqiptarë. Shtypi njoftoi javët në vazhdim se shembulli i laureatit të çmimit ishte ndjekur edhe nga shumë e shumë pronarë të tjerë, ndërgjegjja e të cilëve ishte trazuar. Ata kishin nisur të kërkonin rrugët për t’u dërguar pagesat e mbetura peng punëtorëve të tyre.

Në fjalë të fundit, Danielle Mitterrand ndihmoi edhe grekët ta shihnin për një çast veten në një pasqyrë e të përmirësoheshin, ndihmoi një grusht hallexhinjsh shqiptarë të merrnin hakën e mundit të tyre, por, mbi të gjitha, ndihmoi që të qetësoheshin disi dufet e zemërimit te njerëzit e zakonshëm në të dyja anët e kufirit. Ky gjest është, me të drejtë, fare i vogël në jetën e mbushur të kësaj militanteje të madhe, e cila mospajtimin e vet me padrejtësinë e kishte filluar vajzë fare e re, kur u bashkua me rezistencën kundër pushtuesit nazist dhe nuk e ndërpreu deri në frymën e fundit. Ama ky gjest, sipas mendjes time, është i madh për ne, shqiptarët. Po e kujtoj sot në shenjë të një lamtumire prej së largu ndaj saj. Ia kemi borxh.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama