Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shpëtoni Rrugën e Kombit!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 14 vite më parë

Blendi Fevziu
Shpëtoni Rrugën e Kombit!

Ajo që shumëkush e quan në dy vitet e fundit plot krenari “Rruga e Kombit”, duket se meriton sot, as më shumë e as më pak, titullin e një filmi të famshëm të Hollivudit, “Shpëtoni ushtarin Rajan”! Por, ndryshe nga ushtari i devotshëm Rajan, që kërcënohej nga zjarri armik, shpëtimi i të cilit kërkoi jo pak sakrifica nga ushtria amerikane, “Rruga e Kombit” kërcënohet nga ne vetë dhe kërkon pak, fare pak mund, që të mos përfundojë si dhjetëra rrugë të tjera në Shqipëri.

Thënë ndryshe, që të mos humbasë e gjarpërojë mes stacioneve të benzinës që shpeshherë shërbejnë edhe si hotele, motele, lavazhe, piano-bare e, pse jo, edhe pishina për t’u freskuar në të nxehtin e verës.  Që anës saj të mos ngrihen varreza makinash dhe dyqane, ku mund të dallosh tabelën: Shesim kondicionerë, kapele dhe goma makinash! Që mu aty ku mbaron vizimi i rrugës në vend të posteve të emergjencës të mos ngrihen qendra industriale dhe të mos stivohet hekur, beton apo thasë çimentoje. Që gjurma e rrugës të mos përzihet me baltën anash saj dhe që fshatarët e zonës të mos kalojnë nga një anë në tjetrën sikur kanë dalë për shëtitjen e mbrëmjes!

Për fatin tonë të keq, mjerimi i rrugëve shqiptare, një mjerim tipik dhe krejtësisht “Made In Albania”, që nuk e gjen askund në botë, ka filluar të kaplojë edhe të vetmen rrugë të standardeve ndërkombëtare në Shqipëri, Rrugën e Kombit. Ose më mirë të thuhet, atë segment të saj të ndërtuar rishtas nga Rrësheni në Morinë! Udhëtimi përmes saj, që ishte një kënaqësi e veçantë dhe që mund të mbetet ende e tillë nëse ndërhyjmë shpejt, ka filluar jo në pak vende të kthehet në një stres.

Në një segment të rrugës së ndërtuar nga kompania “Bechtel-Enka”, diku në afërsi të Repsit, ose më pas, ndarja në mes është sharruar, duke lejuar kthimin e makinave në sens të kundërt! Nuk e di se ç’mund të ndodhte në një vend të botës nëse autostrada sharrohej në një pjesë të saj, por di që në Shqipëri, edhe kronikat televizive të bëra për këtë problem, s’kanë provokuar asnjë reagim. Në një vend ku po të thyesh një xham shkon në polici, të sharrosh autostradën kryesore në vend, të heqësh 10 metra hekura dhe t’i hedhësh në ndonjë kanal, s’përbën asnjë problem. Nuk po them se sa është kostoja e kësaj, në një rrugë që ka kapur miliardin, por di të them se kostoja e jetës së ndonjë shoferi të pafat që do të përplaset me makinat që kthehen aty pa teklif është e pallogaritshme. Sepse ne po çojmë çdo udhëtar të asaj rruge drejt aksidentit dhe humbjes së jetës për neglizhencë, papërgjegjshmëri ose edhe me qëllim.

Në anë të rrugës, duke sharruar po kaq lehtësisht rrethimin anësor, janë shfaqur benzinatat e para, hotelet e restorantet, diku një kështjellë që Zoti e di ç’do të jetë dhe katër-pesë terrene të sistemuara ndërkohë, gati për t’u ndërtuar. Nuk e di nëse ka ndërhyrë njeri për këtë gjë, por s’është çudi që të gjitha ato të jenë pajisur me leje komunash apo edhe më lart, duke u ngulur si thika mbi një rrugë që është e të gjithëve dhe që u ka kushtuar shqiptarëve shumë prej investimeve të këtyre gjashtë viteve. Madje, tani mund të thuhet që nuk është më vetëm e jona, por edhe e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë, që e përdorin po kaq shumë atë rrugë.

Segmenti nga Kukësi në Morinë është edhe më i masakruari. Çdo 100 metra ndarjet janë sharruar, duke i mundësuar çdo banori të zonës ta marrë kthesën përpara shtëpisë së tij, pa u lodhur të bëjë 5 kilometra dhe të kthehet në vendin e caktuar. Arteria kryesore e shqiptarëve është shndërruar në segmentin “Kukës-Morinë”, në një rrugë lokale ku dalin për xhiro benz-at 240 të popullatës lokale, karrocat me dru e bar dhe ku ndërtimet anës rrugës janë më se normale, madje edhe me shitës ambulantë. Të ecësh në këtë segment është më e vështirë se të ecësh në çdo rrugë tjetër të Shqipërisë. Ende nuk e kam kuptuar se përse kjo rrugë u mbyll në mes, u konsiderua një autostradë e mirëfilltë dhe më pas u sharrua sërish për t’u kthyer në një rrugë fshati!

Sinjalistika në dy anët e rrugës lë po kaq për të dëshiruar. Shenjat prej fosfori që të orientojnë natën gjenden vetëm aty-këtu, ndërsa sapo kalon në pjesën kosovare, gjithçka është perfekte. Jo vetëm ato, por edhe rrethimi, vijëzimi e madje edhe mbyllja me rrjetë për të ndaluar kalimin e pakontrolluar të kafshëve. Rrugën në dy anët e kufirit e ka ndërtuar po ajo kompani dhe dy standardet e ndryshme, në dy anët e kufirit janë të palejueshme!

Për fatin tonë të keq, kontrolli i territorit dhe respektimi i ligjit në këtë drejtim ka qenë dështimi më i madh i shoqërisë në 20 vitet postkomuniste. Ndërtimet pa leje dhe, mbi të gjitha, në kundërshtim jo me një, por dy-tri ligje njëherazi, nuk janë ndëshkuar thuajse në asnjë rast. Tani, në momentin që po tentojmë të ndërtojmë dhe të zbatojmë një standard botëror, siç ndodh me rrugën “Durrës – Kukës”, rrezikojmë të bëjmë të kundërtën. Ky është rasti më i mirë që do të dëshmojmë se tani e tutje do të kalojmë në një standard të ri, atë që njeh gjithë bota, ose ta kthejmë edhe atë në standardin e zakonshëm shqiptar, ku çdo gjë e bukur bjerret në shëmtimin e kryekomunarëve ose fshatarëve që ligjin e konsiderojnë gjënë më pa vlerë në botë. Dhe i kthejnë rrugët, por edhe çdo pjesë të territorit në Shqipëri, në një kartolinë të trishtë ndërtimesh mizerabël, me hekurat mbi to, gati për të vijuar katin tjetër.

Ndaj, sa nuk është ende vonë, sa nuk kemi thënë ende: tani s’kemi ç’bëjmë, le ta shpëtojmë Rrugën e Kombit. Të fillojmë me të, nëse duam të shpëtojmë edhe vetë kombin nga mungesa e ligjit dhe pandëshkushmëria e atij që e shkel atë…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama