Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kozmetika e integrimit

Shkruar nga: Mentor Kikia  
Botuar më: 17 vite më parë

Mentor Kikia
Kozmetika e integrimit

Shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk e dinë nëse ka më shumë përfitim apo kosto të qenit në NATO apo BE, pasi procesin e integrimit ata e shikojnë vetëm si një mundësi të lëvizur lirshëm. Pra, që t‘i hipin autobusit, të vulosin pasaportat në Kakavijë apo Kapshticë, të shkojnë të punojnë në Greqi. E po kështu të ikin edhe në Itali, në Gjermani apo Holandë. Por çfarë mund të bëjmë ne shqiptarët, që ta bindim Gjermaninë, p.sh., dhe vendet e tjera ta heqin regjimin e vizave me Shqipërinë? Propozimi për përafrimin e legjislacionit me vendet evropiane është detyrim që buron nga ambiciet tona për t‘iu afruar familjes evropiane dhe nuk ka nevojë për pakte e mirëkuptime "historike" mes partive. Për më tepër, propozimet e bëra në kuadër të paktit, për pajisjen e shtetasve me karta identiteti apo prodhimi i pasaportave me elemente të forta sigurie, janë detyrime që duhen përmbushur, kanë apo jo lidhje me vizat dhe madje janë vënë në rendin e ditës për t‘u zgjidhur. Edhe kjo s‘ka nevojë për marrëveshje politike të tipit "Pakt Kombëtar". Ndërsa propozime si ai për bllokimin e pasaportave të shtetasve shqiptarë që kalojnë kufirin ilegalisht, si masë kundër klandestinitetit, është vërtet për t‘u gajasur. Por, meqë propozimi u bë zyrtarisht nga një parti serioze, atëherë kjo është për të vënë kujën. Qeveria t‘u bllokojë pasaportën klandestinëve, pasi kështu do ta bindim Evropën që të na heqë vizat! Në radhë të parë, ai klandestini merr malet me torbë në krahë, sepse nuk i japin vizë, pasi në të kundërt do të kalonte nga dogana, pra ai është pasojë e jo shkak. Ndërsa në radhë të dytë, e të fundit, atij as që i hyn fare në punë pasaporta, sepse në male nuk ta kontrollon kush ke apo s‘ke vizë.

Të tilla propozime, përtej naivitetit që bartin, janë tregues i dy fenomeneve që po karakterizojnë politikën shqiptare kohët e fundit. Së pari, mania e madhe për protagonizëm dhe e dyta, politika e retushimit të së vërtetës dhe maskimit të saj. I pari është një karakteristikë njerëzore, paçka se kur bëhet me mbidozë është qesharak. Si i tillë, ai përveçse prodhon ca njerëz që kapardisen podiumeve e para kamerave për të marrë meritat e një suksesi që mund të vijë nesër për arsye krejt të tjera, që nuk kanë lidhje me "direktivat" e paktit, nuk sjell ndonjë dëm tjetër. Ndërsa i dyti është i dëmshëm, pasi ai është një mashtrim edhe më i madh se vetë politika si koncept.

Duhet të kujtojmë se pakti politik për reformën në drejtësi dhe atë në sistemin zgjedhor u shit bujshëm si një sipërmarrje e madhe e politikës shqiptare. Aq sa lajmi nuk ishte se do të bëhen ligje të reja për të reformuar drejtësinë e për të nxjerrë nga ngërçi sistemin zgjedhor, porse partitë politike në Shqipëri ranë dakord t‘i bëjnë ligje së bashku. Në dehje e sipër nga ky pajtim i pashoq, politika jonë mori rrugët deri në Bruksel për të treguar me të madhe se çoç ka ndodhur në Tiranë. "Ok, tha Brukseli, boll më me fjalë, tani bëni punë, na sillni rezultate konkrete". Politika jonë mendoi se do ta mashtronte Brukselin me lajmin e madh të paqtimit dhe duke imponuar idenë se këtu punët shkojnë vaj, mjafton të mos ketë njeri që të bërtasë e të grindet. Madje, një deputeti që doli kundër një neni në ligjin për sistemin e drejtësisë, iu sulën duke i thënë se ai nuk dëshiron që Shqipëria të hyjë në NATO. Me tallaz të madh klasa jonë politike bërtet se po i bëjmë reformat që të na fusin në NATO. Pa të mos qe NATO, ne aty do të rrinim, mu në vitin ‘97, kallashët si kemi dorëzuar ende të gjithë.

Edhe pakti i ri i vizave mbetet në të njëjtën logjikë. Ne do të bëjmë ca ligje më të mira dhe nuk do të lejojmë këmbë shqiptari të kalojë ilegalisht kufirin. E ritheksojmë se ligjet duhen bërë të mira, sepse duhen, jo sepse bota të mendojë ndryshe për ne. Kufiri duhet ruajtur se pse është detyrë e shtetit e jo të dukemi ndryshe në sytë e botës. Por, edhe nëse e arrijmë këtë, pra ne nuk lejojmë më këmbë shqiptari të ikë ilegalisht në Perëndim, a do të jetë ky një tregues që ne kemi kapur standardet e Shengenit? Zoti i ruajtë mendjen atij që mendon se po. Realisht kjo s‘mund të ndodhë, pasi do të ngordhin urie gjysma e familjeve që mbahen me paratë e emigrantëve klandestinë. Dhe e dyta, edhe sikur të ndodhte, kjo do të ishte thjesht një trukim i realitetit, prodhim i dy imazheve: Njëri, ai që është në të vërtet, pra Shqipëria jonë dhe tjetri, ai që ne duam që të mendojë Evropa se është. Standardet e BE-së nuk kapen duke thënë ne se s‘ka më emigracion klandestin, por kur të mos ketë vërtet të tillë, pra kur të mos ketë njerëz që marrin vdekjen ndër sy kur hipin në skaf në mes të dimrit apo udhëtojnë një javë me këmbë maleve duke ngrirë në dëborë. Dhe të tillë nuk do të ketë kur këtu të ketë punë dhe mirëqenie. Askush nuk mund t‘i heqë vizat me Shqipërinë tani, kur pjesa më e madhe e popullsisë ende ëndërron të marrë arratinë, në kërkim të një vendi tjetër, ku të mos vuajë për t‘u ushqyer e për t‘u veshur.

Politika duhet të heqë dorë nga logjika se duhen bërë ndryshime që të na shohë Evropa. Ndryshimet duhen bërë për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe atëherë padyshim që Evropa do ta shohë, pa qenë nevoja që të shkohet në Bruksel pas çdo neni që shkruhet në Tiranë, për të treguar se ç‘punë të madhe është bërë. Askush nuk ka mbetur në histori duke punuar enkas për këtë qëllim, përkundër ka mbetur ai që as e ka menduar këtë gjë, kur i është përkushtuar punës së vërtetë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama