Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Propozimi i PS, Meidani: Presidenti me konkurs, absurde

Shkruar nga: Rexhep Meidani  
Botuar më: 13 vite më parë

Rexhep Meidani
Propozimi i PS, Meidani: Presidenti me konkurs, absurde

Ish-kreu i shtetit analizon debatin kushtetues.

“Të kërkohet pa humbur kohë një interpretim nga Kushtetuesja për kuorumin në Kuvend”

Organizime kushtetuese të sistemit politik

Kushtetuta, në përgjithësi, është një dokument i shkruar, i adoptuar nga një autoritet sovran, që më shpesh është populli. Ajo shpreh shtyllat kryesore të organizimit shtetëror. Në një mënyrë apo tjetrën, ajo, në frymën e saj nënkupton ose përmban edhe parime e rregulla të pashkruara, vendime e interpretime juridike, praktika e “zakone” moderne politike, konventa ndërkombëtare etj. Në të vërtetë, një kushtetutë vlerësohet “demokratike” kur ajo promovon “të mirën publike”, garanton liritë dhe të drejtat individuale, ka një procedurë të qartë për ndryshimin e saj, mishëron një nivel të mjaftueshëm të kufizimit të fuqisë ekzekutive.

Sipas kushtetutave, në Europë veçohen disa pamje të organizimit të sistemit politik. Të tilla janë: demokracia monarkike kushtetuese (parlamentare), republika parlamentare, republika gjysmëpresidenciale dhe ajo presidenciale (e ngjashme me atë amerikane me presidentin kryetar shteti dhe qeverie). Monarki kushtetuese në Europë janë: Britania e Madhe, Belgjika, Danimarka, Holanda, Norvegjia, Spanja, Suedia, Luksemburgu, Monako, Lihtenshtajni e Andorra. Variant tjetër i sistemit politik demokratik në Europë është republika gjysmëpresidenciale, si ajo tipike franceze.

U afrohen deri diku këtij modeli Finlanda, Rumania, Lituania, Polonia, Ukraina apo Federata Ruse (në rastin e fundit, gjatë presidencës “Putin”, modeli rus u shndërrua praktikisht në një variant gati presidencial). Edhe në rastin tipik francez mund të veçohen dy variante ekstreme: a) ai i një republike pothuajse parlamentare (në kushte kohabitacioni midis shumicës parlamentare që prodhon qeverinë dhe presidentit të kampit të kundërt politik); b) ai i një republike gati presidenciale (si p.sh., gjatë presidencës “Sarkozi”, ku vihet re një zbehje e peshës ekzekutive fillimisht dhe asaj legjislative). Në kuadër të BE-së, rast tipik presidencial është ai i Qipros greke. Në vende të tjera europiane sistemi politik demokratik është ai i një republike parlamentare, me nuancat e veta (diku me kryetar shteti apo president me detyra më të “kopsitura”, diku me profil më honorifik). Të tilla janë republikat në mjaft vende ish-socialiste. Por, në ndryshim prej Greqisë, Italisë, Gjermanisë etj., ku Presidenti zgjidhet nga Parlamenti (Greqi), nga Parlamenti dhe Senati (Itali) apo nga Konventa Federative (Gjermani) etj., në mjaft nga këto shtete ish-socialiste, zgjedhja e Presidentit bëhet drejtpërsëdrejti nga populli (por, ama, pa prekur thelbin e një republike parlamentare)…

Rasti shqiptar

Rasti shqiptar është ai i një republike të “ekuilibruar” parlamentare. Aty, ndryshe nga disa vende ish-socialiste në rajon, procesi kushtetues i zgjedhjes së Presidentit në praktikën e tranzicionit ka qenë ai parlamentar. Pra, edhe pse kompetencat e tij në këto vende janë të afërta me ato të përcaktuara në Kushtetutën e Shqipërisë, procesi zgjedhor atje është mbështetur në votën popullore të drejtpërdrejtë. Kurse në rastin shqiptar, procesi demokratik, pavarësisht ndryshimeve aktuale, është realizuar në Kuvend, fillimisht sipas paketës kushtetuese, në vitin 1991 dhe vitin 1992. Edhe dy zgjedhjet e tjera, në mars 1997 dhe korrik 1997, janë zhvilluar në përputhje me paketën kushtetuese. Ndërsa zgjedhjet pasuese, më 2002-shin dhe 2007-n, janë realizuar në përputhje me Kushtetutën e vitit 1998.

Vlen të theksohet se pas hedhjes poshtë të projektkushtetutës në referendumin e vitit 1994, ku u synua të formulohej në mënyrë më eksplicite praktika qeverisëse e viteve 1992-1994 (e vazhduar dhe tri vitet e mëvonshme, brenda skemës politike me një President të fortë partiak dhe një Kryeministër të dobët), në hartimin e Kushtetutës së vitit 1998 u sanksionua më qartë koncepti parlamentar i Republikës. Madje, sipas saj, individi që merr përsipër detyrën e Presidentit ka detyrimin kushtetues që të “ngrijë” të gjitha funksionet e mëparshme partiake, për t’iu përshtatur nga ana kushtetuese-ligjore pozicionit mbi palët të kryetarit të shtetit dhe përfaqësimit të unitetit të  popullit. Parë me këtë sy, edhe kriteret, numrat apo procedurat e zgjedhjes së kryetarit të shtetit, kanë vlerën e rëndësinë e tyre; gjë që me ndërhyrjet e fundit kushtetuese të vitit 2008 nuk duken të përputhshme me nivelin aktual të demokracisë shqiptare.

Sidoqoftë, pavarësisht shmangieve të konstatuara gjatë tranzicionit, Shqipëria është dhe mbetet një republikë parlamentare. Në Kuvend delegohet sovraniteti i popullit. Pra, për një periudhë të caktuar kohe, ky sovranitet i popullit u delegohet deputetëve apo përfaqësuesve të zgjedhur prej tij. Duke pasur parasysh këtë proces delegimi dhe kohën e kufizuar të këtij delegimi, është fare pa kuptim pretendimi politik se vullneti i grupit përfaqësues shumicë është dhe shprehja e plotë e vullnetit të sovranit (popullit). Ky pretendim dominues, i çfarëdo force politike në pushtet, është tërësisht i gabuar. Ai mishëron një koncept jodemokratik, deri primitiv, mbi organizimin politik mbi shtetin, ku një rol të veçantë kanë dy parime bazë: ndarja e pushteteve dhe kontroll-balancimi i tyre. Për më tepër, një pretendim i tillë cenon dokumentin themeltar – Kushtetutën e Shqipërisë. Ai ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë mjaft shformime të tjera. Prandaj, “përkulja” e mëtejshme e institucionit të kryetarit të shtetit veçse do ta çonte në një ekstrem akoma më abuziv konceptin “njëpolar” të drejtimit, ndryshe nga teoria dhe praktika demokratike e shtetit “shumëpolar”. Këtë republikë të tillë parlamentare shumëpolare, me ndarje e kontroll-balancim pushtetesh, kërkon dhe Kushtetuta jonë, ku institucioni i kryetarit të shtetit luan një rol thelbësor në këtë ndarje e kontroll-balancim.

Absurditeti i konkursit në zgjedhjen e Presidentit
Sipas nenit 87 të Kushtetutës së Shqipërisë.

1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

Pra, sipas këtij paragrafi, është i mundshëm kandidimi i deri 7 kandidatëve në raundin e parë të votimit në Kuvend. Madje, të gjitha detajet e kandidatëve janë në duart e deputetëve që përpara votimit. Sidoqoftë, sqarimin më të plotë për votimin dhe procedurat e tij e realizojnë paragrafët pasues. Kështu, në paragrafin e dytë dhe të tretë të nenit 87, theksohet se:

2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.

Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.

3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit…

Detajet e tjera jepen në paragrafët pasues të këtij neni. Por, siç theksohet në paragrafin e dytë, “votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat”. Ndërsa në paragrafin e tretë theksohet se për zgjidhjen e Presidentit kërkohen “tri të pestat votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit” në votimin e parë, të dytë dhe të tretë, por nuk thuhet asgjë për kuorumin e domosdoshëm për këto tri votime të para. Sidoqoftë, për të shmangur konfliktet e fërkimet midis palëve politike, mund të kërkohet, pa humbur kohë, një interpretim i këtij paragrafi nga Gjykata Kushtetuese. Aq më tepër që çdo përplasje e mosbesim ndaj individit dhe procesit të zgjedhjes së tij në krye të institucionit të kryetarit të shtetit e bën më të vështirë kryerjen e detyrës së tij në kuadër të përfaqësimit të unitetit, paanësisë e neutralitetit.

Pikërisht, e parë me këtë sy, mungesa apo vonesa e kërkesës për një interpretim kushtetues të këtij paragrafi, nuk e justifikon as juridikisht, as politikisht, idenë e hedhur këto ditë mbi organizimin e një konkursi për përcaktimin e kandidatit për President Republike. Ndoshta nuk është një ide e hedhur nga politika, por është thjesht një “scoop” mediatik dite! Megjithatë, një ide, sa absurde e naive mund të rezultojë demoralizuese e shkatërrimtare për institucionin e kryetarit të shtetit, vetë autoritetin e tij në realizimin e detyrës. Aq më tepër që për raste të tilla nuk mund të huazohen praktika e përvoja konkursi, mjaft të dobishme për pranimin, p.sh. në një fakultet arti!

Në fakt, në procesin e zgjedhjes së Presidentit, ose duhen realizuar plotësisht kriteret e rregullat kushtetuese ekzistuese brenda disa procedurave parlamentare të përcaktuara, ose duhen ndërtuar e miratuar kritere e rregulla të reja për zgjedhje të tij, p.sh., nga populli, në ngjashmëri me praktikat botërore demokratike të një zgjedhjeje të tillë. Madje, edhe në rastin e fundit nuk bëhet fjalë për “naivitete konkursi”, por për rregulla kushtetuese apo praktika partiake.

Kështu p.sh., në Francë, PS-ja franceze ka ndjekur rrugën e përzgjedhjes së kandidatit për President brenda anëtarësisë apo simpatizantëve të saj, në analogji me modelin amerikan. Në variantet jo të drejtpërdrejta, zgjedhja e kryetarit të shtetit realizohet në Parlament (qoftë ai me një dhomë apo dy dhoma). Në këtë rast, janë fare të mundshme e normale, por dhe domosdoshmërish transparente, negociatat fillestare midis partive politike parlamentare, prirja për një konsensus të tyre. Por, në asnjë rast nuk mund të guxohet për organizime “konkursi” me komisione dëgjimi e “provimi”. Shumë më novator është procesi amerikan, ku pjesë e domosdoshme e tij është seleksionimi paraprak i kandidatëve prej anëtarësisë së partisë apo elektoratit në disa shtete amerikane, deri në vendimmarrjen përfundimtare në konventën partiake, në nivel federal. Për këtë model ia vlen të thuhen dhe disa fjalë më shumë edhe për arsyen e thjeshtë që viti 2002 në SHBA është dhe viti i zgjedhjeve presidenciale…

Mbi zgjedhjet paraprake në SHBA

Kohë më parë, kandidatët presidencialë të dy partive në SHBA caktoheshin me negociata në prapaskenat e politikës. Ishin “bosët” e partive dhe mbështetësit kryesorë që vendosnin se cili mund të ishte kandidati për President në radhët e demokratëve apo të republikanëve, dhe gjithçka merrte vulën përfundimtare në kongresin e partisë së tij. Që prej vitit 1972 rregullat ndryshuan. Që në atë kohë filloi zbatimi i sistemit të përzgjedhjes së kandidatit që ndeshim dhe sot, madje, në përgjithësi, në konventat partiake delegatët thjesht miratojnë atë që kanë përzgjedhur në mënyrë paraprake zgjedhësit. Këto zgjedhje paraprake janë komplekse dhe sipas mënyrës së zgjedhjeve, quhen “Caucus” ose “Primary”. Madje, vetë procesi politik në SHBA për zgjedhjen e kandidatëve për President është relativisht i gjatë. P.sh., për zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2012, pas zgjedhjeve paraprake në Ajova, proces përzgjedhës u zhvendos në Nju Hampshir (shtet ky me territor e popullsi të vogël, por me një jehonë rezultatesh në të gjithë Amerikën). Në shumicën e shteteve, votuesit regjistrohen në një parti politike dhe mund të votojnë vetëm për kandidatët e asaj partie. Ndërsa në disa shtete, si Nju Hampshir, votuesit të cilët nuk janë të regjistruar në ndonjë parti mund të marrin pjesë në zgjedhjet paraprake. Kështu, zgjedhjet paraprake u mundësojnë kandidatëve që të prezantohen para votuesve, të njihen prej tyre, të shpalosin vizionin e tyre, idetë themelore mbi çështje të ndryshme apo mbi preokupime kryesore të qytetarëve. Nëpërmjet këtij procesi politik, të quajtur dhe si “politikë me pakicë”, kandidatët zhvendosen nga një vend në tjetrin duke kontaktuar drejtpërsëdrejti votuesit, marrin pjesë në tubime të ndryshme, japin intervista apo përfshihen sot në rrjete sociale. Në periudhën e fundit, shtetet e veçanta kanë vendosur t’i organizojnë më herët zgjedhjet paraprake me shpresën se kështu mund të tërheqin më mirë vëmendjen kombëtare dhe të ndikojnë më shumë në përcaktimin e kandidatit presidencial. Nuk mungojnë dhe propozimet për organizimin e zgjedhjeve paraprake në të njëjtën ditë, njëlloj si dhe për zgjedhjet presidenciale përfundimtare. Por, një gjë e tillë do të favorizonte sidomos kandidatët që do të kishin mbledhur më shumë fonde, apo ata që e nisnin garën me një popullaritet më të madh. Së fundi, shtojmë se në zgjedhjet paraprake, vota e hedhur për një kandidat presidencial, në fakt, është votë për delegatët e kandidatit në konventën kombëtare të partisë (që zakonisht zhvillohet dy muaj para votimit përfundimtar). Në përgjithësi, kandidati me numrin më të madh të delegatëve fiton dhe mbështetjen e partisë për kandidimin e tij në zgjedhjet e përgjithshme presidenciale. Ky është “konkursi” real, kjo është konkurrenca e vizioneve, e ideve dhe e angazhimeve, kjo është gara e votës brenda partive apo gara kushtetuese e votës në gjirin e elektoratit!…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama