Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Tallavaja antikomuniste e një ure

Shkruar nga: Artan Lame  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Lame
Tallavaja antikomuniste e një ure

7 nëntor. Mediat lajmërojnë se gjatë punimeve për hapjen e unazës së Shkodrës janë zbuluar gjurmët e një ure mesjetare. Mesnëntori. Bashkia Shkodër reciton frazën tip: Punimet do të ndërpriten derisa të sqarohet situata. Instituti i Monumenteve (që duhet të sqarojë situatat), as që bëhet i gjallë.

2 dhjetor. Më vjen një email nga një qytetar shkodran, B.S., që më shkruan të bëjmë ç’është e mundur për ta shpëtuar urën e zbuluar. Më bën me dije pastaj se “bashkë me banorët e lagjes, kanë nënshkruar peticionin e dërguar te Ministria e Punëve Publike në vitin 2010, lidhur me Urën Kërçile, e cila është një vepër e mbuluar nga koha e monizmit. Foton e ka edhe zëvendësministri i Transporteve”. Nga ky informacion marr vesh që historia qenka që e vitit që shkoi.

Fillimdhjetori. Qendra Arkeologjike as që e vë ujin në zjarr. Për më tepër që ata nuk kanë as ujë e as zjarr. Kanë vetëm karriget që i ngrohin në dimër e ju bëjnë fresk në verë.

Ndërsa Instituti i Monumenteve është i një race të veçantë. Myteberët e kyçur atje, nuk duan që t’i zësh në gojë as për mirë e as për keq. Duan thjesht që bota t’i harrojë e kështu të vegjetojnë në furrikun e tyre të patrazuar.

17 dhjetor. Bashkë me Artan Shkrelin dhe Lorenc Bejkon shkojmë në Shkodër. Është e shtunë, bie një shi i dendur gjithë rrugën dhe fryn një erë dreqi. Në Shkodër vizitojmë gjurmët e zbuluara, fotografojmë e diskutojmë mes nesh dhe japim disa prononcime në media, me qëllimin për të tërhequr vëmendjen e institucioneve. Kthehemi direkt për Tiranë mes shiut dhe të ftohtit.

18 dhjetor. Bashkia e Shkodrës bën një prononcim publik, sipas të cilit kemi shkuar në Shkodër “për pushime fundjave” (hej bela!), se jemi komunistë, se nuk jemi bërë merak asnjëherë për Shkodrën, e plot broçkulla si këto. Se çdo të bëhet me urën e zbuluar, asnjë fjalë.

19 dhjetor. Vazhdojmë diskutojmë në Forumin për Trashëgiminë për çështjen e gjetjeve në Shkodër dhe furnizojmë mediat me materiale për ta mbajtur çështjen të hapur. Gjithashtu edhe një grupim intelektualësh dhe dashamirësh shkodranë, disa edhe nga jashtë vendit, përpiqen të tërheqin vëmendjen e autoriteteve për këtë zbulim në qytetin e tyre.

20 dhjetor. Bashkia Shkodër deklaron se ne nuk qemë kujdesur asnjëherë për Urën e Kërçiles dhe se ura nuk ishte monument kulture ndaj punimet do të vazhdojnë. Se si mund të kujdeseshim ne për urën 10 vjet më parë dhe se si mund të ishte ura monument kur nuk ishte zbuluar akoma, vetëm ata të Shkodrës e dinë!

22 dhjetor. Vazhdojnë ngacmimet në media, me qëllim që të detyrojmë ndokënd të lëvizë vendit. Më në fund, më informojnë se Neritan Ceka paska deklaruar se bashkë me Apollon Baçen do të shkojnë vetë në Shkodër për të parë si është puna. Më në fund u zgjuan, ose më saktë, i zuri turpi.

Vazhdim dhjetori. Bashkia e Shkodrës vazhdon luftën me mullinjtë e erës. Sipas tyre, fotot që sollën komunistët nga Tirana (unë e Bejko) nuk janë të vendit ku janë bërë zbulimet. Pastaj zbulimet nuk qenkan Ura Kërçile, por kolektori mesjetar i ujërave të bardha etj. E thonë këtë për t’i ulur vlerën, duke harruar se po të jetë vërtet kolektori, do të ishte akoma më me vlerë, pasi do të kishim të parin kolektor mesjetar në Shqipëri!!!

24 dhjetor. Artan Shkreli boton një shkrim për çështjen e infrastrukturës mesjetare në zonën e gjetjeve aktuale. Shkrimi është thjesht teknik dhe historik pa asnjë referencë apo ngjyrim politik. Thjesht bën thirrje që të kihet parasysh zbulimi i bërë.

Vazhdim dhjetori. Bashkia Shkodër vazhdon me të vetën: “Artan Shkreli kur ka qenë drejtor i Institutit të Monumenteve dhe Artan Lame kur ka qenë zv.ministër i Kulturës (nuk kam qenë asnjëherë zv.ministër i Kulturës) nuk janë kujdesur për Urën Kërçile dhe nuk e kanë shpallur Monument Kulture”. Sërish përpiqem të kuptoj se si mund të kujdeseshim apo se si mund të shpallej ura monument, që kur ishte ndën dhé!!!

Funddhjetori dhe fundi i historisë. Unë mora vesh që qenkam komunist, Bashkia doli faqelarë para antikomunistëve, ndërsa ura falë zhurmës së bërë nga shumë dashamirës dhe nga mediat, ka gjasa të shpëtojë.

Të nderuar lexonjës. Ju lodha me gjithë këtë kronologji jo për t’u thënë se ç’bëmë ne, por për të vënë në dukje një racë të veçantë të zyrtarëve shqiptarë të molepsur aq keq në politikë, sa u është kthyer në shtyllë kurrizore që po ua hoqe bien e zhgërryhen përdhe si qese pa vlerë. Për asnjë moment nuk e akuzuam Bashkinë, për asnjë moment nuk thamë se kanë faj a kanë bërë keq, as bërë përcaktime për çka është zbuluar e pamë në Shkodër. Ne thjesht kemi kërkuar të tërheqim vëmendjen e atyre që paguhen nga ne qytetarët, për ta pasur mendjen aty ku nuk e kanë.

Kjo sërë zyrtarësh shqiptarë, të ndërgjegjshëm që jashtë vathës politike nuk i hyjnë në punë as dreqit, për çdo gjë që u thua të përplasin menjëherë në fytyrë një frazeologji të shpëlarë politike, por që për fat të keq ende ngjit në një masë njerëzish, që s’do e s’do të kuptojë se më e keqja racë e komunistëve janë komunistët e shndërruar në antikomunistë. Nuk bëhen shumë merak as për shkrime si ky, siç mund të mendojë lexonjësi i thjeshtë e me cipë. Jo, për ta mjafton që ai të cilin ata e kanë vendosur në llogoren e armikut po i shan dhe ata ndihen në rregull. Edhe këtu për ta vlen parimi marksist “sa më shumë të të shajë armiku aq më në rregull je”. Nuk janë zgjedhur e as emëruar as për të administruar qytete as për të zgjidhur halle nëpër zyrat e shtetit. Janë aty ose për t’i rënë tallavasë antikomuniste ose si shpërblim partie. Po e kanë bërë këtë detyrë ndihen të sigurt.

Dakord, po i pranoj të gjitha që më thoni, i korruptuar, komunist e ç’të doni, por a ka mundësi të merreni edhe me atë që po ju themi, me urën pra!? Unë vetë po ta dija se mund të ndihmonte në këtë punë, nuk do nguroja t’i kërkoja ndërhyrje as Jozefina Topallit apo kujtdo shkodrani që ka fuqi në këto punë. Po ju, ç’dreqin keni që unë ju them ja ura sot, e ju më thoni lëre urën po na thuaj ç’ke bërë para 11 vjetësh!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama